Lindja
Adem Demaçi dhe mijëra të tjerë në burgjet jugosllave e serbe investuan jetët e tyre dhe i gërmuan me thonj e grushte themelet e Republikës.
Ibrahim Rugova dhe mijëra të tjerë i mbushën ato themele me beton politik, diplomatik dhe institucional. Mërgata financoi.
Adem Jashari, me 58 anëtarë të familjes së vet, dhe mijëra të tjerë në UÇK, ia ngritën muret Republikës. Mërgata financoi.
Hashim Thaçi ia vendosi kulmin Republikës.
Ramush Haradinaj, me Ushtrinë e Kosovës, e bëri më të sigurt oborrin e saj.
Dëmtimet
Hashim Thaçi, në pallatin e Republikës, hapi një bodrum me derë nga veriu, nga e cila Serbia hynte e dilte pa pengesa. Me Gjykatën Speciale ia lëkundi themelet Republikës dhe në fund tentoi t’ia ndryshojë kufijtë.
Isa Mustafa, akademik, firmosi dokumente me të cilat Kushtetuta u shkel 23 herë dhe vazhdoi dëmtimin e Republikës, duke legjitimuar bodrumin e Thaçit, që nuk i përkiste më shtetit.
Presidentja Atifete Jahjaga e ndaloi përkohësisht këtë shkarje që rrezikonte seriozisht Republikën.
Shpërfytyrimi
Hashim Thaçi e ndihmoi vendin, por më pas e dëmtoi rëndë ekonomikisht, duke ndërtuar shtet privat. Fondi “Vendlindja Thërret”, kontribut i mërgatës, u zhduk.
Isa Mustafa e dëmtoi vendin dhe rrënoi LDK-në. Tre përqindëshi, investim i mërgatës, u zhduk dhe nuk u shpjegua kurrë.
Ramush Haradinaj e ndihmoi vendin, por njëkohësisht e dëmtoi ekonomikisht dhe nënshkroi zvogëlimin e tij.
Veprimtaria antishtetërore
Në kohën e tyre, korrupsioni epidemik u bë normalitet. Brenda mureve të Republikës u hapën sallone nepotizmi, vjedhjeje dhe shitjeje të pasurive të shtetit me çmime banale. Prokuroritë dhe gjykatat u bënë sallone zbukurimi. Manikyr dhe pedikyr për hajna
Paslufta prodhoi rreth 30.000 veteranë më shumë sesa kishte lufta. Në vend që të paguheshin më mirë luftëtarët e vërtetë, investohet te të rrejshmit, duke degraduar vlerat dhe sakrificat e kryengritjes.
U krijuan oda për rrënimin e arsimit dhe për depërtimin e shërbimeve serbe. U ndërtua shtresa e oligarkëve pa origjinë të shpjegueshme pasurie. Identiteti fetar u rrit, ndërsa ai kombëtar u dobësua rëndë.
Kosova po ndërtonte imazh që i konvenonte Serbisë dhe humbi kontrollin mbi ekstremizmin. Vendi i çliruar nga terrorizmi serb prodhoi terroristë shqiptarë për luftëra të huaja. Serbia rehabilitohej vit pas viti.
Ata patën guxim kur duhej, por jo dije për ndërtimin e shtetit kur nevojitej. Politikën e mësuan duke gabuar dhe duke u paguar nga populli: edhe për të mirat, edhe për të ligat.
Çfarë mbetet në histori?
Ibrahim Rugova mbetet ndërtues i urtë i shtetit dhe arkitekt i aleancave.
Adem Demaçi vdiq pa e hequr breroren e atdhetarit; u flijua për kombin dhe u largua si shëmbëlltyrë.
Hashim Thaçi do të mbetet si drejtor politik i UÇK-së dhe lexues i pavarësisë, por edhe si Hashim Zajednica, Hashim Speciali dhe Hashim Korrupti.
Ramush Haradinaj do të mbetet si Ramush i madh i luftës dhe Ramush Çakorri i politikës.
Isa Mustafa do të mbetet si ministër i Rrahman Morinës, puçist në LDK dhe rrënues i saj; karrierist në çdo regjim. Nga Millosheviqi, deri te Thaçi.
Çlirimi institucional dhe rimëkëmbja
Albin Kurti mbylli derën e veriut, dhe ndali funksionimin e salloneve dhe odave të kapjes së shtetit. Ai e riktheu shtetin në funksion institucional dhe popullit dinjitetin e nëpërkëmbur. Çlirimi i vendit e përfundoi në planin e brendshëm; para tij mbetet beteja e njohjes së ndërsjellë Kosovë–Serbi.
Përfundim
Kjo skicë radhit vetëm figurat kryesore që nisën dhe ndikuan në ndërtimin e shtetit. Republika u bë nga shumë të tjerë, brenda dhe jashtë vendit. Zoti i bekoftë ata që kontribuuan; drejtësia i dënoftë ata që e dëmtuan shtetin. Për rrënimin e atdheut, ligji nuk njeh përjashtime. Pa shtet, Kosova bëhet Serbi.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen