Në mënyrë
primitive, si edhe në lashtësi apo edhe si sot në vendet teokratike, nuk sulmohet
mashkulli, i cili nuk është në gjendje të kontrollojë emocionet e veta, por
akuzohet dhe stigmatizohet veshja e gruas, e studenteve. Pra, nuk është fajtor
ai që sulmon integritetin, dinjitetin, lirinë dhe privatësinë e tjetrit, por
fajtorë është qeni që leh, sepse ai ndihet i ngucur, i cytur. Nëse ne i japim
vetes të drejtë të imponojmë bindjet tona, në identitetin dhe integritetin e
tjetrit, atëherë ne i japim vetës të drejtë për të shfuqizuar Liritë dhe të Drejtat
e Njeriut.
Ajo profesoreshë
nuk bën përjashtim, por është një shembull tipik i grave, që kanë humbur rolin
e vet social femëror nga shtypja, prandaj mendojnë, gjykojnë dhe artikulohen,
si e kanë depersonalizuar gjatë edukimit të mbrapshtë, si u pëlqente burrave parak:
Gruaja duhet të vishet dhe sillet në atë
mënyrë që te burri mos të provokohet lehja!
Se ka
shumë gra që kanë bindjet si ajo profesoreshë, prorektore, nuk ka asnjë dyshim.
Te ne akoma edukohen vajzat ndryshe, djemtë ndryshe. Ne jemi popull i ndarë në
gjini dhe prandaj jemi të fundit në Europë.
Kosova
nuk mund të bëhet kurrë me shtet ligjor, gjersa të mos kuptojmë se barazia
gjinore, është domosdoshmëri dhe arritje e qytetërimit tonë, por pa i anuluar
tjetrit mundësinë të jetojë në kohën e gurit, natyrisht edhe në anën tjetër, pa
lejuar edhe ndërhyrjen tek ai që dëshiron të jetojë dhe përjetojë ligjet e qytetërimit
tonë.
Në
Gjermani as nuk mund të merret me mend, që një profesor i arsimit të lartë të
sulmojë veshjen e një studente. Do të përjashtohej menjëherë. Jo pse janë të
çmendur, por se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe e mbron ligji,
shteti. Shteti nuk mund të paguajë dhe punësojë profesorë me paragjykime dhe bindje
vetjake mbi veshjen.
Në Gjermani
edhe në punë vijnë me fustan të shkurtër apo verës me pantallona të shkurtër,
por nëse zgurdullohen sytë apo i jepet një kompliment, mund të konsiderohet
seksizëm. Pra, nuk sulmohet veshja e saj, por paaftësia e vështruesit për të
frenuar emocionet e veta.
Te ne
është e kundërta. Gruaja duhet të kujdeset për ndjenjat e publikut, për
ndjenjat e njeriut primitiv jashtë, i cili kur sheh një vajzë që ekspozon pjesës
të trupit më shumë se ai mendon se duhet bërë, konsiderohet kurvë. Ja, aq lehtë
është të përjashtohet gruaja nga të gjitha rolet tjera sociale dhe të hidhet në
Shtëpi Publike. Ne kemi probleme me epokën që jetojmë dhe i bëjmë rezistencë rendit
demokratik! Ne nuk alarmohemi kur dëmtohet interesi publik, por pse një studente
vishet si i pëlqen asaj!
Dyfytyrësia
jonë është lapidare! Shumë prej tyre që dërdëllisin për moral, kod të veshjes,
pas dy apo tre muajve, do të gjenden në një plazh diku vetëm me brekë të vockla,
që peshojnë disa gramë, burra dhe gra. Burrat
tregojnë me krenari atë që kanë, këtë mund ta bëjnë edhe gratë. Ata që sulmojnë
atë prorektore, kanë të drejtë. Ajo duke jetuar në shtet me një kushtetutë
demokratike, ku janë pranuar edhe Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, nuk mund të
shndërrohet në tutore dhe kërkoj prej tyre të vishen si ajo mendon se është më
mirë. Pse nuk guxon ajo të artikulohet në atë mënyrë? Ajo u drejtohet
studenteve. Ato studente janë të moshës madhore. Meqenëse janë të asaj moshe,
atëherë është e palejueshme të intervenohet, të sulmohet liria e tjetrit. Ajo
nuk ka asnjë të drejtë të ushtrojë tutori. Kjo është në kundërshtim me ligjet
themelore të demokracisë.
Ajo
profesoreshë në arsyetimin e saj për veshjen, thotë se universiteti është vend
serioz. Vend serioz quan zonja, atë institucion, ku askush nuk dinë se si
doktorohet, si arrijnë mediokritetet të bëhen profesorë, pse nuk publikojnë
disertacionit në internet, por i mbajnë të fshehur nëpër arkive si në mesjetë,
pse nuk dinë të shkruajnë gjuhën shqipe, pse nuk dinë atë ta flasin pas aq
shumë viteve arsim, pse prodhojnë sharlatanë me diploma. Këto çrregullim nuk i
shohin, nuk i kapin me shqisa, edhe pse nga fakultetet kanë bërë Shtëpi Publike,
që nesër do të rrënojnë një shtet. Ata nuk merren me cilësinë e arsimit, por kanë një problem të madh me veshjen e
studenteve se po dëmtuaka seriozitetin e atij institucioni, të cilit nuk i ka
mbetur kokërr etike, ndjenje mbi drejtësinë dhe mbi arsimin e lartë!
Kur
ju, të gjithë, nga i pari deri i fundit, të bëni publike disertacionet, kur të
tregoni se si keni fituar ata tituj, si jeni bërë doktorë të shkencave, si keni
zaptuar vendet e punës, atëherë mund të quheni vend serioz. Sot nuk jeni as
serioz, as institucion arsimor, por prodhoni elitë, që që nesër turpëron veten
dhe vendin. Ju keni një problem shumë më të madh: Si të ktheni pushtetin mizor
mashkullor mbi dinjitetin e gruas dhe se burri do të jetë ai, i cili do të
caktojë kufijtë e moralit dhe seriozitetit!
Reagimi
i saj profesoreshe është për keqardhje, por duhet t’ i jepet mundësia
të pendohet dhe korrigjojë qëndrimin. Nëse nuk e bën, atëherë le të punësojë veten
në ndonjë vend serioz siç imagjinon ajo, në ndonjë kishë apo xhami!
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë me Kanunin Erotik, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen