30.03.2010

Delet e politikanëve/ Shekulli


Numëroi delet, më tha ai.
Po nuk kam dele!
Nuk duhet t´i posedosh, kur ke vështirësi me gjumin, atëherë nisja numërimit, kështu të merr gjumi.
Ide e mirë, thash me vete. Ka disa ditë dhe disa probleme, që ma vjedhin gjumin.
Si të numëroj? Gjermanisht apo shqip?
Kinezisht, më tha.
Nuk di, atëherë do gdhihem i pagjumë, i thash!
Ooo numëro si din ti, se më lodhe, më tha duke humbur durimin.
E mbylla telefonin dhe shkova në dhomën e fjetjes. Pasi e ndreqa jastëkun, mbylla sytë dhe thash: “ dele ejani!” Nuk shihja gjë, pos territ të dendur, madje edhe nëse delja më fuste veshin në sy, nuk do ta kisha parë.
“Ejani dele”, thash përsëri. “Ejani dele, po ju pres!” Asnjë. A thua ku janë? Befasisht u duk një dele e bardhë kokulur, që ecte shumë ngadalë, me plot mërzi. E vështrova i habitur dhe thash: “një dele”. Numrin dy e kisha gati. Mendoja se tash vijnë edhe tjerat dhe do të kënaqesha duke numëruar, kështu te delja e njëqind, do më zinte gjumi.
Ora një pas mesnate. Nëse më vjen një dele në orë, atëherë është tragjike. Domethënë mbetem zgjuar dhe mund të ngrihem për punë me gjashtë dele. Ec e fle vetëm me gjashtë. Çfarë turpi! Të tjerët kur i zë gjumi, kanë një kope, unë do të ngelem me një.
Në orën një e pesë minuta doli një tjetër, edhe ajo ecte kokulur dhe dukej e lodhur dhe e pa vullnet. “Ndoshta ka të drejtë”, thash, “ ato po i zgjoj nga gjumi për të fjetur unë.” Është e qartë se delet nuk ecin hareshëm në këtë kohë. Ndoshta m´i kanë marrë delet politikanët shqiptarë, edhe ata kanë probleme me gjumin, siç kam unë me ta dhe me gjumin.
Në këtë çast u shfaq delja e tretë dhe thash “tre” gati me zë, nga gëzimi. Delet duhet të jenë këtu, sigurisht nuk i shoh se janë të zeza ose janë duke kullotur larg. Herë pas here më dukej se po dëgjoja zile, cingërima, që vinin nga larg. U ktheva në anën tjetër dhe rregullova edhe jastëkun. Dy delet i mora me vete, por më zemëronin, se nuk lëviznin. Kur i pashë duke u përtypur më lindi ideja të ngrihem e të marrë një mollë. Pasi e hëngra atë, u shtriva ngadalë dhe ndërrova edhe pozicionin. Kaloi gati një çerek ore derisa i gjeta tri delet e mia. Ato ashtu pa vullnet e pa dëshirë vazhdonin me tundjen e kokës dhe përtypjen. Smiroja të tjerët, që numëronin edhe nga pesëqind dele dhe gjatë kësaj kohe kishin mundësi ta recitonin edhe “Bagëtinë e bujqësinë”, e unë, me tri dele, mund ta këndoja vetëm një varg: “ blegërin dy a tri herë, edhe ikë e merr dhenë...” Të miat nuk merrnin dhenë, dukej se po flinin në këmbë. Ndoshta tjerat kanë ikur apo më keq i ka ngrënë ujku. Ndonjë që vuan nga pagjumësia, posedon aq shumë dele sa të numërojë deri në agim dhe, pasi ta ketë mbushur oborrin mirë, atëherë i fut në ndonjë stallë dhe aty nga mëngjesi pa u brengosur se mund t´i hajë ujku, ai ujku i Kësulkuqes mendoj, fle qet dhe i pabrenga; delet janë brenda, të gjitha punët në rregull dhe mund të flihet.
Derisa po prisja delet tjera, si në kllapi, as i fjetur, as i zgjuar, më vajti mendja te Berlusconi. Aty bisedova me të, u grinda, i fola me zë të lartë dhe i shtrova shumë pyetje, në mes të tjerash për ndërtimin e centralit atomik në Shqipërinë e vogël, e jo në Italinë e madhe. Madje e qortova Berlusconin. Ai nuk u përgjigj, sigurisht po numëronte delet e tija. Nëse në të ardhmen dikush donë ta dëmtojë Italinë, atëherë nuk duhet ta sulmojë atë, por centralin atomik në Shqipëri. Italia mbetet në terr, kurse Ballkani nuk do të bëjë kurrë më probleme. Pas qindra viteve kur Ballkani bëhet përsëri i vizitueshëm, atëherë turistët do të thonë: “ Do ta vizitojmë Salicentralin, askush nuk do ta quajë më Ballkan. Meqë jam në Romë, mendova ta thërras Atin e Shenjtë, por edhe ai nuk përgjigjej. Sigurisht numëronte delet e tija. Edhe ai ka vështirësi me gjumin për shkak të virilitetit dhe vertikalitetit të disa priftërinjve. Kambana e kishës tingëlloi tre herë. Ora tre. Unë me tri dele! U ktheva në anën tjetër. Rregullova jastëkun duke e palosur në dysh. Largova jorganin në një anë dhe zbulova gjysmën e trupit. Ndoshta freskia e trupit ndikon në fjetje më të lehtë. Ato delet e mija, që mezi shiheshin, ia nisën të ecin me përtesë, ngadalë dhe të shumë të paqejf. Sikur donin të thoshin: aq na bën pse ti nuk fle! Dele të pafytyra!, mendova.
Ndoshta kam zgjedhur ditën e keqe me delet, ndoshta sot kanë pushim, ndoshta shumë njerëz po i thërrasin dhe m´i kanë marrë të gjitha. U ktheva në anën tjetër, delet i mora me vete dhe cak më shkon mendja te Sali Berisha. “Kuku për mua”, thash me vete. “Kuku ç´më gjeti!” I pata premtuar edhe shoqes se nuk do të mendoj kurrë në Saliun, sepse sa herë që mendoj për të bëmat e tija, më bëhet nata ditë! Meqenëse më erdhi ai në mendje, atëherë mora jastëkun dhe e vura te këmbët. Koka që mendon aq vonë për kryeministrin, meriton të dënohet. Pozita nuk ishte edhe aq e mirë, shtrati ishte pakëz i pjerrët, por me gjithë këtë, vendosa të flejë në anën e kundërt. Dhe kur komunisti nis me ndërtimin e demokracisë, atëherë as dreqi nuk i bie në fije se çfarë demokracie është ajo, thash me vete! Njerëzit nuk e kuptojnë rendin e ri. Është një përzierje e autokracisë dhe e anarkisë! E kaosit! Nga sekretari i partisë komuniste, në kryetar të partisë demokratike, pastaj kryetar shteti e kryeministër. Kjo është karrierë e çuditshme! Dhe, do të mbetet në pushtet derisa të bëhet dele, dmth. derisa t´i zbardhet çdo qime edhe pse ndjen veten si delja në hell, domethënë pas asnjë shpresë mbijetese, por një gjë duhet pranuar: ia doli t´i bashkojë delet me dhitë dhe të mbetet në pushtet!
Para disa dekadave shqiptarët jashtë vendit flinin rehat duke menduar se gjendja në atdhe është e mirë, sot, me internetin dhe gazetat online, ta prishin gjumin jo vetëm në Tokë, por edhe në planetët tjera. Simptomat e pagjumësisë t´i dërgojnë kudo që je, edhe në celular. Saliut kisha ndërmend t´ia bëj dhjetëra pyetje, por as ai nuk reagonte. I vikata për kokëfortësinë komuniste dhe i thash me zë të ashpër:
“ Nëse dikush dëshiron ta shikojë kutinë time, unë e hap. E din pse?” Bërtisja qëllimisht duke shpresuar me naivitet se zgjohet Shqipëria. “E din pse do hapja kutitë? Jo për ta kënaqur dikë, por veten; nuk dua fitore të vjedhur dhe e bëj këtë për t´i treguar botës se jam njeri i moralshëm, se nuk përvetësoj gjësende padrejtësisht. Nëse unë nuk hap objektin e dyshuar, atëherë as fëmijët e mi nuk besojnë se i kam duart e pastra! Kur i thash duart e pastra, me shkoi mendja te Albert Camus, duart e ndyta, pastaj te duart e ngritura të popullit italian “ le mani pulite!” Kur mendova në “mani pulite” më vajti mendja te Macchiavelli dhe prezenca e tij në politikën shqiptare...
Delet i ka marrë Saliu, thash me vete, ja pse mua më mungojnë. Delet italiane nuk mund t´i kërkoja, por ato shqiptare, po, mirëpo i paska përvetësuar ai me ndonjë ligj apo me ndonjë dekret, që së shpejti do ta rrëzojë Gjykata dhe më fund dele do të ketë për të gjithë. Akuza: “përvetësimi i padrejtë i deleve gjumësjellëse”, prandaj edhe Shqipëria nuk bën dot gjumë të rehatshëm, as vegjëlia as inteligjencia. Nuk ka dele për ilaç. Braktisa Tiranën duke e lënë në gjumë të thellë Saliun me delet e tija. Kisha kumboi katër herë. Përpjekja për fjetje pa dele, më bënte nervoz, e ndjeja si disfatë dhe për një çast m´u kujtua Hashim Thaçi dhe delet e tija. A thua sa probleme ka për të fjetur edhe ai. Elektorati i papunë. Mitrovica e ndarë. Nevoja e vizave për në BEE dhe mendova se edhe ky duhet të ketë marrë shumë dele, se Kosova nuk po bën gjumë të këndshëm. Hashimi nuk mund të bëjë gjumë të rehatshëm edhe për shtëpinë që po ndërton. Shtëpia është është më e vogël se kështjella e Rambouillets. Kjo nuk është mirë për gjumin e Kosovës. Tito si partizan i madh, posedonte shumë shtëpi e shtëpiza. Nuk mjafton mirënjohja dhe postet, duhet edhe gjëra materiale, të ngurta. Serbia ishte në gjumë të thelle, me plot dele. Tadiçi me kopenë e vet. Populli i Kosovës pa dele. Sapo nisi të gdhihet ia nisën delet të ecin duke u tundur si njeriu pijanec. Dukeshin dele të keqtrajtuara, të korruptuara, të rraskapitura, të plogështa. Sahati i kishës tingëlloi pesë herë. Ora pesë. U përqendrova dhe ia nisa numërimit. Ata që kanë fjetur sigurisht kanë harruar derën e stallës hapur dhe tani delet po shfaqeshin me bollëk Shyqyr, thash me vete, ka pak drejtësi në këtë botë dhe t´i japin delet, me vonesë, por t´i japin, edhe kur nuk të duhen më. Mirëpo, jo pa ngulur këmbë. E mira kurrë nuk të vjen vullnetarisht, duhet luftuar për të. Tani shiheshin vetëm dele të bardha. Kur u bën 478 dele, u ngrita.
“Akoma nuk po fle”, u dëgjua zëri i shoqes. “ Pse je shtrirë në anën e kundërt?” M´u shfaq demokratori, i thash. Nuk kishte nevojë t´i tregoja se kush ishte ai. Ajo e dinte menjëherë, se ai m´i ka zbardhur dhjetëra net të errëta. I pata premtuar se nuk do shkruaja kurrë për të bëmat e tija. Ai mirëpo ngul këmbë dhe sapo hap gojën, të futet në artikull dhe nuk të pyet. Ai të detyron të shkruash romane. Ai ul kokën mendohet disa minuta dhe bërtet: “ Ti ke bërë karrierë me ndihmën time!”, mendon tre minuta, hesht pesë minuta dhe pyet veten: “Pse nuk është mirënjohës ky njeri? Pse nuk më ndihmon edhe ai, si e ndihmova unë?!

A fjete së paku ndonjë orë?
-Nc!, pëshpërita.
Ai numërove delet?
Po, deri para pak kohe ishin vetë tri. I kishin marrë të gjitha, nuk munda të flejë duke i pritur tjerat.
E ku shkon tani?
Ta marr një laps. Po i harroj delet dhe t´i shkruaj apo t´i vizatoj grupet, kopetë, tufat, se po përzihen, i thash. Një çerek ore kërkova një laps. Ecja ngadalë nga frika se do t´i trazoja fëmijët dhe në fund gjeta lapsin, por më mungonte goma. Me siguri bëj ndonjë gabim, thash me vete. Goma më duhet, por nuk e gjeta askund dhe vrapova shpejt në dhomën e fjetjes nga frika se m´i merr dikush delet apo kullosin në livadhet e huaja. Mbylla sytë dhe delet ishin grumbulluar të gjitha së bashku: me një ide, me një ideal dhe kishin krijuar Kuvendin monist. Dukej si Kuvend i komunizmit, pa opozitë. Asnjë dele jashtë grumbullit të rrumbullakët. Numërimi ishte i pamundur, më duhet një helikopter, thash me vete. Bariu gjendej me shkop të madh në mes. Motra e tij bukuroshe, rrinte ulur pranë një peme. Nëse shkon bariu, do t´i afrohem motrës së tij e t´i bëjmë ca llafe për të rritur, thash me vete. Në orën gjashtë ai iku, pas tij edhe motra, delet nisën të shpërndahen nëpër livadhin e blertë. Shënova numrin 499 dhe mbylla sytë për të vazhduar numërimin. Kur e bëra një tufë dinjitoze dhe gati po më merrte gjumi, u shfaq Drita në vrap e sipër. Një fustan të hollë gati të tejdukshëm. Flokët e gjata shpupurishesin nga era dhe herë pas here më vështronte tinëzisht, si dikur. Ec e fle tani, thash vet me vete dhe harrova numrin e deleve. Ajo vraponte lehtësisht, dukej sikur notonte në vakum si gjatë ngadalësimit të filmit. Dy minuta më vonë Liria, me një fustan shumë të shkurtër, me këmbë të mrekullueshme, m´i ngacmonte delet e ato vraponin të frikësuara dhe nuk mund të numëroja më.
Derisa po shikoja ato vasha të bukura, thash me vete, mirë që nuk erdhi e treta, zakonisht gruaja e tretë rrahet te ne. Çdo e treta! E treta do të vinte e përgjakur, e përlotur, e trisht. Kur mendova për gjakun, me vajti mendja te ushtarët grek dhe vështroja përgatitjet e tyre, që bënin për të bërë sfilatë para presidencës greke. Gjatë parapërgatitjeve bërtitnin grekët e rinj; “ Do pimë gjak shqiptar... me lëkurën e tyre do të bëjmë këpucë. Grek lind, dhe nuk bëhesh dot, o shqiptar derr, gjakun do te derdhim". Pasi i mësuan përmendësh frazat motivuese ushtarake, oficeri grek u dha atyre 10 minuta pushim.
Ndërrova pozicionin e shtrydha jastëkun nga hidhërimi dhe zilja e orës cingëroi. Koha për punë. U ngrita me keqardhje dhe lash Dritën e Lirinë me delet e mia të shpërndara.
Duke dalë për në punë, shoqja më tha se ideja për numrin e deleve te unë nuk funksionon, unë paskam fantazi dhe gjatë numërimit përdorkam edhe politikanët! Nuk i tregova se m´u shfaqen edhe dy ish dashnoret...
Ke të drejtë i thash, sonte do t´i numëroj lopët, por nuk di se kush duhet t´i mjelë...Apo i kanë mjelë politikanët? Çka mendon ti?
E sheh, ia nise përsëri, mos numëro fare!
Mbylla derën dhe dola duke ecur ngadalë si ajo delja e parë. E mora edhe një mollë me vete...Nga mendja nuk më largoheshin ushtarët grek dhe pyeta veten: a thua sa do të kushtonin këpucët nga lëkura ime? 


LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON


LIBRA TE LULU




13.03.2010

Vëllazëria me Turqinë, gazeta Shekulli


Me çdo shkrim që shkruaj paraprakisht e di se dikush mund të mos pajtohet me mënyrën se si mendoj, si gjykoj, si i shoh apo shqyrtoj dukuritë dhe shfaqjet në shoqëri. Për këtë qëndrim herë pas herë më dërgohen email dhe me kërcënohen. Më shajnë dhe me dërgojnë propagandë fetare, duke sharë një fe dhe duke ngritur tjetrën! Sa herë që më shajnë dhe kërcënohen, unë kuptoj se qëndrimi im është i drejte. Këtë ma bëjnë të qartë disa shkrues me mënyrën se si artikulohen.

Ofendimet nuk vijnë nga opionist apo intelektual të mëdhenj shqiptarë( unë mendoj si ata apo ata pajtohen me vështrimet e mia); sharjet dhe kërcënime vijnë nga njerëz, që nuk i njoh as për nga veprimtaria kombëtare, as për veprimtari intelektuale.
Unë mendoj ndryshe nga këta të fundit.
Ky jam unë, i mirë apo i keq, dhe lexoj me kënaqësi mendimin, qe është ndryshe nga i imi. Dua vazhdimisht të mësojë dhe t´i korrigjoj mendimet dhe nëse më janë shndërruar në ide fikse pa dijen time, pranoj faktet e reja, vetëm faktet dhe ndryshoj gabimet eventuale. Mjafton t´i përmbahen rregullave të mirësjelljes dhe të polemizohet.
Sa i përket Turqisë, nuk mendoj se populli turk është i egër, por mendoj se është ndryshe nga ne dhe në aspektin e qytetarisë jemi disa dekada para tyre, kurse Qeveria e sotme turke, në kohën e fundit po përpiqet vetëm në bazë të një njësojshmërie, t´i fshijë 99 dallime tjera. Dallimet na bëjnë neve komb me identitet. Nëse jemi shqiptarë nuk jemi vëllezër me ta. Nëse jemi vëllezër, nuk jemi shqiptarë, por turq.
Vëllazëria ekziston vetëm në bazë të gjakut, por jo në bazë të bindjeve: ideologjike, partiake, të profesionit apo të adhurimit të një klubi sportiv. Historia dhe e tashmja dëshmon se feja mund të ndryshohet apo braktiset, por me vëllanë nuk mund të procedohet kështu. Kur një i madh të konsideron vëlla, duhet te bëhesh si ai. Si vëllai i madh! Gjermania nuk e konsideron vëlla popullin austriak! Edhe pse ka më shumë arsye se sa Turqia me ne!
Shqiptaret e djeshëm e kane luftuar pikërisht këtë dhe rezultoi me krijimin e një shteti të vogël shqiptar, (1)sepse krishterët konsideronin vëlla njeri tjetrin dhe na copëtuan! Si këta, që sot na sugjerojnë Turqinë.

Unë nuk dua te bëhem vëlla i turqve, nuk dua ta gënjej veten me vëllazëri imagjinare, mirëpo nuk mund t´ia ndaloj askujt te transformohet në vëlla, por kam të drejte në këtë rend të sotëm ta them mendimin tim: se disa vëllezër të mi po dezertojnë kombëtarisht!
Unë nuk do të bëhem vëlla as me pushtuesin e djeshëm serb, as me të pardjeshmin turk, respektivisht me asnjë pushtues tonin. Mirëpo refuzimi i vëllazërisë, nuk nënkupton kundërshtimin e bashkëpunimit, ku kemi dobi të dy popujt! Politikisht për popujt është vetëvrasëse nëse jetojnë me bindje të djeshme dhe përjashtojnë rrethanat e reja dhe interesat e reja, të sotshme! Duke u bazuar në interesin reciprok.

Kritika ime kundër qëndrimit të Qeverise se sotme turke është preventive. Nëse, unë, sot hesht kur simpatizohet pushtuesi i para 100 viteve, nuk mund të kritikoj edhe një shqiptar, që përkrah Qeverinë e djeshme apo të sotshme serbe. Ne pyetje është parimësia dhe integriteti vetjak.
(2)Ekziston rreziku i madh që bashkëpunëtoret shqiptarë të Millosheviçit të ngritën në piedestal!! Kjo është rruga që po na sugjestionojnë!

Nëse përqafojmë pushtimin turk, duhet ta përkëdhelim edhe pushtimin serb dhe të bëhemi gazi i botës, se nuk dallojmë pushtuesin nga miku! Dallime në synime dhe egërsi nuk kanë pasur, njëri ka zgjatur më shumë, tjetri më pak. Më pak se na nxorën nga balta perëndimorët.
Këtu paraqitet rreziku tjetër.
(3) Nëse Perëndimi për shkak të fesë do t´i kishte konsideruar vëllezër serbet ( nëse ju keni të drejtë ndërtim vëllazërie në bazë të bindjeve vetjake , këtë të drejtë do ta kenë edhe ata), atëherë shqiptarët e Kosovës do t´ishin edhe sot nëpër çadra diku nëpër fushat e malet e Shqipërisë, të shpërndarë si palestinezet.
Ja çfarë tragjedie do te kishte prodhuar vëllazëria fetare. Vëllazërisë fetare mund t´i referohen kombet tjera, që kanë përfituar nga kjo vëllazëri religjioze, por ne shqiptarët, kemi fituar pikërisht, sepse nuk u respektua kjo vëllazëri, që po trumbetohet sot.
(4) Kjo vëllazëri fetare që propagandohet sot, bën apel edhe te krishterët ta krijojnë vëllazërinë e tyre në mes vete.
Çka domethënë kjo? Kjo do të krijonte një rezultat të ri dhe një anulim të pavarësisë: është kjo dëshira jonë? Vërtetë jemi aq të verbër sa të mos shohim se daullet po bien për shkatërrim, e jo për një vëllazëri infantile?!
Aleancat në mes popujve garantojnë ekzistencën e disa shteteve. Jo aleancat fetare. Këtë e dëshmon Palestina, Çeçenia etj...ku Turqia me vëllazërinë e vet, mund të ndikonte pozitivisht, nëse qenka fuqia e tetë ushtarake në botë, siç thuhet me krenari nëpër shkrime të disa shqiptarëve...Me këtë dua të them se Turqia mund t´i bëjë vëllezër ata që kane nevojë, e jo ata që u çliruan!!! Miq në kohe të mira është e lehtë të gjinden, por "miku i mirë shihet në ditë të vështire", thotë populli! Turqia nuk mund të përfshihet këtu! Deri në mars të vitit 2010, jo! As në të ardhmen, jo. Ajo po përpiqet të krijojë zona të reja ndikim për dëshmuar rëndësinë e vet në botë.

Nuk ka pushtues të mirë apo pak më të mirë se tjetri. Ka vetëm pushtues, interesa të tyre dhe ndikime. Askush, kurrë në jetë, nuk futet në shtëpi të një tjetri me shpatë apo me pushkë, për t´u konsideruar apo imponuar si MIK!
Para se të konsiderohet populli turk vëlla, ata duhej së paku të kërkonin ndjesë, së paku formalisht, se na imponuan me dhunë gati 500 vite vendnumërim, edhe pse librat te ne, kishin nisur të shkruhen pak vite pas librave në Gjermani.
Në Gjermani ka shumë turq dhe shumë shqiptar: akoma nuk kam takuar të miqësuar shqiptarë me turq. Në anën tjetër, janë mijëra shqiptarë, që punojnë të italianët apo kanë restorante italiane, nuk hapin restorante turke, shoqërohen me italian dhe flasin edhe italishten. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse shqiptari më mirë e ndjen veten pranë një italiani, se sa pranë një turku. Pra në shtëpi ndjehet në Evrope, jo në Azi! Edhe diaspora dhe emigrimi e dëshmon këtë. Shqiptari në rrezik nuk ikën drejt Lindjes, por drejt Perëndimit. Kjo ndoshta është arsyeja e distancës në miqësi me turqit. Ndoshta kjo nuk është e drejtë, por ky është realiteti! Dhe, njeriu ka të drejtë t´i zgjedhë miqtë, por nuk ka mundësi t´i zgjedhë pushtuesit dhe armiqtë. Ata thjesht me armë na futen në shtëpi! Dhe meqë jemi kombi i vogël, kapitullojmë, por kemi dëshmuar se kemi fuqi rikrijuese dhe ri-orientuese! Rezultatet pozitive erdhën pikërisht nga ky korrigjim.

Një tjetër për ta rritur vlerën e Turqisë artificialisht tha se Turqia mbron Shqipërinë nga Greqia. Greqia është në BEE dhe nuk mund të pushtojë një vend fqinj. Të na pushtojë jo, por Qeveria jonë tentoi t´i falë një pjesë të detit shqiptar. Tradhtia është e mundur, pra, por jo pushtimi. Në kohën e Enverit Shqipëria ishte pa Turqinë, por Greqia nuk e pushtoi. Shkurt e shqip vetëm bashkimi jonë rreth një identiteti dhe orientimi të drejtë mbron shtetet tona. Shtetet tona sot i mbron Perëndimi, kryesisht SHBA. Sa për Turqinë brenda pak ditësh do të pushtohej tërë Kosova, sepse për ta qetësuar Turqinë, do të kujdesej Rusia. Ja, kaq e thjeshtë është rënia e shteteve! Nëse krijohen vëllazëri krishtere sipas modeleve fetare vëllazërore myslimane, atëherë brenda natës shtetet tona do të shuhen! Shtete nuk janë ngrehina të përjetshme, ato rrëzohen sa herë devijojnë popujt.
(5) Neve po na mbajnë leksione dhe po na mësojnë si ta rrezikojmë shtetësinë tonë! Si ta humbim më shpejt!

(6) Populli shqiptar ka vetëm një orientim të drejtë: aleanca me SHBA-të dhe integrimi në BEE! Nëse e synon këtë edhe Turqia, atëherë duhet t´i pranoje vlerat qytetare të Perëndimit dhe mund të takohemi aty si partner, por jo si vëllezër! Siç jemi takuar në NATO! Si partnerë, jo si vëllezër!

Në një komb tjetër të qytetëruar, do t´ishte krejt e palogjikshme të diskutohet a është mik apo vëlla pushtuesi i djeshëm! Te ne po ka nevojë edhe pas 100 viteve të merremi me atë, që është e qartë.
(7).Vëllazëria me Turqinë do të na linte edhe pa histori, sepse rezistenca jonë kundër tyre do të quhej Rezistence Tradhtare, që paska luftuar vëllanë! Kjo prek muret e brendshme të spitalit psikiatrik, sepse flet për dobësinë e një përkufizimi të drejtë dhe të thjeshtë: dallimin mes të mirës dhe të keqes!

13.03.2010