Ju që po e kundërshtoni Gjykatën e Posaçme në Hagë, njëmbëdhjetë vjet pasi vetë votuat për themelimin e saj, çfarë dëshironi?
Çfarë prisni?
Që gjykata t’i shqyrtojë me drejtësi provat, apo që politika të vendosë se krimet nuk kanë ndodhur?
Për ndërtimin e saj ka vendosur ajo, brenda dhe jashtë, por për dënimet, ka marrë vendime gjykata.
Në një shtet demokratik, ajo është e pavarur.
Në vitin 2015, vetë ju, në Kuvendin e Kosovës, i krijuat Dhomat e Specializuara me ndryshim kushtetues. Brenda tyre parashikuat edhe një dhomë kushtetuese. Kështu e shfuqizuat Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Tash jeni penduar.
Po pendoheni edhe për ligjet që i votoni tani.
Qeveria dhe Kuvendi nuk mund t’u japin urdhra gjyqtarëve, as të vendosin për lirimin e të akuzuarve. Asnjë president apo kryeministër i Perëndimit nuk do të guxonte të merrej me zhbërjen e gjykatës. Përkundrazi, ata po e financojnë dhe kërkojnë të ruhet pavarësia e tij.
Kështu funksionon ndarja e pushteteve në një rend demokratik. Edhe Trumpi, pasi u zgjodh president, iu drejtua Gjykatës Supreme të SHBA-së për të kërkuar shtyrjen e seancës ku do t’i caktohej dënimi në Nju-Jork. Gjykata ia refuzoi kërkesën.
Kur i thoni Perëndimit se gjykata është e padrejtë dhe i kërkoni t’ju ndihmojë për lirimin e të akuzuarve, çfarë mesazhi po dërgoni?
Se duam gjykata të pavarura vetëm kur vendosin siç na pëlqen neve?
Ju nuk e vini në dyshim se vrasjet mund të kenë ndodhur dhe nuk sillni prova që kundërshtojnë akuzat. Megjithatë, kërkoni që të akuzuarit të lirohen. Me fjalë të tjera, e pranoni se vrasjet kanë ndodhur, por dëshironi që për to të mos dënohet askush.
Gjykata ka shqyrtuar prova dhe ka dëgjuar dëshmitarë. Ndër akuzat që ka trajtuar janë edhe ato për vrasje të njerëzve të lidhur me LDK-në ose me FARK-un.
Ju kundërshtoni vendimet, por nuk kërkoni që aktakuzat të bëhen publike sa më shpejt?
Pse nuk pyesni se kush u vra, çfarë provash ka për secilin rast dhe për cilat vrasje është dënuar dikush?
Nëse besoni se një dëshmi është e rreme dhe keni prova, dorëzojuani avokatëve të mbrojtjes që t’i përdorin në Gjykatën e Apelit. Vetëm kështu ata mund të ndihmohen.
Të themi se, nga 93 të vrarët, 90 i ka vrarë UDB-ja. Kush i vrau tre të tjerët?
Nëse për ato tri vrasje gjykata ka pasur prova dhe dëshmitarë, atëherë ajo bazohet aty.
Krimet e UDB-së nuk do t’i zhbënin ato vrasje dhe nuk i shfajësonin dhe nuk do t’i zhduknin provat e gjykatës. Edhe një vrasje e vetme ka peshën e vet. Dhe, shumica e dëshmitarëve ishin shqiptarë, sepse janë vrarë shqiptarë. Ndoshta shumica nga ata 93.
Dhe nëse jeni të bindur se shumicën i ka vrarë UDB-ja, pse nuk kërkuat kurrë hetime serioze në Kosovë?
Kush u zbulua?
Kush u arrestua?
Apo, sa udbashë u kapën para vitit 2020?
T’i quash të gjithë të vrarët bashkëpunëtorë të UDB-së është mënyra më e lehtë për ta ndaluar ndriçimin e krimeve eventuale.
Këtë zhurmë e bëni ju për të përfituar vetë politikisht nga gjendja e tyre.
Sa herë ju duhet një një qëndrim deleduk patriotik, i kujtoni të akuzuarit.
Kur vjen puna te të vrarët, heshtni.
Si i vrari!
Si varri.
Patriotizëm është të kërkosh që vrasjet të hetohen në Kosovë, edhe kur të akuzuarit janë njerëzit që ti i nderon. Edhe kur janë politikanë.
Kur kërkoni që politika të vendosë në vend të gjykatës, çfarë mesazhi i dërgoni Perëndimit?
Se ishte i drejtë vendimi që gjykata të zhvillonte veprimtarinë e vet jashtë Kosovës.
Edhe Dhoma Kushtetuese.
Kaq!

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen