Posts mit dem Label Tregimet werden angezeigt. Alle Posts anzeigen
Posts mit dem Label Tregimet werden angezeigt. Alle Posts anzeigen

30.03.2010

Delet e politikanëve/ Shekulli


Numëroi delet, më tha ai.
Po nuk kam dele!
Nuk duhet t´i posedosh, kur ke vështirësi me gjumin, atëherë nisja numërimit, kështu të merr gjumi.
Ide e mirë, thash me vete. Ka disa ditë dhe disa probleme, që ma vjedhin gjumin.
Si të numëroj? Gjermanisht apo shqip?
Kinezisht, më tha.
Nuk di, atëherë do gdhihem i pagjumë, i thash!
Ooo numëro si din ti, se më lodhe, më tha duke humbur durimin.
E mbylla telefonin dhe shkova në dhomën e fjetjes. Pasi e ndreqa jastëkun, mbylla sytë dhe thash: “ dele ejani!” Nuk shihja gjë, pos territ të dendur, madje edhe nëse delja më fuste veshin në sy, nuk do ta kisha parë.
“Ejani dele”, thash përsëri. “Ejani dele, po ju pres!” Asnjë. A thua ku janë? Befasisht u duk një dele e bardhë kokulur, që ecte shumë ngadalë, me plot mërzi. E vështrova i habitur dhe thash: “një dele”. Numrin dy e kisha gati. Mendoja se tash vijnë edhe tjerat dhe do të kënaqesha duke numëruar, kështu te delja e njëqind, do më zinte gjumi.
Ora një pas mesnate. Nëse më vjen një dele në orë, atëherë është tragjike. Domethënë mbetem zgjuar dhe mund të ngrihem për punë me gjashtë dele. Ec e fle vetëm me gjashtë. Çfarë turpi! Të tjerët kur i zë gjumi, kanë një kope, unë do të ngelem me një.
Në orën një e pesë minuta doli një tjetër, edhe ajo ecte kokulur dhe dukej e lodhur dhe e pa vullnet. “Ndoshta ka të drejtë”, thash, “ ato po i zgjoj nga gjumi për të fjetur unë.” Është e qartë se delet nuk ecin hareshëm në këtë kohë. Ndoshta m´i kanë marrë delet politikanët shqiptarë, edhe ata kanë probleme me gjumin, siç kam unë me ta dhe me gjumin.
Në këtë çast u shfaq delja e tretë dhe thash “tre” gati me zë, nga gëzimi. Delet duhet të jenë këtu, sigurisht nuk i shoh se janë të zeza ose janë duke kullotur larg. Herë pas here më dukej se po dëgjoja zile, cingërima, që vinin nga larg. U ktheva në anën tjetër dhe rregullova edhe jastëkun. Dy delet i mora me vete, por më zemëronin, se nuk lëviznin. Kur i pashë duke u përtypur më lindi ideja të ngrihem e të marrë një mollë. Pasi e hëngra atë, u shtriva ngadalë dhe ndërrova edhe pozicionin. Kaloi gati një çerek ore derisa i gjeta tri delet e mia. Ato ashtu pa vullnet e pa dëshirë vazhdonin me tundjen e kokës dhe përtypjen. Smiroja të tjerët, që numëronin edhe nga pesëqind dele dhe gjatë kësaj kohe kishin mundësi ta recitonin edhe “Bagëtinë e bujqësinë”, e unë, me tri dele, mund ta këndoja vetëm një varg: “ blegërin dy a tri herë, edhe ikë e merr dhenë...” Të miat nuk merrnin dhenë, dukej se po flinin në këmbë. Ndoshta tjerat kanë ikur apo më keq i ka ngrënë ujku. Ndonjë që vuan nga pagjumësia, posedon aq shumë dele sa të numërojë deri në agim dhe, pasi ta ketë mbushur oborrin mirë, atëherë i fut në ndonjë stallë dhe aty nga mëngjesi pa u brengosur se mund t´i hajë ujku, ai ujku i Kësulkuqes mendoj, fle qet dhe i pabrenga; delet janë brenda, të gjitha punët në rregull dhe mund të flihet.
Derisa po prisja delet tjera, si në kllapi, as i fjetur, as i zgjuar, më vajti mendja te Berlusconi. Aty bisedova me të, u grinda, i fola me zë të lartë dhe i shtrova shumë pyetje, në mes të tjerash për ndërtimin e centralit atomik në Shqipërinë e vogël, e jo në Italinë e madhe. Madje e qortova Berlusconin. Ai nuk u përgjigj, sigurisht po numëronte delet e tija. Nëse në të ardhmen dikush donë ta dëmtojë Italinë, atëherë nuk duhet ta sulmojë atë, por centralin atomik në Shqipëri. Italia mbetet në terr, kurse Ballkani nuk do të bëjë kurrë më probleme. Pas qindra viteve kur Ballkani bëhet përsëri i vizitueshëm, atëherë turistët do të thonë: “ Do ta vizitojmë Salicentralin, askush nuk do ta quajë më Ballkan. Meqë jam në Romë, mendova ta thërras Atin e Shenjtë, por edhe ai nuk përgjigjej. Sigurisht numëronte delet e tija. Edhe ai ka vështirësi me gjumin për shkak të virilitetit dhe vertikalitetit të disa priftërinjve. Kambana e kishës tingëlloi tre herë. Ora tre. Unë me tri dele! U ktheva në anën tjetër. Rregullova jastëkun duke e palosur në dysh. Largova jorganin në një anë dhe zbulova gjysmën e trupit. Ndoshta freskia e trupit ndikon në fjetje më të lehtë. Ato delet e mija, që mezi shiheshin, ia nisën të ecin me përtesë, ngadalë dhe të shumë të paqejf. Sikur donin të thoshin: aq na bën pse ti nuk fle! Dele të pafytyra!, mendova.
Ndoshta kam zgjedhur ditën e keqe me delet, ndoshta sot kanë pushim, ndoshta shumë njerëz po i thërrasin dhe m´i kanë marrë të gjitha. U ktheva në anën tjetër, delet i mora me vete dhe cak më shkon mendja te Sali Berisha. “Kuku për mua”, thash me vete. “Kuku ç´më gjeti!” I pata premtuar edhe shoqes se nuk do të mendoj kurrë në Saliun, sepse sa herë që mendoj për të bëmat e tija, më bëhet nata ditë! Meqenëse më erdhi ai në mendje, atëherë mora jastëkun dhe e vura te këmbët. Koka që mendon aq vonë për kryeministrin, meriton të dënohet. Pozita nuk ishte edhe aq e mirë, shtrati ishte pakëz i pjerrët, por me gjithë këtë, vendosa të flejë në anën e kundërt. Dhe kur komunisti nis me ndërtimin e demokracisë, atëherë as dreqi nuk i bie në fije se çfarë demokracie është ajo, thash me vete! Njerëzit nuk e kuptojnë rendin e ri. Është një përzierje e autokracisë dhe e anarkisë! E kaosit! Nga sekretari i partisë komuniste, në kryetar të partisë demokratike, pastaj kryetar shteti e kryeministër. Kjo është karrierë e çuditshme! Dhe, do të mbetet në pushtet derisa të bëhet dele, dmth. derisa t´i zbardhet çdo qime edhe pse ndjen veten si delja në hell, domethënë pas asnjë shpresë mbijetese, por një gjë duhet pranuar: ia doli t´i bashkojë delet me dhitë dhe të mbetet në pushtet!
Para disa dekadave shqiptarët jashtë vendit flinin rehat duke menduar se gjendja në atdhe është e mirë, sot, me internetin dhe gazetat online, ta prishin gjumin jo vetëm në Tokë, por edhe në planetët tjera. Simptomat e pagjumësisë t´i dërgojnë kudo që je, edhe në celular. Saliut kisha ndërmend t´ia bëj dhjetëra pyetje, por as ai nuk reagonte. I vikata për kokëfortësinë komuniste dhe i thash me zë të ashpër:
“ Nëse dikush dëshiron ta shikojë kutinë time, unë e hap. E din pse?” Bërtisja qëllimisht duke shpresuar me naivitet se zgjohet Shqipëria. “E din pse do hapja kutitë? Jo për ta kënaqur dikë, por veten; nuk dua fitore të vjedhur dhe e bëj këtë për t´i treguar botës se jam njeri i moralshëm, se nuk përvetësoj gjësende padrejtësisht. Nëse unë nuk hap objektin e dyshuar, atëherë as fëmijët e mi nuk besojnë se i kam duart e pastra! Kur i thash duart e pastra, me shkoi mendja te Albert Camus, duart e ndyta, pastaj te duart e ngritura të popullit italian “ le mani pulite!” Kur mendova në “mani pulite” më vajti mendja te Macchiavelli dhe prezenca e tij në politikën shqiptare...
Delet i ka marrë Saliu, thash me vete, ja pse mua më mungojnë. Delet italiane nuk mund t´i kërkoja, por ato shqiptare, po, mirëpo i paska përvetësuar ai me ndonjë ligj apo me ndonjë dekret, që së shpejti do ta rrëzojë Gjykata dhe më fund dele do të ketë për të gjithë. Akuza: “përvetësimi i padrejtë i deleve gjumësjellëse”, prandaj edhe Shqipëria nuk bën dot gjumë të rehatshëm, as vegjëlia as inteligjencia. Nuk ka dele për ilaç. Braktisa Tiranën duke e lënë në gjumë të thellë Saliun me delet e tija. Kisha kumboi katër herë. Përpjekja për fjetje pa dele, më bënte nervoz, e ndjeja si disfatë dhe për një çast m´u kujtua Hashim Thaçi dhe delet e tija. A thua sa probleme ka për të fjetur edhe ai. Elektorati i papunë. Mitrovica e ndarë. Nevoja e vizave për në BEE dhe mendova se edhe ky duhet të ketë marrë shumë dele, se Kosova nuk po bën gjumë të këndshëm. Hashimi nuk mund të bëjë gjumë të rehatshëm edhe për shtëpinë që po ndërton. Shtëpia është është më e vogël se kështjella e Rambouillets. Kjo nuk është mirë për gjumin e Kosovës. Tito si partizan i madh, posedonte shumë shtëpi e shtëpiza. Nuk mjafton mirënjohja dhe postet, duhet edhe gjëra materiale, të ngurta. Serbia ishte në gjumë të thelle, me plot dele. Tadiçi me kopenë e vet. Populli i Kosovës pa dele. Sapo nisi të gdhihet ia nisën delet të ecin duke u tundur si njeriu pijanec. Dukeshin dele të keqtrajtuara, të korruptuara, të rraskapitura, të plogështa. Sahati i kishës tingëlloi pesë herë. Ora pesë. U përqendrova dhe ia nisa numërimit. Ata që kanë fjetur sigurisht kanë harruar derën e stallës hapur dhe tani delet po shfaqeshin me bollëk Shyqyr, thash me vete, ka pak drejtësi në këtë botë dhe t´i japin delet, me vonesë, por t´i japin, edhe kur nuk të duhen më. Mirëpo, jo pa ngulur këmbë. E mira kurrë nuk të vjen vullnetarisht, duhet luftuar për të. Tani shiheshin vetëm dele të bardha. Kur u bën 478 dele, u ngrita.
“Akoma nuk po fle”, u dëgjua zëri i shoqes. “ Pse je shtrirë në anën e kundërt?” M´u shfaq demokratori, i thash. Nuk kishte nevojë t´i tregoja se kush ishte ai. Ajo e dinte menjëherë, se ai m´i ka zbardhur dhjetëra net të errëta. I pata premtuar se nuk do shkruaja kurrë për të bëmat e tija. Ai mirëpo ngul këmbë dhe sapo hap gojën, të futet në artikull dhe nuk të pyet. Ai të detyron të shkruash romane. Ai ul kokën mendohet disa minuta dhe bërtet: “ Ti ke bërë karrierë me ndihmën time!”, mendon tre minuta, hesht pesë minuta dhe pyet veten: “Pse nuk është mirënjohës ky njeri? Pse nuk më ndihmon edhe ai, si e ndihmova unë?!

A fjete së paku ndonjë orë?
-Nc!, pëshpërita.
Ai numërove delet?
Po, deri para pak kohe ishin vetë tri. I kishin marrë të gjitha, nuk munda të flejë duke i pritur tjerat.
E ku shkon tani?
Ta marr një laps. Po i harroj delet dhe t´i shkruaj apo t´i vizatoj grupet, kopetë, tufat, se po përzihen, i thash. Një çerek ore kërkova një laps. Ecja ngadalë nga frika se do t´i trazoja fëmijët dhe në fund gjeta lapsin, por më mungonte goma. Me siguri bëj ndonjë gabim, thash me vete. Goma më duhet, por nuk e gjeta askund dhe vrapova shpejt në dhomën e fjetjes nga frika se m´i merr dikush delet apo kullosin në livadhet e huaja. Mbylla sytë dhe delet ishin grumbulluar të gjitha së bashku: me një ide, me një ideal dhe kishin krijuar Kuvendin monist. Dukej si Kuvend i komunizmit, pa opozitë. Asnjë dele jashtë grumbullit të rrumbullakët. Numërimi ishte i pamundur, më duhet një helikopter, thash me vete. Bariu gjendej me shkop të madh në mes. Motra e tij bukuroshe, rrinte ulur pranë një peme. Nëse shkon bariu, do t´i afrohem motrës së tij e t´i bëjmë ca llafe për të rritur, thash me vete. Në orën gjashtë ai iku, pas tij edhe motra, delet nisën të shpërndahen nëpër livadhin e blertë. Shënova numrin 499 dhe mbylla sytë për të vazhduar numërimin. Kur e bëra një tufë dinjitoze dhe gati po më merrte gjumi, u shfaq Drita në vrap e sipër. Një fustan të hollë gati të tejdukshëm. Flokët e gjata shpupurishesin nga era dhe herë pas here më vështronte tinëzisht, si dikur. Ec e fle tani, thash vet me vete dhe harrova numrin e deleve. Ajo vraponte lehtësisht, dukej sikur notonte në vakum si gjatë ngadalësimit të filmit. Dy minuta më vonë Liria, me një fustan shumë të shkurtër, me këmbë të mrekullueshme, m´i ngacmonte delet e ato vraponin të frikësuara dhe nuk mund të numëroja më.
Derisa po shikoja ato vasha të bukura, thash me vete, mirë që nuk erdhi e treta, zakonisht gruaja e tretë rrahet te ne. Çdo e treta! E treta do të vinte e përgjakur, e përlotur, e trisht. Kur mendova për gjakun, me vajti mendja te ushtarët grek dhe vështroja përgatitjet e tyre, që bënin për të bërë sfilatë para presidencës greke. Gjatë parapërgatitjeve bërtitnin grekët e rinj; “ Do pimë gjak shqiptar... me lëkurën e tyre do të bëjmë këpucë. Grek lind, dhe nuk bëhesh dot, o shqiptar derr, gjakun do te derdhim". Pasi i mësuan përmendësh frazat motivuese ushtarake, oficeri grek u dha atyre 10 minuta pushim.
Ndërrova pozicionin e shtrydha jastëkun nga hidhërimi dhe zilja e orës cingëroi. Koha për punë. U ngrita me keqardhje dhe lash Dritën e Lirinë me delet e mia të shpërndara.
Duke dalë për në punë, shoqja më tha se ideja për numrin e deleve te unë nuk funksionon, unë paskam fantazi dhe gjatë numërimit përdorkam edhe politikanët! Nuk i tregova se m´u shfaqen edhe dy ish dashnoret...
Ke të drejtë i thash, sonte do t´i numëroj lopët, por nuk di se kush duhet t´i mjelë...Apo i kanë mjelë politikanët? Çka mendon ti?
E sheh, ia nise përsëri, mos numëro fare!
Mbylla derën dhe dola duke ecur ngadalë si ajo delja e parë. E mora edhe një mollë me vete...Nga mendja nuk më largoheshin ushtarët grek dhe pyeta veten: a thua sa do të kushtonin këpucët nga lëkura ime? 


LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON


LIBRA TE LULU




13.12.2009

Akuza


“Kryqëzoje Hirorin, Pilat, nuk na duhet...!”

Albanopolisin e ndante rruga në dy pjesë. Ajo zgjerohej aty në mes, ku ishte një shesh i madh gati i rrumbullakët dhe përsëri ngushtohej e vazhdonte deri te shtëpia e fundit, ku edhe mbyllej. Në qendër banonin banorët e vjetër dhe ndërmjet shtëpive të tyre gjendeshin edhe farkëtarë dhe punëtori ku mund të blihej pëlhura apo shtëpiza ku shitej vera. Në pjesën perëndimore të sheshit, mu pranë kështjellës së djegur ilire, Hirori u ndalë për disa çaste para Zyrës Romake dhe vazhdoi tutje. Vështroi një copë herë dy fëmijë, që vrapuan pas një karroce të ngarkuar me deltinë dhe u nis drejt arenës. Në shesh gjendej edhe farkëtari i njohur Bato, që bënte shpata, thika, shtiza dhe mburoja. Disa hapa larg tij, ngrihej faltorja, ku ilirët i luteshin Perëndive të tyre. Pranë saj edhe punëtoria e Datorit flokëbardhë e mjekërthinjur, i cili prodhonte qypa dhe poç. Ai shiste edhe verë.
Për këtë proces gjyqësor ishte ftuar Pilati vet. Gjykimi nuk do të mbahej në Zyrën Romake, por në arenën e cila gjendej nja njëqind hapa pas saj. Interesi ishte i madh dhe lajmi ishte përhapur në tërë Perandorinë. Lajmi madje kishte mbërri edhe në Gali dhe deri në Germani.
Herët në mëngjes ra një shi i shoqëruar me murmurima. Javë të tëra banorët ishin lutur në faltore për këtë, megjithatë nuk zgjati shumë dhe pos zhurmës së madhe, pak pika shiu freskuan qytetin dhe fushat. Tani retë kishin nisur të davariten dhe dielli kishte pikasur pjesën perëndimore të qytetit. Lindoren akoma jo.
Para hyrjes së arenës prisnin disa veta me çekan dhe gozhda në duar, tre të tjerë mbështetën ngadalë një kryq të madh pjerrtas në një mur gjysmë të rrënuar dhe kthyen shikimin drejt Hirorit duke menduar: “Të erdhi fundi! Fundi i fundit!”

Turma duke u shtyrë u fut brenda menjëherë pas tij. Ai zbriti ngadalë nëpër shkallë dhe zuri vend në mes të rreshtit të parë. Pasi u ulë publiku, nuk u dëgjua asnjë fëshfëritje më. Ilirët të heshtur prisnin gjykimin. Sot paradite i tërë Albanopolisi ishte derdhur në arenë. Kishte disa muaj që kishin vërshuar qytetin kasnec të ndryshëm. Lajmërohej ardhja e guvernatorit romak dhe flitej për rëndësinë e gjykimit. Në qytet thuhej se do të gozhdohej një shkrimtar nga fisi albanëve. Shumë të ditur mendonin se me këtë proces, bota ilire do të ndahej në dy copa: në atë perëndimore dhe në atë lindore. Krejt varej nga vendimi i Pilatit. Kasius Re hyri nga një derë anësore nga fundi i arenës dhe u ulë majtas nga tryeza e madhe, që gjendej në mes të podiumit.
Disa çaste më vonë, nga njëjta hyrje, u shfaq guvernatori. Pas tij Zulma, që shërbente si përkthyese.
- “ Në këmbë, Pontius Pilatus”, bërtiti një legjionar ilir. Ai ishte veshur me një togë të kuqe dhe pas tij hynë edhe dhjetëra ushtarë romak për të siguruar rendin.
Të pranishmit u ngritën me plot respekt.
- “Çekanët dhe gozhdët jashtë arenës”, urdhëroi Pilati akoma pa u ulur, kur pa se njëri e ngriti lart.
Pilati lëshoi një grumbull me papirus mbi tryezën e madhe. Majtas dhe djathtas u ulën edhe dy bashkëpunëtorët e tij. Disa veta nga radha e tretë u përkulën, morën veglat e tyre dhe i çuan përjashta duke i lëshuar përtokë pranë kryqit.
Ato ishin të madhësive të ndryshme: çekan të ndryshkët, gozhda të shtrembëta, të gjata, shumë të gjata, të vjetra dhe shumë të reja. Nuk ndryshonte vetëm forma, por edhe materiali i ndërtimit të tyre. Disa nuk dukeshin si gozhda. Ishin shumë të trasha ose shumë të shkurtra. Madje edhe arsyeja pse ndonjë hekur ishte bërë gozhdë, pse tjetri çekan, kishte historinë e vet të gjatë. Zanafilla kishte rëndësi të madhe. Luante rol edhe vendi në Perandori, ku ishte shkrirë hekuri, si dhe origjina e farkëtarit, që i kishte dhënë formën përfundimtare dhe synimet e tij. Kjo ishte me peshë. Gozhdë apo çekan dhe prej kujt dhe për kë! Njëri pa tjetrën nuk bënte apo çekani mund edhe të përdorej, por pa gozhdën përshtypja nuk ishte e plotë, nuk ishte mbresëlënëse dhe jo aq tmerruese.
Disa plebenj kishin marrë me vete edhe pyka.
- “Ilirë, këtu kemi disa kallëzime”, u dëgjua zëri i lartë i Pilatit. “Do të dëgjohen dëshmitë”, shtoi ai duke rregulluar togën e qëndisur dhe duke i hedhur një vështrim shëtitës arenës. Hiror Ka, kryeshkrimtar ilir, akuzohet prej ilirëve për vrasje, internime, vjedhje dhe keqpërdorim të Kaligulës, në mes të tjerash. Mirëpo në fillim, Kasius Re, shkrimtar, në rolin e prokurorit, nga Dardhania, do të lexojë akuzën”, shtoi ai. “Pas tij edhe disa dëshmitarë nga plebenjtë. Kjo akuzë është shkruar nga tre ilirë të ndritur, dhe disa plebenj”, tha Pilati duke ngritur kokën ngadalë. Ai goditi me çekanë mbi një enë të metaltë duke i bërë shenjë me kokë prokurorit. Kasius Re u ngritë, bëri disa hapa në podium dhe u ndalë pranë tryezës së Pilatit.
- “Shkëlqesi, i nderuar Pilat. Të nderuar ilirë të ndritur dhe ju plebenj“,ktheu kokën drejt lindjes, “dhe ju të mashtruar dhe të vetmashtruar”, ktheu shikimin nga perëndimi i arenës dhe tha: “ Akuza përmban shtatëqind fletë papirus, sot, shkurtimisht, do të përmenden në mënyrë që të sillet një vendim ashtu si e meriton Hiror Ka. Guvernatori i nderuar është njoftuar më parë, me shkrim...”
Në hyrje u krijua një rrëmujë e madhe. Pilati ndërpreu prokurorin.
- “Kush nuk ka vend le të rrijë në këmbë, prapa ose anash”, bërtiti ai.
Turma u nda në dy drejtime, majtas dhe djathtas, një numër i madh mbeti pranë hyrjes. Kishin ardhur edhe shumë ilirë nga vendet e largëta. Turma arrinte deri te punëtoria e Batos. Prijësit e albanëve, taulantëve, japodëve, liburnëve, dardhanëve, enkelejve madje edhe të venetëve dhe mesapëve kishin kalëruar ditë të tëra për të marrë pjesë në këtë gjykim. Tre veta në hyrje ngritën çekanët në ajër, me dorën tjetër, me pëllëmbë i binin gjoksit duke bërtitur: “Huhu, huhu huuuuuuammmmë! Huhu, huhu, huuuuuuammmmë!”
-“ Kryqëzoje Pilat, në kryq!”, tha njëri me mjekër duke tundur çekanin në ajër.
-“ Prejani kokën, me shpat ilire, Pilat! Me shpatën e Batos!”, bërtiti një kokëtullac i dehur.
Në arenë u krijua një zhurmë e madhe, e cila pushoi pas goditjes me çekan të Pilatit dhe kërcënimit se do t´i nxjerrë jashtë. Ushtarët romak u nisën drejt tyre, ilirët u qetësuan.
-“Vazhdo!”, urdhëroi ai prokurorin Kasius.
Prokurori shikoi të pranishmit pastaj Pilatin dhe shfletoi papiruset e veta.
-“ Ai ka keqpërdorë Kaligulën, shkëlqesi”. Një “buuuu” u dëgjua në arenë. Prokurori nuk u shqetësua nga ky mospajtim.
- “Ai ka shkruar me një qëllim”, tha ai: “ta izolojë Ilirinë nga provincat tjera të Perandorisë dhe të sillet si Pater Patriae”, shtoi ai në latinisht. Zulma e përktheu.
-“Ashtu është”, u dëgjua zëri i një iliri picërr, që u tkurrë duke fshehur kokën pas shpinës së një njeriu të gjatë, që nga pamja e jashtme dukej se vinte nga Germania.
- “Kaligula”, vazhdoi Kasius, “ka shpërndarë fshehtas librat e tij në Gali. Ato nuk e meritojnë këtë”, tha ai me plot bindje duke tundur gishtin tregues në ajër. “Shpërndarja e tillë dëmton mendësinë tonë gjysmë lindore”,shtoi duke ngritur zërin Kasius.
“Na lazdron! Pse na lazdron? Na trullos! Pse na trullos?” Zulma i pëshpëriste Pilatit në vesh dhe ai pohonte me kokë.
“ Na përkëdhelë padrejtësisht, shkëlqesi, deri në dalldi, sepse besojmë se jemi të mirë, në fakt jemi shumë të keq! Shumë të keq!”, përsëriti ai duke vështruar Pilatin. “ I nderuar Pilat, ky ka marrë guximin të na shpallë ilirë perëndimor”, shtoi ai duke e parë Pilatin drejt në sy.
“A nuk shihet qartë se jemi gjysmë perëndimorë, gjysmë lindorë”, tha ai duke kthyer kokën drejt të pranishmëve, sikur dëshironte të thoshte: “A nuk i sheh këta pasardhës të Kleopatrës këtu, shkëlqesi?!”
Nga fytyra e guvernatorit nuk kuptohej, e gëzonin këto akuza apo e dëshpëronin. Fytyra e tij nuk jepte asnjë trajtë paradëftuese. Rrinte si një përmendore romake dhe nuk lëvizej nga vendi: as nuk kafshonte buzët, as nuk ngryste vetullat. Herë pas here tundte vetëm kokën derisa përkthente Zulma. Tre ushtarë romak pas tij me shtiza në dorë qëndronin drejt, pa lëvizur dhe dukeshin krenar. Pilati rrinte me një pamje të rëndë, sikur dëshironte të thoshte: “civicus romanes sum!” Publiku në sallë përcillte akuzën i përqendruar. Gati nuk kishte ilirë, që dyshonte se sot nuk do të bëhej kryqëzimi. Të gjithë kishin dëgjuar nga misionarë se Pilati lejonte gozhdime, nëse atë e dëshironte populli! Madje ai gozhdime u dhuronte popujve me kënaqësi, me rëndësi ishte dëshira e shumicës! Kështu blihej edhe qetësia e tyre!
- “Unë nuk do të ndalem në imtësi”, vazhdoi Kasius Re, “ por, dua të shtojë edhe këtë: nuk mund të jetë dikush i madh në diktaturën e Kaligulës, e të mbetet i madh në republikën e Salius Julius Qesarit. I nderuar Pilat, na duhen njerëz të rinj, ky duhet të rrëzohet! Domosdoshmërish! Të përjashtohet nga jeta ilire! Sa më shpejt, aq më mirë! Unë mendoj se gozhdimi është i vetmi dënim i arsyeshëm. Kaq kisha”, tha ai dhe u kthye në vendin e vet me hapa të shpejtë. Disa veta nga radha e tretë duartrokitën. Të tjerët heshtën. Prokurori zuri vend nja pesë hapa larg tryezës së Pilatit.
“ Dëshmitari Barid Teutani”, thirri Pilati duke marrë shënime në papirus dhe foli pa ngritur kokën.
Baridi u ngrit nga rreshti i tretë duke i rregulluar flokët. U ndal për një çast i mrekulluar dhe i hutuar nga prania e Pilatit dhe numri i madh i njerëzve. Pas disa belbëzimeve arriti të mbledhë veten dhe nisi me dëshminë e tij. Ishte shtathedhur dhe kishte flokët e verdha.
- “ Shkëlqesi, i nderuar Pilat, ky njeri duhet dënuar edhe për vjedhje. “Buuuu”, u dëgjua një buçitje e përbashkët në arenë.

- “Kot e keni”, tha ai duke i picërruar sytë e vegjël, “këtu i kam faktet”, dhe vuri dorën mbi një grumbull papirus. Zhurmë dhe përleshje dëgjohej jashtë arenës. Disa miq të prokurorit, në mesin e tyre edhe Juda, ishin futur në mes ilirëve për të bindur popullin.
- “I nderuar Pilat”, tha ai duke ngritur një papirus me shënime në dorë: “ Ky ka vjedhur nga Karpatius, pikë për pikë, këtu janë krahasimet. Në librat e Hirorit bie shumë shi, pak më shumë se në shkrimet e Karpatiusit, por kjo nuk është me rëndësi, me rëndësi është se bie shi si te ai, nga i njëjti qiell!”, dhe u kthye nga ilirët duke bërtitur: “Nxeh e shkrumbon dielli, më shumë se te Karpatius, kjo mirëpo nuk ka shumë rëndësi, ilirë të dashur. Me rëndësi është se nxeh i njëjti dielli, si te ai! Këto i nderuar Pilat, këto dëshmojnë se kemi të bëjmë me një plaçkë të madhe!, shtoi ai duke ngritur zërin. Ky përdorë pika dhe presje, gjatë shkrimit, pikëçuditëse dhe pikëpyetje, siç bënte Karpatius. Në Iliri, nuk ka përdorur askush këto shenja më parë. Kjo është vjedhje, pirateri, pastaj ne, i nderuar Pilat, piraterinë e kemi në gjak!”, tha Barid Teutani duke ngritur zërin përsëri!
Foli ai gjatë dhe nuk u kthye në vendin e vet, por doli jashtë. Fërkoi duart, mori çekanin në dorë: një çekan të vjetër, prodhim i nomadëve në provincat e Ilirisë. “Sot do ta gozhdojmë!”, tha me vete dhe i shkoi buza në gaz.
- “Dëshmitari Progon Hënori”, thirri Pilati pa vënë re se në hyrje po tundej një çekan në ajër.
Një burrë i vogël me një kokë shumë të rrumbullakët, u nis nga rendi i tretë drejt podiumit.
- “I nderuar Pilat, shumë i nderuar dhe i dashur Pilat, shkëlqesi, ky ka marrë në qafë mijëra njerëz...!”
-“ Pikërisht ashtu”, u dëgjua një zë tjetër nga rreshti i tretë. “Buuuuu!”, u dëgjua një buçimë në arenë.
-“Ky, zoti Pilat, ka sunduar vendin duke mashtruar Kaligulën tonë”, pohoi trupshkurtri duke treguar me gishtin tregues drejt Hirorit. Hirori mori frymë thellë dhe nënqeshi.
“Mendoj se mjaftojnë këto të dhëna për të marrë një dënim meritor”. Doli jashtë dhe mori në dorë një çekan të prodhimit të Lindjes.
- “Dëshmitari Rrapesh Vrulli ”, urdhëroi Pilati.
U ngrit një ilir i trashë nga radha e tretë. Barku i varej gati deri në gjunjë. Dukej si një buall i liburnëve dhe mezi ecte. Foli me një zë të trashë.
- “Të digjen papiruset e tij, u dëgjua një zë nga arena: librat e tij duhet të digjen, e dëmtojnë Perandorinë...!”
Pilati goditi me çekan. “ Vazhdo!”, urdhëroi ai.
- “I nderuar Pilat, unë do të ndalem vetëm te librat. Pak dihet se ai nuk i ka shkruar vet, por të tjerët”, foli i trashi me zërin e trashë dhe të vrazhdë. “Zoti Pilat, Iliria nuk mund dhe nuk duhet të gënjehet më.” Ktheu kokën nga të pranishmit dhe shtoi: “ Tani unë ju tregoj se kush i shkroi”, vazhdoi ai duke shikuar Pilatin, pastaj herë Hirorin, herë të pranishmit, herë papirusin e vet:
“Acarin e madh”, i nderuar Pilat, e pat shkruar Kaligula vet, kur bënte shumë ftohtë në Iliri, cingërimë”, dhe u kthye nga publiku. “Kush e solli Necmiae”, e kanë shkruar Adilius dhe Isniae së bashku, që më vonë i ndërruan titullin. I ndërruan titullin, zoti Pilat, për ta shpërndarë më lehtë jashtë provincave ilire”, tha ai duke ngritur zërin. “Guvernatorin e legjionarëve të vdekur”, mori frymë thellë, “e shkruan Palius, Lenkae dhe Ramizius së bashku e kështu me radhë, e kështu me radhë. Të gjitha librat i nderuar Pilat i ka shkruar Zyra Politike!”
Një kukurisje e madhe plasi në arenë, madje disa edhe duartrokitën nga befasia.
“Qetësi, qetësi!”, u dëgjua zëri i lartë i Pilatit.
“Pyetja logjike është, pse i nderuar Pilat?, vazhdoi ai pa u tronditur nga reagimi i ilirëve. “Pse Zyra shkruante libra me emër të huaj? Pse? Pse i nderuar Pilat? Këtu, unë, në këtë ditë të madhe, para ilirëve dhe romakëve dua ta shpërndajë të vërtetën në Perandori; nuk është e vërtetë se ai shkroi veprat e Kaligulës, siç thonë plebenjtë, por Zyra Politike shkruante librat e tij. Zyra qëndronte pas, i nderuar Pilat”.
Në arenë shikimet kryqëzoheshin dhe kërkonin të kuptonin çehren e njëri tjetrit. Fytyrën e Pilatit. Papritmas plasi edhe një zgërdhimje e madhe. Disa mbulonin gojën me duar duke u përpjekur të mos qeshen me zë.
- “I nderuar Pilat”, vazhdoi ai me dëshminë: “Shtrohet pyetja pse Zyra shkruante? E thjeshtë shkëlqesi, në këtë mënyrë Zyra po fliste me provincat tjera, shiste libra; kjo është arsyeja!”, tha ai duke ngritur dorën përpjetë dhe u largua duke u tundur si një ka plakë e i rëndë. Disa veta nga rreshti i tretë duartrokitën. Ai doli jashtë dhe mori në dorë çekanin dhe gozhdët e veta: një prodhim i Dardhanisë.
Prokurori u ngrit dhe i tha diçka Pilatit në vesh.
- “Mirë, uluni pas Hirorit”, urdhëroi Pilati. “Në rreshtin e dytë!”
-“Mu pas tij”, pyeti ai i pakënaqur. “Nuk bën të ulem me një karrige para tij”, pyeti gati i zemëruar.
- “ Jo, pas tij, aty e ke vendin”, u përgjigj Pilati me një zë shumë serioz. Të tubuarit u shikuan në mes vete. Tre veta ngulnin kryqin para arenës. I vunë disa rrasa guri për ta mbajtur sa më drejt. Kasius Re zuri vend pranë Hirorit. Pilati nuk i dha rëndësi mosrespektimit të urdhrit. “Mëri ilire”, tha me vete!
- “Mbrojtja e ka fjalën”, iu drejtua Hirorit.
- “Mos e lini të flasë, na mashtron”, bërtiti njëri nga rreshti i tretë. Ushtarët romak e nxorën përjashta. Heshtje e madhe në arenë.
Hirori u ngrit, ktheu kokën, shikoi të pranishmit dhe iu drejtua Pilatit dhe publikut.

“Të nderuar qytetarë, i nderuar Pilat, Kasius Re sot shau vetveten dhe mendimet e tija të dikurshme. Sipas ligjeve romake mund të akuzohet për mashtrim, nëse i besojmë sot!” Prokurori uli shikimin.
-“Përgjegjësinë e një rendi nuk e bartë vetëm një njeri, por krejt populli, krejt populli”, përsëriti ai. “Çdo ilir ka mundur t´ia ndalë hovin Kaligulës, edhe një bari i rëndomtë, edhe prindërit tuaj”, iu drejtua disa të rinjve te hyrja. “Kasius nuk ka folur asnjë fjalë të keqe kundër Kaligulës derisa ishte ai gjallë, edhe pse Dardhania nuk ishte akoma nën pushtetin e Kaligulës!”, tha ai me një zë të qetë, ngadalë dhe me një gjuhë shumë të qartë.
Një grup u fut brenda përdhunshëm dhe Baridi bërtiti:
-“ Pilat, mos e lerë të flasë, na mashtron edhe neve... edhe juve...!” Një hallakatje e madhe në arenë. Piskama, fishkëllime dhe përleshje. Dhjetëra legjionarë vrapuan brenda me shpata në duar dhe i nxorën nga arena. Pasi u qetësua publiku, Pilati tha:
“Ilirë, meqë nuk dëshironi ta dëgjoni Hirorin, atëherë do të tërhiqem për të marrë një vendim”. U ngrit me dy bashkëpunëtorët, pas tij truproja. Shumica kundërshtoi me fishkëllima dhe brohoritje. Pilatit nuk i bëri përshtypje kjo.
Derisa po largohej, Juda kërceu mbi podium dhe bërtiti: “Kryqëzoje, Pilat! Nuk na duhet!” “Në kryq”, bërtitën edhe tre veta njëri pas tjetrit.
Pilati tundi kokën dhe braktisi arenën. Të pranishmit u ndanë në grupe dhe prisnin me padurim vendimin. Disa dolën jashtë, disa mbetën brenda.
Iliria ishte shumë e përçarë. Kishte dhjetëra fise, por mijëra nënfise. Çdo fis e nënfis kishte prijësin e vet dhe e nderonte të vetin ose si Perëndi ose e urrente si djallin. Prijësit ilirë edhe në arenë nuk i shtrinë dorën njëri tjetrit, por nga larg u përshëndetën duke lëvizur vetëm kokën. Albanët dhe dardhanët u shikuan vetëm në mes vete. Më shumë jo! Nga larg!
Kur u vdiste prijësi një palë qante dhe vajtonte edhe rrugës; shkulnin flokët nëpër sheshe dhe me muaj mbanin zi. Pala tjetër festonte me verë. Shumica e tyre ishin tiran në shtëpi. Ata nuk i përkuleshin Perëndive, siç i dorëzoheshin prijësit të tyre. Apo pala tjetër nuk urrente djallin, siç urrente prijësin e palës tjetër! Kjo i kishte bërë ilirët lehtë të pushtueshëm! Prijësit e tyre dalloheshin nga populli dhe shpurën që kishin pas, me skllevërit apo edhe nga kali që kalëronin dhe shpatën që kishin me vete, kryesisht zbukurimet në dorëzën e saj.
Pilati po vonohej. Dielli tani rrezonte Albanopolisin pjerrtas.
- “Mos e vodhën?”, tha Rrapeshi i trashë.
- “Në Iliri ka tregti të madhe me skllevër”, shtoi një plak nga Athina. “Nuk është çudi. Këtu ndodhin edhe gjëra të tilla! Këtu mund të vidhet edhe guvernatori romak!” Rrapeshit nuk i pëlqeu kjo dhe nuk foli.
Kasius Re u ngrit dhe doli jashtë arenës. E vështroi kryqin, i pa edhe gjashtë veta rreth tij duke pritur me veglat e punës dhe tha me vete: “Do të jetë gozhdim-rrëzim marramendës, teatral, si në tragjedinë hebraike! Do të shkruhet në të gjitha kronikat!” Disa plebenj iu afruan atij për këshilla.
Njerëzit po humbnin durimin, më shumë se gjysma kishin dalë para hyrjes së arenës. Disa blinin shpata te Bato, dikush verë te Datori. Dielli gati po strukej pas maleve ilire. Shumë ilirë lëkundeshin duke ecur nga vera. Aty këtu ndonjë re e bardhë. Ky ishte muaji më i ngrohtë në Iliri, edhe pse sot në mëngjes pati një spërkatje të imët shiu, por me shumë potere.
-“Të interesuarit brenda”, bërtiti një legjionar. Pilati hyri në arenë, pas tij dy ushtarë me dy sëndukë të mëdhenj në duar. Të gjithë u futën brenda. Ai ngriti dorën dhe urdhëroi të ulen në shkallore. Një heshtje e madhe pllakosi arenën.
- “Akuza refuzohet në të gjitha pikat”, tha Pilati troç. Shumica brohoriti nga gëzimi. Disa i zgurdulluan sytë të sëndisur! U shikuan në mes vete dhe ngritën supet, sikur donin të thoshin “E ka mashtruar edhe Pilatin!”
“Arsyetimi”, tha ai dhe i hodhi një shikim dy legjionarëve, që rrinin majtas nga Pilati. Ata i morën dy sëndukët nga tryeza dhe ua hodhën mbi kokë atyre, që prisnin me çekan nja tre hapa larg guvernatorit. Gozhduesit u shtynë në mes vete duke u larguar nga papiruset, që u shpërndanë mbi kokat e tyre deri në rreshtin e tretë. U shikuan në mes vete të pikëlluar. Edhe prokurori dukej i zymtë dhe i sëkëlldisur.
- “Ilirë, ato ishin papiruset e Hirorit! Nëse keni sy për të parë në shpirtin e tij, aty do të gjeni Ilirinë, Ilirinë tuaj që e lexojnë njerëz të ndritur të Perandorisë”, bërtiti Pilati. “ Ju dëshironit një varrë më shumë!”, tha me një tenor romak duke i rregulluar flokët kaçurrela. “Ju e dinit kush ishte Kaligula, apo jo?! Menduat se edhe në Iliri do të bëjë një gabim historik, ilirë! Jo, ilirë, këtë herë nuk do t´i pyes plebenjtë!
Ilirë, ju jeni në gjendje të rehabilitoni Zyrën Politike me gjithë anëtarët e saj, madje edhe vet Kaligulën. Pse? Për ta fajësuar Hirorin! Ju e akuzoni atë edhe kur nuk ju çohet juve! Edhe kur nuk ju çohet juve!”, përsëriti Pilati. “Për gjitha tragjeditë tuaja, fajtor nuk jeni ju, por dikush tjetër, sot Hirori. Nesër dikush tjetër. Gjithmonë dikush tjetër! Kurrë ju! Dhe ju shtriheni e prisni që dikush t´i kryejë detyrat tuaja. Ju kërkoni një ersatz fajtor”, bërtiti Pilati, “erzac, si thuhet në Germani, jo të vërtetin”, tha Pilati duke shikuar ilirët dhe duke shtrënguar nofullat.
“Rendi shoqëror mund të sjell njerëz të rinj në politikë”, vazhdoi ai, “por arti nuk është politikë, ilirë! Ju krenoheni me ndonjë që ka bërë shurrën pranë përmendores së Kaligulës, i bëni dhe shtatore, por nuk jeni të drejtë e të krenoheni me aq shumë libra me vlerë! Turp!”, tha Pilati duke i rënë enës me çekiç. “Turp mbi ju!”, përsëriti dhe një herë me një zë të lartë. “Jeni dhjetëra fise, por të shpërndarë në mijëra kope, ilirë! Gati populli më i madh në Perandori, por...! Mjaft më, jetoni si të doni...!, tha Pilati gati me keqardhje duke sjellë kokën.
Kundër këtij vendimi”, vazhdoi ai, “mund të ankoheni në Senatin e Romës. Dëshmitë me shkrim mund t´i dërgoni deri në verën e ardhshme, si edhe këtë vit, pra pak para se të ndahen shpërblime për filozof, poet, oratorë, guvernatorë dhe gladiatorë. Pilati ngriti zërin për t´i tërhequr vërejtjen disa ilirëve që po kacafyteshin në arenë. Pesë legjionarë u nisën drejt ilirëve të inatosur.
Disa albanë dhe dardhanë nga rreshti i tretë u morën vesh të mbledhin të dhëna të reja, nëse jo kundër tij, kundër ndonjë iliri tjetër.
- “Nuk ka rëndësi, me rëndësi të jesh kundër!”, tha Progoni. Baridi e tërhoqi për krahu.
- “Me rëndësi të godasësh!” ia ktheu Rrapeshi dhe u qesh me të madhe.
- “Këtu përfundon arsyetimi sentencës”, tha Pilati prerazi, “akuzat tjera nuk mund të merren seriozisht, jo pse vijnë nga plebenj apo ilirë zemërak, por drejtimi është i gabuar!”
Një grup i vogël nisi përsëri të çirret.
- “Kryqëzoje Pilat, kryqëzoje..!”, bërtitën ata.
Hirori u ngrit. Publiku e përcolli me duartrokitje dhe krijoi një korridor njerëzish duke u përkulur para tij me falënderime.
“Gloria a te Hiror Ka!, Gloria a te Hiror Ka!”, bërtitën ata së bashku dhe duartrokisnin. Hirori i fshiu dy pika loti dhe doli duke u përkulur me falënderime.
Disa prijës ilirë iu afruan Pilatit dhe ai u foli atyre latinisht. Ngriti dorën si Qesari, mblodhi vetullat si ai dhe tha:
“ Ave populus ilirico, non perparum gemba, discordiae teatralis. Patriae dasuria, harmonia desirant. Ubi concordia, ibi victoria. Iu percarus maximalis, lacmiae dramatica. Iu meriae terribilis, tristuesum piestaris tendis urjetant teprum! Ne vendis punuam, iu cum gozdae vietris, orientalis cecanum, scllavorum gozdae desirate gozdatis scritorem. Ju populus ilirico urejtum tutus personalitatem ilirico! Cka desirate iu in dreqius mallkimus dhe ktheu kokën nga hyrja e arenës. Britma dhe vaje dëgjoheshin jashtë.
“E gozhduan”, tha Datori, të cilin askush nuk e kishte vënë re se gjendej aty. Ecte me një poçe në dorë me verë duke u luhatur. Të gjithë që kishin mbetur në arenë vrapuan duke e lënë Pilatin me Zulmën dhe truprojat. Pilati bëri shenjë me kokë dhe vrapuan pesë legjionar pas tyre. Ilirët nuk pranonin humbjen në gjykatë. Çdo ilir ishte edhe gjykatës vet. Ata nuk bënin kallëzime, kjo ishte hera e parë. Ata njiheshin në Perandori si prokurorë, gjykatës dhe ekzekutorë në një njeri. Iliri i vërtetë e shkruante akuzën si prokuror i përkryer. I njëjti shfaqej si gjykatës i madhërishëm duke u bazuar në protokollin e hartuar vet dhe po ai prokuror dhe gjykatës dilte më në fund si ekzekutor i palëkundshëm dhe i pamëshirë! Zyra Romake për ta ishte një ndërtesë e rëndomtë, e cila mblidhte tatime, më shumë jo.
“Huhu, huhu, huaaammmmmmmë! Huhu, huhu, huaaammmmmmmë!”, dëgjohej vallja rreth kryqit. Ashtu siç sakrifikonin për Perënditë e tyre, kur betoheshin për një luftë të gjatë, edhe sot kishin bërë një fli. Kjo ishte hera e parë, që kishin kryqëzuar një shqiponjë. Shqiponja kishte varur kokën, gjaku kishte rrëshqitur nëpër kryq deri në tokë dhe disa albanë dhe dardhanë kërcenin një valle të dalldisur rreth kryqit duke bërtitur: “ huhu, huhu, huaaammmmmmmë, huhu, huaaammmmmmmë!”
-“ Ku mbeti Hirori ?”, pyeti Pilati duke iu afruar turmës pranë kryqit.
- “Sapo u nis me një at të bardh për në Gali”, tha Bato në një latinishte popullore. Turma nisi dalëngadalë të largohej. Kasius Re u ulë pranë kryqit i zhytur thellë në mendime. Turma u ndal para shtëpisë së Datorit për ta festuar fitoren me verë. Në Iliri po binte terri dhe dalldia rreth shqiponjës së kryqëzuar dëgjohej akoma...

u publikua te:

fjala e lire

zemrashqiptare.net
tribunashqiptare.com
alb-shkenca

01.12.2009

Historia e Damunit,SHEKULLI


Mos pyetni pse quhej Damun. Nuk dihet. Atëherë tingëllonte emër normal, tani duket i çuditshëm, me një etimologji shumë trishtuese. Për këtë njeri të mjerë dhe të pafat nuk kam menduar së paku njëzet vjet, edhe pse më kishte traumatizuar si fëmijë nëntë vjeçar.
Tash u krijuan skena identike dhe ja më shfaqet Damuni i gjorë para syve: trupmadh, hundëshqiponjë, me ballin e madh. Në fytyrë dukej si Brezhnjevi, i mungoni vetëm flokët e dendura të tij. Damuni ishte fqinji jonë për të cilin u tha në lagje se ishte "trenu" (ishte çmendur).

Para sëmundjes sillej mirë me ne. Tani kur luanim top fshihej diku në kopsht dhe na e merrte topin, që binte vazhdimisht në kopshtin e tij dhe, me atë top, luanin pastaj fëmijët e tij. Një ditë na ra topi mu aty, ku kishte mbjellë perime. Ai vrapoi pas nesh duke sharë dhe bërtiti: " Edhe ni herë, ku'me jav'shkul dhamtë nja nga nja!". Dhe na e sekuestroi topin përsëri. 'Ndoshta na tha për dhëmbët', menduam ne, se kishte rastësisht darët në dorë, por këtë nuk e kuptuam kurrë. Zgjati një muaj derisa blemë topin e ri.
Në lagje flitej se Damunin e kishin dërguar në çmendinë. Ndaj morëm topin e ri dhe... përsëri në rrugë. Topi si dreq top që ishte, ra përsëri në kopshtin e tij dhe mu mbi specat që sapo kishin luluar.
Damuni u hodh nga dritarja e katit përdhes si një leopard, kërceu rrethojën sikur të mos ishte fare dhe vrapoi pas nesh duke bërtitur: " Ah, nalnu bre, pa jav'rep lëkurën nuk e la!"
Ne ikëm. Hera e tretë dhe e fundit ndodhi diku pas një muaji. Përsëri flitej se ai kishte shkuar në spital. Më shumë se një javë nuk u kthye. Ne menduam se nuk kthehet më. Të rriturit thoshin: "Sigurisht po ia "djegin nervat" në spital dhe kthehet prapa i qetë dhe i butë si një lope"!

Edhe pse kujdeseshim të mos binte topi atje, e godet Agroni dhe topi... Përsëri brenda! Tani jo mbi speca, por diku ndërmjet domateve të kuqe. U afruam pranë rrethojës për të shikuar topin, kur befasisht u shfaq Damuni pas një peme të vogël me plot gjethe.
Gjashtë shokët ikën në të gjitha drejtimet, unë mbeta i shtangur ballë për ballë me të. Ndërmjet rrethojës pash sytë e tij të kuq, të hapur deri te vetullat.
Nuk di pse u ndala. Ndoshta pse sytë e tij m´u dukën aq të mëdhenj, sa më shtangën në vend.
Akoma pa mbyllur gojën, kërceu rrufeshëm mbi rrethojë dhe më mori me vete duke më bartur nën sqetull si një qengj.
As nuk u përpoqa t´i ikë nga duart. Ashtu si gjendesha në sqetullën e tij, vështroja rrugën nga lart se ku më çonte dhe u ndal pas shtëpisë duke u ulur mbi një cung. Pranë cungut një sëpat akoma me gjak, dhe koka e pulës me njërin sy të mbyllur, tjetri nuk shihej.
Nëna thoshte, kur vdesin njerëzit e u mbeten sytë hapur, atëherë u kanë mbetur shumë dëshira të parealizuara. Kur pashë kokën e pulës ashtu, m´u kujtuan fjalët e nënës dhe mendova, paska shkuar e lumtur pula! Mua sigurisht do të më kishin mbetur sytë e hapur!

"Dreç biri i dreçit, ap'po do ta pres krytë apo do me të tredhë..." Me njërën dorë m´i tërhiqte flokët duke më parë në sy, me tjetrën më shtrëngonte drejt trupit të tij dhe përsëriste: zgjidh, cilën do me rujt: krytë apo bolet?

Dhëmbët i kishte gati katran të zi. Tre i mungoni para. I mbylla sytë nga trishtimi dhe thashë me vete: Më mirë të vendosë ai. Kisha frikë nga sëpata që e kishte afër dhe ndjeja rrahjet e zemrës deri në fyt.
E pashë edhe kokën time pranë asaj të pulës. U trishtova dhe sinqerisht nuk pëlqente as dënimi i parë, as i dyti. Derisa sa ai po përsëriste se cilin dënim parapëlqeja, u fut im atë brenda dhe më shkoqi nga duart e tija. Shpëtova, thashë me vete. Më mirë paramendoja një kortezh pas, se sa të shkoja në shkollë i tredhur. Damuni e konsideronte krejt lagjen të sëmurë, por jo veten! Kur njerëzit i thoshin se ishte i sëmurë, ai nuk e pranonte.
Nuk më dhemb askund, thoshte ai.
Edhe një gjë vlen të tregohet: javët e para kur qe çmendur Damuni u përhap saora në lagje. Çdo shtëpi i tërhoqi vërejtjen fëmijëve të ruhen prej tij, sepse "edhe nëse e vret ndonjë, ai nuk burgoset, por dërgohet në spital", - thoshin të rriturit.
Mirëpo, ne si fëmijë edhe krenoheshim me Damunin. Ishte një lloj pasurie dhe sigurie të posedohet një Damun: fëmijët e lagjes tjetër që më parë vinin te ne e nuk na linin të qetë, tani kishin frikë nga Damuni jonë!
Në fillim gruaja e tij për të krijuar përshtypje se sjellja e burrit ishte krejt normale, fliste edhe ajo vet me vete duke ujitur specat: "Oh, sot kam parë ëndrra të çuditshme, - thoshte ajo, kur ishim ne afër. Dhe vazhdonte të flasë gati si burri i saj, të këndonte apo të fishkëllente, madje zonja Damun nisi dikur na e shante nënën si burri i saj.
Për ta krijuar përshtypjen e normales, kështu sillej edhe vëllai i vet në fillim. "Po dëgjoj zëra, - thoshte ai, Zoti më ka dhënë aftësi të komunikoj me botën tjetër". Lagjja nisi të mendojë se ishin çmendur që të tre, dhe brengosej për fatin e fëmijëve të Damunit.
Dikur nusja e tij nuk fliste më me vetveten, por këndonte vetëm me zë të ulët: "o moj e mira mori nëpër therra!", ndërkaq vëllai e dërgonte dhe e merrte nga spitali psikiatrik dhe nuk komunikonte më me botën tjetër.
Pse kjo histori kaq private dhe kaq intime? Ja e vërteta: kurrë në jetë nuk kisha menduar se Damuni, i para disa dekadave kishte plotësuar të gjitha kushtet, (pa përjashtim, të gjitha kushtet!) për tu bërë kryeministër në vitin 2009. Madje kryeministër në një vend demokratik.

I mjeri Damun i fëmijërisë sime, vdiq pa pozitë, edhe pse i paska patur të gjitha cilësitë e nevojshme për kryeministër ballkanik! Çfarë humbje tragjike për Ballkanin, që nuk din t´i shfrytëzojë resurset e veta njerëzore!


https://www.shekulli.com.al/2009/12/01/historia-e-damunit.html

28.06.2009

Puthja e fundit (2)

" Jashtë !", bërtiti një oficer dhe përplasi derën. Kur babi u përpoq të flasë, ai e goditi me revole në ballë dhe e rrëzoi përtokë.
" Pas pesë minutave nuk dua ta shohë njeri këtu ", tha në mënyrë të ashpër duke u ngjitur furishëm shkallëve përpjetë.
" Përjashta ! Nuk dua ta shohë më asnjë shiptar këtu!", i murmuroi fqinjëve tanë. Ishte ora gjashtë e mëngjesit. Mijëra veta ishim shpërndarë në të gjitha drejtimet. Traktorë, qerre, makina dhe kolona e gjatë në këmbë. Fëmijët vazhdimisht pyetnin ku po shkonim dhe pse! Ne ecnim kokulur, ish-fqinjët tanë duartrokitnin dhe këndonin! Xha Zeneli na nervozonte me qeshjen e tij të neveritshme. Ai me bastunin e tij ishte udhëheqës i kolonës.
-" Ky është dëbimi ynë i katërtë, i pestë apo i dhjeti në këtë shekull, mirëpo ky do të jetë dueli i fundit me barbarinë! Forcë dhe përpara! Kini besim", tha ai. " Ne do të kthehemi prapë!" Askush nuk i vente veshin fjalëve të tija, askush nuk i përgjigjej. Për çdonjërin ai ishte i çmendur, në fakt edhe ishte i tillë. Për çudi në fjalitë e tija të çmendura kishte diçka elegante, diçka diferencuese...
~
Sot luftëtarë e lirisë na sollën bukë. Në një kalë i kishin sjellë pesë thasë dhe ikën menjëherë duke shtuar se sonte natën duhet të jemi gati se do të na përcillnin drejt kufirit në një vend më të sigurt! Disa iu bashkëngjitën, disa jo.... Madje njëri tha se për fatkeqësinë tonë nuk i kishin fajet ata, por këta, tanët! Në muzg u dëgjuan zërat e disa ushtareve. Gratë ua mbyllën gojën fëmijëve. Ata bisedoni atje lartë dhe qesheshin me zë të lartë, kur befasisht gjëmoi një granatë afër nesh. Z. Zeneli përsëri vrapoi në atë drejtim duke bërtitur. Zëri i ushtarëve nuk u dëgjua më. Pas gjysmë ore na rrethuan. Pas kodrave shihja perëndimin e diellit. Një visore të tillë nuk kisha parë kurrë. Vështroja perëndimin e diellit ndërmjet lisave të gjate dhe ndjehesha aq e dëshpëruar se një bukuri të tillë përjetoja pikërisht në çaste të tilla.
*
" Ah, Z. Mjek, ju jeni!", tha oficeri. “Fqinji jonë... ! Ejani këndej, ju do të jeni mysafirë të mi! Burrat në atë shtëpi, atje!”, bërtiti ai me vendosmëri. " Gratë atje!" dhe tregoi me gisht drejtimin. " Dritat mos i fikni dhe numëroni të gjithë!"
"Si urdhëroni zoti major", tha një ushtar dhe iku shpejt.
" Ejani", i tha ai babit. " Ju e keni dashur gjithmonë teatrin. Sot do ta përjetoni tragjedinë greke, një dramë nga lashtësia. Sot dhe këtu do ta përfundojmë!"
Vëllai im iu ngjit babait për qafe dhe e fshehu kokën. Këmbët e tija vareshin deri te rripi i tij dhe kishte të mbathur vetëm një këpucë! Tjetrën e kishte humbur.
Ecëm pas tij, si dy mumie, të cilat pas mijëra vjetësh ishin ngritur befasisht dhe tani arkeologu do t´i rivarroste për së gjalli!
- " 285 veta. 80 gra, 150 fëmijë, të tjerët meshkuj të moshave të ndryshme ", tha një ushtar dhe e mbylli derën. Oficeri shënoi numrat në një fletore.
Ishte një zyrë e improvizuar. Mbi tryezë gjendej një makinë shkrimi, letra, një laps, një vulë dhe në mur një portret i kryetarit të tij i cili na zgërdhihej me përbuzje. Tre ushtarë bënin roje para dere. Jashtë dëgjohej piskama e fëmijëve dhe vaji ankues i grave! Ne tre rrinim kokulur. Ai e mori automatikun në dorë dhe doli përjashta. Një copë herë më vonë u fut një ushtar dhe iu drejtua babit:" Zoti mjek, më dërgon majori si shkues, ai dëshiron të martohet me bijën tuaj!"
Babi e solli kokën, i mbylli sytë dhe buzët i dridheshin.
"Jo... jo, kurrë,... ", tha ai me një zë që i dridhej dhe ia plasi vajit. Edhe vëllai im ia nisi të qarit. Për herë të parë në jetë po shihja babin duke qarë. Duke qarë si një fëmijë. "Kurrë", përsëriti ai vendosmërisht. Ushtari doli jashtë. Një copë herë nuk erdhi askush. Vajtimet e grave futeshin në zyrë si nga një çmendinë. Herë pas here dëgjoheshin edhe të shtëna. Unë lutesha pa pushim. I lutesha të gjithë profetëve. I lutesha Krishtit, Muhametit dhe i lutesha Budës. Gjithë Perëndive që i njihja me emër: egjyptase, greke, e romake…
" Të harruar nga Perëndia, të braktisur nga njerëzit ", mu kujtuan fjalët e Dritëros. Ushtari u kthye përsëri.
-"Majori tha se ju nuk e respektoni sa duhet dhe si duhet. Ju mund të zgjidhni: do ta dhunojmë djalin dhe do ta presim, ose ju pajtoheni që ai të martohet me vajzën tuaj. Ai e ka seriozisht, donë të martohet!", tha ai duke u buzëqeshur me cinizëm.
-"Jo, jo , " tha babai...", ju lutem më vrani mua, mirëpo leni fëmijët...ju lutem, ju lutem si perëndisë!
Ai dridhej si në ethe dhe i mbuloi sytë me dy duart. Unë isha bërë si një shtatore. E pashpirt. E ftohtë dhe e ngurosur. Kufomë. Shikoja në këpucë, flokët e mia ma mbulonin fytyrën. Ky ishte fillimi i fundit. Tani më erdhi fundi, le të bëhem pluhur, le të përfundojë, le të vdesë! Ia shtrëngova dorën vëllait tim, kisha nevojë edhe një here ta ndjejë ngrohtësinë njerëzore. Ai ishte mbledhur kruspull dhe nuk shikonte njeri. Ushtari doli përsëri. Me babin dhe Lulin i shtrëngonim duart njëri tjetrit.
Helikopterë dhe granata. Alarm. Qindra ushtarë ikën në të gjitha drejtimet e mundshme në panik. Luftëtarët tanë sulmuan befasisht. Shfaqeshin si shqiponjat nga mali dhe tërhiqeshin. Prapë dilnin si gjarpri nga rrasat e shkëmbinjve. Sulmonin dhe tërhiqeshin për tu shfaqur përsëri. Tani dëgjoheshin edhe fjalë shqipe.
" Florin, kujdes...prapa...pas shtëpisë,...erdha...u plagos, Bekimi... më ndihmoni...më ndihmoni ju lutem." U dëgjua një zë i dhimbshëm, trishtues i përzier me vaj. Prapë qetësi.
Ata u tërhoqën. Zemra na gufonte nga krenaria. Imagjinoja uniformën e tyre të bukura me shqiponjën në krah. Çizmet e tyre, marshin vendimtar dhe vendosmërinë e tyre! O zot, paçin uratën!, thash me vete.
Disa ushtarë rrinin të strukur e të frikësuara pranë dritares sonë dhe tymosnin njërën pas tjetrës.
-" A shkërdheve ndonjë..." pyeti ushtari me flokë të gjata.
-" Po ", tha ai me mjekër, " atë bionden, e ti ?"
-" Unë e çiva atë kurvën me flokë kaçurrela. Shiko si më ka gërvishtur!"
- Ç´ka do të thoshte gruaja jote?"
-" Ah, të lutem, kjo është luftë, ne luftojmë me të gjitha mjetet, ajo do të jetë krenare me mua"!
-"E pa si iu vjen era, prandaj nuk kam mundur ta bëjë atë punë", tha i treti dhe e hodhi cigaren tutje.
-" Aq më bën, këtë e kam ditur gjithmonë, këtë e kam dëgjuar qysh në shtëpi. Të zhduken këta është një vepër e mirë. Këtë e tha edhe popi dje kur i bekoi tanket tona! Këto kafshë kundërmuese! Kur u nisa nga shtëpia babai më tha:" Kthehu si një hero biri im! Vraje çdo gjë që lëvizë apo zhagitet mbi tokë! Sa më shumë fëmijë të vrasësh, aq më pak shtohen ata!"
Ai me mjekër e ndezi një transistor të vogël.
" Ndalu , dëgjoni!" , " dëgjoni ", përsëriti ai nervoz.
Asnjëri nuk foli më. Ndonjëherë për shkak të shtënave zëri i radios nuk dëgjohej mirë
" Problemi me shqiptaret në interesin tonë nacional...shtetëror...nuk është prej dje....në Mesjetë një rol të madh...disa qindra mijë shqiptarë nga trualli ynë...Ne kemi...,dëbimin masiv...psikozë...kushti i parë...Në fillim fshatarët...pastaj qytetet ...ndezja e shtëpive...dhunime...."! Ju dëgjuat pjesë nga projekti shkencor i profesorit të filozofisë V. Cubriloviç, tha folësja.
" E dëgjove ?
"Natyrisht, pikërisht këtë e bëjmë ne! Unë jam vërtetë krenar! Më në fund pa shqiptarë! Çdo presje duhet respektuar!"
" Ne i kemi edhe tre projekte shkencore për dëbimin e tyre ", tha mjekroshi.
" E di ", bëri shenjë me kokë ai me flokë të gjata, " e kam mësuar në shkollë!"
Nuk do të përfundojë kurrë, të shtënat sa vinin e rriteshin, pastaj pushonin, pastaj përsëri me tërë hovin e vet. O Zot , këtu një bombë! O Zot një granatë të lutem…të lutem ...
Asnjë minutë nuk pushonin. Rafalët, thirrjet e ushtareve, eksplodimet ofshamat, sharjet...As oshtima e granatave nuk ndalej. Po zgjaste shumë, koha të tmerronte. Unë dëshiroja një granatë në kulmin tonë. Sigurisht këtë e dëshironte edhe babi, mirëpo ajo nuk vinte…! Thjesht ajo nuk dëshironte të vijë. Dritaret dridheshin mirëpo, ato pëlcitnin larg nesh. Ushtarët vrapuan shpejt me kova për ta fikur zjarrin. Ata e shanë zotin, perëndimin dhe Shën Mërinë.
" Do ta paguajnë, mos u brengosni ", bërtiti dikush me një zë të trashë.
" Pushkatoi njëzetë veta, pushkatoi sa të duash, gra apo fëmijë, kemi humbur shumë ushtarë. E kanë goditur kazermën terroristët. -"
" Si urdhëroni z. kapiten ", tha zëri tjetër , " me gjithë dëshirë...!"
~
Oficeri e goditi derën me çizme dhe tha: " Tani z. mjek fillon akti i dytë. Perdja duhet të ngrihet " , dhe i vuri Lulit revolen në ballë.
." Z. Mjek, ju po përbuzni gradën time ushtarake. Unë dua ta dëgjojë prej jush një " PO". Një "PO " me gëzim e hare. Një po me miqësi dhe respekt. Unë jam zoti yt, unë jam zoti!" , përsëriti ai dhe e tundte gishtin tregues para syve të babit. Unë vendos se a jeton ti apo jo. Unë vendos se kush jeton e kush ngordh!"
Babai nuk tha asgjë. Ai i shtrëngoi Lulit dorën dhe këmbët i dridheshin. E dija drojën e babit. E dija drojën e tij, ai kishte frikë se do të mbetej vetëm ai i gjallë...
" E sheh gati mesnata, shiko, unë nuk mund të flejë, çdo natë duhet të luftojë kundër terroristëve. Nuk patëm kohë ta përfundojmë këtë pjesë teatrale", tha majori.
" Heshtjen tuaj e konsideroj si shenjë pajtimi. Do ta shkërdhej vetëm vajzën tënde ..." gjersa shtynte me tytën e revoles ballin e Lulit! Babi dhe Luli dënesnin.
Ai bëri një shenjë me kokë dhe tre ushtarë u futën brenda. Dy e shtyn me automatikë babin dhe Lulin përjashta, tjetri pastroi tryezën. Makinën e shkrimit e lëshoi në dysheme. Unë isha bërë një njeri i pashpirt, se po merrja frymë kufizohej më tepër me mrekullinë. Ndjehesha si një vajzë lakuriqe në një piedestal mu në qendër të qytetit. Zemra më rrihte deri në fyt. Tani e kisha radhën unë! Ai ma shqeu fustanin, mi ngriti këmbët përpjetë dhe tha: " Në emër të kombit tim të shenjtë vazhdoj luftën…"
Mundohesha të mos nxjerrë zë përjashta... Shtrëngova dhëmbët…o zot, kjo bishë e egër, ah …kjo shtazë karpatesh…Kur erdha përsëri në vete, pashë një ushtar që urinonte në fytyrën time.
" Z. mjek, është zgjuar...ejani brenda !", tha ai.
-"E shihni mundet edhe pa ujë. Ujin duhet ta kursejmë, tash jemi në luftë! E shihni, në njohim mënyra më të mira se ju "!"
U ula në një skaj dhe mundohesha t´i mbulojë këmbët me fustanin e grisur. Babai më përqafoi. Krejt trupi më dridhej.
" Këto vajza sot bëjnë seks edhe me dhjetë vjet ", i tha ai babit gjersa e sillte automatikun në dorë. " Kjo kurvë e vogël nuk ishte e virgjër!" Ai e mbylli rripin e pantallonave dhe doli te pragu i derës. Ushtarët para dere u qeshën me të madhe.
Një telegram, një telegram z. major, u dëgjua një zë nga jashtë. Një telegram" , bërtiti ai.

Ai lexoi disa sekonda, ktheu kokën majtas dhe shtoi :" Nxirrni të gjithë përjashta. Stacioni i trenit. Deportimi nr.19/200/99, nënshkruar nga gjenerali Pavkovic. Miratuar nga kryekomandanti i forcave te armatosura te APJ z. S. Milloshevic...

23.06.2009

Puthja e fundit (1)

Ky tregim është botuar në gjermanisht në një libër të publikuar nga disa autorë të huaj, me titull “Udhë të jetës” (Lebenswege) në vitin 2000. Shkruar në shtator 1999...


Ishim mbi tre qind veta të fshehur në një luginë, ku gjarpëronte një përroskë e kthjellët dhe gurgulluese. Natën bënte ftohtë, nuk mund të flinim, por dremisnim. Disa kilometra larg nesh luftohej pa pushim. Në terr gjuajtjet rralloheshin, herët në mëngjes vazhdonin me tërë ashpërsinë e vet. Unë kam pirë vetëm ujë, disa hanin edhe gjethe! Sot ra një shi i dendur. Fillimisht na mbronin gjethet, një copë herë më vonë ato nuk e mbanin dot peshën e shiut. Uji i pijshëm i përroskës u turbullua. Vdiqën pesë foshnje dhe tre pleq. Të gjithë ishin të dërmuar dhe të rraskapitur. Jeta nuk kishte më kuptim. Përpiqeshim të fitonim ca orë apo ditë, mirëpo vdekja ishte e paevitueshme. Me mbulesa najloni i mbuluam fëmijët dhe pleqtë, shumica vuanin nga ethet! Çdo ditë varrosim pleq dhe fëmijë; me shkopinj dhe duar i bënim varret. Me gjethe dhe dhè i mbulonim. Xha Zeneli, një plak në moshë të shtyrë, tërë kohën fliste në delir. Blerimi tallej me të. Ai e quante plakun " zoti idiot "!

Pas çdo granate që pëlciste afër nesh vraponte xha Zeneli në atë drejtim:" po na hedhin bukë, po na hedhin ushqime…" thoshte dhe kthehej përsëri duke tundur kokën dhe shtonte i zemëruar :" edhe një gropë të madhe bën qafirat! Edhe një varr për ta!"

*

Babai rrëfente pa pushim dhe në fund thoshte gjithmonë se do ta mbijetonim…Kisha drojë më tepër për vëllanë tim. Ai kishte katër vjet, unë kisha jetuar dymbëdhjetë vite më shumë. Dëshira ime ishte që së paku ai të mbijetojë. Megjithëkëtë ideja se familja mund të shuhej më tmerronte dhe në këtë kohë kisha edhe një dëshirë: të mos digjen kufomat tona! Njerëzit e karbonizuar që pamë rrugës më shfaqeshin çdo natë...

Kur braktisëm shtëpinë dhe kaluam pranë fakultetit filologjik, pash një shok të klasës para shtëpisë të shkallmuar. Ia kishin prerë gjymtyrët dhe e kishin hedhur në rrugë. Babait të tij ia kishin prerë kokën dhe ia kishin vënë mbi bark ndërmjet duarve. Kudo gjymtyrë të prera njerëzish. Para dere ishte një biçikletë fëmijësh, një top, një laps dhe një abetare. Një orë muri me xhamin e plasur mu në mes. Disa libra dhe fletore i hapte era dhe tërhiqej, pastaj përsëri rikthehej dhe i rishfletonte faqet e tyre. Ca hapa nga dera ishte e shtrire një vogëlushe trevjeçare me shishen e qumështit në gojë. Rreth qafe mbante një memë të kuqe. Vogëlushen e kishin qëlluar me një plumb në ballë dhe ashtu ishte shtangur me shishe në dorë! Në hyrje të derës një qen pa kokë. Karta të identitetit të grisura, certifikata të ndryshme, këpucë dhe shumë gjak. Babai bërtiti me zë të lartë meqë kisha mbetur si e ngurosur dhe nuk bëja dot një hap nga vendi.

" Mos shiko, mos shiko atje ", bërtitën të moshuarit...

Unë u shtanga në vend, mbylla sytë dhe u rrëzova përtokë...


Dritëron, të dashurin tim e kishin dëbuar në një drejtim tjetër, ndoshta e ka kapërcyer kufirin. Ai ishte 17 vjeçar. Një ditë para dëbimit bëmë dashuri. Kishte frikë se në çdo çast mund të vdesim dhe edhe rregullat morale nuk kishin kuptim më!

Ai thoshte se tani jemi në një çmendinë: të braktisur prej njerëzve dhe të braktisur prej perëndisë! Unë i mbylla sytë dhe nuk kundërshtova. E afrova duke e shtrënguar pranë meje. Në fund tha:" E sheh çfarë dasme? Dasmë e zezë në një zezonë! Luftëtarët tanë po shtinë, edhe ata tjerët po gjuajnë. Askush nuk gëzohet që u bëmë sot në bodrumin tënd burrë e grua!"

U përpoqa ta puthë edhe një here, puthja e fundit, mendova, por mu në atë çast u dëgjua alarmi, britma, vaje, hapa të shpejtë shkallëve dhe të gjithë zbritën në bodrum. Për here të pare i prezantova babait të dashurin tim. Babai i shtriu dorën, madje edhe u buzëqesh. Dritëro u skuq në fytyrë dhe nuk vështroi babin në sy. Tërë kohën mbante kokën e ulur!


Sot ishte më ngrohtë, ishte një ditë pak para pranverës. Ka muaj që jetojmë me aeroplanë, helikopter dhe granata. Sirenat nuk pushonin. Alarm! Alarm dhe vetëm alarm. Një i hendikepuar kishte mbetur vet mu në mes të rrugës me karrocën e tij! Sirena dhe ngasje makinash me shpejtësi trishtuese. Njerëz të pashpresë dhe fëmijë duke qarë! Ushtarë dhe paramilitarë. Policë dhe civilistë të armatosur; tanke dhe topa në rrugë, topa dhe tanke zvarriteshin nëpër qytetin tonë. Në një anë vajtohej, në tjetrën shpërthente muzika dhe hareja!

Para darke u qetësua ca. Madje edhe fëmijët dolën pak në rrugë dhe luanin. " A thua përfundoi ?" U kthyem përsëri në banesa. Diku në Perendim kishte nisur përfundimisht të peshohej vuajtja jonë. Sot na vizituan shokët e babit. Mami bëri gati për ta vetëm nga një sherbet, diçka tjetër nuk kishte në shtepi, me përjashtim të një thesi miell dhe një thesi me patate! Ata folën për të kaluarën. Ata folën për ardhmërinë. Ata folën për jetën dhe ata folën për vdekjen. Ata folën për UÇK-n dhe shpresat! Ata folën për artistët, shkrimtarët dhe politikanët. Qëndrimet e tyre! Përnjëmend ata folën për gjithçka: për Uashingtonin, Berlinin, Londrën, Parisin, Moskën, Pekingun; për perëndinë dhe djallin dhe folën për fatin tonë të pafat! Ata folën për I.Kadaren, G. Grass dhe A. Glucksman; B. Clintonin dhe Toni Blair, G Schröder dhe J. Chirac. Rrudhat nga ballët nuk mund asnjeri t´i fshihte!

" Të presim", ishte vendimi i tyre përfundimtar. " Ne, nuk do t´i braktisim shtëpitë vullnetarisht...ndoshta na ndihmon NATO!" Ky ishte vendimi i lagjes.


Aty nga mesnata shkuan në shtëpitë e tyre. Nëna shkoi te daja sepse gjyshja ishte e sëmurë rëndë dhe thoshin se nuk do të zgjaste shumë. Ishte një natë e qetë, një natë e kthjellët pranverore. Dritat ishin kudo të fikura. Herë pas here dëgjoheshin krisma. Drita të zbehta shiheshin në ndërtesën përballë nesh. Aty banonin kryesisht oficerët e armatës dhe policët. Një puhizë e lehtë i shushuriste lulet tona në ballkon, që ishin për gjysmë të thara. Ato do të vyshken me ne. Ka javë që nuk i ka ujitur njeri! Thjesht ato nuk ishin më pjesë e jetës sonë. Vështrova lart në qiell dhe nisa të lutem. Me kokën e ngritur dhe lotët që më rridhnin faqeve përveç perëndise luta edhe Nënë Terezën. 

" O perëndi" , ku je ? Vallë nuk sheh këtë vuajtje, këta lot, këtë mjerim të fundbotshëm! Oh perënd…"

" Eja brenda ", më ndërpreu babai, "eja vogelushja ime" ! E pash në sy dhe dridhesha. Sytë e tij ishin të mbushur me lot. Më përqafoi për t´i fshehur syte. E dëgjova shtrëngimin e dhëmbëve. Luli, vëllai im i vogël, vrapoi shpejt dhe e zuri babin në këmbë. U shtrimë në divan dhe nuk folëm me njëri tjetrin. Lulin e zuri gjumi mes nesh. Tash e disa jave flemë të veshur dhe me këpucë.

"Më vjen keq për librat ", tha babai me zë të ulët dhe hodhi një shikim rafteve përplot. Unë nuk thash asgjë, madje nuk e dija më se për çka më vinte keq, e për çka jo! Ai mund të thoshte çfarë të dojë, unë shihja para dere apokalipsin, fundin!


Nuk mund assesi ta merrja me mend se diku në botë të rinjtë e moshës sime argëtoheshin diku me muzikë dhe drita neoni. Ne i mbyllem sytë dhe bëmë sikur po flinim. Përjashta bërtiste një njeri me altoparlant: “NATO nuk do të ketë guxim, dëbimi duhet të përfundojë…pa dhimbje, pa mëshirë…kjo është mundësia jonë historike…!" Nga lagjet tjera gati ishin dëbuar të gjithë. Çdo ditë na vinin lajme trishtuese. Unë mundohesha të mendojë në ditë të mira dhe sillesha herë majtas e herë djathtas. Gjumi nuk më zinte. Herët në mëngjes u dëgjua oshtima e rrotave të makinave të blinduara. Policë, ushtarë dhe paramilitarë zbritnin nga kamionët ushtarak. Radhën e kishin ne!


vazhdon -duhet perkthyer


U botua te

Fjala e Lire

Albshkenca

Zemra Shqiptare