02.04.2016

Kacafytja epokale me bashkëshorten, ZËRI

Pasi bleva telefonin e mençur, domethënë shumë inteligjent me këndesin brenda, që zgjon nga gjumi; me aftësi për të lundruar në internet, me mundësi për të lexuar gazeta, për të dëgjuar muzikë, për të dërguar mesazhe, fotografi, për të shikuar filma të luftës, madje edhe për të telefonuar, u ktheva në shtëpi dhe aty shpërtheu lufta e ftohtë.

Shoqja, sapo pa kutinë në dorë, theksoi me një zë të ulët, por me një mospajtim bukur të ashpër, se telefoni i mëparshëm, ishte në gjendje të mirë, kishte kryer detyrën e vet si duhet dhe kishte telefonuar gjithmonë, ato veta që unë kisha dëshiruar. Madje, se kishte dërguar mijëra mesazhe dhe kishte pranuar, se kishte telefonuar bukur, se kishte zë të qartë dhe se me këtë të riun, domethënë shumë të mençurin, mund të tëhollohet zëri dhe mozomakeq, tingëllon nga largësia si zë dylberi.
Pas dy tri minutave, zhurma e zërit u rrit për disa paskal, tok me qortimet në mënyrë të ndërsjellë dhe ajo nënvizoi, se po mendoja vetëm për vete, por jo për shtëpinë, që prej dite në ditë, po bëhej më injorante.
- Dëgjo, tha, - ke blerë telefon të mençur, por kemi frigorifer krejtësisht budalla, injorant, që nuk merr vesh asgjë. Për të parë se çfarë mungon brenda, duhet hapur dera, merre me mend. Pastaj, ndonjëherë djersitet shumë, aty ku duhet të ngrihet dhe prodhon akull, ku nuk duhet, edhe pse nuk ka atë detyrë. Frigoriferi jonë, ky budallai, që e kemi tash e dhjetë vite, herë pas here bën temperaturë siberiane, dmth. si në dhjetor, edhe pse jemi në prill, sepse ngatërron muajt dhe raftet. Madje, edhe e ofendoi rëndë, duke thënë se ky frigorifer, nuk është asgjë sot, pos një idiot!

Në këtë çast u pezmatova dhe rikujtova se këtë idiot, e kishim paguar shtrenjtë dhe se e kishte zgjedhur pikërisht ajo.
Po a ? pyeti, - e çfarë domethënë kjo? Ta lavdëroj përsëri këtë edhe pse ngatërron muajt dhe sillet mu ashtu si i pëlqen? Verës bëhet gati i nxehtë dhe dimrit tepër i ftohtë ? Është bërë oportunist dhe i përshtatet vazhdimisht motit, sepse është rralluar... Është servil, i pa kurriz! Ky më më duket si një politikan zvarranik!

Po e dëgjoja me vëmendje dhe pyesja veten, nga vjen kjo ngarkesë emocionale dhe përbuzëse, për pajisjet tona, ajo mirëpo vazhdoi me kursin pa i bërë përshtypje heshtja ime.

Është koha të blejmë një frigorifer të mençur me internet dhe webcam brenda. Kur shkojmë në shitore, nuk hapim derën për të parë brenda artikujt, që duhet blerë, kështu ai konsumon më shumë energji se ajri i ngrohtë futet brenda, por vështrojmë ato nga jashtë, pa hapur derën. Dhe, edhe pajisjet tjera në shtëpi, i kemi idiote. Shiko, Sabinës, (jeton majtas nga ne), ka blerë burri një stufë gatimi të mençur. Në pesëqind gradë, pastron dhe dezinfekton vetveten. Ky analfabeti jonë këtu, nuk e ka bërë kurrë, madje as nuk i shkon mendja, tash e dhjetë vite...
A din të lexojë stufa e Sabinës?, - e ndërpreva. Më pa me një vështrim, i cili ishte bukur shumë kërcënues dhe solli kokën. Duke u përpjekur të mos shkatërroj fundin e javës, premtova se do t'i zëvendësojmë gradualisht me aparate inteligjente. Kur fliste për pajisjet tona, i ofendonte si të mesjetës dhe madje, i quante edhe të kohës së gurit, edhe pse atëherë, e dija me siguri, se nuk kishte pasur aparate të tilla, por nëse kundërshtoja metaforat e saja, do ta paguanin pjatat tërbimin tonë. Si Rusia dhe Turqia me shtëpitë siriane kundër Perëndimit.

Dhe, para se të blesh makinë tjetër, - tha ajo duke u shëtitur nëpër kuzhinë, - mos harro se edhe makina për larjen e rrobave, është budallaqe me brirë, sa s' bëhet më!
Këtu kuptova se kishte ndërmend ta anulojë dëshirën time për të blerë një makinë të mençur dhe e ndërpreva pakëz vrazhdë, si një burrë i vërtetë, që ka afri tepër të madhe gjenetike me shimpanzën.
Domethënë ta mbajë tutje veturën antike?, - thash 'antike' duke shpresuar se ngjall pak mëshirë.
Domethënë unë ta mbajë makinën antike të larjes, piskati duke humbur durimin edhe ajo.
Dhe, nuk duhet të blej makinë, por ta bëjmë shtëpinë inteligjente, është ky qëllimi jot ?, - pyeta duke ulur zërin.
Po, tha, - pa i bërë syri tërr.

Mora frymë thellë dhe neuronet ia nisën rebelimit. Ato pëshpëritnin në kor: ti je burrë, ty të duhet makinë e mençur, jo pajisje elektrike të mençura. Duhet të hapësh xhamin me dorë, jo si tjerët me sustë. Dritat ndizen si në shtëpi me një interuptor. Brenda gjendet harta e rrugëve, jo navigatori. Dimrit gjysmë ore zgjat derisa nisë të ngrohet, ti mërdhihesh, derisa Hansi, në pikë të dimrit, ka një temperaturë si në korrik, 33 gradë brenda, madje, e ngroh me një telekomanda nga ballkoni veturën e vet të mençur. Lufto, rezisto, blije makinën! Ti je malësor, ti je lindur në malësi, në Bukurocë! Malësia ka pasur burra me bole, ku i ke ti? Qëndro si burrë edhe nëse fundoset bota dhe merr me vete edhe të pafajshmit!

Turma tjetër e neuroneve, protestonte ashpër. Mos dëgjo neuronet rrugaçe, ato janë primitive, ato janë pis neurone, që kanë hedhur shumë pronar të tyre nëpër burgje. Trego se je njeri i mençur si telefoni. Në qoshe, pranë veshit të majtë, disa neurone tjera talleshin dhe thoshin: mos u dëshpëro, mos e blej as makinën, as pajisjet, shko në pushim! Ose, shko në Siri për pushime, 'all inclusiv', edhe ceremonia e varrimit! Disa neurone tjera, aty nga qendra e trurit, ishin ulur në dhjetëra radhë si në teatër dhe përcillnin spektaklin brenda. Aty pas ballit, u tubuan urgjent neuronet e urta dhe pëshpëritnin: blija shoqes pajisjet inteligjente, se mbete budallai i fundit në lagje me ato aparate duduk. Ti je burrë, ti je burrë, bërtisnin neuronet tjera, që kishin origjinën nga malësia. Qëndro!

Në këtë çast, dëgjova një piskamë të bashkëshortes.
Ti as nuk dëgjon, kur flas unë. Tërë kohën flas, madje edhe përdori metafora të gabueshme, sarkazma krejtësisht të pavend, ironi dhe hiperbola banale, madje, duke mos respektuar edhe ndërtimin e fjalisë, duke shtrembëruar sintaksën qëllimisht dhe duke e bërë katrahurë, vetëm për të parë se a jam duke folur me ty apo vet me vete! Ku je ?, - piskati përsëri. Dhe, duke më mohuar të mundësinë për t' u përgjigjur, dmth. të drejtën dhe lirinë e mendimit, që më garantonte kushtetuta, vazhdoi, - si gjithmonë, ti nuk dëgjon kurrë!
Çast historik për familjen thash vet me vete, mu edhe si dhjetëra çaste historike në vit, në politikën shqiptare, që prodhon histori pa ndërprerë. Madje edhe darkat dhe drekat janë janë çaste historike.

Akoma pa përfunduar mbledhjen me neuronet, në televizor u shfaq një aparat sa një frigorifer, që kishin ndërtuar dijetarët amerikan dhe që mund të prodhonte medikamente të ndryshme, edhe atë, edhe kundër kancerit, ose antibiotikë. Folësi në televizor duke më parë drejtë e në lule të ballit, diku në mes të vetullave, tha: „Specialistët amerikan bëjnë të ditur në gazetën profesionale Science, se kanë ndërtuar një aparat kuzhine, ku me shtypjen e një suste, prodhon medikamentet e dëshiruara. Varet nga substancat që futen dhe nëpërmjet gypave, reaktoreve dhe nxehjes, ndajnë substancat e nevojshme, për të prodhuar ilaçin e dëshiruar. Shkencëtarët Timothy Jamison dhe Allan Myerson, pohuan në Boston, se aparati mund të prodhojë 800 deri në 4.000 doza në ditë dhe jo si tani, ku humbet tepër shumë kohë, për t'i bashkuar substancat nëpër laboratorë.”

Kupton kohën ku po jetojmë? - m'u drejtua duke më parë drejt në sy. Bota po jeton në ardhmëri, ne po jetojmë në lashtësi! Tash Chatherines, (fqinja në hyrjen djathtas pranë nesh), ia blen burri edhe këtë aparat super të meçur, kurse ne dy, ne dy duhet të vrapojmë në barnatore edhe për një paracetamol. Çfarë turpi! Eja me mua, eja, - më tha dhe u nisa. Neuronet ishin pasivizuar të gjitha dhe dukej se po bënin grevë.

Kjo makinë e larjes së teshave, - tregoi me gishtin qortues, nuk thanë rrobet si e Annës, (fqinje që banon mbi ne), por din vetëm t'i lajë. Kur ajo ta blejë atë që edhe hekuros, ne do ta blejmë atë që edhe i thanë. Kurse unë, unë duhet të ngarkohem dhe dërgoj në bodrum ose në oborr, gjersa ajo, shikon me burrin e saj një serialin romantik në televizor!

I vështruam së bashku të gjitha pajisjet dhe më bëri të qartë, se më budallaqe se kuzhina jonë, nuk kishte në lagje, e sigurisht as në qytet. Ndoshta edhe në Gjermani. Gjithashtu më bëri të qartë se celularin, që kisha, sony ericson, ishte më i mençur se ky celular prekor, që funksionon me prekje, por është idiot i madh, sepse mund të përgjohet, ndërkaq, ky që kisha, nuk mund as nga shërbimet e inteligjencës maqedonase, që stigmatizon gruan shqiptare. Me 'soni ericson', mund të bëjnë dashuri ministrat e deputet disa herë në ditë, kurse me telefonin e mençur, merret vesh menjëherë, sepse është telefon i pafytyrë dhe nuk mban fjalën, i tregon krejt botës.
Pis telefon, thash vet me vete. Tradhtar edhe pse e mban në xhep me aq shumë respekt.

Dje Anna, nga tarraca i rrëfente se burri saj kishte blerë për Tetë Marsin një hekur për hekurosje shumë të mençur. I them, fiku, ai fiket. Shoqja ime e dëgjonte me vëmendje dhe tundte kokën.
Kur kthehem, ndizu, ai ndizet. Hekuri jonë nuk posedonte shqisa dëgjimi dhe dukej antievolucionar: nuk kuptonte asnjë urdhër. Fqinja nëse lëshonte hekurin nga dora pa e lëvizur disa sekonda, ai fikej, e jona digjte çdo gjë nën vete. Duduk hekur, e quajti shoqja ime. Dhe, blerja e atyre aparateve të mençura, ishte dëshmi eksplicite e dashuri dhe pikë, shpjegime tjera, nuk pranonte edhe sikur të vinte Ban Ki-moon.

Emrat e fqinjeve si Sabina, Catherine dhe Anna, më janë bërë në shtëpi, si ato shtrëngatat amerikane, taifunët dhe tornadot, që me të drejtë meterologët amerikanë, pagëzojnë me emra të grave. Ata murrlan përplaseshin në shtëpi dhe linin të shkretuar çdo gjë pas vete, sa nevojiteshin së paku tri ditë, për të rikthyer gjendjen normale; duke kaluar pranë njëri tjetrit, por duke vështruar dyshemen, ose duke vështruar pjatën para vete si kurrë më parë në jetë. U përpoqa të shpjegoj se Hansi, Helmuti dhe Thomasi, me aparate po korruptonin gratë e veta, sepse duhet të kenë bërë gjëra të pamoralshme dhe se e kanë bërë nga ndërgjegjja e vrarë. Ndoshta seks me kolegen nëpërmjet telefonit, ku din ti?

Ajo e hodhi këtë mendim poshtë kategorikisht, si amerikanët arsyetimet ruse duke përligjur sjelljet e burrave fqinj, si dashuri konkrete ndaj grave të veta: dashuri inteligjente, sepse dhuronin aparate të mençura, të kohës, sepse ishte fjala për të zëvendësuar aparatet idiote, aparatet antike, me ato me tru. Dhe, sa herë thoshte ´aparatet antike´, më shfaqeshin skena të kohës romake.

Dola në oborr dhe po mbaja një mbledhje me neuronet e mia. I konsultova diku dhjetë minuta. Në fund vendosa ta kthejë telefonin e mençur në shitore dhe të nisë me mençurimin e domosdoshëm shtëpisë, përndryshe, do të zbardhej dita, kur edhe të afërmit, do të talleshin me inteligjencën e aparateve tona. Madje, nuk i tregova fare, se një i afërm imi, kishte blerë shoqes një robot të rrumbullakët si një tenxhere, që shëtitej nëpër dhoma dhe thithte pluhurin, pra, një fshesë të mençur, derisa shoqja tij bënte chat në facebook. Ai ishte një burrë bukur i rëndë në pamje dhe më herët, nuk kishte bërë kurrë kompromise të tilla, por edhe stufën e gatimit inteligjente, ka dy vite që ka blerë shoqes.

Nëse Sabina blen atë aparat të madh sa një frigorifer dhe prodhon medikamente, diskutimi në shtëpi do të zgjaste disa javë dhe, nuk është çudi, nëse emërohet 'shtrëngata Sabina' dhe duhet marrë një kredi, për ta blerë edhe ne...

Keine Kommentare: