"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

24.07.2017

A dini ju se ne jemi burgosur për Shqipërinë?

Kryetari bashkisë së Durrësit, nuk është Shqipëria. Disa autobusë nuk përfaqësojnë shqiptarët e Kosovës. Megjithatë u ngrit shumë temperatura! Dhe, si gjithmonë, njerëzit besojnë atë që dëshirojnë. Ose, shpërfillin faktet që nuk u pëlqejnë dhe prej aty, fillon ndërtimi i fjalive rrahagjokse! Ku do të përfundojë bota me portale dhe media sociale, vështirë të parashikohet, por manipulimit i janë hapur dyert dhe dritaret. 


Përleshjen e përjetova si ngjarje shumë argëtuese, disa prej tyre si debat pijanecësh. Ata që janë lindur para viteve të 80-ta, dinë se me një shqiptar të Shqipërisë, nuk kishte mundësi për përlamje, ose për qortime, edhe nëse e dëshiroje. E nuk mundej as shqiptari i Shqipërisë të zihej me një shqiptar të jashtëm, edhe nëse e ëndërronte! 

Ishte kënaqësi e madhe të lexoja ato fletërrufe. Ato pamflete, ato hartime të tipit komunist me përfundime komuniste, ku njëra palë ishte e mrekullueshme dhe viktimë, tjetra armike, pro serbe! Aq shpejt krijoheshin klasat. Dukej se në një Kopsht të Fëmijëve, kishte plasur sherri e edukatoret, nuk çanin kokën. Akuza dhe kundërakuza. Komplekse dhe paragjykime! 

Në fakt po përjetojmë një kohë të mrekullueshme. Sot, ne, mund të zihemi në mes vete në qendër të Durrësit, të Tiranës, të Prishtinës, Shkupit apo Preshevës. Kjo nuk ka qenë e mundur! Kjo nuk ka qenë normale. Njeriu ka mosmarrëveshje edhe me shoqen, vëllain apo atin. Nuk do t' ishte normale sikur të mos i kishim, por normale nuk janë kërcënimet, sharjet, paragjykimet dhe provincializmat tjera, që artikulohen herë si ndjenjë epërsie, herë si pasojë vogëlsie. Çdo përbuzje pa marrë parasysh pikënisjen, dëmton vetëm. 

Kur lexohen fjalitë e tipit “ne jemi burgosur për ju”, “ ne kemi vdekur për Shqipërinë”, njeriu qeshet me të madhe, sa bën kurreshtar edhe fqinjin! Thua se dikush ua kishte kërkuar burgosjen, thua se nga ato nuk përfitonte diktatura dhe thua se shkruesi është Isa Boletini, ose Adem Demaçi personalisht. Habia nuk është pse përmenden, por përvetësimi i meritave të huaja fal rastësisë gjeografike, por aspak afrisë biologjike.

E cili ishte motivi? Pushimi veror i përbashkët, edhe pse nuk ishte i pari. Pushimin e parë të përbashkët e kemi kaluar në Kukës. Aty u takuam atëherë ashtu kolektivisht. Tani takohemi individualisht, ose në grupe të vogla. Një fakt, mirëpo, nuk duhet harruar: po përlahemi për arritje më të shpejtë në Durrës. Po zihemi për pushime verore. Lum ata popuj që kanë probleme të tilla! Lum ne që verës nuk kemi brenga tjera. Ky është problemi më simpatik, më ëmbëlak dhe më seksi që kemi pasur që nga vdekja e Gjergj Kastriotit.
Nëse ke bërë diçka të mirë për Shqipërinë, mos ia thuaj dikujt për ta poshtëruar. Ai dikushi nuk ka asnjë arsye të të përkulet. Nuk e ke bërë për të. E ke bërë për vete, për atdheun tënd, dhe, atdheut i dhurohet. Ai nuk i merr askujt me dhunë. Dhe, mos iu krekos atdheut me vepra të huaja. Nuk i ka bërë për t’u krenuar ti, por për të vazhduar, ku ai mbeti! 








Keine Kommentare: