13.10.2026

Dëgjo Edi

Dëgjo Edi,

pasi Zoti e shikoi videon tënde në Facebook, autorizoi Këshillin Hyjnor që nëpërmjet Lis Bukurocës, 

të përgjigjet në emër të tij.


Ai tha:


„Edi, të kam bërë të gjatë për të parë të varfrit, të vegjlit, të dobëtit dhe të mjerët edhe larg teje...jo për të mos i vënë re ata që ke afër.

Të bëra Pallosh i Gjatë për të parë padrejtësitë larg, jo për t’i shpërfillur ato para hunde.

Pra, të gjatë për t’i mbikëqyrë dishepujt tu, jo për t’i mbyllur sytë kur ata bëjnë mëkate.


Edi, nuk i largoj unë njerëzit prej teje, si thua në video, po e bën SPAK-u.

Ta dërgova  Arben Ahmetajn, ta ndoqi SPAK-u.

Ta dërgova zonjën Belinda Balluku, e bukur,  pa mëkate — me ty u bë mëkatare.

Ta largoi SPAK-u, jo unë.

E more Vlora Hysenin vetë; e bukur, me mëkate, por ta largoi SPAK-u me më shumë mëkate.


Edi, bir, po brengosem shumë se njerëzit po prishen, po bëhen mëkatarë të mëdhenj pranë teje.

Edhe ata që më parë ishin në udhën time.

Në udhën time.


Edi, ta dhashë mendjen, për ta kontrolluar gjuhën, jo gjuhën për ta fikur mendjen, jo për të sharë kur të mbarojnë argumentet. Jo për ta bërë gjuhën kazan!

Të dhashë penelin për ta pikturuar realitetin ashtu siç është, jo si e duan gjatoshët e tjerë, të cilëve u zvarritesh.

Të dhashë podiumin, Edi, për të qeverisur... jo për ta parë popullin nga lart-poshtë.

Jo nga lart-poshtë.


Të bëra kryeministër për ta mbrojtur Dardaninë, edhe shqiptarët jashtë, jo Serbinë. 

Jo Serbinë Edi.


Të dërgova dishepuj që të ndihmojnë, por ata po të përkulen vetëm.

Të tundova që të bëhesh më i fortë, por jo që të bindesh se je i pagabueshëm, si Unë.

Jo se je i pazëvendësueshëm. Si unë! Jo të dashurohesh në Edi Ramën. 

Jo bir, jo.


Të pata dërguar edhe në Francë për provimin adamik, e kalove cum laude.

Pa gjeth para specit! Pa gjeth para specit, si Adami para epokës së mollës, kur Eva gjendej ende në brinjën e tij.


Zonja ministre mund t’u caktojë rregulla nëpunësve si të vishen, por pikësëpari duhet të veshë ty si duhet, Edi.


Ti mund të ndihesh luan, si në video... por mos harro: Unë desha të bëj ty njeri, jo bishë grabitqare.

Unë të dhashë pushtetin, por populli vendos edhe sa gjatë mbetesh aty ku je ngjitur.


Edi, mos harro! Nuk është me rëndësi sa ngjitesh përpjetë në jetë, por si dhe ku përfundohet ajo.

Sa më lartë që ngjitesh, Edi, rënia dhe dhembja është aq më e madhe.

Kujto Ilir Metën. 


Tani të duket se po prek retë me kokë, nesër do ta prekësh dheun me shpinë. Dheun Edi!

Kujtoje këtë çdo ditë! Mëso nga Mark Aureli, Edi, lexoje!


Por mbaje mend, biri Im: mos bind veten se je i fortë, i pathyeshëm. Si unë! I pamposhtur. Si unë!

Por duhet të pranosh se edhe ti një ditë do ta shohësh vetveten horizontalisht

Sepse luan mund të bëhesh vetëm në një video.


Mirëpo në jetë, as Unë nuk ta garantoj rolin e përjetshëm, prandaj ta dërgova tani popullin — jo për të forcuar ty, por për të rrëzuar ty, sepse pranë teje po bëhen edhe të mirët mëkatarë të mëdhenj.


Koha po ikën, Edi. Pakoja e dënimit është gati, si për ty, ashtu dhe për Saliun. 

Në gjykatën time nuk ka Apel, e as Strasburg. Aty zjarri nuk e kalit hekurin — aty e shkrin.

Shihemi në fund të filmit, Edi.“

...

Me përshëndetje dhe qortim qiellor.

Në emër dhe me autorizim të zotit.

Këshilli  Hyjnor

Rruga e Qumështit

Nr. 1

Qiell.



Keine Kommentare: