Meqenëse zgjedhja e kryetarit të Kosovës është aq e vështirë dhe pritshmëritë për kandidatin janë bërë aq të ndërlikuara, po mundohem t’ua lehtësoj pak punën partive.
Prandaj, për të mos gabuar përsëri me kandidatin e ardhshëm, po i paraqes disa nga kushtet themelore që duhet t’i plotësojë një kryetar i denjë i Kosovës.
Kryetari i Kosovës, pikësëpari, duhet të duket i lodhur dhe apatik si ai i Shqipërisë. Kjo njihet në shkencën e psikologjisë si Begaj-sindromë.
Pra, të jetë i tërhequr nga politika ditore, i
painteresuar edhe për protestat dhe të sillet sikur ato po ndodhin në një kontinent tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme.
painteresuar edhe për protestat dhe të sillet sikur ato po ndodhin në një kontinent tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme.
Këtu, me pak fjalë, cilësitë kryesore të kandidatit:
Kryetarja apo kryetari i ardhshëm duhet të ecë kokulur,
me shpatullat e lëshuara,
të shikojë para këmbëve të veta dhe të mos ketë numër këpucësh më të madh se 39.
Te gruaja, 38, ndërsa flokët duhet të jenë bukur të thinjura, si te ai, edhe te ajo. Ai ose ajo nuk duhet të jetë më i gjatë se 1.69 metra (barazia gjinore) dhe duhet të jetë atdhetar/e i/e dëshmuar, mirëpo të mos ketë folur kurrë shumë për veten, sepse mund të kalojë kufijtë e narcizmit grandioz e malinj, siç ndodh me kryeministrin shqiptar.
Nëse nuk vuan nga depresioni, duhet të sillet sikur vuan. Kjo është shumë e rëndësishme.
Më poshtë do të renditen disa nga cilësitë dhe virtytet kryesore të një kandidati të denjë:
Ajo ose ai duhet të ketë humor të dobët,
të mos tregojë interes për asgjë,
të mos jetë kureshtar,
të mos ndiejë kënaqësi dhe pakënaqësia t’i lexohet në lule të ballit.
Mungesa e ambicies duhet t’i shihet në surrat nga 30 hapa larg.
Dhe, mbi të gjitha, duhet të shihet qartë mungesa e energjisë.
Por, natyrisht, duhet të firmosë mirë dhe shpejt.
Kryetari apo kryetarja e ardhshme duhet të ecë ngadalë,
jo më shpejt se një kilometër në orë,
dhe të duket sikur është duke menduar thellë për fatin e kombit dhe botës.
Gjatë shqyrtimit të përshtatshmërisë, kandidatja apo kandidati duhet të pyetet:
A ka probleme me gjumin?
A beson se është i pavlerë? Poçavër? Kjo është shumë me rëndësi.)
A ka probleme me përqendrimin?
A ka probleme me epshin?
A ka humbur oreksin?
Dhe, më e rëndësishmja: a mendon shpesh për vetëvrasje?
Nëse i plotëson ato cilësi fisnike depresive, kritere dhe simptoma, ajo ose ai mund të zgjidhet pa probleme.
Çfarë i ndalohet?
Kryetarja apo kryetari i ardhshëm nuk duhet të buzëqeshë kurrë, sepse mund të dërgojë mesazhe të gabuara joverbale për një autonomi që nuk e ka dhe që nuk i takon.
Në shkallët e Presidencës duhet të qëndrojë si gjynah,
t’i përshëndesë njerëzit i përkulur dhe të shihet qartë se mban mbi supe peshën e madhe të mirënjohjes për pozitën.
Nëse kandidati është grua,
atëherë duhet të ketë fustanin dy pëllëmbë mbi gjunjë dhe të mos veshë pantallona. Kjo mund të dërgojë mesazhe joverbale të rrezikshme në popull.
Nëse nuk gjejmë një kandidate apo kandidat të tillë,
duhet të shkojmë përsëri në zgjedhje.
Ndoshta, pas disa muajsh, dikush do t’i zhvillojë ato cilësi fisnike të një kryetari ideal.
Nëse jo, mund ta dërgojmë kandidatin në një kurs plotësues te kryetari i Shqipërisë, Begaj, si prototipi më i përshtatshëm për cilësitë e një kryetari heroikisht apatik.
Ajo që nuk duhet të ketë, në asnjë rrethanë, janë shenjat e narcizmit grandioz dhe malinj, si te kryetari serb, për shembull.
Pra, na duhet një kryetare apo kryetar fisnik, që nuk flet shumë, nuk ndërhyn aty ku nuk merr vesh. Nëse dëshiron tö merret me politikë, le të futet në një parti.
Jo në Presidencë.
Konkluzion: Kryetari ideal nuk duhet të jetë i fortë, por të duket pak i fortë; nuk duhet të jetë i mençur, por të shtiret pak i mençur; do të jetë i pavarur nga Kushtetuta, por i varur nga mirënjohja.
Dhe, mbi të gjitha, duhet të dijë kujt t’i thotë: faleminderit!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen