Nganjëherë përpiqem të marrë me mend, sa më i
lumtur do të kisha qenë, sikur të mos kisha ditur të lexojë; sikur shkronjat të
më ishin dukur si shkrrabla! Do të kisha shikuar filma, do të kisha ngrënë fara
kungulli, do të kisha pirë disa birra, do t’ isha qeshur, do t’ isha emocionuar
dhe nuk do të kisha lexuar se çfarë pallavra tregojnë disa politikanë.
Si analfabet, sigurisht do të kisha menduar se të
gjithë janë të mirë në shpirt, siç janë mirë edhe të veshur. Do t’ isha mburrur
me makinat e tyre, me shoferët e tyre, me bukuroshet e tyre në rolin e këshilltareve,
por edhe me dylberët e rinj këshilltarë, që pos bukurisë, nuk kanë prodhuar
akoma asgjë.
Pra, unë do të kisha besuar vetëm dhe nuk do të
kisha menduar, nuk do të kisha shtruar pyetje dhe as që do të kisha shkruar
këtë skicë sonte në mesnatë.
Pra sikur të mos njihja germat, nuk do të kisha
mundur të lexojë dhe duke mos lexuar, përsëri do të kisha menduar dhe besuar,
se ata, duke pasur ato pozita, janë edhe shumë të dijshëm dhe se kanë fituar
pozitat, në bazë të diturës së madhe.
Madje do të kisha menduar se nuk kanë hyrë të
varfër në politikë dhe se nuk dalin kurrë të pasuruar nga ajo. Do të kisha
besuar dhe do t’i kisha votuar sa herë ta kishin kërkuar votën prej meje!
Përveç asaj, do t’i kisha besuar çdo premtimi të tyre dhe kur të kishin premtuar
se Kosovën do ta bëjnë Zvicër, menjëherë do ta kisha festuar atë premtim me një
shishe verë. Si duduk, si babaxhan, nuk do t’ i kisha besuar kurrë se ata më
gënjejnë.
Nga naiviteti do t ’isha krenuar me ta dhe
sigurisht do të mendoja se janë atdhetarë të mëdhenj edhe pas luftës. Sikur të mos kisha ditur të lexoj, nuk do të
kisha marrë sot vesh se AKI të përndjekurit politikisht, deporton pa u dhënë
mundësi për të kërkuar azil, pa i pyetur sa a mund të pësojnë ndonjë dëm për
trupin, ose shëndetin, ose me dëbimin a mund të rrezikohej jeta e tyre, kur të
zbritnin në vendin nga kishin ikur të trishtuar. Së paku të ishin pyetur, siç
janë pyetur edhe politikanët e Kosovës në Zvicër apo Gjermani, pa u gjendur
befasisht pranë shputave të Millosheviqit. Jo, nuk e kanë bërë. I kanë marrë, i
kanë ngarkuar në avion dhe i kanë shkarkuar në Turqi, ku ia kanë dorëzuar autokratit,
si kokën e Ali Pashës dikur.
E sikur të mos kisha ditur të lexojë, as që do të kisha
kuptuar se ai kryeministër, ka diku 70 ministra e zëvendës. Megjithatë, askush
nuk dinte se çfarë po ndodh në shtetin e vogël, aq të vogël, sa nëse njeriu merr
hovë e turret, mund të rrëshqasë deri në Maqedoni apo të përfundojë Egje.
Sikur të mos kisha ditur të lexojë, nuk do ta
kisha njohur as pashain e djeshëm, as sulltanin e sotshëm, as vasalët zvarranikë.
Do të kisha fjetur më mirë, më qetë dhe më rehatshëm dhe do t’ isha zgjuar i
këndellur.
Por meqenëse di të lexoj, shquaj një titull, ku thuhet
se kryetari i shtetit, nuk dinte gjë për deportimin. Se kryeministri i vendit,
nuk dinte asgjë. Se kryetari i kuvendit, pas zbarkimit të tyre paska marrë
vesh. Merreni ju me mend tani se çfarë
kanë menduar ambasadorët, kur dëgjojnë se tre përfaqësues kryesorë të vendit,
nuk dinë se çfarë ndodh brenda. Natyrisht se ata kanë kuptuar se ata
shfajësojnë veten për t’i ikur qortimeve të jashtme, por ata me pranimin e mosdijes,
i treguan botës se Kosova nuk ka shtet, por një klan, në pronto klan.
Dhe, duke qenë i mallkuar t’u hedh edhe një
vështrim shkronjave, që pasojnë njëra pas tjetrës dhe ndalen sapo të
përfundohet një fjalë, marr frymë thellë dhe pyes veten i tmerruar: Kush po
udhëheq vendin? A njohin ata peshën, integritetin e zyrës që ata kanë marrë si
përgjegjësi?
Tri personalitete kryesor të vendit, nuk kanë
idenë se çfarë po ndodh në relacion ndërkombëtar. Jo, nuk kanë, por përsërisin
pa pra se kanë plotësuar kushtet për pezullim të vizave, gjersa botërisht
deklarojnë, se nuk dinë se cili departament i administratës, ka shpallur
pavarësinë nga shteti.
Jo nuk e din dhe nuk skuqen. Nuk skuqen dhe nuk
brengosen. Pse të brengosen, ata janë pasuruar! Ata nuk dëshirojnë integrim në
BE. E si ta dëshirojnë ku duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin? E si ta luftojnë
vetveten?
Populli është në gazep me ju! Ju do të jeni nesër
në gazep me popullin. Është çështje ditësh dhe javësh, ndoshta edhe ndonjë
muajsh, por kungulli nuk mbetet gjithmonë mbi ujë.
Ju nuk jeni të votueshëm, por ne mjeranët që
njohim gati krejt alfabetin, përsëri ju votojmë; nëse na tregoni përralla të
mira, si edhe më herët. Herën tjetër mos premtoni Zvicrën, se e konsuamuam atë,
na premtoni Floridën dhe ne ju votojmë përsëri!
**************************
Më shumë nga Lis Bukuroca:
Hijedritat e jetës, poezi 2010 – 2017
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen