Zhvillimi i pafuqisë së mësuar dhe pasojat e saj
Pafuqia e mësuar është mënyra sesi disa njerëz reagojnë kur ndaj tyre ushtrohet dhuna, kur dështojnë apo kur ndihen të paaftë. Te ata njerëz përvojat e tilla ndikojnë shpesh që ata të ndihen viktima. Njerëzit që kanë mësuar pafuqinë përsërisin këto mendime:
“Ashtu-ashtu unë nuk mund të ndryshoj asgjë.”
“Kjo mund të ndodhte vetëm me mua.”
“Dëshirat e mia nuk i merr askush në konsiderim.”
“Unë jam shumë i dobët.”
I prekuri rrëshqet në rezignacion dhe nuk ndërmerr asgjë për të ndryshuar gjendjen. Në vend se të veprojë, ai shpesh bie në depresion dhe bëhen apatikë.
Pafuqia e mësuar: Një burg i tmerrshëm psikologjik
Kur na ndodhin gjëra të këqija, na pëlqen të besojmë se mund t'i ndryshojmë, të ndikojmë në rrjedhën e tyre dhe t'i kthejmë në diçka pozitive. Por nuk është gjithmonë kështu. Kur njerëzit mendojnë se nuk kanë kontroll mbi atë që u ndodh, ata priren të heqin dorë dhe të pranojnë fatin.
Togfjalëshin “pafuqia e mësuar” e përdorën në vitin 1967 psikologët amerikanë Martin E. P. Seligman dhe Steven F. Maier, të cilët bënë eksperimente me qenë dhe kafshë tjera në përpjekje për të shpjeguar shkaqet e depresionit.
Ata konstatuan se qentë, që goditeshin me elektroshok dhe që nuk mund ta shmangnin, thjesht dorëzoheshin dhe hiqnin dorë nga përpjekjet për t’i ikur goditjes elektrike. Madje, edhe kur iu dha mundësia për të ikur, nuk e shfrytëzuan, por duronin dhunën.
Në eksperimentet u dëshmua se ka paralele midis depresionit te njerëzit dhe pasojave të pafuqisë së kafshëve të shkaktuara në laborator: njerëzit që sillen sikur nuk mund të ndryshojnë asgjë, ndihen të pafuqishëm. Sidoqoftë, pafuqia e mësuar mund të "çmësohet".
Në eksperimentet laboratorike hulumtimi ndriçoi tri forma të çrregullimeve:
- Motivimi për të reaguar është rrënuar.
- Procesi i të mësuarit ngadalësohet, personi i interesuar mendon se reagimet e tij do të kenë pasoja.
- Zhvillohen çrregullime emocionale, veçanërisht depresioni dhe ankthi.
Si u bë eksperimenti me qentë?
Grupi i parë: Qentë goditeshin me elektroshok, por ata mund t’i iknin nëse shtypnin një levë apo nëse sillnin një rrotë të vogël.
Grupi i dytë: Edhe këta qenë goditeshin me elektroshok, por ata nuk kishin mundësi për ta penguar.
Grupi 3: Këta qenë nuk u goditën fare.
Në fazën e dytë të eksperimentit, u goditën me elektroshok të gjithë qentë së bashku dhe të gjithë kishin një mundësi për të ikur, në kafazin ngjitur me të, që kishte një dalje.
Qentë e grupit të parë ishin ata që kërcyen të parët jashtë. Ata ishin mësuar të kërkonin rrugëdalje për t’i ikur dhembjeve. Më vonë ata as nuk do të ndaleshin fare për të pritur elektroshokët, por do të kalonin menjëherë në anën tjetër. Qentë e grupit të dytë që qenë mësuar të duronin, kërcëllonin dhëmbët dhe dremisin në qoshe. Ata kishin mësuar t’i dorëzohen fatit.
Qentë e grupit të tretë kishin kërcyer, pas atij të grupit të parë. Iu kishte dashur atyre më shumë kohë sesa grupit të parë, por megjithatë, kishin ikur.
Eksperimentet qenë kritikuar për shkak të dhunës ndaj kafshëve, por ato çuan në hipoteza me të cilat u përpoqën për të shpjeguar depresionin. Qe konstatuar se kjo ndodhte edhe me njerëzit, që nuk mund t’i ndryshonin rrethanat, kur ata ndiheshin të pafuqishëm, si për shembull ku ndodhte një fatkeqësi natyrore, në rast lufte ose para vdekjes. Në çaste të tilla ata thjeshtë bëheshin apatikë dhe letargjikë.
Në të njëjtën kohë, ky model shpjegues arrin në kufijtë e tij, sepse ka njerëz që, edhe pse kanë pasur përvojë me humbje të kontrollit, nuk reagojnë me pafuqinë e mësuar.
Përgatiti dhe shqipëroi Lis Bukuroca
PS.:
Këto ishin disa shpjegime të përkthyer nga italishtja dhe gjermanishtja. Sigurisht mund ta gjeni më të gjatë dhe të pasqyruar më hollësisht. Qëllimi është vetëm të informoheni për ekzistencën e saj dhe ta shmangni në jetë, sepse dëmi mund të jetë katastrofal.
Italisht quhet “impotenza appresa”, gjermanisht “erlernte Hilflosigkeit”, frengjisht “impuissance apprise”, dhe anglisht “learned helplessness”.
Pafuqia e mësuar te ne
Të gjithë e dimë se si fëmijë nuk na trajtonin me elektroshokë, por me shtaga, këpucë, shpulla, grushte, shqelma, piskama. Kjo e fundit quhet sot komunikim i dhunshëm, apo me dhunë verbale.
Qëllimi i tyre ishte të na mësonin pafuqinë dhe të na mësonin nënshtrimin dhe zvarritjen. Jo të menduarit, por të zbatuarit. Aty ndalohej edhe të menduarit, domethënë përdorimi i trurit. Ne, edhe pse ishim të vegjël, me dhunë, ata na zvogëlonim edhe më shumë.
Duke u trajtuar fëmija ashtu, ai ndihej mirë vetëm kur lavdërohej se ishte i “ngueshëm” domethënë e ishte i përdorshëm, i nënshtrueshëm mirë dhe kur kundërshtonte asgjë. Prindërit që vetë kishin qenë viktima, mburreshin me fëmijët që i shndërronin në viktima, që nuk mendonin vetë.
Ata fëmijë përgatiteshin edhe për abuzime tjera, sepse ishin mësuar se mosreagimi shpërblehet dhe se, nëse veprojnë kundër, pasojnë elektroshokët. Gati krejt elita politike shqiptare është rezultat i elektroshokëve në shtëpi dhe te zvarritjet e tyre, shihen simptomat, por jo aq dendur te politikanët tjerë në Ballkan.
Ai trajtim me elektroshokë, ka ndikuar që burri 50 vjeçar, gazetar, të shkruajë: “Unë nuk ia prishi babës!” Ai mendim nuk është tregues respekti ndaj prindit, por pasojat e dhunës së prindit. Ai nuk ia prish babait, edhe kur ai e ka gabim. Babai ia gjen nusen, por edhe ia lëshon. Djali është mësuar, manipuluar dhe është stërvitur të jetë dyfytyrësh me të ati. Ai qahet jashtë, por nuk e braktis kafazin e qenit ku e ka mbyllur i ati.
Ju kujtohen qentë? Grupi i parë qe stërvitur për të kërkuar rrugëdalje. I dyti ishte mësuar të duronte, të mbetej viktimë.
Ata elektroshokë ndikonin që burrat të bëhen zvarranikë para të fuqishmëve dhe para autoriteteve, kurse vajzat i bënin “të pagojë”! Elektroshokët ndaj tyre ishte më të shpeshtë dhe jo vetëm nga prindërit, por edhe nga vëllezërit.
Vajza e "pagojë" lavdërohej si e edukuar mirë, edhe pse ajo kishte braktisur vetveten, nuk ndihej më njeri, por ishte një vegël që përdorej, që shfrytëzohej dhe e cila nga abuzimi i prindit, kalonte te abuzimi i burrit. Ose nga dhuna e prindërve, kalonte te dhuna e burrit dhe te dhuna verbale e vjehrrës.
Dhe ti, si fëmijë, nëse edukohesh nga ata që të trajtojnë me elektroshok, nesër do të kesh probleme në jetë sepse nuk kupton sesi ka qenë e mundur të abuzohesh aq keq nga ata që do duhej të donin.
Nuk është vetëm edukata primitive, e cila merret me zvogëlimin dhe abuzimin e fëmijës, por edhe religjioni, që ia mëson njeriut fatalitetin, dorëzimin, edhe shkolla, që në vend të motivimit përdor komunikim e dhunshëm, si akademiku Kujtim Shala për shembull.
Pra, nëse sillni në mendje edhe një herë tri grupet e qenve, atëherë ju kujtohen mirë se grupi i tretë, edhe pse i pastërvitur para një rreziku, përdorte trurin dhe shpëtonte, por jo ai grup i cili qe ushtruar të dorëzohej, të mos përdorte mendjen.
Ai ishte stërvitur për ta anuluar mundësinë e përdorjes së trurit. Kjo tregon shumë mirë pse pushtuesit ua mësojnë pafuqinë popujve të shtypur apo pse me dhunë ua imponojnë religjionin, por duke ia ndaluar edhe gjuhën e vet.
U tha më lart: i rrënohet motivimi për të reaguar, i ngadalësohet procesi i të mësuarit, i mësohen pasojat nga reagimi dhe i zhvillohen çrregullime të personalitetit.
Libri Kuptimi i jetës mund të porositet tek:
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen