"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

22.07.2017

A je në vete ti?

Merre me mend këtë: ti angazhon me ndërtimin e shtëpisë një floktar ose çfarëdo njeriu pa profesion përkatës. 

Natyrisht se muri nuk do të jetë i drejtë, as dritaret, as dyert nuk do të vendosen si duhet. Sigurisht edhe materiali nuk do të jetë solid dhe sa herë të vallëzohet në katin e dytë, dridhet shtëpia, kulmi dhe nga frika e shembjes brenda vetes, ndalet festa. Njerëzit nuk do të kërcejnë më, por do të flasin vesh më vesh.

Ti me ndërtimin e shtëpisë tënde nuk autorizon njerëz të paaftësuar për atë detyrë, por me ndërtimin e shtetit, po!  E rezultati: Shtëpia jote do të jetë e fortë, e bukur dhe e drejtë, por kurrë jo shteti jot!

Ti po pret shtëpi të madhe, ku jetojnë të lumtur gati 2 milion veta, por me ngritjen e saj, angazhon gjysmanalfabet dhe ata që t' i vjedhin dyert, dritaret dhe kulmin!

A je në vete ti? 

Ti nuk ke të drejtë të akuzosh injorancën e huaj, por oportunizmin dhe mosdijen tënde. Ata që ti voton, kanë dëshirë të madhe ndoshta, por dije shumë të vogël. Ndoshta si barinjë, do t'ishin të shkëlqyeshëm, por kurrë jo si politikanë! Këtë ka gati dy dekada që ta dëshmojnë, por Ti përsëri u zgjat kontratën.

Ti nuk je i çmendur, por nuk je në vete. Këtë dëshmon shpresa jote, pritshmëria jote dhe vota jote! Prandaj, rrugëdalje nuk do të kesh, pos pritjes dhe pezullimit të vizave dhe do të na bashkëgjintesh neve jashtë. Ne shpresonim si ju, se do të kthehemi, por nuk do ta bëjmë kurrë. Nuk kemi ku! E as ti nuk do të kthehesh, nëse ke sukses për të ikur.

E sheh pse nuk je në vete; as ti që voton, as unë që shpresoja të kthehem? Sepse zbrazja e vendit, me më shumë efekte se ajo e Millosheviqit, bëhet nga rrugaçët që ke votuar Ti. Kështu ke penguar kthimin tonë dhe mbetjen tënde atje!

Dhe ti pret akoma lumturi atje! A je në vete Ti?

Keine Kommentare: