11.06.2017

Deshqiptarizimi dhe politika e fuqive të mëdha

Sipas anketave, do të fitojnë komandantët e bashkuar dhe do ta kenë përfundimisht Presidencën dhe Qeverinë. Thaçi do të jetë kryekomandant i të gjithëve dhe Sulltanati është përfunduar. Se janë të gjithë në linjën e Erdoganit, përfshirë edhe LDK-në, e dëshmuan me fushatën. Jo se premtuan të luftojnë radikalizmin, por u zotuan, me fjalë apo kandidatura të reja, se do të përpiqen ta reduktojnë lirinë e mendimit dhe do të krijojnë një atmosferë ligjore të ngjashme me atë në Turqi, ose Arabinë Saudite, ku mendimi lirë konsiderohet blasfemi.

Nëse vërtetë ata fitojnë, tre muajt e parë do të firmoset përvijimi kufitar me Malin e Zi (tani pjesëtar i NATO-s, nuk na konvenon për kufirin, por është më mirë që u largua nga Rusia), pastaj do të përfundohet edhe Autonomia Serbe me kryeqytet Mitrovicën e Veriut. Ata do të thonë se u ndryshua diçka, se u modifikuan disa fjali, por do të zgjidhen këto dy telashe, edhe atë, edhe me votat e LDK-ës.

VV nuk do të pajtohet, por do të burgosen dhjetëra veta dhe përfundon çështja. VV ndoshta edhe ndalohet si parti nga komandantët.

Perëndimit nuk i intereson shumë asimilimi jonë, sepse nga kjo përfiton dhe është me rëndësi të ruajë raportet me Turqinë, që është muri kryesor për të penguar shpërnguljet masive nga Lindja e Afërt në trazim apo e planifikuar për trazime dhe përplasje të reja.
Katër vende arabe izoluan Katarin. Turqia nxitoi në ndihmë. E akuzuan për mbështetje materiale të terrorizmit. Katarin mbështeti edhe Qeveria gjermane. Ministri jashtëm amerikan, po ashtu, kurse Trump akuzoi Katarin. Një Qeveri, dy botëkuptime, dy pikëvështrim, nga dy pikëvrojtime të ndryshme.

Pse ndodh kjo?

Arabia Saudite ka firmosur marrëveshje për blerjen e armatimit në vlerë prej më shumë se 300 miliardë dollarëve. Reagimi i Trumpit kuptohet, por jo i ministrit të jashtëm amerikan. Po pse Gjermania dhe Turqia përkrahin Katarin, kur thuhet se ai financon terrorizmin? Shpjegimi është krejtësisht i thjeshtë: nuk dihet se sa qindra miliarda ka deponuar Katari në Turqi dhe Gjermani. Kjo është e para. E dyta, nga Kalifati Islamik po përfiton industria perëndimore e armatimit përfshirë edhe ajo ruse.

Pra, nuk mund të besohet se agjencitë e zbulimit nuk dinin për Katarin, edhe për vendet tjera, edhe për Turqinë që lejoi rritjen e armatës së Kalifatit, por e kanë toleruar sepse interesi ekonomik është shumë i madh, natyrisht edhe përfitimi. Süddeutsche Zeitung në vitin 2016 raportonte se vendet e Europës Lindore që nga viti 2012, kanë ndikuar në ikjen e sirianëve me shitjen e armëve atje. Në vendin e parë është Sllovakia, në të dytin Serbia, në të tretin Bullgaria. Armët e vjetra janë shitur atje, ku mund të vriten si dikur ngjatë luftërave fetare në mes protestantëve dhe katolikëve.

Të gjitha vendet industriale shesin armë atje, madje edhe Zvicra. Mjafton të shkruhen „armët në Lindje”, aty shfaqen të gjitha shtetet shitëse. Tani për tani përforcohet Arabia Saudite për një konflikt me Iranin. Mund të thuhet se lufta e ardhshme do të jetë në mes këtyre dy vendeve sepse i konvenon shumë shteteve. Kështu paratë e marra nga nafta, kthehet përsëri ku u konsumua nafta.

Në këtë lojë të madhe interesash, ne nuk jemi asgjë tjetër, pos vështrues dhe krenar me mburrje boshe duke menduar se jemi qendra e gravitacionit të botës. Për interesa të vetat, Perëndimi do të pranonte të bëhemi të gjithë turq. Nëse ne nuk duam veten, atëherë nuk brengoset askush. Besimi fetar te rinia europiane është 20 për qind, në Kosovë më e lartë se në Turqi, diku 80 për qind. Qeveria gjermane sheh radikalizmin në Kosovë, por përmend klerikët e ardhur nga Arabia Saudite, shoqata dhe jo Turqinë, çfarë mediat e përmendin vazhdimisht.

Pas 17 viteve kemi përjetuar një mutacion kaq të madh në identitet. Nuk është aspak vështirë të parashikohet se si do të dukemi pas 20 viteve. Natyrisht nëse nuk prishen raportet me Turqinë për shkak të shtetit eventual kurd. Se do të ndryshojmë rrënjësisht, tregojnë liderët e partive, sepse atë që shohin mediat perëndimore dhe Merkel në Kosovë, nuk e sheh asnjë liderë i partisë shqiptare.

I nderuar lexues, herë pas here më kërkohet një lidhje bankare për të shprehur mirënjohjen me një kafe për punën në këtë blog. Nëse je njëri prej tyre dhe dëshiron të tregosh falënderim, atëherë mund ta bësh duke blerë librat tek amazon. Nga çdo libër i shitur, mbetet për autorin nga 1, 45  deri në  1, 75 €, varet prej çmimit të librit.  

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë



Keine Kommentare: