Marrëveshja në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc ka nxitur debate mbi ndikimin politik dhe diplomatik të këtij vendimi, veçanërisht në raport me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe marrëdhëniet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajmi për dakordësinë mes dy vendeve është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili deklaroi se marrëveshja është arritur gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha. Hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc është parë nga disa si një mundësi për një lidhje më të drejtpërdrejtë institucionale me shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa konsullata serbe në Shkodër ka ngritur pyetje mbi arsyetimin dhe qëllimin e saj politik.
Për këtë zhvillim, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerëson se hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc përbën një hap pozitiv, por me ndikim të kufizuar në aspektin politik dhe juridik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, kjo përfaqësi mund të ketë rol në ofrimin e mbështetjes institucionale dhe në dokumentimin e problemeve me të cilat përballen shqiptarët në këtë zonë, por nuk mund të ndryshojë realitetin e tyre pa një ndryshim të qasjes së shtetit serb.
“Hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc e shoh si një hap pozitiv, por me ndikim praktik shumë të kufizuar. Ajo nuk do ta ndryshojë pozitën juridike dhe politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse kjo varet nga politikat e shtetit serb.
Megjithatë, konsullata mund të shërbejë si një urë e rëndësishme komunikimi, duke siguruar informata të drejtpërdrejta për diskriminimin sistematik që u bëhet shqiptarëve dhe duke ofruar mbështetje konsullore e institucionale për ta”, deklaroi Bukuroca.
Ndërkohë, për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, publicisti shprehet më kritik, duke vlerësuar se ky vendim nuk ka një bazë të fortë praktike dhe më shumë ngjan me një veprim politik sesa me një nevojë reale konsullore.
“Hapja e konsullatës serbe në Shkodër duket e pajustifikuar. Nuk ekziston një komunitet i konsiderueshëm serb në Shkodër që do ta arsyetonte një përfaqësi të tillë konsullore. Për këtë arsye, kjo duket më tepër si një gjest politik balancues sesa si një nevojë konsullore”,tha ai.
Megjithatë, Bukuroca thekson se bashkëpunimi ndërmjet shteteve nuk duhet të refuzohet, por ai duhet të shoqërohet me një qasje të barabartë dhe me respektim të realitetit politik në rajon.
“Në parim, bashkëpunimi ndërmjet shteteve është i mirëpritur dhe nuk duhet kundërshtuar. Por normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të shkëputet nga realiteti politik. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të mbajë një retorikë kërcënuese dhe të ushtrojë presion ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në këto rrethana, është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse duhej të kishte më shumë reciprocitet dhe më shumë ndjeshmëri politike para se të ndërmerreshin hapa të tillë”, u shpreh ai.
31 KORRIK 2026 Bota sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen