Një
mike që në fillim ishte skeptike për konstatimin tim se dhënia e
luleve mësuesve, është korrupsion, sot më shkruan dhe tregon se
në qytetin e saj, përveç luleve nga nxënësit, mësuesit paskan
mbledhur lekë dhe u kanë blerë drejtoreshave fustane për shtatë
marsin.
Nëse
kolegët blejnë një tufë lule, mund të kuptohet. Nëse kolegët
blejnë një gjësend përkujtues, mund të arsyetohet dhe ruhet si
kujtim, por kur kolegët të blejnë pantallona, ose fustan, atëherë
është edhe poshtërim se prodhon konotacione mjerimi, nevoje dhe
pamundësie për ta blerë vet.
Pra
jo vetëm abuzim me fëmijët duke i detyruar t'u japin lule
mësuesve, por nga epidemia e korrupsionit, qenkan përfshirë edhe
krejt kolektivet e shkollave: njerëzit me fakultete dhe shkolla të
larta. Nuk ka asnjë dyshim se abuzimin me fëmijë e ndalon ligji në
çdo shoqërie europiane, por tek ne, duket se ndjejnë një kënaqësi
të veçan dhe të pashpjegueshme, kur shohin fëmijët e ngrysur, të
poshtëruar, të shfrytëzuar nga të rriturit, që mbajnë lule në
banka para vete. Se është korrupsion dihet, edhe se shpërfillet
akoma ajo dukuri dihet, por mund të ketë edhe tendenca tjera, që
akoma nuk i njohim. Ndoshta edhe një pedofili latente shpirtërore.
Nuk duhet shtuar asnjë fjalë se blerja e luleve dhe dhuratave nga
nxënësi mësuesit, që paguhet për punën e kryer, është abuzim
shpirtëror, pervers me të mitur. Sikur ideja të vinte nga nxënësi,
me vullnetin e tij, me vendimin e tij, atëherë mund të kuptohej,
por jo si veprohet, ku një kope arsimtarësh pret dhurata nga
nxënësit e manipuluar. Ja një fragment nga emali i parë nga
Kosova:
“i
nderuar, disi me intrigove me ate minikorrupsionin, qe mund te behet
neper shkolla me rastin e festave -aktuale. Doli te jete ashtu,
fatkeqesisht ! Ne dy shkolla fillore ne..., arsimtaret kane mbledhur
para nga koleget-mesueset, qe t u blihen dhurata (fustan)
drejtoreshave. Definitivisht jemi per analize. une s pata edhe si ta
bej publike, ...por u trishtova dhe s pata si mos te them se :KISHE
TE DREJTE ! Ndaj, po ua them keshtu-ilegalisht, hahha klmm.”
Dy
drejtoreshave kolegët u pakan blerë fustane. Bukur shumë. U duhen.
Kjo dihet. Kështu mirëpo korruptohet drejtori i shkollës dhe i
pezullohet mundësia për të udhëhequr objektivisht ato
institucione arsimore. Drejtoreshave u duhet fustani. Kjo mund të
kuptohet, por nuk mund të kuptohet se si mund të shkojë nesër në
shkollë me atë fustan, që i kanë financuar kolegët. Duhet edhe
pak dinjitet edhe pak sedër: fustani i kolektivit mund të prodhojë
pritshmëri, shpresë për favore dhe dikush mund të kërkojë që
ai fustan të vishet për një ditë të caktuar, kur kolegut i
pëlqen. Në atë çast drejtoreshat humbin integritetin e vet dhe
bëhet e sulmueshme dhe e përdorshme. Dhe, merreni me mend, kur
kolegët që nuk kanë dashur të financojnë blerjen
por e kanë bërë nga frika e organizatorit, thonë: “Shiko
fustanin tonë nëpër korridor!”
Sidoqoftë
në testin e PISA-së në vitin 2013
Shqipëria pat zënë vendin e fundit në Europë. Kjo nuk pengoi
asnjë mësues, asnjë mësuese, që të festojë “martirizimin”
në arsim, edhe atë, duke qenë të paguar, në liri, duke pasur
sigurim shëndetësor dhe duke mos qenë të ndjekur nga ndonjë
pushtues si kryekreje, por të përkëdhelur. Arsimi shqiptar qe
rreshtuar në vendin e 57, nga 63 shtete pjesëmarrëse
në test, por Shqipëria edhe këtë vit rirreshtoi nxënësit e
abuzuar, kurse manipuluesit prisnin të buzëqeshur. Asnjë psikolog
nuk do të kishte mundur t'u shpjegojë fëmijëve, pse ai që ka aq
shumë autoritet mbi ta, duhet të
marrë dhurata nga nxënësi? Pse eprori nga vartësi?
Si
të rritur kemi kuptuar pse kemi hedhur lule pas shputave të Enverit
dhe Titos. Kemi kuptuar atëherë apo me vonesë, pse duhej përkulur
kurrizin para diktatorëve, por si t'i shpjegohet nxënësit se
korrupsioni dhe bakshish-mentaliteti, duhet
mësuar në shkollë? Këtë duhet ta shpjegojë
një sociopsikolog.
Politika
shqiptare duhet ta kuptojë dhe ndalojë manipulimin me nxënës dhe
ta riemrojë festën si Ditë të Shkollës Shqipe, çfarë në fakt
ishte, por jo ditë të mësuesit. Gjendja jonë në mars të
vitit 2016 ishte kjo: shkollat fillore më të dobëta në Europë.
Shkollat e mesme më të dobëta në Europë. Fakultetet më të
dobëta në kontinent, por ata që prodhojnë mediokritete
falënderohen, shpërblehen dhe festohet DITA e atij
MËSUESI. Dikur talleshim me kremtimin e serbeve të luftërave
të humbura, ne festojmë ditën e mësuesit, që alfabetizon
fëmijët, por nuk është në gjendje as t'i edukojë, as tua mësojë
gjuhën shqipe, e as t'i arsejë si duhet. Ne festojmë mediokritetin
me idiokracinë tonë.
Sidoqoftë
urime atyre dy kolektivave në Kosovë, që paskan pasur ide aq
origjinale dhe paskan blerë fustane për drejtoreshat dhe vet paskan
marrë lule nga nxënësit. Vitin e ardhshëm duhet më shumë se
fustane. Mund të blini edhe televizorë dhe kompjuterë. Kështu
keni në duar drejtoreshat.
Me
profilet që po nxjerr tani për tani shkolla shqipe, më mirë të
festohet dita e pastruesit të shkollës se sa e mësuesit. Duket se
ai është personi më i arsimuar nëpër shkollat shqiptare. Urime
Dita e Mësuesit me fustane!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen