Gjeneruar me image-creator |
Kur jam me gjermanët, bisedat janë shumë serioze. Rrallë qeshim. Birrë dhe verë. Flasim për politikën, industrinë dhe parashikime për dekadat e ardhshme. Brengosemi që tani, duke pyetur veten nëse do të marrim pension nesër apo jo. Pimë shumë, dhe brengosja është pjesë e pandashme e ritmit tonë. Bisedat janë kryesisht serioze dhe të thella. Në fund, kthehemi në shtëpi duke u luhatur; disa marrin taksi, të tjerët ecin një kilometër e gjysmë për pesë orë. Herë vertikalisht, herë horizontalisht, sepse nuk qëndrojmë dot në këmbë.
Kur jam me shqiptarët, biseda fillon me problemet e botës: Rusia, Serbia, Ukraina, Izraeli, bombat atomike dhe galaktikat. Pas një ore, zbresim nja dy mijë vjet në lashtësi, flasim shqip me Krishtin dhe ai na tregon rrugën për te Abrahami. Ai na thotë se emri i tij vjen nga Arbresh dhe na drejton te pellazgët. Aty kalojmë nja dy orë dhe ata na tregojnë rrugën për te Adami dhe Eva. Ata na përshëndesin me "tung" dhe na tregojnë për origjinën e emrave të tyre.
Adami thotë se emrin e ka nga fjala gegnishte "DHAMI", sepse kur kishte ngrënë mollën, i ishin mpirë dhëmbët dhe kishte bërtitur "Ah, dhami, kuku për mue!" Aty për aty, dashnorja e tij Eva e kishte quajtur „Adham.“ Popujt që nuk kishin "DH", e kthyen në "V". Në asnjë gjuhë tjetër nuk mund të shpjegohet kaq logjikisht dhe kaq shkencërisht.
Eva, nga ana tjetër, e kishte quajtur Adami sepse ajo ia kishte dhënë mollën. Pra, nga "E DHA" – u bë EVA.Pra, "Ah dhami" dhe "E dha" janë rrënjët e gjithçkaje. Origjina e njerëzimit dhe gjuhëve.
Pas nja katër orëve, kthehemi në të tashmen dhe ndalemi në Kosovë për të shqyrtuar Asociacionin. E shpërbëjmë dhe e zbërthejmë në qindra fragmente, dhe sapo të përfundojmë, kalojmë te Newbek, te Vatikani i Ri, ose siç e quajmë ne Newborn 2.
Ne jemi artistë të humbjes së kohës. Humbasim tri herë: njëherë të tashmen, pastaj të ardhmen, sepse e shpenzojmë të tashmen duke analizuar të kaluarën, jo për të ndërtuar të ardhmen. Kështu, as e kaluara nuk ndriçohet, as e ardhmja nuk ndërtohet.
Gjermanët investojnë të tashmen për të fituar të ardhmen, ndërsa italianët fitojnë gati tri herë: njëherë sepse nuk jetojnë në të kaluarën, njëherë sepse nuk jetojnë vetëm për të ardhmen si gjermanët, dhe njëherë sepse jetojnë gati plotësisht në të tashmen.
Urime Newborn 2! Newbek!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen