Salafistët po
përpiqen të rrënojnë të kaluarën, ju, politikanët, po shembni të tashmen, dhe
së bashku me ta, po shkatërroni të ardhmen e kombit shqiptar dhe jeni bërë kobi
i zi i tij! Po bashkëjetoni në mënyrë të përkryer dhe as nuk kritikoheni në mes
vete! Kështu, në mënyrë simetrike, rehabilituat Serbinë!
"Islami jonë
është europian!" H. Thaçi, gazetës austriake
Nuk ka islam europian në Europë, por ka islam shqiptar, boshnjak, turk, rom dhe
goran në Ballkan. Më vonë Europës i është shtuar edhe islami i emigrantëve nga
vende të ndryshme të Lindjes. Islamin tonë tolerant, po e shkatërron rryma
radikale salafiste! Atë që Ti quan “europian”, ka zënë vendin e parë me
terroristë të rekrutuar për Siri. Radikalizmi islamik në trojet shqiptare është
vepër dhe pasojë e salafizmit publik.
Ti thua se islami jonë është europian, por klerikët europianë, janë
ekskomunikuar në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe atë drejton, njeriu, i cili
në kundërshtim me version zyrtar të historisë shqiptare, sipas dëshirës së
Erdoganit, ndoshta edhe Tëndes, shpall sulltan Muratin çlirimtar dhe hero! Pa
qenë historian, pa pasë studiuar kurrë historinë!
Shqiptari mysliman, nuk shpall hero pushtuesin, Kryetar! Shqiptari mysliman
çmon Europën dhe SHBA-të dhe ke të drejtë, kur thua se janë shumicë, por pakica
agresive mjafton për ta rrënuar një shtet. Ajo pakicë, sot, bën të flitet për
Kosovën jashtë! Ajo pakicë, sot, po shkatërron imazhin!
Edhe UÇK ishte pakicë. Kudo në botë lufton pakica e gatshme për vetëflijim
dhe sjell ndryshime të mëdha! Shumica përjeton një dramë tjetër, një
traumatizim kolektiv, ose për shembull, gjysma dëbohet në Bllacë dhe Kukës!
Hoxha
shqiptar nuk martohet me kushërirën, nuk predikon martesën me mbesa, sepse
respekton nderin, traditën autoktone, salafistët e rekomandojnë pa u skuqur!
Hoxha shqiptar nuk shan historinë shqiptare, salafistët dhe udbashët, po!
Hoxha shqiptar, nuk shan heronjtë shqiptarë, apo personalitetet shqiptare,
pse nuk ishin myslimanë, salafistët dhe udbashët, po!
Hoxha shqiptar nuk rekrutonte shqiptarë për Siri, salafistët e kanë bërë
dhe sot nxisin urrejtje kundër feve tjera!
Hoxha shqiptar nuk predikon urrejtjen kundër personaliteteve shqiptare të
besimit katolik, bektashi, ose ortodoks, domethënë nuk përgatit luftë fetare
mes shqiptarëve, salafistët dhe udbashët, po!
Hoxha shqiptar nuk bën propagandë kundër Perëndimit, salafistët dhe
udbashët, po!
Hoxha shqiptar nuk predikon urrejtjen kundër kombit të vet, salfistë na
quajnë me përbuzje “autobus!”
Hoxha shqiptar punon për kombin, jo kundër kombit, salafistët bëjnë
propagandë antikombëtare nëpër xhami!
Hoxha shqiptar nuk gjykon historinë e stërgjyshërve të vet, salafistët, po!
Hoxha shqiptar nuk shan gratë shqiptare me “kurva”, pse shkojnë në pushime, salafistët, po!
Hoxha shqiptar nuk nxit rrahjen e grave me bisht sëpate, salafisti, po!
Hoxha shqiptar predikon religjion, moral, nuk merret me histori, me
politikë, me astronomi, me medicinë, me antropologji, psikologji, neurologji
dhe me shkencat për të cilat nuk është kompetent, salafistët, po!
Ti mund ta gënjesh veten Kryetar. Ambasadat janë aty, Perëndimi është në
Kosovë dhe është duke parë mirë se çfarë po ndodh. Dashuria ndaj Europës mund
të përkthehet dhe kuptohet edhe si nevojë e madhe materiale, nga mjerimi
ekonomik, por jo si dashuri ndaj vlerave europiane! Këto vlera nuk i doni pikë
së pari ju në politikë dhe sundoni, manipuloni, gënjeni, vidhni kombin dhe
ekonominë e tij. Ju pasuroheni duke vjedhur, salafistët dhe udbashët duke i
shërbyer Serbisë apo ndonjë vendi tjetër!
Salafistët po përpiqen të rrënojnë të kaluarën, ju, politikanët, po shembni
të tashmen, dhe së bashku me ta, po shkatërroni të ardhmen e kombit shqiptar
dhe jeni bërë kobi i zi i tij! Po bashkëjetoni në mënyrë të përkryer dhe as nuk
kritikoheni në mes vete! Kështu, në mënyrë simetrike, rehabilituat Serbinë!
Hashim, deri në vitin 2004 shqiptari në Perëndim trajtohej me empati,
gati-gati si hebreu, që nga ajo ditë, kur turma ndezi kisha, imazhi jonë pësoi
një rënie dramatike. Jo nga dashuria ndaj serbeve, por sepse vepruam mu si
serbet që kishin djegur xhami dhe, sepse ishin ushtarë të krishterë, ata që po
mbronin Kosovën, nga fundamentalizmi nacional-ortodoks serb! E ku jemi sot?
Para një jave Hashim revista Spiegel shkroi se njerëzit ”me emrin mysliman dhe përkatësi shqiptare”,
janë më të diskriminuarit në tregun e punës në Gjermani! Merre me mend çfarë
rrotullimi në theqafje!
Ti sheh çdo ditë, se identiteti shqiptar luftohet me argumente serbe. Lexo
së paku studimet e Bardhyl Mahmutit, bashkëluftëtarit tënd dhe pyete veten pak,
pse ata njerëz shërbehen me racizmin serb, me klishe serbe për ta luftuar
kombin shqiptar!
Perëndimi ka respektuar shqiptarët, i ka ndihmuar, deri kur u bëtë
vullnetarisht vasalë dhe, identiteti shqiptar, nuk mbrohet në mënyrë zyrtare,
por iu hapën dyert e dritaret udbashëve të djeshëm dhe bijve të tyre të
sotshëm. Këtë nuk do ta kishte lejuar asnjë shtet europian! Ata udbashë, janë
të ashpër, vulgarë, agresivë,
financiarisht të fortë, të pa kompromis, këmbëngulës në misionin kundër çdo
gjëje shqiptare. Tashmë jo nga jashtë, por nga brenda! Në gjuhën shqipe, jo
serbe, por me paragjykime të përkthyera nga serbishtja. Nëpër media publike
shqiptare! Dhe, nuk është çudi pse u ndërsyen me aq vrazhdësi para shpalljes së
pavarësisë dhe pse tani para përfundimit të marrëveshjes! Ai që paguan kërkon rezultate, Kryetar! Një pyetje
krejtësisht diskrete: Sa agjent të Serbisë ka arrestuar Shërbimi i Inteligjencës
së Kosovës? Nëse asnjë, atëherë duhet shpërbërë atë. Nuk na duhet, dëmton vetëm
buxhetin!
Hashim, u desh të lexohen memoaret e Mulla
Sulës, për t’u bindur për metodat dhe për të parë faktet, se kush janë
njerëzit, që veprojnë për Shërbimet Sekrerte sllave, serbe dhe maqedonase!
Asnjë vend në botë, nuk do të lejonte të bëhej ashtu poçavër e kaluara dhe e
tashmja e kombit, siç po duron në mënyrë stoike politika shqiptare! Ju po
lejoni shkatërrimin e sedrës individuale dhe kolektive!
Madje, Edi Cullaku, i kërcënohet BE-së, se nëse nuk hapen negociatat, do
t’i bashkohet dikujt tjetër. Thua se Europa brengoset dhe bëhet xheloze! Thua
se është kryeministër i një tufë bagëtie dhe ai vendoska, se ku do të
integrohet Shqipëria! Ai mund të vendosë, ku do të kërkoj nesër azil, po jo
kujt do t’i bashkëngjitet populli shqiptar! Orientimi shqiptar dihet. Këtë
duhet ta dijë edhe ai!
Ne kemi gjakuar lirinë jo vetëm si popull, por kemi ëndërruar edhe lirinë
për politikanët tanë. Lirinë për të marrë vendime vet! Lirinë për të ndërtuar
politika nacionale vet dhe nuk kemi besuar, se kemi aq shumë zvarritës vullnetarë!
Arsyen e dini ju, por një ditë do ta marrim vesh edhe ne. Mund të jenë para të
vjedhura të transferuara në Turqi, prandaj edhe Edi Cullaku, ka rënë aq thellë në
dashuri të zjarrtë, obsesive me despotin.
Merre me mend zoti Kryetar, një klerik gjerman apo një profesor gjerman, i
cili pohon se pushtimi rus, ishte çlirim! Ji i bindur se do të humbte të
drejtën në arsim, ose të drejtën e predikimit. Nuk mund të jetojë një njeri nga
takstat e popullit, që ai përbuz dhe urren! Nuk mund të jetë mësues i tyre, nuk
mund të jetë klerik i tyre, sepse ai urren edhe ata të cilëve u predikon apo të
cilëve u mban ligjërata! Ai dëshiron t’i ndryshojë ata! Ai i dëshiron vetëm si turq,
ose si arabë! Te ne pikërisht ata promovohen dhe kanë shumë ftesa nëpër
platforma të ndryshme mediatike. Duke i lutur, ejani, ejani na shani!! Ejani,
ejani na përbuzni! Ejani dhe na i quani gratë kurva, na tregoni si t’ i
rrahim dhe si të martohemi me anëtarë të familjes!
Ti nuk e do Europën Hashim! As Edi Luchavaja, jo! Dashuria ndaj Europës
tregohet me shtetin ligjor. Në Gjermani Hashim, nëse një grua shahet me kurvë, paguhet 1900 euro gjobë. Te ne
prokuroria nuk ka kohë! Për kërcënim, shantazh, shpifje, racizëm, nxitje të
urrejtjes, njeriu burgoset, nuk i lejohet të ushtrojë detyrën e klerikut, as të
mësimdhënësit! Shteti nuk paguan njerëz, që përpiqen të shkatërrojnë rendin
publik! Në Kosovë dhe Shqipëri, po! Dje, Kryetar, në
Gjermani u bastisën 29 banesa dhe u arrestuan po aq veta për nxitje të
urrejtjes në mediat sociale, për antisemitizëm, për ofendime dhe për shantazhe!
Në Kosovë dhe Shqipëri, njerëz të tillë nderohen nëpër debate publike!
Ti refuzon Europën dhe ke ndërtuar shtet tribal, ku kërcënimet bëhen
publikisht, ku sharjet bëhen publikisht, ku shantazhet bëhen publikisht, ku nxitja
e urrejtjes bëhet publikisht, gjersa prokuroria jote kalon kohën në facebook,
ose sorollatet nëpër kafene e qytetit. Nëse ndonjë prej tyre jo, atëherë
gjyqtarët tu, shfajësojnë edhe kriminelët!
Arbana Xharra u rrah dhe
u kërcënua qindra herë, por nuk u arrestua askush! Çdo njeri që shkruan kundër
radikalizmit, po linçohet publikisht! Tani Edi Cullaku paska zbuluar edhe
turkofobinë. Pra, nëse refuzojmë krenarinë osmane, jemi edhe turkofobë!
Nëse kritikojmë radikalizmin, jemi islamofobë! E qëllimi? Kthimi në
obskurantizëm! Anulimi i lirisë së shprehjes dhe mendimit!
Dashuria ndaj Europës nuk tregohet me përralla, që nuk i beson njeri, por
me fakte. Faktet tua janë për keqardhje! Ke ndërtuar shtet fisnor Hashim dhe,
nxënësit shqiptarë, edhe sikur të mos shkonin fare në shkollë, do të zinin
vendin e fundit, siç e zënë duke shkuar çdo ditë! Duke paguar arsimtarë!
Ju paguani mësues e profesorë për të zënë vendin e fundit, ju paguani
klerikë për të shkatërruar ardhmërinë e rinisë me radikalizëm. Populli po ju
paguan juve si politikanë, për t’ ia hequr dheun nën këmbë!
Edhe një zoti kryetar, askush nuk
është kundër miqësisë me Turqinë e Erdoganit, por ajo pjesë e popullsisë me të
cilën ju krenoheni si besimtare europiane, nuk pajtohet me përzirjen e Turqisë
në identitetin tonë, me rimodelimin e shqiptarit, me perestrojkë turke, me
shndërrimin e shqiptar në armik me fqinjët, në armik të vetvetes, duke u
krenuar me vezirë si Rrahman Morina, që kanë sunduar, gjersa shqiptari nuk
kishte as të drejtën e gjuhës! Nuk po sulmojnë
identitetin tonë as ata që ndihmuan UÇK-ën për ta çliruar vendin dhe për të
fituar pavarësinë.
Me riosmanizimin e jetës publike, ndieni tani ftohtësinë si për vizat,
ashtu edhe për negociata! Distancën e përjetojmë edhe ne në Perëndim! Europa
nuk dëshiron brenda vetes një Iran apo Turqi të vogël! Ajo i beson ligjeve të
veta, lirive dhe të drejtave të njeriut, jo krenarisë osmane! E vërtetë se ke
popull që ka simpati të madhe ndaj Europës dhe Perëndimit, por BIK mund ta
udhëhiqte profesor Xhabir Hamiti. Ai përfaqëson islamin shqiptar që ti e quan
europian, jo Naim Tërnava, i cili ka nënshkruar se do të “punojë për kthimin
kulturor të Perandorisë Osmane!”
Nëse Marie Antoinettes Bonmot pyet pse populli ngre krye për
bukë e nuk hanë torta, ju i thoni, kini durim se për bajram ju falim mish dhe
imamët tuaj, i ftojmë nëpër iftare rrugëve të Kosovës. Dhe, për çdo kilogram
mishi që jua falim, do t’ ju fotografojmë për t’i treguar botës fytyrat tuaja
të mjera, para mishit dhe të qeshurat, pas mishit. Paratë me të cilat blini
mishin për ta dhe shtroni iftare, i merrni po nga ai popull fytyrëngrysur.
Ata po
mashtrojnë nga pozita e njerëzve të zotit, ju nga pozita e hajnave të dreqit! Një ditë do të
kuptosh, se atë kontribut që ke dhënë për t’ u çliruar vendi, e ke dëmtuar
rëndë me shtetin tallava pas luftës. Mospezullimi i vizave nuk është faj i
popullit, por pasojë e paaftësisë së politikanëve! Nejse, urime bajramin e Madh
Hashim! Jo vetëm ty, por të gjithë shqiptarëve, që besojnë islamin dhe që refuzojnë
çdo lloj ekstremizmi!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen