14.07.2019

Fustanin tënd

1
fustanin tënd nuk e ngrita unë
atë e turfulloi era
pullat tua nuk i këputa unë
ato i shkëputi vrulli
buzët tua nuk i skuqa unë
atë e bëri afshi


teshat nuk t’ i hoqa unë
sytë e mi e bënë
ti nuk ishe ajo
ti nuk ishe më ti
isha unë ai që tolloviste imazhin
ti mbete vegim i pakapshëm

me fustanin e mëndafshtë mbi qilim
hedhur mbi këpucët take larta
2
mbrëmë nuk mbylla sy
u shfaqe përsëri lozonjare
çapkëne e lazdruar
krejt shkopsitur
dhe fytyrë skuqur

të ngarenda pas

por ti përhiheshe dhe treteshe në humbëtirë
si njëpasnjëshmëri figurash
dhe mbete frymë e puhizë
dhe fanar
deri në ag

3

të pata dëshiruar kur ishe gonxhe
të dashurova kur u shtrive nën shelgun lotues
e djersitur si trëndafili në vesë
ika nga mëkati yt i madh
dhe me fajin tënd
nuk di cilin e dua më shumë më tha

4
mos dënes pëshpërita
tjetri do të jetë më zemërgjerë se unë
mos u zhgënje nga pikturat
shiko para
mos nxito
ti përqafove të parin që të tha të dua
dhe bëtë dashuri nën shelgun tonë lotues