23.11.2019

Kombi kosovar, Gazetaexpress

Pas gjenocidit që shkaktuan serbët në Bosnje, fituan një republikë dhe flamuri i tyre, ka ngjyrat e njëjta me ato të Serbisë; ngjyra që quhen pan-sllave: e kuqja, e kaltër dhe e bardha. Ata, mirëpo, nuk e quajnë veten me komb boshnjak, por serb.
Në Kosovë kemi një flamur që i ngjan atij të Europës, edhe pse Europa, ia ka mbyllur derën tash e dy dekada. Me flamurin e Europës, nuk identifikohen popujt europianë, por kryesisht politikanët dhe institucionet, sepse ai nuk përfaqëson asnjë komb, por një projekt, një ide sot në luhatje e sipër.
Flamurin e Kosovës, që s’e kishte parë ëndërr asnjë shqiptar në planetin Tokë, e pranoi një klasë politike zvarranike, pa e kundërshtuar me asnjë fjalë. Si krahinë, e kishte flamurin e vet, si republikë, si shtet, e ka flamurin e askujt dhe që nuk përfaqëson asnjë banorë të Kosovës, pos institucionet dhe një pakicë që përpiqet të ndërtojë kombin kosovar.
Nuk mund askush të qortohet pse nuk dëshiron të ndihet shqiptar, por kosovar, arab, turk, boshnjak, serb etj. Çdo njeri mund të definojë identitetin e vet sipas bindjeve të veta kulturore, etnike, apo fetare.
Derisa Kosova të mos jetë e pavarur për të ndërtuar politikë nacionale, do të ketë edhe ide të ndryshme, si për flamurin, ashtu edhe për gjuhën, historinë, kombin e religjionin. Për të arritur te kombi kosovar, duhet një identitet i ri politik, që krijon histori dhe që nuk imponohet nga jashtë. Kombi austriak, të cilit dy a tre kosovarë i referohen, ka zanafillën në procesin historik, mirëpo jo tiparet e kombit të veçantë.
Ideja e lindjes së kombit kosovar, nuk mund të jetë ekuivalente me krijimin e kombit austriak, sepse ata kanë gjuhën e përbashkët me Gjermaninë, kurse patriotët kosovarë, dëshirojnë si gjuhë zyrtare gegënishten. E dyta, Gjermania dhe Austria politikisht kanë pasur mbretëri të vetat, histori të veçanta, kurse ne jemi ndarë si pasojë e copëtimit dhe pushtimit, shekullin e fundit.
Në Jugosllavi dikur ishin mbi një milion jugosllavë, nga të gjitha kombet; pak më shumë se pesë për qind të popullsisë së atëhershme. Meqenëse nuk imponohej me dhunë, atëherë mund të thuhet se pas disa dekadave, edhe në Kosovë, do të kemi diku 5% të popullsisë me identitet nacional kosovar, sa janë sot edhe me identitet nacional serb.
A mund ta përshpejtojë këtë identitet shteti? Mundet, por jo më shumë se sa ajo e përqindjes në Jugosllavi, sepse identiteti nuk mund t’imponohet dikujt me zor, nuk mund t’i hiqet, e as nuk mund t’i ndryshohet. Sistemet dhe qeveritë ndryshojnë, por popujt mbeten. Popujt nuk ndryshojnë aq shpejtë si kur miratohen ligjet, apo si mund të ndryshojnë individët.
Demokratike do t’ishte në regjistrimin e radhës, të kenë mundësinë për t’u deklaruar edhe me komb kosovar dhe nëse rezulton si pakicë, atëherë t’i respektohet të drejtat e minoriteteve si parasheh kushtetua për pakicat tjera në Kosovë. Shumica tani për tani nuk mund të merret me mend, sepse elita kulturore shqiptare, nuk e mbështet!
Fundi i fundit, edhe nëse pjesa dërmues përkufizon veten me komb kosovar dhe pranon atë identitet, nuk duhet të alarmohet askush. Do të ndryshonte vetëm një etnonim, por do të mbeteshin po ata njerëz. Dje, për shkak të nënshtetësisë, qytetarët e Jugosllavisë perceptoheshin jashtë si jugosllavë, sot kanë emrat e etnive të tyre. Kombet e reja, identitetet e reja, janë një lloj konformizmi, apo dëshirë individuale për distancim, por në Europë, e pamundur të realizohen. Ka disa dekada që ekziston BE, por pak qytetarë ndjehen me komb europianë! 
Perceptimi i identitetit te kombet e Europës, nuk është si ai në kontinentin amerikan, Australi e Zelandë. Atje, nga përzierja e madhe, janë krijuara nga shtetet identitete nacionale të reja,  identitete politike, por që për bazë kanë shumë kombe tjera europiane, aziatike e afrikane të përzier me popullsi indigjene.

Kombet në Europë kanë tjetër histori pas vete dhe janë rezultate historike dhe socio-politike.
-------------------------------
Libra nga Lis Bukuroca:
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.