Rama deklaroi se do të ndërtonte një shtet bektashi brenda Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 27 kilometrash katrorë. Këtë e tha me ton autoritar, si një car rus. Si arsye, ai përmendi faktin se bektashinjtë kishin kontribuar në çështjet e Rilindjes Shqiptare.
Shqiptarët bektashinj nuk kontribuuan për Rilindjen si përfaqësues të bektashizmit, por si shqiptarë. Figura të mëdha si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri dhe Ismail Qemali kontribuuan për kombin shqiptar, jo për bektashizmin. Veprat e tyre ishin të motivuara nga ndjenja kombëtare, jo nga përkatësia fetare. Besimtarët e mëdhenj, nuk krijojnë shtete laike, por zakonisht teokratike, të cilët nuk janë të përshtatshme për një shoqëri pluraliste.
Për shtetin shqiptar kanë dhënë dhe japin kontribut edhe shqiptarët e besimeve tjera, apo edhe shumë ateistë, siç ishte vetë Rama dje. Askush nuk mund të shpërblehet me shtet për kontributin e tij ndaj kombit. Megjithatë, nëse Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë e vlerëson se krijimi i një shteti sovran bektashi është i mirë për vendin, atëherë le të ndihmojë Qeveria.
Askush nuk është kundër bektashizmit, por para se të bëhej lajm ajo ide, duhej të kishte një konsultim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe të merrej miratimi i tyre. Kjo do të shmangte përplasjet e rrezikshme dhe mundësinë e ndasive apo urrejtjes mes besimeve fetare.
Vetëm pas kësaj, çështja duhej të paraqitej në Kuvendin e Shqipërisë nga Baba Mondi dhe pastaj ajo ide t’i nënshtrohej një diskutimi publik. Nuk mund të trajtohet populli si bagëti dhe të njoftohet nga një gazetë amerikane. Për më tepër, Baba Mondi nuk dinte asgjë për këtë plan fillimisht. Pas disa orësh, ai tha se dinte gjithçka.
Pas tri ditëve tregoi edhe për letrat që i paska dërguar Ilir Metës dhe Edi Ramës. Pa marrë parasysh se si do të përfundojë kjo çështje, çasti për këtë propozim është tepër i papërshtatshëm për kombin shqiptar. Është e udhës të pritet përfundimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe më pas të trajtohet kjo çështje, por jo t’i ofrohet Serbisë si model për kishën serbe në Kosovë.
Shteti bektashi mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, i cili do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Një çështje e tillë kërkon durim, analiza, shqyrtime dhe mbështetje jashtë, jo vendime të nxituara, mungesë komunikimi dhe sjellje subversive apo komplotiste.
E tani? Tani Edi Rama korrigjon qëndrimin e tij dhe thotë se nuk do të ketë shtet sovran bektashi, jo Vatikan, si e tha në SHBA, por diçka si përfaqësi diplomatike. Por si mund të ketë një përfaqësi diplomatike pa një shtet? Përfaqësia diplomatike kërkon ekzistencën e një shteti. Kjo është njësoj si të mbjellësh një bimë pa farë.
Baba Mondi e ka shpallur tashmë një ambasador të shtetit të vet. Nuk ka asnjë bazë ligjore, as për krijimin e një shteti, as për një përfaqësi diplomatike. Situata po bëhet gjithnjë e më absurde, sepse tani synohet ndërtimi i një selie diplomatike pa asnjë lloj legjitimiteti. Kush e pengon Baba Mondin të shpallë selinë e Kryegjyshatës Botërore si të shenjtë? Ajo nuk bëhet e shenjtë si Vatikani nëse thjesht ne e shpallim. Ajo seli bëhet e shenjtë vetëm nëse shenjtërimin e saj e pranojnë dhe e besojnë besimtarët bektashinj në mbarë botën.
Në fund, përpara se të merret një vendim i tillë, duhet të merren parasysh reagimet e të tjerëve: Si do të reagojnë bashkësitë tjera religjioze? A mund të rrënohet harmonia fetare? Si do të reagojë kisha serbe në Kosovë? Një vendim kaq i rëndësishëm kërkon analizë të kujdesshme dhe shqyrtim të pasojave që mund të ketë, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë.
Baba Mondi tha se në botë janë 150 milionë bektashinj: Turqi 25 milionë, Indi dhe Kinë më shumë. Ai shtet apo ajo përfaqësi diplomatike nuk mund të jetë nacionale shqiptare dhe nesër mund të udhëhiqet me njerëz të tjerë dhe për interesa të huaja. Qeveria, kur merr një vendim si ky, duhet të analizojë çfarë mund të ndodhë pas disa dekadash, jo vetëm çfarë mund të ndodhë sot.
Sikur Edi Rama të kishte parashtruar vetëm dy pyetje në OKB, nuk do të ishte harruar kurrë:
E para: Pse 75 terroristë serbë, që vranë një polic shqiptar në Kosovë dhe që lanë të vrarë tre kriminelë, shpërblehen në Serbi dhe asnjëri prej tyre nuk arrestohet? Prej kur OKB-ja konsideron sulmet terroriste si vepra humanitare? Nëse jo, atëherë pse i lejohet shefit të grupit terrorist, Aleksandër Vuçiçit, t’i drejtohet botës?
E dyta: Pse Serbia, për 100,000 shqiptarë në Luginën e Preshevës, hap Fakultet për Studime Islame dhe medrese, ndërkohë që për më shumë se 100 vjet nuk lejon ndërtimin e një spitali për tre qytetet shqiptare në Luginë?
Këto janë pyetjet me të cilat Edi Rama do të kishte respektuar Kushtetutën, ku te neni 8, pika 1 thuhet: "Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.“ Edi Rama për fat të keq nuk e bën.
Nëse ai vazhdon me këtë qasje, do të japë kontribut shumë të madh në krijimin e kombit kosovar.
Imazhi i gjeneruar me image-creator
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen