29.03.2023

Pse nuk kërkohet falje? (Psikologji 15)

1. Kultura problematike për gabimet

Edhe më keq sesa të bëhen gabime, është pranimi i tyre. “Për këtë ka ndër të tjera arsye kulturore”, shkruan Howes. “Falja dhe trajtimi pa keqdashje i gabimeve nuk është diçka e natyrshme në shoqërinë tonë.” Kjo është arsyeja pse është e vështirë të kërkojnë falje njerëzit në pozita të larta, njerëzit që gjakojnë rezultate dhe perfeksionistët.


Ata kanë përvetësuar pritshmëritë kulturore dhe shpesh i perceptojnë gabimet si dobësi dhe disfatë. Kërkimfaljen ata e kuptojnë si pranim të mungesës së zotësisë, së kompetencës. Nga pranimi i fajit ata kanë frikë se do të duken si dështakë. Megjithatë, ata e dinë që të gjithë bëjnë gabime, të mëdha e të vogla. Por për shkak të pritshmërive të mëdha që kanë ndaj vetvetes, nga gabimet e tyre, ata tronditen emocionalisht.


2. Kënaqësia për të pasur të drejtë 


“Shumicës prej nesh nuk i pëlqen të pranojë gabimet dhe fajin”, shkruan Howes. "Një arsye themelore për këtë është mënyra se si funksionon truri i njeriut." Nëse kemi të drejtë dhe bëjmë gjithçka siç duhet, truri lëshon substanca shpërblyese si dopamina. Është një nga arsyet pse ndihemi mirë kur kemi përparësi në një debat.“ Truri ka një vartësi për të pasur të drejtë”, thotë psikologia. Nga një këndvështrim evolucionar, kërkimi i faljes është pranim i tërthortë se njeriu nuk është sjellë mirë në mjedisin e vet dhe se ka reaguar gabimisht.


Për reagime të tilla ndaj gabimeve vetjake, do ta kishin paguar me jetë  paraardhësit tanë të largët. Gabimet përjetohen si aq të pakëndshëm, sa njerëzit në përgjithësi i u ikin. “Por edhe shtrembërimet kognitive (falsifikimi negativ i diçkaje) të zakonshme ndaj të cilave jemi të gjithë të prirë mund të pengojnë gjithashtu kërkimin e faljes”, shpjegon Molly Howes.


Kjo përfshin, për shembull, të ashtuquajturin konfirmim të gabimit. “Ne i rregullojmë informacionet dhe detajet në atë mënyrë që në fund çdo gjë të tregojë se të tjerët – dhe jo ne – e kemi gabim dhe ata duhet të kërkojnë falje”, thotë psikologia.


3. Shumë ose shumë pak turp


Njerëzit që vazhdimisht kritikojnë vetveten dhe që ndihen të pasigurt shpesh, e kanë të vështirë për të kërkuar ndjesë. Mungesa e qëndrimit të drejtë ndaj dobësive vetjake dhe perceptimi negativ i vetvetes, mund të ndikojë që ata të kenë një ndjenjë të madhe faji dhe turpi.  Në vend që t'i artikulojnë këto ndjenja dhe t'i përfshijnë ato në kërkimin e faljes, ata tërhiqen dhe heshtin. Ndryshe nga këta njerëz, ata që vuajnë nga disa çrregullime mendore mund të mos ndiejnë turp, faj ose pendim, si për shembull disa njerëz me çrregullime të personalitetit narcisist.


Ata shpesh nuk janë të vetëdijshëm për gabimet dhe kundërvajtjet - dhe nuk e kuptojnë mirë se kur "më vjen keq" është adekuate. “Empatia luan një rol shumë të rëndësishëm në  kuptimin e gabimeve të veta dhe më pas në kërkimin e faljes”, thotë psikologia Howes. Njerëzit që kanë pësuar ndryshime për shkak të sëmundjeve psikike apo për ndonjë arsye tjetër nuk ndiejnë dhembshuri ndaj tjerëve e kanë të vështirë kërkimfaljen. 


4. I lënduar dhe me lëndue


"Shumë prej nesh janë të vetëdijshëm për veprimin e shëmtuar, por refuzojnë të kërkojnë falje - sepse ndihen shumë të lënduar," shkruan Molly Howes. Dhimbja e vetë është një nga arsyet më të shpeshta pse vështirë u del nga goja  një “më fal!” Pesha e vuajtjes mund të ndikojë që personi në fjalë të kërkojë t’i kërkohet atij ndjesë, por jo edhe të kërkojë vetë.


Nga ana tjetër, njerëzit e tjerë nuk duan të kërkojnë falje sepse kanë frikë se mos lëndojnë dikë të afërt – për shembull duke pranuar seksin me dikë tjetër. Ata gjithashtu kanë frikë nga pasoja tjera që mund të sjellë kërkimi i faljes. Sepse kur kërkohet falje, merret përgjegjësi për gabimet vetjake. Sado e dëshirueshme që të jetë kjo, pasojat mund të jenë serioze në disa raste. Në vend që të shpëtojë një marrëdhënie, kërkimfalja mund të sjellë fundin e një dashuriej. Frika nga humbja mund të jetë aq e fortë saqë njeriu nuk kërkon ndjesë për tradhtinë seksuale.


5. Përvojat e kaluara


Kushdo që ka pasur përvoja kryesisht të këqija me kërkimin e faljes në fëmijëri, do ta ketë të vështirë të thotë "më vjen keq" në moshë madhore. Kjo mund të ndodhë, për shembull, kur prindërit e kanë detyruar vazhdimisht fëmijën të kërkojë falje, edhe në situata kur ai besonte se kishte të drejtë dhe nuk ishte i vetëdijshëm për ndonjë gabim. Këto përvoja të pakëndshme, në disa raste traumatike, mund të riaktualizohen në moshë madhore kur është e nevojshme kërkimi i faljes.


Edhe ai që në fëmijëri kanë mësuar se mund të përdoret dhuna ndaj tij ose një formë tjetër e ndëshkimi kur pranon fajin dhe kërkon falje, si i rritur  do t’i ikën situatave tilla - madje edhe pa qenë i vetëdijshëm për këtë. “Në anën tjetër, disa njerëz, nuk duan të kërkojnë falje sepse mendojnë se nuk mund të ndryshojnë asgjë," shkruan Howes.


Në biografitë e tyre, këta njerëz kanë përjetuar se një falje nuk mund të ndryshojë një situatë të bllokuar, as për veten e tyre dhe as për personin tjetër. Ata vuajnë dhe heshtin sepse ndihen të pafuqishëm - dhe nënvlerësojnë efektin përgjithësisht pozitiv të një kërkimfaljeje.


Literatura

Molly Howes: A Good Apology. Four Steps to ­Make Things Right. Piatkus, London 2020

Nga gjermanishtja Lis Bukuroca


Te lulu: Kuptimi i jetës  mund  të porositet nga 150 vende të botës. Libri gjendet edhe nëpër shumë librari tjera.

Te amazon Kuptimi i jetës

Keine Kommentare: