Nëse shikoni jetën e gjenive më të mëdhenj në botë,
si për shembull, të Sokratit, Da Vinçit, Shekspirit, Edisonit, Ajnshtajnit, do të zbuloni se ata të gjithë kishin 24 tipare të përbashkëta. Këto janë tipare që çdokush mund t‘i zhvillojë për vetveten. Nuk ka rëndësi se sa vjeç jeni, sa shkollë keni, apo çfarë keni arritur deri më tani. Nëse i përforconi brenda vetes ato karakteristikat të personalitetit, ato do të ju aftësojnë për të punuar në shkallën e një gjeniu.
Entuziazëm: Gjenitë janë aq të emocionuar për atë që bëjnë, sa që i motivojnë edhe të tjerët për të punuar me ta. Nëse besojnë se do të përfundojë diçka mirë, ata nuk tërhiqen.
Shumanshmëri: Sa më shumë që të arrini, aq më shumë besim do të zhvilloni ndaj vetes. Mos keni droje nga iniciativat e reja.
Energji: Gjenitë kanë një dëshirë të madhe për të punuar shumë dhe gjatë. Ata janë të gatshëm të investojnë të gjitha energjinë e veta në një projekt. Zhvilloni energjinë tuaj duke u përqendruar në suksesin tuaj dhe mos braktisni projektin.
Ndjenjë humori: Jini të gatshëm të qeshni edhe në llogari tuaj. Mos u ofendoni nëse shaka është në kurrizin tuaj.
Guximi: Duhet guxim për të bërë gjëra që të tjerët i shohin si të pamundura. Mos çani kokën se çfarë mendojnë njerëzit kur ju jeni ndryshe.
Njohuri: Gjenitë mbledhin vazhdimisht informacione. Asnjëherë mos u shtrini për gjumë pa mësuar të paktën një gjë të re atë ditë. Lexoni ose pyesni njerëzit që dinë.
Aftësi gjykuese: Mundohuni të kuptoni faktet e një situate para se të gjykoni. Gjykoni gjërat me mendje të hapur dhe të paanshme dhe jini të gatshëm të ndryshoni mendimin tuaj.
Sinqeritet: Gjenitë janë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Merrni përgjegjësi për gjërat që shkojnë keq. Jini të gatshëm të pranoni fajin: "E kam djallosur keq fare" dhe mësoni nga gabimet tuaja.
Fryma e ndërmarrësisë: Gjenitë kërkojnë gjithmonë raste të mira. Jini të gatshëm të merrni për sipër punë, që të tjerët nuk do t'i preknin. Mos ngurroni për të provuar të panjohurën.
Përkushtimi ndaj synimeve: Gjenitë e dinë se çfarë duan dhe ecin drejt realizimit të saj. Merrni nën kontroll jetën tuaj dhe orarin tuaj. Planifikoni çdo ditë diçka specifike që dëshironi të arrini.
Idealizëm: Bëni gjërat ashtu siç mendoni se duhet të bëhen, pa tutë nga mosmiratimi i të tjerëve.
Optimizëm: Gjenitë kurrë nuk dyshojnë se nuk do të kenë sukses. Drejtoni vëmendjen tuaj me vetëdije të plotë për gjëra pozitive që ndodhin.
Dinamikë: Mos rrini duarkryq dhe të prisni që diçka e mirë të ndodhë. Jini i vendosur për ta realizuar atë.
Aftësi e komunikimit: Gjenitë janë në gjendje të transmetojnë të tjerëve me sukses idetë e tyre. Shfrytëzoni çdo mundësi për t‘u shpjeguar të tjerëve idetë.
Aftësi e të përshtaturit: Fleksibiliteti ju lejon të përshtateni shpejt me rrethanat që ndryshojnë. Tejkaloni impulsin dhe dëshirën për t'i bërë gjërat gjithmonë në mënyrën e njëjtë, por të vjetër. Jini të gatshëm të merrni në konsideratë alternativa të reja.
Forca bindëse: Gjenitë dinë si të motivojnë njerëzit - për t’i ndihmuar ata - për të ecur para. Ju do të shihni, se sa është e lehtë të jeni i bindshëm kur vetë besoni në atë që bëni.
Fantazi: Gjenitë dinë të mendojnë me kombinime të reja dhe ata i shohin gjërat nga një këndvështrim që është i ndryshëm nga ai i njerëzve tjerë. Hiqni mbeturinat dhe pastrojeni aparatin tuaj të të menduarit për të zhvilluar atë lloj fantazie. Merrni ca kohë çdo ditë për ëndrrat tuaja të ditës, fantazitë tuaja, për të lundruar në një regjion të brendshëm të ëndrrave, ashtu si keni bërë kur ishit fëmijë.
Perceptimi: Gjenitë kanë sistemin e tyre të radarit mendor vazhdimisht në veprim. Mendoni më shumë për dëshirat dhe nevojat e të tjerëve, sesa për tuajat.
Perfeksionizmi: Gjenitë nuk mund të durojnë mediokritetin, para së gjithash, jo te vetja. Kurrë mos u kënaqni me veten tuaj. Përpiquni vazhdimisht të bëni diçka më mirë.
Çiltërsia: Kam zbuluar se gjenitë janë në gjendje të bëjnë miq lehtë dhe janë shumë të hapur dhe të paanshëm me miqtë e tyre. Jini një " motivues", jo dikush që "ulë poshtë" njerëzit. Përmes këtij qëndrimi, do të fitoni shumë miq të vlefshëm.
Individualizmi: Bëni gjërat ashtu siç mendoni se duhet të bëhen, pa frikë edhe kur nuk miratohen nga askush.
Shfrytëzon mundësinë e çastit të volitshëm: Tejkaloni frikën nga dështimi. Sapo të kuptoni se nga gabimet tuaja mësoni, ju nuk do të keni frikë të shfrytëzoni mundësinë që ofron çasti i volitshëm.
Kureshtje: Një mendje (intelekt) kureshtare dhe hulumtuese do t'ju ndihmojë për t’i shquar informacionet e reja. Mos kini droje të pranoni se nuk i dini të gjitha. Gjithmonë bëni pyetje për ato që ju nuk i kuptoni.
Durim: Jini i durueshëm me të tjerët në pjesën më të madhe, por tregohuni gjithmonë i padurueshëm me veten tuaj. Prisni shumë më tepër nga vetja juaj sesa nga të tjerët.
Marrë nga: National Enquirer/Transworld Features
Nga gjermanishtja Lis Bukuroca
Nuk dua të shtojë këtu shumë, por ajo që duhet kuptuar mirë, është individualizmi në qytetërimin perëndimor dhe kolektivizmi në botën tjetër, por edhe te ne. Diku 80 % e botës i takon kulturës kolektiviste, domethënë aty ku prindi dominon fëmijët. Aty jo vetëm se vendosin për profesionin e tyre, por edhe për gruan apo burrin me cilin duhet të jetojë. Shkurt patriarkalizëm! Mendoj se qytetërimi individualist ka nisur me rilindjen e filozofisë me Dekartin. Ai kishte për bazë dyshimin, e jo të besuarit, siç predikonte kisha, si kujdestare sipërore e moralit dhe tutore mbi njeriun. Më vonë pasoi iluminizmi, Shekulli i Dritave, (drita ishte një metaforë e vetëdijesimit, siç ishte edhe te Platoni në alegorinë e Sokratit, miti i shpellës) dhe dalëngadalë, u largua religjioni nga shteti dhe njeriu fitoi lirinë e mendimit dhe veprimit.
Kjo është arsyeja që në shekujt e fundit, gati çdo arritje shkencore, industriale, i detyrohet këtij qytetërimi dhe do të vazhdojë tutje, sepse kultura kolektiviste mburret me prodhimin e kopjeve, asgjësimin e individualiteteve dhe dominimin e të dobëtit. Aty hierarkia ekziston në familje; diskriminimi gjinor është kod dhe jetohet në një përleshje qytetare psikologjike, për pushtet brenda familjes, aty ku duhet të ekzistojë dashuria, jo lufta për sundim dhe zotërim.
Gati çdo njeri lindet me ndonjë aftësi të veçantë. Inxhinieri gjerman Rudolf Dizel thoshte se 90 % e gjenive humben. Edison kur zbuloi llambën elektrik tha se para suksesit, kishte zbuluar edhe 1000 mënyra tjera, që nuk funksiononin. Talenti është nisma, por vetëm hulumtimi, përkushtimi dhe mosdorëzimi para vështirësive, sjell suksesin.
Se fakulteti apo titulli i doktorit nuk janë parakushte të domosdoshme për gjenialitet, e dëshmojnë filozofët e lashtësisë, që sot studiohen nëpër fakultete, (edhe pse ata ishin pa diploma dhe pa tituj shkencorë), por dhe profesorët e sotshëm, që nuk dinë të shkruajnë një fjali pa gabime. Apo, edhe studentët e sotshëm, që nuk dinë kush e ka shkruar „Lahutën e Malcis“, rrjedhimisht „Kronikë në gurë!“
Edhe një fakt: Përfytyrime për atome pati për herë të parë para 25 shekujve Leukipi. Demokriti (460 para Krishti), nxënësi i tij, ishte atomisti i parë dhe e quajti "atomos." Ai mendonte se të gjitha sendet janë të krijuara nga atomet. Në shekullin IV Roma shpall krishterimin religjion shtetëror. Prej aty deri te Dekarti, nuk kemi filozofë të rëndësishëm si disa shekuj para dhe pas Krishtit në Athinë apo Romë, por filozofë, që përpiqeshin të dëshmojnë zotin. Mori fund filozofia, mori fund zhvillimi, përparimi, sepse predikohej dija „supreme, qiellore.“ Sepse urdhërohej besimi, jo të menduarit.
Atomet u rizbuluan në shekullin XVII dhe përfundimisht në shekullin XX. Me shekuj errësirë dhe predikim i injorancës. Arsyeja? Besimi se zoti ka folur dhe se njeriu nuk i duhet më asgjë, pos ritualeve fetare për së gjalli dhe përgatitjes për t’u futur në parajsë, pas varrosjes!
Ai që thotë beso, pret përfitime nga manipulimi dhe i rritet pushteti mbi besimtarët! Bindja fikse dëmton procesin e të menduarit, sepse anulon dyshimin, aktivizimin e trurit, si urdhër i evolucionit në kërkim të së vërtetës. Kur besojmë, atëherë besojmë se hijet janë realiteti, si në mitin e shpellës te Platoni.
Nuk ka religjion në botë, që predikon lirinë, individualitetin, arsimimin dhe përparimin. Te gjitha kanë penguar apo ndalojnë edhe sot (nëse kanë pushtet) progresin. Monoteizmi është dëshmuar si njëri ndër gabimet më tragjike të njerëzimit! Edhe pse, as politeizmi (hinduizmi) nuk ka ndikuar aq pozitivisht, por ka shkaktuar më pak gjakderdhje, nuk ka asimiluar kultura si monoteizmi, nuk ka pushtuar vende tjera, apo më pak dhe nuk u ka imponuar religjionin e vet!
Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon dhe lulu. Te lulu mund të porositen edhe nga Ballkani: