Në një vend ku politika është intrigë, pasurimi i paligjshëm konsiderohet aftësi, dinakëria inteligjencë, korrupsioni mirënjohje, kurse nepotizmi përjetohet si empati. Në atë vend, paradoksi shndërrohet në parim, ndërsa dyfytyrësia në normalitet.
Dhe këtu nis shpjegimi i imoralitetit:
Shumë konfidenciale
Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së: Ne nuk e votojmë buxhetin. Por, natyrisht, do të protestojmë pse nuk e votuam. Ne do të jemi viktima, fajtore do të jetë qeveria. Pse? Sepse kur diçka nuk e bëjmë ne, përgjegjësia i takon dikujt tjetër; përndryshe, na shfuqizohet mundësia për të akuzuar dhe për ta transferuar fajin te tjetri: tek ai që e dëshironte votimin.
Ne nuk duhet ta ndihmojmë ne zgjedhjen e problemeve, por në grumbullimin e tyre. Ndryshe nuk mund të fitojmë.
Fajin e ka qeveria, sepse na e ka humbur motivacionin dhe vullnetin për të votuar. Prandaj, nuk e votuam buxhetin për tri komuna dhe marrëveshjet ndërkombëtare në vlerë prej 1.1 miliardë eurosh.
E pastaj, të dashur anëtarë të LDK-së, për çfarë na duhet një pikë një miliard, kur ne nuk jemi pranë qypit dhe as nuk kemi qasje direkte në të?
Për ta ngritur strategjinë tonë qortuese dhe akuzuese në nivelin më të lartë të drejtësisë politike, me rrezatim të fuqishëm publik, protestojmë kundër Kurtit. Jo kundër mosveprimit tonë. Sepse mosveprimi ynë është veprim. Veprim pasiv. Akademik.
Në anën tonë do të kemi edhe mediat, të gatshme t’i shndërrojnë ankesat tona në programe “shkencore” ekonomike. Thënë mes nesh, mos e nxirrni jashtë ju lutem, logjika e protestës është e thjeshtë: kur ne protestojmë atëherë xhemati, në revoltën tonë, lexon padrejtësinë e qeverisë. Ne jemi vetëm viktima, sepse e kemi planifikuar të jemi. Dhe jemi.
Ju kujtohet: me solemnitet e votuam Asociacionin. Kushtetuta shkelej 23 herë. Ishte vendimi ynë, vizion strategjik, hap historik. Por Kurti protestoi kundër tij: çfarë armiku! Dhe kur ne u penduam për atë që vetë bëmë, Kurti nuk u pendua për protestën e tij.
Ne ndryshuam bindjet, ai jo! Strategjia jonë politike është të marrim vendime që i shërbejnë karrierës sonë, pasurimit tonë, e kështu të fitojmë mbështetje jashtë; e pastaj, pastaj pendohemi dhe të protestojmë kundër vendimit tonë. Xhemati beson se pala tjetër i ka fajet.
E njëjta histori me Gjykatën e Posaçme, të dashur anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ne e votuam. “Shpëlarje e UÇK-së” e quante lideri ynë. Hazreti Isa. Kurti protestoi kundër saj.
Pastaj ne u penduam dhe protestuam kundër asaj që vetë themeluam. Kurti, fajtori, ndërkohë nuk del në protestë kundër. Ne shfaqemi përsëri si viktima. Me viktimat populli solidarizohet dhe na quan ndoshta axhami, por të drejtë. I vjen gjynah për neve. Kështu fitohen votat. Kur ne kritikojmë, populli beson se po dimë më shumë.
Kurtin duhet ta akuzojmë pse protestoi dje, dhe ta akuzojmë pse nuk protestoi sot me shoferët e autobusëve.
E dini pse nuk del? Sepse ai nuk guxon të pendohet për protestën e djeshme. Ky “komunist” nuk pendohet kurrë.
Ne, të paktën, marrim vendime me pasion, në ekstazë dhe pendohemi me pasion, në ekstazë, plot ofshama: vazhdimisht. Ndërkohë, pasurohemi dhe punësojmë farën dhe fisin tonë, domethënë popullin e Kosovës. Imunitetin e kemi të garantuar për çdo vepër.
Prokuroria “pronto” gjendet aty. Edhe e jona. Vetëm duhet të rrisim numrin e votave: në çdo mënyrë të mundur. Unë duhet të jem kryeministri i ardhshëm. Për ta shpëtuar Kosovën.
Pse duhet të na votojnë neve? Sepse ne jemi të sinqertë: nuk kemi bash hiç problem me Listën Serbe. Fare. Madje, pse të mos kthehet Veriu pikërisht në pikën ku e ka lanë Edita Tahiri? Historia duhet rifilluar jo nga fillimi, por nga gabimi.
Sepse, siç kam thënë unë, lideri më seksi shqiptar, do të më kishte lakmi edhe Miguel de Cervantes, prandaj po e përsëris edhe një herë atë mendim profetik:
“Një ditë mund të dalë një politikan i fuqishëm botëror dhe të thotë: Veriu nuk i takon Kosovës.”
Pra, është e qartë: fajin e ka Kurti që e “pushtoi” Veriun dhe po terrorizon serbët, e po armatos Kosovën. Ne nuk duam luftë, as armatim. Ne jemi pacifistë. Armët nuk na duheshin, prandaj nuk i kemi blerë, dhe buxhetin e kemi investuar aty ku ishte më mirë. Në rrethin tonë, domethënë në popull.
…
Sqarim
Këto ishin disa paradokse të LDK-së së Mustafës dhe princit trashëgimtar, Lumirit të Parë, në ikje dhe Ramës së Dytë. Ndoshta në ardhje.
Gabimet dhe dështimet janë të tyre, por pasojat ua atribuojmë të tjerëve. Dhe sa më shumë që gabojnë, aq më shumë besojnë se po dinë, se po kanë të drejtë.
Narcizmi është i pafund. Edhe mungesa e kompromisit.
Kështu, rekomandimi merr formë konkrete më në fund: voto LDK-në e Re!
Sepse ajo e Rugovës nuk është më:
atë e tretën,
e tkurrën,
e dhunuan,
e përdhosën,
e fikën, ia nxorën shpirtin dhe po i përgatisin ceremoninë përfundimtare.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen