05.06.2022

Mendime

Popujt që nuk kanë këngë dashurie, poezi dhe romane erotike, nuk kuptojnë dhe nuk e njohin dashurinë, por seksin vetëm. Seksi është aftësi dhe obligim i specieve të gjalla, kurse dashuria është zotësi e homo sapiensit. 

Seksi pa dashuri është çast, seksi me dashuri është jetë.


Disa burra bien në depresion të madh, kur nuk u funksionon koka e vogël, por jo pse tërë jetën, nuk u ka funksionuar koka e madhe.


Nëse burri ndihmon gruan e vetë, tek ne e gjykojnë si jo burrë, ose si të shtypur nga gruaja. Nëse gruaja ndihmon burrin e vetë, e quajnë burrneshë. Pra, trans seksuale.

Nëse burri ndihmon gruan e huaj, atëherë e quajnë xhentëlmen. 

Edhe në vendet tjera të Europës besohej kështu, në kohën e obskurantizmit. Ne jemi burra të vërtetë dhe e besojnë edhe sot.


Njëri pat vrarë fqinjin, pse gjeli i tij ia kishte kërcyer gjelin. Mirë e kuptuat, gjeli, gjelin! Knusi, knusin! E kishte quajtur gjelin e fqinjit pederast dhe vrarë pronarin, fqinjin.

Tjetri, mërgimtar në Greqi, kthehet në shtëpi dhe bashkëshortja e befason me seks më të mirë se zakonisht. Ndoshta edhe mungesa e tij ka ndikuar në sjelljen e saj. Ai e ekzekuton. Sigurisht duke e akuzuar se seksin ka mësuar te ndonjë burrë tjetër. (Gratë lexojnë dhe të gjitha kanë celularë.)

I treti rrah bashkëshorten, pse te floktari ka ndrequr flokët dhe është bërë më e bukur se zakonisht. Sigurisht ka dashur me bukurinë e vet, ta zgjojë burrin nga kllapia.  Ai e rrah!

Shqiptari dhe Europa!


Shkrimtarët, poetët, piktorët, kompozitorët, artistët, filozofët, arkitektët, arkeologët dhe heronjtë, janë biografia e një kombi. Aq sa më shumë emra të ketë në biografinë e tij një komb, aq më shumë ecën para. Nëse mungojnë në një vend ata më lartë dhe të tjerë, që merren me kulturën, atëherë popujt këndojnë këngë kreshnike dhe nuk u duhen arkitekt, sepse ndërtojnë kasolle. Nuk u duhen artistët, nuk u duhen arkeologët, kanë plakun e katundit dhe nuk u duhet as filozofët. Dhe, ai plak thotë: ´"Ktu niherë u kanë kshtu..." dhe mbete ashtu pa bërë asnjë hap para. Plaku është përtypës i ideve të lashta dhe aty njeriu jeton jetën e huaj, jo të veten…


Kleriku dhe politikani

I pari mashtron duke premtuar jetë më të mirë pas vdekjes, i dyti nëse e voton. Që të dy kanë një qëllim: manipulimin dhe anulimin e lirisë tënde për të gjykuar vet.

Nuk e bëjnë nga dashuria nda teje, por nga lakmia ndaj lekëve dhe epshi për pushtet. Sepse nga dashuria nuk merret, nga dashuria dhurohet. Ata nuk japin, ata marrin vetëm. 

Qëllimi i dytë: shndërrimi i të rriturit në gjendje fëmije dhe vartësie. 

Aq sa më shumë të zvogëlojnë njeriun, aq sa më shumë ta degradojnë, aq më shumë u rritet pushteti mbi ta dhe, po aq më e garantuar pasuria dhe lumturia e tyre. Pra, manipulimi është rroga e tyre, profesioni!


Sikur kleriku t'i besonte jetës pas vdekjes, do të dhuronte dhe bënte mirë çdo ditë dhe nuk do të dëshironte më shumë para, sesa për të jetuar në mënyrë modeste.


Sikur politikani shqiptar të punonte për popull, jo për vete, nuk do të bëhej kurrë qindra herë më i pasur se mesatarja e popullit.


Kur kleri dhe politikani bashkohen, merr fund  iluminizmi. 


Më mirë gabo me kokën tënde se me të huajën. 

E huaja nuk pranon gabimin, por të akuzon për paaftësi mendore, pse nuk ishe skllav i mirë!

Ji vetja! 


Po aq sa është i rëndësishëm mendimi i buburrecit për njeriun, po aq ka mendimi jonë rëndësi për zotin. Ai që krijon nuk vret, nuk shkatërron. Nëse zoti ekziston, atëherë ai është e mira, jo e liga!



Keine Kommentare: