Autori gjerman, Boris von Hessen ka shkruar një libër me titullin "Was Männer kosten: Der hohe Preis des Patriarchats", ku trajton dëmin ekonomik të patriarkatit në shoqërinë gjermane. Von Hessen nuk është vetëm ekonomist. Ai ka punuar për vite me radhë në sektorin social dhe ka pasur qasje të drejtpërdrejtë në statistika, ku ka vënë re edhe dallimet mes grave dhe burrave.
Në bazë të analizave nga statistikat zyrtare, ai ka ardhur në përfundimin se burrat i kushtojnë shtetit gjerman rreth 63 miliardë euro në vit më shumë se gratë.
Në librin e tij, ai numëron shumë arsye ku diferenca mes burrave dhe grave është e theksuar dhe, shpesh, jo në të mirë të burrave.
Sipas statistikave që ai shqyrton, burrat janë përgjegjës për:
- Dy herë më shumë aksidente trafiku sesa gratë.
- Pjesën dërrmuese të veprave penale, duke përfshirë huliganizmin, vjedhjet dhe krimet ekonomike.
- Konsum më të lartë të drogës, alkoolit dhe lojërave të fatit.
- Mbi 94% të të burgosurve në Gjermani janë burra.
- Në rastet e përdhunimit, sulmit apo detyrimit seksual, 98.4% e viktimave janë gra.
- Në rastet e kërcënimeve me vdekje dhe detyrimit brenda partneritetit, 88.5% e të dëmtuarve janë gra.
- Në deliktet e vrasjeve, 77% e viktimave janë gra.
Ato shifra përthyhen në kosto të mëdha për shtetin. Sipas gjetjeve të tij, vetëm shpenzimet për burgjet arrijnë rreth 3 miliardë euro në vit. Çdo i burgosur i kushton shtetit rreth 130 euro në ditë – afërsisht sa një natë në një hotel me katër yje, thotë ai. Në aksidentet në trafik, burrat shkaktojnë dëme prej rreth 2.5 miliardë euro në vit.
Von Hessen thekson se makinat janë shndërruar në simbol të fuqisë patriarkale. Dëshira për të pasur një automjet luksoz dhe imponues nuk është thjesht një çështje stili, por një shprehje kulturore e një edukimi që madhëron forcën, dominimin dhe mungesën e empatisë.
Ai përmend edhe përfaqësimin e ulët të grave në pozita vendimmarrëse, për shembull në industrinë e automobilave apo edhe në Ministrinë e Transportit të Gjermanisë, e cila nuk është drejtuar kurrë nga një grua.
Motivet e mundshme, sipas autorit: Që në moshë të vogël, djemve u mësohet të jenë “të fortë”, të mos kërkojnë ndihmë, të mos tregojnë dobësi apo emocione, të jenë “si shkëmbi” dhe të imponohen. Ky model i mashkullit ideal, i ndërtuar mbi parimet patriarkale, nuk i dëmton vetëm gratë, por i kushton shumë edhe vetë burrave dhe shtetit.
Pasoja e patriarkatit në shoqëritë shqiptare
Duke parë çmimin që paguan Gjermania për patriarkatin, lind pyetja: sa u kushtojnë burrat shteteve shqiptare? Sipas mendimit tim, përqindja është shumë më e lartë, sepse patriarkalizmi ynë është shumë më i madh dhe shumë më teatral se ai i gjermanëve.
Në Ballkan, dhe veçanërisht në shoqëritë shqiptare, kemi një problem shtesë: kemi marrë dhe kopjuar ligjet e demokracive perëndimore, pa kaluar fazat kulturore, industriale dhe shoqërore që u kanë paraprirë atyre ligjeve në vetë Perëndimin. Kjo ka prodhuar një realitet skizofrenik, ku ligjet ndalojnë një vepër, por shkelja e tij merret si diçka normale.
Ose, më saktë, popullit nuk i ha palla për ligjet, por vetëm për vetveten. Nëse ka përfitime, ligji shpërfillet me krenari të madhe. Në pamje të jashtme dukemi “europerëndimorë”, por në thelb, pak ka ndryshuar mënyra e të menduarit, të vepruarit dhe perceptimit të botës. Ende jetohet nën një trysni të përhershme, të jetohet për sytë e botës, jo për vetveten. Me rëndësi të kënaqim patriarkun dhe rrethin, jo vetveten.
Zbatimi i ligjit është ende shumë larg standardeve të Europës dhe, më keq akoma, për shkak të korrupsionit, ai zbatim shpesh është selektiv. Gjykatat dhe prokuroritë janë disfunksionale, prandaj kemi nevojë të krijojmë Prokurori dhe Gjykata Speciale.
Prokurori dhe Gjykata Speciale!!!
Por paradoksi qëndron te fakti se prokurorët dhe gjykatësit që janë shkaktarë të prokurorisë dhe gjykatës speciale nuk përjashtohen, sepse janë emëruar nga vetë politikanët për t’i blerë vetes imunitet të përjetshëm. Ata „juristë“ vazhdojnë të paguhen nga shteti, duke e dëmtuar atë. Paguhen edhe pse nuk janë special, por ordinerë.
Prokuroria Speciale në Kosovë apo SPAK-u në Shqipëri nuk janë asgjë tjetër veçse dy certifikata që dëshmojnë se Shqipëria e Kosova për drejtësi paguajnë dy herë. Për atë që rrënon shtetin ligjor, dhe për atë që duhet ta mbrojë atë nga prokuroria rrënuese.
Sipas asaj logjike “Speciale Shqiptare”, nuk duhet përjashtuar prokurorët dhe gjykatësit, por duhet krijuar një “Speciale” dhe ta quajmë me një fjalë të huaj; jo “e Veçantë”, shqip, por “speciale”, që duhet të na tingëllojë si spec djegës dhe do të rrezatonte më shumë frikë.
(Sigurisht, bëhet fjalë për një term të vjetër pellazgjik, që shpjegohet bukur edhe me gegërishten: “Spec a le” — Spec është lindur.)
Dhe meqenëse kur nuk funksionon një institucion, ne ndërtojmë një të ri me emrin “Special”, atëherë pse të mos vazhdojmë logjikën me simotrat e saj:
- Kopsht Special
- Shkollë Speciale
- Veteran Special
- Spital Special
- Bashki Speciale
- Administratë Speciale
- Fakultet Special
- Akademi Speciale
- dhe, pse jo, Qeveri Speciale?!
Unë sot e kuptova pse disa politikanë kanë edhe Dashnore Speciale…
Merreni me mend: kemi diku 30,000 veteranë të rrejshëm, kryesisht burra, që gati shkatërruan imazhin e UÇK-së, por nuk është arrestuar asnjë hajdut që e vjedh shtetin e Kosovës muaj për muaj. Kosova ka prokurori dhe gjykata që paguhen, por kriminelë nuk janë vetëm veteranët e rrejshëm, por më antishtet është prokuroria dhe gjykata që mbështesin dhe legjitimojnë kriminelët.
Kemi 20,000 gra të dhunuara, jo veterane, por diku 30,000 veteranë kriminelë.
Popull,
kemi prokurorë që kanë anuluar hetimet ndaj terroristit që pranoi në Beograd se kishte kryer sulme.
Popull,
kemi prokurori që i dinë dhe i njohin hajdutët, por paguhen nga shteti për të mos i shqetësuar.
Popull,
ata u emëruan nga politikanët për të fituar licencës e vjedhjes.
Në Shqipëri e Kosovë, korrupsioni është shumë i përhapur. Biznesmenët gjermanë, kur këshillohen mes vete për investime jashtë, i quajnë këto vende me „bakshish-mentalitet“; veçanërisht aty ku për hapjen e një biznesi, duhet t’i jepen lekë ndonjë nëpunësi.
Në Ballkanin Perëndimor, disa pasurohen përmes vjedhjeve dhe korrupsionit, dhe pothuajse askush nuk përfundon në burg. Ndërkohë, fenomenet si gjakmarrja, heroina, dhuna ndaj grave dhe aksidentet në komunikacion, ku shpesh burrat janë përgjegjësit kryesorë, rëndojnë mbi ekonominë, shtetin, moralin e shoqërisë dhe kontribuojnë në zbrazjen e vendit.
Në Kosovë e Shqipëri, ku mjetet janë edhe më të kufizuara se në Gjermani, dëmi që shkakton patriarkalizmi është proporcionalisht edhe më i madh.
Kam shkruar për këtë edhe në librat Letër burrave I dhe Letër burrave II, ku kam arritur në përfundimin se ne, djemtë, prishemi që në fëmijëri, në shtëpi e shkollë, nga edukata patriarkale. Nuk mësojmë të duam, por t’i nënshtrohemi patriarkut, i cili na lavdëron sa më shumë që bëhemi kopje e tij: të jemi të dhunshëm, burra të fortë, si kafshë, jo të mirë si njerëz.
Na mësohet se gratë janë të lehta, (domethënë edhe nënat) se bashkëshortet janë nënat tona ditën, nuse natën. Se për pasuri, nëse përfundon në burg, ji krenar; rëndësi ka që nga plaçka të kesh fshehur mjaft.
Këtë e kam përjetuar edhe si përkthyes dy herë në Gjermani, në Berlin dhe Hanover, kur ishin burgosur dy shqiptarë: njëri për tregti me narkotikë, tjetri për rrahjen brutale të bashkëshortes. Dy prindërit, në distanca kohore të ndryshme, u patën thënë bijve të tyre në burg: “Mbaju, burgu është për burra.”
Edukata patriarkale rrënon në substancë individualitetin, dinjitetin, sedrën dhe identitetin vetjak të djalit dhe vajzës. Patriarkalizmi adhuron burra, urren, dehumanizon dhe nënshtron gra. E shformon djalin. E çnjerëzon burrin.
Ai, në shumicën e rasteve, del nga familja me defekte të mëdha, që është tepër e vështirë t’i ndryshojë, pasi ato bëhen pjesë integrale e nënvetëdijes dhe veprimeve instiktive të tij. Sepse nuk mësohet të bëhet njeri që krijon familje funksionale, me dashuri dhe edukatë moderne, por si ajo e prindërve.
Vajzat edukohen ndryshe: për të qenë të ndershme, të mençura, të përmbajtura, të pastra, të kujdesshme dhe me inteligjencë të madhe emocionale. Prandaj kemi shumë këngëtare shqiptare me imazh pozitiv ndërkombëtar, apo zonja të mëdha intelektuale si Mira Murati dhe Lea Ypi, por edhe shumë shkrimtare e poete që përfaqësojnë vlerat kulturore shqiptare me dinjitet.
Për të jetuar në përputhje me kohën, në harmoni me ligjin dhe drejtësinë, është domosdoshmëri që edukimi i djemve të bëhet njësoj si ai i vajzave: me moral, ndjeshmëri dhe përgjegjësi ndaj familjes dhe, më gjerë, ndaj shtetit.
Dashuria ndaj atdheut nuk është një ndjenjë që i duhet dikujt, por vetëm respektimi i ligjeve të shtetit është shprehja më e sinqertë, më fisnike dhe më sublime e dashurisë ndaj atdheut. Të tjerat janë tallava-dashuri: për të mashtruar, për të fshehur apo përfituar diçka.
Sjelljet e tjera, që shkelin ligjet, janë armiqësi ndaj tij. Kjo ishte arsyeja pse pata shkruar në vitin 2019 “Apel grave”, ku kërkoja të votonin vetëm gra.
Ne nuk edukojmë dhe nuk arsimojmë djemtë për t’u marrë me politikë, por për të bërë karrierë sa më shpejt dhe për t’u ngjitur sa më lart: për t’u pasuruar sa më shumë dhe sa më shpejt, për të krijuar rrjetin e vet kriminel të sigurt — „Triadën e suksesit“ — që përbëhet nga pushteti, miqësia me prokurorinë dhe gjykatën, në dëm të kombit, edhe atë duke i kënduar atdheut dhe flamurit.
Përfundim: Shtetet shqiptare duhet t’i rrisin pagat e grave së paku 10% më shumë se të burrave, sepse burgjet tona janë plot me “trima”. Në shoqëri duhet të ketë drejtësi. Ky diskriminim pozitiv duhet të hiqet kur të barazohen krimet mes burrave dhe grave.
Statistikat tregojnë për edukatën e gabuar, por edhe gratë kanë përgjegjësi, sepse djemtë mësohen të bëhen burra, jo njerëz! Burrat vuajnë dhe shpesh shtiren se po kënaqen me “burrërinë” e tyre, jo sepse u duhet, por sepse besojnë se kështu impresionojnë rrethin. Ata nuk jetojnë kohën e vet, por kohën e të tjerëve; jo jetën e vet, por jetën e huaj, të patriarkut, i cili ua ka sekuestruar mendjen. Ua ka shndërruar në koloni të veten.
Te gratë shoh dy faktorë njerëzorë, ndërsa te ne burrat dominon një instinkt shtazor. Gratë duan të ushtrojnë pushtetin me mençuri dhe bukuri, ne me forcë dhe pasuri. Gratë ushtrojnë pushtetin për të ndërtuar, ne burrat për të sunduar!
Natyrisht, ka përjashtime, por kjo është përshtypja ime e përgjithshme…
Imazhet me Copilot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen