Religjioni është besim, nuk është dije. Besimi nuk kërkon dije shtesë, por bindje shtesë. Dije prodhon shkenca. Dija kërkon lexim të vazhdueshëm, të qindra librave. Dija nuk fitohet vetëm me një libër. Me një libër ikim prapa për shumë shekuj. Religjion nuk mëson të prodhohen barëra, makina, avion, kompjuter, por çdo njëri prej tyre, ka ndaluar librat tjerë, prandaj edhe nuk ka lejuar shkollat derisa kanë pasur pushtet. Për ta kërrusur një popull, ata kanë degraduar gruan, që krijon kombin. E kanë bërë të gjitha, tani disa janë modernizuar dhe janë mbështetur për mur. Jo me dëshirë, por i detyroi iluminizmi, kushtetuta moderne.
Demokracia toleron besimin jashtë shtetit, derisa nuk ideologjizohet, kur vëren se mund të rrezikojë vlerat morale njerëzore, humanizmin, atëherë demokracia, mund të bëhet më shumë barbare se barbarët.
Demokracia e sotshme, nuk është sintezë e religjioneve, por e filozofëve, dijetarëve në përgjithësi. Edhe politikanët e kanë kundërshtuar në kohën e tyre. Religjioni përpiqet ta bëjë të lumtur njeriun pas vdekjes, demokracia para saj. Kjo e fundit edhe i lejon të drejtën për ta synuar vetëm pas vdekjes, e para jo. Demokracia i beson lirisë dhe individualitetit, deri sa nuk dëmtohet njeriu, religjioni përpiqet të anulojë lirinë dhe individualitetin, sepse ai lirinë përkufizon si degjenerim dhe braktisje, dezertim nga grupi, që prodhon një identitet të përbashkët me dhunë dhe mbikëqyrje sociale të përhershme
Religjioni krijon grupe, distancon njerëzit dhe kulturat, rrënon urat, humanizmi dhe demokracia, i afron. Demokracia ndalon racizmin, urrejtjen në baza fetare dhe nacionale. Religjioni kultivon ndarjen dhe paragjykimet ndaj besimit tjetër.
Humanizmi nuk pranon ekzistimin e skllevërve, të gjitha religjionet e pranojnë si tregti normale. Si blen njeriu speca, blen skllavin. Se mbrojnë klerikët religjionin, është normale. Ata fitojnë pushtet dhe rrogë dhe është logjike, kur çdo njëri prej tyre mbron profesionin e vet, që e ushtron me pasion.
Demokracia lejon konvertimin, religjionet jo. Ashtu si ka vdekur politeizmi, do të vdesë një ditë edhe monoteizmi. Ky është evolucioni. Çdo gjë një ditë shpërbëhet në grimca më të vogla dhe lind e reja. Do të mbetet një njollë e madhe në historinë e njerëzimit, sepse në emër të tij, janë vrarë miliona veta dhe mijëra vriten sot.
Nëse ka zot, ai di se në këtë tokë, ka shumë religjione dhe i pëlqen kjo. Po të ishte e kundërta, do ta ndryshonte për disa sekonda. Të gjitha religjionet bazohen në ëndrra. Shkenca thotë, nëse dëshironi të humbni kohë, analizoni ato! Zakonisht njeriu nuk ëndërron duke ngrënë barë, por klerikët ia mësojnë kullosën modeste dhe me atë, duke kërkuar prej tyre të ndihen të lumtur! Ekzekutimi më i keq që mund t’i bëhet njeriut, është vrasja e individualitetit të tij dhe instalimi i të huajit. Aty zhbëhet ai si qene njerëzore dhe qarkullon si kopje e huaj!
Humanizmi mund të sigurojë paqen në botë dhe mundësojë të gjithë popujve, lumturi më të madhe. Këtë mundësi i garanton demokracia. Edhe besimtarëve, sepse demokracia u dhuron atyre lirinë e nevojshme. Shumica në botë nuk janë monoteistë. Edhe këtë di zoti.
Humanizmin e impresionojnë diversitetet, religjionin impresionon njëllojshmëria, si edhe komunizmin, uniteti i brendshëm, segregacioni, krijimi i enklavave. Kjo është në kundërshtim me natyrën e njeriut. Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë besime të ndryshme. Kur të pranojmë këtë realitet të madh dhe të pandryshueshëm, kur të konsiderojmë këtë vetëm bindje vetjake, kemi dhënë një kontribut të madh për ruajtjen e paqes në botë. Kundërshtimi, demaskimi i çdo lloj perëndie, që anulon lirinë dhe të drejtat e njeriut, është vepër humaniste dhe iluministe, sepse luftohet lufta, që vazhdimisht përgatitet nga kleri radikal me indoktrinm, me urrejtje dhe luftë psikologjike.
Vivre et laisser vivre!