07.09.2026

Alleluja për shkaktarin e gjenocidit

Para kishës janë mbledhur mijëra qytetarë. Mes tyre është edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb.

Të pranishëm ishin disa ministra të qeverisë së Serbisë, ambasadori rus Bocan Harçenko, si dhe ish lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik, bashkë me kryetarin e Banjalukës, Drashko Stanivuković.

Sot, shteti serb, përmes organizimit të ceremonisë për Ratko Mladiqin, dëshmoi se mbështetja për atë politikë nuk i përket vetëm së kaluarës. Ajo vazhdon të shfaqet edhe sot, në një çast që duhej të shërbente si distancim nga krimet.
Organizimi i ceremonisë fetare në kishë nga Kisha Ortodokse Serbe tregon se as kjo e fundit nuk distancohet nga trashëgimia e saj politike.

Një institucion fetar që do të duhej të predikonte paqen, pendesën dhe dinjitetin njerëzor, nderon, me Krishtin në gojë, gjenocidin e shkaktuar ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve: civilëve të paarmatosur.

Ajo ceremoni shtetërore e kishtare dëshmon se Serbia po pret ndryshime në Europë dhe, ndërkohë, vazhdon të ecë e sigurt drejt konflikteve të reja.

Nëse Bashkimi Europian do t’u qëndronte besnik vlerave mbi të cilat është ndërtuar, atëherë do të duhej të sanksiononte një shtet që glorifikon krimin dhe ata që e kanë kryer atë.

Serbia nuk ka alternativë tjetër reale përveç rrugës europiane.

Prandaj, BE-ja nuk ka nevojë për një fjalor diplomatik të pafund dhe as për një pedagogji që pretendon se fashizmi mund të ndryshohet vetëm me mbylljen e syve dhe të veshëve.

Fashizmi nuk është zhdukur askund në botë vetëm me deklarata diplomatike. Ai nuk do të ndryshojë as në Serbi. Po tolerohet, tërthorazi po mbështetet, po normalizohet dhe po shpërblehet politikisht.

Është qesharake që Bashkimi Europian vazhdon ta mbajë si shtet kandidat një vend që feston një të kaluar të ndërtuar mbi masakra dhe gjenocid.

Ajo që pamë sot nuk është thjesht një imazh i së kaluarës.
Ishte një mesazh për të ardhmen.

Ishte një mesazh për Bosnjën.
Ishte një mesazh për Kosovën.
Ishte një mesazh për Malin e Zi.
Ishte një mesazh për Bashkimin Europian.

Është edhe një mesazh për avokatin e saj, Edi Ramën, i cili besonte se Kosova duhej të sanksionohej kur nuk përkulej, ndërsa Serbia nuk duhet të sanksionohej as kur nderon ata që kanë kryer krime dhe gjenocid. Për Edi Ramën, që besonte se duhej Gjykata e Posaçme në Hagë, por jo gjykimi i terroristëve që sulmuan Kosovën në Bajën e Mitrovicës..

Nëse kjo është politika europiane, atëherë pyetja nuk është më pse Serbia radikalizohet. Ajo beson se do të bëhet më e madhe.

Pyetja është: pse Europa po ia lehtëson, pse po e financon, pse po e mbështet drejt luftërave të reja në Ballkan?

2.
Empati dhe simpati për Serbinë

Edi Rama e përshkroi Serbinë me një metaforë,

duke e cilësuar si një “lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?”

Edi,
problemi nuk është nëse Serbia duhet të jetë në tryezë.
Problemi është çfarë sjell Serbia në atë tryezë.

E pastaj, Edi,
si dhe ku mund të shpërthejnë ato “ujëra të pasigurta”, kur Serbia kufizohet me shtete anëtare të NATO-s në pothuajse çdo anë, ndërsa NATO është e pranishme edhe në Kosovë?

Do të transferohet me avion në Kinë dhe Rusi?

Nëse një shtet dëshiron të bëhet pjesë e Europës, por glorifikon dhe identifikohet me një të dënuar për gjenocid duke braktisur vlerat europiane, atëherë nuk është Europa ajo që duhet të shqetësohet se mos e humb Serbinë.

Është Serbia që duhet të shqetësohet se mos e humb Europën.
Kjo e fundit nuk varet prej Serbisë, të cilën për Perëndimin e përshkruan me shumë empati si "kafshë simaptike!"

Dhe “ta mbash në tryezë” nuk do të thotë t’i lejosh të braktisë vlerat europiane pa pasoja.

Jo pa pasoja!

Sepse:
Ose jemi shoqëri demokratike, ose jemi fashiste.
Të dyja bashkë nuk mund të jemi.

Europa nuk ka vetëm tryeza. Por ka edhe vlera. Ende i kemi. Nuk është kthyer ende fashizmi.

Kur dikush i braktis vlerat, nuk mund të kërkojë privilegjin e tryezës sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Edi,
problemi nuk është se kush po largohet nga tryeza.
Problemi është se kush po braktis vlerat.
Dhe pse ti e zbut qëndrimin fashist të shteti serb?

A do të përdorje të njëjtin arsyetim nëse Gjermania do të vendoste të nderonte me ceremoni shtetërore një pasues ideologjik të Hitlerit?

A nuk sheh Edi, se po kontribuon në shkatërrimin e BE-së dhe vlerave të saja?

Keine Kommentare: