25.12.2025

Pranë Shtëpisë Publike, Bota Sot

Ishte diku në vitet e para në Gjermani. Po shkoja te posta dhe majtas, përballë saj, në fillim të rrugës tjetër, gjendeshin dy porta të mëdha, njëra gjysmë e hapur. Aty nis një rrugë me kalldrëm, me shtëpi të vjetra dykatëshe në të dy anët, ‘Fachwerkhäuser’ quhen në gjermanisht. Para hyrjes, majtas, gjendej një hotel, pranë tij një restorant. 

Djathtas, pranë stacionit të tramvajit, është posta. Edhe sot. Rreth dhjetë hapa para meje, nga ajo rrugë pashë duke dalë një vajzë të veshur pak, me çizme të gjata mbi gjunjë dhe flokë të gjatë, të dallgëzuar. Kur deshi ta kalonte rrugën në drejtim të postës, një grua me biçikletë i kaloi shumë afër. Vajza u trazua dhe bërtiti: “Kurvë e mallkuar!”


Gruaja me biçikletë u ndal, e shikoi nga koka te këmbët, sikur po e skanonte. Buzëqeshi me përçmim dhe vazhdoi rrugën pa thënë asnjë fjalë. Aty mora me vete dy mësime.


I pari, në atë çast e kuptova një të vërtetë: njerëzit shpesh nuk i shajnë të tjerët për atë që janë të tjerët, sepse nuk i njohin aq mirë sa veten, por pa vetëdije i shajnë sipas asaj që ndihen vetë. Fyerja është shpesh portret i vetvetes. Është reagim spontan, instinktiv dhe truri nuk harxhon energji. Përdor bindje vetjake për gjykime dhe paragjykime.


Duke kaluar rrugën, më ranë ndërmend sharje nga njerëz që njihja. Qaza, që shiste dru me gomar a kalë, i quante të tjerët “gomarë”, “qen”, e “kuaj”. Dema, që kishte lopë, i shante njerëzit herë me “lopë” e herë “viça”. Faiku, që kishte traktor, i shante me “traktor”. Secili shante nga inventari i vet mendor. Te tjetri shihnin veten. Kjo ndodh zakonisht te njerëzit me edukatë dhe arsim të mangët. Shumë të kufizuar. Te njerëz të pa socializuar si duhet.


Aty pata kuptuar diçka thelbësore: gjykimi që i bëjmë tjetrit mund të jetë pasqyra më e saktë e vetvetes sonë. Sa më i ndotur je, aq më i ndotur të duket tjetri. Sa më shumë të vjen era, aq më pak e ndien erën e huaj, prandaj e imagjinon si tënden ose edhe më të fortë.


Kjo shfaqet brutalisht këtyre ditëve në politikën e Kosovës. Ata që janë të zhytur në korrupsion i quajnë të tjerët “të korruptuar”. Jo sepse kanë fakte, por sepse të tjerët i shohin ashtu si janë vetë, gjysmëlakuriq ose lakuriq, me çizme mbi gjunjë. Duke sharë tjetrin, mendojnë se po mbulojnë krimin e vet.


Ata që gjithë jetën i kanë shërbyer dikujt, e quajnë tjetrin tradhtar, njeri të Serbisë, të huaj. Sepse nuk e kuptojnë mosshërbimin. Nuk e kuptojnë një njeri që nuk përkulet, që nuk shitet, që nuk korruptohet. Njeriu, sipas tyre, duhet të bëhet zagar i dikujt, nëse jo së paku klysh, sepse kur nuk ke aftësi e mundësi të tjera, mund të lehësh për Kartelin. 


Ndonjë copë bukë ta hedh dikush. Për ta, çdo njeri duhet t’i shërbejë dikujt, sepse ata vetë kështu jetojnë. E blejnë njëri-tjetrin. Lehin për njëri-tjetrin dhe janë të bindur se zhurma e madhe krijon aq shumë kaos, sa njerëzit të mos dallojnë më të mirin nga i ligu, të sinqertin nga mashtruesi. Prandaj mashtruesi profesional e quan të sinqertin, të drejtin, mashtrues.


Një njeri që e vjedh shtetin e vet nuk është në shërbim të atdheut. Ai është armik i tij. Ai është në shërbim të xhepit të vet dhe tërthorazi edhe në shërbim të armikut që e do atë shtet të dobët dhe të rrjepur, të dështuar. Ata jetojnë nga buxheti i shtetit duke e thithur si parazitë.


Urrejtja patologjike ndaj Albin Kurtit buron pikërisht nga kjo, nga pastërtia e tij. Një njeri i ndershëm është provokim për një elitë të korruptuar. Prandaj nuk e durojnë. Prandaj e urrejnë. Te urrejtja lexohen, shquhen dhe kuptohen karakteret. Dy të korruptuar lehtë bëhen miq. Por rrallë ose kurrë gruaja e biçikletës me gruan që dilte nga shtëpia ku burrat paguajnë për kurvërinë e vet dhe e financojnë atë.


Ashtu si një grua e ndershme që shihet keq në një shtëpi publike, ashtu edhe Albin Kurti shihet si armik në një politikë të ndotur, të kriminalizuar, ku pushtetin e duan njerëz pa dinjitet, që e deshën atdheun kur ishin të varfër dhe i lejuan vetes ta vjedhin, ndërsa pesëdhjetë bashkëluftëtarë të tyre kanë bërë vetëvrasje si pasojë e varfërisë.


“Po të mos isha unë i varfër, s’do të ishe ti i pasur,” thoshte Bertold Brecht. Sikur të mos kishim pasur milionerë nga vjedhja, ata nuk do të kishin pasur arsye të zhgënjeheshin aq thellë nga disa komandantë të vet, sa të vrisnin vetveten.


Të trishtuarit nga shteti ligjor, marrin fragmente nga e kaluara e Kurtit, shpikin, sajojnë, akuzojnë pa prova, “i korruptuar”, “tradhtar”, “armik” e të tjera. Dhe çuditërisht prokuroria hesht, edhe pse shpifja është vepër penale dhe dinjiteti i njeriut mbrohet me ligj. Por ligji aty zbatohet vetëm ndaj atyre që nuk janë pjesë e Kartelit.


Sot, sa herë lexoj deklarata të PDK-së dhe LDK-së për luftimin e korrupsionit, më del para syve ajo skenë, zonja që del nga shtëpia publike dhe e quan “kurvë” një grua të panjohur në biçikletë, gruan e moralshme.


Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku më duken pikërisht ashtu, dy zonja gjysmë lakuriqe, me çizme të gjata, duke premtuar luftë kundër korrupsionit, zanatin që e njohin më së miri. Kjo do të thotë sikur ajo zonja të dilte jashtë shtëpisë publike dhe të bërtiste: ne do ta luftojmë kurvërinë jashtë rrugës sonë. Por ato nuk do ta bënin kurrë, sepse kanë fytyrë dhe dinjitet, megjithatë. 


Mund ta luftojnë korrupsionin, po, por vetëm te të tjerët. Kurrë te vetja. Kurrë në radhët e veta. Nuk thonë kurrë se në partitë e tyre ka pasur korrupsion, se e kanë përjashtuar dikë nga partia për vjedhje, se kanë ndërtuar sistem drejtësie për vete. As nuk tmerrohen se 250 kallëzime për vepra penale nga 11 ministri, prokuroria e Kartelit nuk e shqyrton asnjë.


Mirëpo të shpresohet se LDK dhe PDK do të ndërtonin shtet ligjor kundër vetvetes, kundër origjinës dhe kundër qendrës ku janë rritur e stërvitur për atë zanat, nga janë kandiduar, do të thotë të besohet se shtëpia publike është shembull i moralit të përsosur. Dhe, mu pas atyre dy portave me burra cullak e gjysmëcullak në dritare, nis bashkësia e moralshme.

Pra, premtojnë drejtësi duke dalë nga ato porta ku niste kalldrëmja, ku shitej trupi dhe shpirti, njësoj si vajza që shihte “kurvën” jashtë, por jo brenda, sepse brenda fitohen lekë. Mësimi i dytë nga ajo ndodhi: mos iu përgjigj atij që të shan. Vazhdo tutje me biçikletën tënde dhe lëre të hahet me vetveten, sepse ai tregon se kush është vetë, jo se kush je ti.



 

Keine Kommentare: