Sot
mbahen zgjedhje në tre lande të Gjermanisë. Gjermania ka 16 lande,
Bundeländer, me 16 kryeqytete. Landet mund të krahasohen me
shtetet amerikane, ose kantonet e Zvicrës, prandaj quhet edhe
Republika Federale e Gjermanisë. Tre prej tyre janë shtete-qytete,
Stadtstaaten: si Berlini, Hamburgu dhe Bremeni.
Sot
mbahen zgjedhjet në Renani - Palatinat, emërtim nga italishtja
(Rheinland-Pfalz), Baden Wyrtenberg (Baden-Württemberg) dhe Saksoni
Anhalt (Sachsen-Anhalt), ky i fundit land i ish Gjermanisë Lindore.
Druhet
se do të fitojë deri në 18 për qind AfD. Alternativa për
Gjermaninë e zonjës Frauke Petry. Nëse arrin tek ai numër,
atëherë mund të vështirësohet krijimi i koalicioneve në lande,
sepse partitë e mëdha, akuzojnë atë për qëndrime radikale
kundër të huajve dhe refuzojnë të bëjnë koalicion me AfD.
Në
kongresin e vet që do ta ketë partia, dëshiron të shqyrtojë
mundësinë e ndalimit të synetit, çfarë dje alarmoi myslimanët
dhe hebrenjtë. Partia ka arritur këtë përqindje me deklaratat e
saja kundër refugjatëve, posaçërisht kundër myslimanëve. Para
disa ditëve pat kërkuar edhe përdorimin e armëve për të ndaluar
hyrjen e refugjatëve. Në parti flitet hapur kundër myslimanëve,
homoseksualëve dhe radikalëve ekstrem. Duket se gradualisht po
pozicionohet dhe njësohet me ideologjinë e Donald Trumpit.
Zonja
Merkel dje deklaroi se refugjatët në kufirin maqedonas, mund të
vendosen në Greqi dhe se ata që kanë ardhur, jo se kanë mundësi
të integrohen, por e kanë për detyrë. Ky mendim i saj u
klasifikua nga media gjermane si ndryshim në qëndrimet e saj, që
qe kundërshtuar edhe nga partia, ministra dhe kryesisht partia motër
e Bavarisë CSU.
Provokimet
seksuale në Keln, si dhe lëndimet në natën e Vitit të Ri, ku
pasuan më shumë se 1000 kallëzime penale nga vajza gjermane, më
shumë se 500 prej atyre denoncime për provokim seksual, ndihmuan
AfD dhe çdo vepër penale e refugjatëve, ndikon në rritjen e asaj
partie. Ngjarjet e Vitit të Ri, ndikuan edhe në ndryshimin e ligjit
dhe mundësinë për t'i kthyer kriminelët në vendin e vet.
Sot,
pra, në këto tre lande nuk do të ketë thjesht zgjedhje, por do të
votohet edhe për apo kundër politikës së deritashme të
kancelares Merkel.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen