21.12.2025

Nuk martohet burri me spec të huaj, Bota Sot, Drini

Kemi dy liderë që duan të fitojnë me profile të huaja: Lumir Abdixhiku përdor Ibrahim Rugovën e ndjerë dhe Isa Mustafën e pandjerë. Kjo do të thotë se ai dëshiron të martohet, po përgatitet për dasmë, por ka nevojë për speca të huaj; i veti nuk i mjafton.

Me profilin e vet, Rugova ka fituar. Me profilin e vet, Isa Mustafa ka fituar dhe ka dështuar; Lumiri e ka bërë kryetar nderi. Me profilin e huaj, Abdixhiku humb.

Kjo është e sigurt. Kopja nuk mund të bëhet kurrë më e mirë se origjinali. E as sa ai. Këtë nuk e di Abdixhiku. Ose nuk dëshiron ta kuptojë. Por do ta marrë vesh më 28 dhjetor.

Hamza humbi në Mitrovicë, por ëndërron të fitojë në Kosovë, me profilin e Thaçit, jo të vetin. Të vetin nuk e ka, ose e ka të pamjaftueshëm, po ashtu si Lumiri. Guxoi të shkojë në Hagë për të vizituar drejtorin politik të UÇK-së, por nuk pati guxim t’i bashkohej UÇK-së.

Ky nuk ka qenë në luftë, nuk është burgosur dhe nuk ka pasur emër e mbiemër gjatë dhe pas luftës. Është pakkush, jo askush, por jo dikush. Është pakkush sepse ka vrapuar me plot entuziazëm me stafetën e Titos. Pionieri.

Lumir Mustafa dhe Hamzë Thaçi, me mbiemra siç i meritojnë, sepse u mungon personaliteti vetjak, pas zgjedhjeve mund të rrëzohen nga anëtarësia ose do të largohen vetë, sepse votat nuk fitohen me profil të huaj.

Logjikisht, idhujt janë hije, role të përdorura dhe të konsumuar. Nuk mund askush të fitojë me personalitet të huaj, ashtu siç askush nuk mund të martohet me spec të huaj. Duhet ta ketë të vetin. Kjo është domosdoshmëri kategorike në politikë dhe në jetë.

Populli nuk voton kukulla që nuk guxojnë të distancohen nga Karteli i Korrupsionit; populli do njeri me identitet dhe personalitet të vetin, me “vezë” të veta: njeri të drejtë, me të kaluar, të tashme dhe të ardhme.

Ata të dy nuk i kanë asnjërën: as të kaluarën, as të tashmen, rrjedhimisht as të ardhmen. Këto i ka vetëm Albin Kurti, tani për tani. Ai ka personalitetin e vet. Ka qenë, është dhe do të mbetet vetvetja. Nuk ndien nevojë as për speca të huaj, as për vezë të huaja. Është origjinali.

Në anën tjetër, ata të dy nuk kanë as ide; për çdo premtim e kopjojnë Kurtin. Ata e imagjinojnë buxhetin e rritur si thes të Babadimrit.

Albin Kurti ka fituar tashmë kundër opozitës; tani nevojitet vetëm fitorja kundër Kartelit, nga i cili janë bërë milionerë televizione, gazetarë, moderatorë, prokurorë, gjykatës dhe udbashë.

Ju kujtohet se në epokën e Kartelit udbashët nuk burgoseshin, por bëheshin këshilltarë të Thaçit, apo gjykatës në Kushtetuese, ose fitonin në veri nga kriptomonedhat, kokaina dhe droga të tjera. 

Karteli nuk ka kokërr fytyre dhe, i trishtuar nga fitorja e Kurtit, votuesit e tij i quan herë militantë, herë trushpëlarë; por nëse voton si i konvenon Kartelit, je tru i ndritur, sepse lufton për ruajtjen e milionave të vjedhura.

Por pse do të humbin ata të dy? Sepse dy kopje të vogla, bardh e zi, po luftojnë origjinalin e madh. Humbja është e garantuar.

Pse jam kundër atyre të dyve? E para, sepse nuk janë vetvetja, ndihen të pamjaftueshëm dhe u duhen të tjerët. E dyta, sepse Karteli i televizioneve, portaleve, gazetarëve, moderatorëve, prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar i mbështet ata. 

Ata luftojnë për të mbrojtur grazhdin e vet; ti, si votues, duhet të votosh për shtet, jo për të mbështetur ata që, për sulmin e parë terrorist, akuzonin Kurtin dhe shfajësonin Serbinë. Për sulmin e dytë terrorist, po ashtu akuzonin Kurtin dhe shfajësonin Serbinë. Ata kërkonin amnisti për kriminelët serbë, sepse nuk ishin vrarë njerëz nga familjet e tyre. Sepse kur luftohej në Drenicë, ata ishin nëpër diskoteka në Prishtinë.

Pra, duhen dy fitore: kundër opozitës duket se është fituar tashmë. Fitorja e dytë, kundër Kartelit, e bën Kosovën shtet ligjor. Kjo kërkohet edhe nga SHBA.

Ja ku lexohet fundi i Kartelit: Ligji që i është dërguar Senatit në SHBA për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor thotë se duhet ‘luftuar korrupsioni politik, veçanërisht në sistemin gjyqësor, në organet e pavarura për mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe në procedurat e prokurimit publik’.” Aty parashihen edhe sanksione.


Diaspora, si etnitet më i ndriçuar, më i iluminuar që e di çfarë është shteti ligjor, dhe si ndërtohet ai, duhet ta ndihmojë Kosovën për të vazhduar me stabilizimin e shteti ligjor. Duhet vetingu, duhet sekuestruar shumë pasuri. Karteli po lufton për vete, ti lufto për Kosovën!

Konkluzion: Pra, nëse fiton koalicion i kryeministrit Kurti, fiton Kosova. Nëse fiton opozita, fiton vetëm Karteli dhe humb Kosova.

Keine Kommentare: