1. Studimi i religjionit është studim i fantazisë së njeriut. Për qindra breza ishte totemizmi religjion. Për qindra tjerë ishte politeizmi (edhe sot në Indi), pasoi monoteizmi dhe gjoja zoti urdhëroi analfabetet të shkruanin librat në vend të tij. Numri i madh i besimeve fetare në Tokë dëshmon se zoti ose nuk ekziston ose se nuk është fare fetar!
Religjioni nuk bën pjesë te nevojat themelore të njeriut, që mundësojnë mbijetesën. Me të domosdoshmet lindet, të tjerat janë mësime, ideologji, manipulime dhe pushtet. Vetëm njeriu ka aq shumë fantazi, sa të shpresojë se pas vdekjes, si shpirt, si energji, kënaqet diku dhe nuk duhet të punojë kurrë!
Religjionet kanë dëmtuar përparimin sepse kanë predikuar besimin, jo mësimin! Zhvillimi industrial dhe i teknologjisë, u bë i mundur, kur religjioni u dëbua nga shteti, në objektet e veta, ku e ka vendin!
Sot, ku ka shumë besim, gati nuk prodhohet asgjë nga teknologjia! Natyra i ka dhuruar njeriut trurin, religjioni ia ndaloi përdorimin dhe e shndërroi në insekt! 19.05.2019
2. Pse erdha në këtë jetë për të ndier dhembjen, që shkakton injoranca e njeriut dhe nuk qëndrova atje, ku nuk kisha qenë kurrë dhe ku nuk kishte as mjerim, as (vetë)dije, as padrejtësi, e as injorancë, as lindje, e as vdekje?! 17.05.2018
3. Besimi fetar
Mund të vdesë njeriu për një gotë ujë, mirëpo edhe pas mijëra lutjeve, madje edhe nëse lutet krejt njerëzimit për të, zoti nuk do t’ia jepte. Megjithatë ai njeri beson se zoti, pas t’ia ketë nxjerrë shpirtin për hunde dhe pasi ta ketë shndërruar në kufomë, do t’i dhuronte atij një përjetësi dhe parajsë me kënaqësi pa fund! SHPËLARJE TËRËSORE E TRURIT 17.05.2020
4. „Nëse ndihmon të varfërinë, shkon në parajsë.“ Bukur shumë! Domethënë zoti prodhon shumë të varfër për të mundësuar disa të pasurve, të braktisin jetën me mirëqenie dhe të aterrojnë përsëri në mirëqenie! ( I varfëri fiton parajsën me dhembje, mjerim e nënshtrim, i pasuri me thërrmija, që i hedh të gjorit)
Pra, nga varfëria përfiton i pasuri dy herë: një herë pse pasurohet duke e paguar pak, e dyta duke blerë shumë lirë parajsën prej tij.
Shteti social, shteti i së drejtës nuk premton parajsë, por ua merr të pasurve me tatime dhe pamundëson varfërinë, e cila i nevojitet të pasurit, (pa shfrytëzuar ata nuk arrihet pasuria) për të blerë lumturinë edhe pas vdekjes!
Parajsa mund të fitohet, kur pamundësohet varfëria, jo kur ndihmohet ekzistenca saj me lëmoshë!
Kjo jetë është dhuratë: e para dhe e fundit! 17.05.2019
5. Kleriku i bind besimtarët se ata pas varrosjes do të shkojnë në parajsë, por para se të shkojnë atje, duhet të nënshtrohen sa më shumë dhe natyrisht, të mos i vjedhin të pasurit: edhe nëse vdesin nga uria. As politikanët jo.
Madje i udhëzojnë të jetojnë të varfër, por të jenë me zemërgjerë dhe, edhe në atë gjendje, ta ndajnë kafshatën e fundit me të tjerët, edhe me klerikun. Vetëflijimin do ta shpërblente zoti, por pas varrosjes.
Pra, të varfrit i mësojnë të ndihen krenarë me varfërinë e vet, me mjerimin: “Fukara, por të mos shiten për para”; të jenë të qetë, të dëgjueshëm, të mos ia prishin terezinë politikanit dhe ta pranojnë klerikun si autoritet të zotit, edhe pse zoti kurrë nuk e ka autorizuar asnjë. Ata i autorizon politikani në shenjë falënderimin për mashtrimin e përbashkët.
6. Kleri nuk ka luftuar kurrë për drejtësi sociale sepse të varfrit i duhen për festa fetare.
Kurrë një klerik nuk ka vdekur nga uria, por shpesh kanë vdekur ata që i kanë besuar klerikut.
Kurrë kleri nuk ka organizuar revolucione për drejtësi sociale.
Kurrë kleri nuk e ka luftuar varfërinë. Në fakt, e ka fisnikëruar. E ka predikuar edhe si gjendje të shenjtë injorancën.
Të gjitha revolucionet, të gjitha përparimet i ka quajtur prishje dhe i ka penguar me tërë fuqinë. I pat ndaluar edhe shkollat edhe shkronjat, edhe librat, edhe lapsat.
E kishte shpallur të shenjtë një libër sepse dy i dukeshin shumë. Tepër shumë.
Grave ua pat ndaluar daljen edhe nga shtëpia pa kujdestar, kurse burrave ua pat larguar të gjitha pengesat.
Sikur të besonin vetë klerikët se zoti i do ata që ndihmojnë të varfrit, ata do t'i kishin falur rrogat e veta ose së paku gjysmën ose do t’i kishin ndihmuar nevojtarët të ndihmonin të tjerët së paku me shtatë orë orë e gjysmë në ditë. Shtatë e gjysmë sepse gjysmë ore në ditë merren ndoshta me predikim. Pesë ditë në javë. Sa punojnë edhe besimtarët e tyre. Duke punuar për të tjerët, do të jepnin një shembull si duhet të veprojnë besimtari, do të jepnin një kontribut për ata që ndiejnë nevojë, për shoqërinë dhe zoti do t'i vlerësonte dhe do t’i shpërblente pas vdekjes, pas varrimit, si edhe besimtarët.
Por pas varrimit kleriku nuk mund të shpërblehet sepse për besimin ai paguhet, domethënë shpërblehet. Paguhet pse beson. Me diku tetë orë punë në muaj, duke u paguar për çdo ritual, mund të jetohet këtu shumë mirë, por nuk mund të shkohet në parajsës pas varrimit.
Deri dje ua ndalonin të gjithëve arsimimin, sot thonë "çikat me shami në shkollë!"
Kërkoni njëherë ndjesë për mjerimin e shkaktuar, mijëvjeçar, pastj shtroni kërkesa të reja!
Shkollat nuk i ka hapur kleri, por shteti.
Kleri nuk ka çfarë kërkon nëpër shkolla, sepse ai nuk është i aftësuar për të punuar me nxënës. Ai nuk ka pasur asnjë provim nga pedagogjia, asnjë dije nga psikologjia sociale dhe e fëmijëve.
Ata merren me traumatizimin e fëmijve, sepse u thonë atyre se zoti zien dhe pjek njerëz si Hitleri e Millosheviqi.
Ata i trishtojnë dhe traumatizojnë, kështu mund t'i komandojnë pastaj më lehtë, sepse vendosin autoritetin e vet mbi individualitetin e tyre.
.
Religjioni duhet mësuar me tri deri në pesë faqe nëpër shkolla dhe të mbahet nga arsimtari i historisë. Nxënësit duhet të informohen për besimet fetare nga fillimi, deri më sot. Nga totemizmi, politeizmi, monoteizmi dhe qindra e mijëra religjione tjera. Ata duhet ta shohin se zotat nuk shkruajnë libra, por njerëzit. Madje, as profetët jo, ata vetë ishin analfabetë.
Duhet treguar nxënësve sa gjenocide janë shkaktuar në emër të fesë dhe se kurrë një klerik nuk ka vdekur nga uria dhe kurrë nuk kanë luftuar për drejtësi dhe barazi...
Ata gjithmonë kanë qenë pjesë e pushtetit! Ata kanë dashur të ngulfasin çdo revolucion dhe injorancën e kanë predikuar si hyjnore, si dëshirë zoti!
Në këtë botë zoti nuk mund të shpëtojë asnjë njeri nga uria, e as një nga i forti! Edhe nëse i lutemi ditë e natë…22.08.2022
Sidoqoftë çdo njeri ka të drejtë të besojë dhe çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin për besimin.
“Unë di se nuk di asgjë!” Ia mveshin Sokratit, por duket e pamundur.
Njeriu që beson se nuk di asgjë, nuk mund të jetë i mençur. Sokrati ishte i mençur. Njeriu i mençur mund ta dijë se di pak, por nuk do të thoshte se nuk di asgjë! Ai, nëse e shqipton vetëm atë fjali të lartëcituar, ai dëshmon se flet një gjuhë! Edhe ajo është dije… Sokrati do të kishte thënë se di pak, por kurrë jo se nuk di asgjë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen