31.05.2022

Jashtëqitjet mund të ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve mendore

Zorra dhe mikrobioma e saj luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e hormoneve dhe mbrojtjen imune. Por a mund të ndikojë edhe flora e zorrëve në shëndetin mendor? Hulumtuesit nga Australia ngjallin shpresa: me transplantimin e jashtëqitjes.

Një kapsulë me jashtëqitje për mëngjes dhe depresioni shërohet: tingëllon si premisa e një filmi të keq fantastiko-shkencor, apo jo? Sipas shkencëtarëve, mund të ketë diçka në këtë teori.


Transplantimet e jashtëqitjes, siç quhen në zhargonin teknik, përdoren tashmë në mjekësi për trajtimin e inflamacionit të rëndë gastrointestinal. Si pacient, të jepet jashtëqitja e një personi tjetër për të transferuar një florë të shëndetshme të zorrëve.


Se mikrobioma e organit të tretjes mund të ndikojë edhe në psikikën e njeriut, deri tani vetëm supozohej. Në revistën profesionale "Çrregullimet Bipolare", hulumtuesit në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor (UNSW Sydney) në Australi, po sjellin tani indikacionet fillestare.


Dy studime, një rezultat


Autori i studimit Gordon Parker dhe kolegët e tij përcollën rastin e një të riu që u diagnostikua me çrregullim bipolar që kur ishte adoleshent. Ajo është një sëmundje mendore në të cilën gjendja shpirtërore e të sëmurit alternohet ndërmjet fazave maniake dhe depresive. Si zakonisht, njerëzit që vuajnë nga ajo sëmundje marrin ilaçe për të dobësuar simptomat. Megjithatë, tek ai pacient barnat e ndryshme nuk treguan asnjë efekt.


Në kërkim të një bari alternativ, i riu më në fund vendosi për një transplantim jashtëqitjeje. Ndryshimi u bë shpejt i dukshëm. Sipas studjuesve, brenda një viti simptomat e tij ishin lehtësuar; ai kishte më pak frikë dhe ishte në gjendje të heqë dorë nga marrja e barnave.


Përvoja e të riut arsyetohet edhe me një tjetër studim nga Australia. Në vitin 2016, psikiatri Russell Hinton mjekoi një grua në fund të të 20-tave, që vuante nga çrregullimi bipolar. Barnat nuk i ndihmuan shumë asaj.  Ajo vetëm shtoi peshë nga medikamentet dhe vazhdoi të vuante nga çrregullimi bipolar. Pasi pacienti u shtrua disa herë në spital, psikiatri sugjeroi një trajtim eksperimental: terapi me mikrobiome jashtëqitjeje.


Për njëmbëdhjetë muaj, pacientja mori transplantin e jashtëqitjes nga burri i saj. Pastaj, pas gjashtë muajsh, ndryshimi: simptomat e saj u zhdukën ngadalë, gjatë pesë viteve të ardhshme ajo humbi peshë, ishte në gjendje të kthehej në punë dhe nuk kishte më nevojë për ndonjë mjekim. Në një intervistë me radiostacionin amerikan WHYY, Hinton tha:

'NDIHEM SI NJERI NORMAL’.


Por çfarë lidhje ka materia e jashtëqitjes me çrregullimin bipolar?


Disa studime tregojnë se njerëzit me sëmundje mendore si depresioni dhe skizofrenia shpesh kanë një mikrobiomë jonormale. Përveç kësaj, minjve që u janë dhënë jashtëqitje  nga njerëzit me depresion duket se zhvillojnë një formë të depresionit të minjve. Një gjë e ngjashme ndodh te minjtë, që u është transplantuar jashtëqitje nga njerëzit me skizofreni. Studime të ngjashme u botuan në Journal for Psychiatric Research në 2016 dhe në „Science Advances“ në 2019.


Një florë e shëndetshme e zorrëve është e rëndësishme për krejt trupin


Një vështrim në traktin tretës ndihmon për ta kuptuar të ashtuquajturin "truri i zorrëve“


Zorrët prodhojnë një shumëllojshmëri të gjerë të hormoneve, duke përfshirë një pjesë të madhe të hormoneve të lumturisë si dopamina dhe serotonina. Këto substanca të transmetohen në tru nëpërmjet nervit vagus. Megjithatë, nëse mikrobioma është e pashëndetshme, mund të dëmtojë mukozën e zorrëve dhe të çojë në inflamacion: prodhimi dhe shkëmbimi i hormoneve mund të ndërpritet.


Sipas studiuesve, transplantet e jashtëqitjes mund të ndihmojnë në ndërtimin e florës së zorrëve


Aplikimi është i thjeshtë: jashtëqitjet mund të merren ose si kapsulë, të futen si klizmë (nga zorra e trashë) ose nëpërmes hundës ose përmjet anusit me një tub. Rreziku i efekteve anësore me një transplantim të tillë është relativisht i ulët, por me kusht që mostra e jashtëqitjes të ekzaminohet në mënyrë mjekësore dhe marrësi të jetë nën kujdesin mjekësor. Nëse nuk është kështu, bakteret, viruset ose patogjenët mund të transmetohen lehtësisht. Në një raport të mediumit australian "The Conversation", shkencëtarja Jessica Green dhe kolegu i saj Gordon Parker e bëjnë të qartë: MOS E PROVONI KËTË NË SHTËPI


Trakti gastrointestinal po bëhet fokusi i hulumtimit


Nuk është sqaruar përfundimisht nëse jashtëqitjet e transplantuara mund të ndihmojnë me çrregullime bipolare, depresion ose sëmundje të tjera. Gjendja aktuale e njohurive bazohet pothuajse ekskluzivisht në raste studimore. Megjithatë, studiuesit në Australi dhe Kanada janë duke punuar në studime klinike për të ndriçuar këtë.


Nga gjermanishtja 

Lis Bukuroca


Gazeta Die Welt





Keine Kommentare: