28.07.2025

Në doganë

– Mirëdita. A keni diçka për të deklaruar?
– Jo, – i thashë.
– Pasaportën, ju lutem.
Ia lëshova në tavolinë. Ai e mori, e hapi, më shikoi dhe, ndërsa ma kthente, shtoi:

– Ju qenkeni gjerman?
– Jo, nuk jam.
– Por keni pasaportë gjermane…
– Po, është e vërtetë. Ajo tregon se jam nënshtetas i Gjermanisë.
– E çfarë jeni, atëherë?
– Jam shqiptar nga identiteti. Europian – si dëshmi.

Në dalje, bashkëshortja më pa me kureshtje.

– Pse iu përgjigje ashtu? Ishte i ri…
Unë buzëqesha.
– Pyetja e tij ishte spontane.
Përgjigjja ime – po ashtu.
Ai mësoi një dallim. E mësova edhe unë. Nuk e dija.


– Njeriu mund të ketë disa pasaporta, disa shtetësi.
Ajo më përcakton sipas ligjit; unë – sipas gjakut dhe kujtesës.
Por zakonisht – vetëm një komb.
Pasaporta është letër.
Unë jam vepër.
Dhe kjo ndjesi nuk është çështje e asnjë kontrolli doganor.
– Por e deklarove në doganë.
– Sepse ai e deshi.


– Po ka njerëz me prindër të ndryshëm?!

– Ke të drejtë, por unë fola vetëm për vete…


– Mirëpo, e pa si në Kosovë e përbuzën flamurin?!

– Po, ishin dy të rinj. Në çdo komb ka edhe nga ata që nuk e duan vetveten.

Edhe ata kanë të drejtë të ekzistojnë…

dhe të dënohen – por vetëm nëse veprimi i tyre është i ndaluar me ligj.

Jo për bindjen, por për veprimin.


Në Ballkan ka shqiptarë që luftojnë identitetin shqiptar.

Edhe në Shqipëri gjenden nja dy a tre…


Mal pa ferra, e komb pa derra, nuk ka, – thashë duke hyrë në autobus.

Keine Kommentare: