21.06.2025

Sa më vjen keq për themeluesit e UÇK-së

për ata burra që ngritën armën,
kur shumica prej nesh dridheshim nga frika!
Ata nuk shkuan në luftë për pasuri apo përfitim, ata shkuan për të vdekur,
në një kohë kur kombi ishte në gjunjë,
kur të gjithë prisnin një mrekulli,
por pakkush guxonte të bëhej vetë ajo mrekulli.
Sot, imazhi i tyre është njollosur nga BIA serbe dhe nga disa hajna të paskrupullt,
që me hile e mashtrime e kthyen lavdinë e luftës në një tregti të turpit.
Nga disa mijëra luftëtarë të ndershëm,
shpikën dhjetëra mijëra “veteranë”,
që kurrë s’e panë frontin.
Ky mashtrim masiv jo vetëm që përbalti të kaluarën tonë,
por e degradoi sakrificën e njëmendt.
Ajo ishte tradhti.
Dhe heshtja është bashkëfajësi.
Për diku 40.000 “veteranë”,
na mungojnë rreth 400 komandantë!
Sakrifica e shenjtë u kthye në teatër.
Në një përrallë të rreme, që përdoret për vota,
për tendera, për lavdi të rrejshme.
Dhe kjo nuk është vetëm mashtrim,
kjo është tradhti.
Tradhti ndaj shtetit.
Tradhti ndaj kombit…
Kush hesht, bashkëpunon.
Kush hesht, tradhton.
Kush nuk e lufton atë UÇK të pas luftës,
e lufton shtetin e Kosovës!
Sot Adem Jashari, Ibrahim Kelmendi, Bardhyl Mahmuti, Sadri Ramabaja, Bislim Elshani, Jakup Krasniqi, * Ilir Konushevci, Zahir Pajaziti etj. mund të shahen, nga ata që tuteshin dje, por roli i tyre i madh, sakrificat nuk mund dhe nuk duhet kurrë të harrohen!
As nuk mund të mohohen!

P.S. Këtë shkrim e nisa si një status të shkurtër, duke menduar se me dy fjali do të mund ta shprehja mendimin që më rrotullohej në mendje — një ide që më lindi pas shumë rasteve kur kam parë përpjekje të ulëta për ta denigruar UÇK-në.

Kam përshtypjen se në sipërfaqen e portaleve dhe në diskursin mediatik po dominon një lloj patriotizmi i rremë, me hije serbe. Dhe kjo më shqetëson.

Mendimi im — madje bindja ime — është kjo:

Rugova i hapi shtigjet UÇK-së. Jo me dashje, por me durimin dhe qëndrueshmërinë e tij politike, ai ndikoi që bota të fillonte ta kuptonte se kryengritja e armatosur nuk ishte ekstremizëm, por domosdoshmëri.
UÇK-ja, nga ana tjetër, e shpëtoi Rugovën nga dështimi i plotë i pacifizmit. Edhe kjo jo me dashje, por me vetë faktin se e vërtetoi që liria nuk vinte vetëm me fjalë të buta.

E Përfundimi?
Ne fituam — me Rugovën dhe me UÇK-në.
Tani është koha të festojmë fitoren tonë historike, të ndërtojmë shtet më të mirë, më të drejtë se pushtuesi i djeshëm, por njëkohësisht të kërkojmë rrugë për pajtim — edhe me vetveten, edhe me fqinjët.

* Këto katër personalitete — Ibrahim Kelmendi, Bardhyl Mahmuti, Sadri Ramabaja,   dhe Bislim Elshani — i kam ndjekur me vëmendje edhe përmes shkrimeve të tyre. Janë jo vetëm heronj të lirisë, por edhe figura me potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe moral. Janë krenari për kombin, sepse kanë ditur të mbrojnë të vërtetën, jo vetëm me kryengritje, por edhe me mendje të kthjellët dhe fjalë të matur.

Radhitja e emrave nuk synon të tregojë epërsi mes tyre — është thjesht renditja si m’u kujtuan.


Keine Kommentare: