07.01.2021

Grusht shteti i dështuar në SHBA, botasot,gazetaexpress, fjala, revistadrini, flasshqip

„Luftoni! Ne do të shkojmë në Kongres. ” Donald Trump para se të sulmohej Kongresi


Imazhet që shiheshin para Kapitolit dhe brenda tij, dukej se vinin nga Amerika Latine, apo Ballkani. Ka kohë që Trumpi indoktrinon dhe mobilizon të djathtën ekstreme për të ndryshuar votën e popullit me dhunë. Sjellje të tilla kemi parë shpesh nëpër botë, por jo në SHBA ku demokracia është më e ankoruar se te shumica e vendeve tjera të botës. Ai është adhurues i diktatorëve dhe ëndërron të bëhet njëri prej tyre. Ai vetë është një përzierje e një Hitlerit dhe një sharlatani injorant!

Pasi kërkoi Biden që Trump t’i drejtohej asaj turme, ai edhe e bëri, por përsëri duke rikujtuar se ai i kishte fituar zgjedhjet dhe se votat i ishin vjedhur. Për të dëshmuar pati mundësi mbi 50 herë para gjykatave, nuk ia doli asnjëherë. Duket se Trump shpresoi se do të dilnin në rrugë miliona amerikanë dhe kjo do t’i kishte mundësuar atij shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pastaj, me  më shumë autorizime, të bëhej diktator për një kohë të kufizuar, derisa ta nxirrnin zvarrë nga Shtëpia e Bardhë, apo derisda ta shpërbënte shtetin. Madje pat kërkuar pengimin e zyrtarizimit formal të kryetarit të zgjedhur edhe nga zëvendësi i vet. Ai e refuzoi!


Ajo që është dëgjuar shpesh një Gjermani është kjo: Trump kishte pasur ndërmend të ndërtojë një hotel në Moskë, apo një pallat, Trump Tower. Ai kishte qenë atje dhe ishte munduar ta realizojë atë projekt. Sanksionet e Obamës kishin pamundësuar atë investim. Dhe, gjersa Trump  paska  qëndruar në një hotel, ai qenka filmuar nga shërbimi sekret rus dhe Putini e paska atë në dorë. Ajo që dihet botërisht është se ka simpati ndaj Putinit. Rusia dhe Serbia kanë respekt të jashtëzakonshëm ndaj tij. Vuçiqit i premtoi se do të investonte disa miliarda në Serbi dhe, çudia, Putini nuk e kundërshtoi me asnjë fjalë!


Rrëfimi tjetër që dëgjohet në Gjermani është se Putini ka premtuar se do të hakmerret për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe projekti i tij është shpërbërja e SHBA-ve. Kjo mund të realizohet vetëm me pro-sllavin Trup, i cili duhej ndihmuar. Për këtë ka bërë Michael Kirk një dokumentar në dy vazhdime, që është transmetuar nga ARTE dhe ZDF, titulli ishte: „Hakmarrja e Putinit - Rusia dhe zgjedhjet në SHBA.“  Aty janë bërë mbi 60 intervista me politikanë, oficerë të shërbimeve sekrete dhe diplomatë.


Ka dhjetëra fakte që dëshmojnë për qëndrimin tepër miqësor dhe përulës të Trump-it ndaj autokratit rus. Kur Europa vendosi sanksione të reja për shkak të helmimit të politikanit opozitar Aleksej Navalni, Trumpi tha se nuk kishte dëshmi, edhe pse helmimi në Europë u dëshmua nga dy institute të pavarura. 


Trumpi mbështeste breksitin dhe thërriste edhe vendet tjera të vepronin si Britania e Madhe. Kush do të përfitonte nga dobësimi i BE-së? Rusia!

Trump kërcënonte me braktisjen e NATO-së. Kush do të përfitonte? Rusia!


A do të largohet Trump? Duket pak e besueshme. Ai nuk vepron vet dhe nuk ka aftësi për të dalluar realen nga jorealja, rrenën nga e vërteta dhe të mirën nga e liga. Ai duket i retarduar ose infantil, por se është psikopat, ka qindra fakte. Ai është egocetrik i sëmur dhe për të logjike dhe racionale është vetëm „Trump first“ , „Amerika first“ është parullë mashtrimi.


Ai përpiqet të vihet mbi institucionet demokratike të SHBA-ve dhe lejon të sulmohet tempulli i demokracisë gjersa kërkon të respektohen uniformat, por jo godina, që është vend i shenjtë për një shtet ligjor.


Trump ka mobilizuar periferinë e shoqërisë: ksenofobët, ultraortodokset të krishterë, fashistët, urrejtësit e myslimanëve, ata që nuk paguajnë tatime, racistët, kriminelët  dhe me atë masë shpreson të gjunjëzojë institucionet demokratike. Dalëngadalë republikanët po e braktisin, por e duruan shumë. Kjo tolerancë ndaj një psikopati jo vetëm se do të dëmtojë demokracinë amerikane, por edhe demokracinë në shumë vende tjera të botës, sepse kudo psikopatët do t’i referohen edhe qëndrimit të Trumpit.


Ndoshta do të jetë kryetari i parë amerikan, që do të detyrohet të braktisë Shtëpinë e Bardhë. Pa lejen e Putinit, ai nuk do të dalë jashtë. Dhe, i mbetet ta marrë karrigen me vete, si dikur Valesa i Polonisë, por e mundur se do të luajë rolin e viktimës tutje dhe kur të nxirret jashtë me dhunë, të ndikojë në një kryengritje nga e djathta ekstreme. Kjo mund të pritet nga njeriu që sipas Washington-Post për katër vite ka gënjyer më shumë se 20.000 herë! Domethënë ai gënjen kur e hap gojën!


Superfuqia nuk mund të pushtohet nga jashtë, por mund të shembet nga brenda dhe Putini ka këtë shans me Trumpin. Mundësinë e dytë nuk do ta ketë kurrë. 


Libra nga Lis Bukuroca:


Shtatë parimet e dashurisë (dashuria në shumë versione, nga lindja deri në vdekje dhe parakushtet e lumturisë)

Ngjyrat e dashurisë (roman me Kanun erotik, vetëm për lexues të moshës madhore)

Keine Kommentare: