11.01.2009

Kosova, kaosi i organizuar me qëllim - keqtrajtim psikik i shqiptarëve

I - Kosova nuk do të kthehet në gjendjen e viteve te 90

Konstatimi dhe përsëritja e kësaj pike duket banale, sepse në një gjendje te tillë jo që nuk mund te kthehet më, por nuk ka askush që mund ta financojë një rikthim të tillë, natyrisht kur kemi parasysh financimin e madh të administratës së Klintonit për ta çrrënjosur atë gjendje ku ne tani nuk po u dashka të kthehemi dhe gjoja për këtë do të kujdeset dikush. Por meqenëse është banale, pse po përsëritet koj pa pra? Kjo përsëritet për tu thënë shqiptarëve: “ Shikoni, ne po luftojmë akoma në dobi tuajën!”
Një kthim i tillë është thjesht i pamundur, sepse do të kërkonte një revizionim të politikës amerikane dhe asaj evropiane dhe do të kërkonte një Hitler në Amerike dhe një Hitler tjetër ne Evropë. Vetëm me dy Hitler mund te justifikohet kthimi i shqiptarëve në gjendjen e Milosheviçit dhe mu në atë çast Milosheviçi do të duhej të lirohet urgjentisht dhe të shpallet hero serb, madje edhe evropian dhe t´i jipet Çmimi Nobel për paqe, siç iu pat dhëne një racisti dhe nacionalisti serb Çmimi Nobel për letërsi. Meqenëse një mutacion dhe metastazë e tillë hitleriane është tërësisht joreale, atëherë përsëritja e këtij slogani demagogjik nuk bën përshtypje te shqiptarët, por u bën me tepër përshtypje atyre që këtë e prononcojnë; atyre që u mungojnë zgjidhjet konkrete ( janë politikisht të ngulfatur dhe u mungojnë kompetencat ) dhe atyre që mendojnë se shqiptarët janë naiv dhe kënaqen me pohime gati perverse. Ky pohim e ripohim i moskthimit në të kaluarën është pervers, sepse për këtë moskthim janë flijuar mijëra njerëz, është investuar shumë, tepër shumë...

II- Kosova nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë vend tjetër fqinj

Kosova nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë vend të Ballkanit, si psh. : Maqedonia, Mali i Zi apo fundi fundit edhe Shqipëria. Me këto dy të parat nuk bën të bashkohet sepse ua prish strukturën kombëtare dhe këto dy kombe të reja mund të asimilohen dhe shkrihen në shqiptarë, respektivisht përqindja e tyre bëhet aq e vogël sa do të dukej qesharake posedimi i shtetit nga një komb me aq pak banorë. Mirëpo vetëm një mundësi bashkimi nuk e përjashtojnë: Kosova mund dhe nuk do të ishte keq nëse bashkohet me Serbinë. Jo me Maqedoninë ku ka shumë shqiptarë, jo Me Malin e Zi ku ka shumë pak banorë e me dy milion shqiptarë do të bëhej pak më i madh, jo me Shqipërinë që do t´ishte më se e natyrshme, por ne mund dhe nuk do t´ishte keq nëse bashkohemi me Serbinë, dhe kjo gati gati na rekomandohet, sepse Serbia gjatë luftës ka dëbuar vetëm diku gjysmën e shqiptarëve, ka djegur dhe rrënuar vetëm diku më shumë se 100.000 shtëpi dhe ka dhunuar vetëm diku mbi 20.000 gra kosovare, edhe pse kanë pasur mundësi t´i dhunojnë gati të gjitha, edhe pse kanë pasur mundësi t´i vrasin mbi 100.000 ata i kanë vrarë diku vetëm 13.000, madje ata kanë mundur t´i dëbojnë te gjithë kosovarët, por nuk e kanë bërë dhe meqenëse nuk i kanë bërë gjithë ato që kanë mundur dhe nuk i kanë bërë, atëherë nuk është keq që të bashkëjetojmë dhe t´i falënderojmë që nuk na dogjën të gjithëve, por disa. Ja këto ishin arsyet se pse duhet te mbetemi me Serbi, madje dashurinë e tyre dhe respektin ndaj neve e dëshmojnë edhe me kthimet sporadike te kufomave tona, here pas here, çdo muaj, javë për javë, çdo çerek viti, kështu thjesht për të treguar se kanë respekt ndaj neve. Kjo mund të përkthehet edhe ndryshe: sa herë që dëshirojnë të na irritojnë, tolerojnë bartjen e disa kufomave ose sa herë që na kanosen, urdhërojnë transportimin e kufomave të grabitura!


III- Problemi i Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis
Nëse serbet pengojnë pavarësinë e Kosovës, ata do ta kenë tmerrësisht vështirë në Kosovë.
Vetëm shqiptarët janë në gjendje ta garantojnë sigurinë e serbëve

Problemi i Kosovës duhet të zgjidhet me dialog thonë të mëdhenjtë, dhe ballkanasit e vegjël, që, shpresojnë se do të marrin ndihmë sociale nga Perëndimi, tundin kokën në shenjë pohimi. Ky pohimi i jonë dhe kjo harmoni e pakusht nuk i habit perëndimorët sepse ata mendojnë se në fund ne do t´i përkulemi urdhrave të tyre. Ata nuk e dinë se kokat tona ballkanike tunden edhe për pohime, edhe për mohime; madje kokat tona tunden njëkohësisht edhe për pohim edhe për mohim.
Dhe nëse problemi i Kosovës zgjidhet me dialog dhe Kosova nuk bëhet e pavarur, por një eksperimentim republikan në kuadër të Serbisë, atëherë këtë do ta paguajnë serbët e Kosovës sepse shqiptarët fajtorin do ta gjejnë te ata. Dhe nëse bota vendos për një opsion të tillë, atëherë kthehemi për nja 20 vite pas. Kjo mund të quhet përsëritje historike me personazhe të reja, por me pasoja të njëjta: diskriminim politik të shqiptarëve! Kjo mund të quhet edhe zhvendosje e problemeve prej shekulli në shekull, por paqe nuk do të ketë.
Të themi se shqiptarët nuk do tu hakmerren serbëve, atëherë shtrohet pyetja ku do të punësohen serbët dhe me kë do të punojnë? Cili shqiptar apo ndërmarrje shqiptare do të punësonte serb që luftojnë kundër ardhmërisë së shumicës? Mund të shtrohen edhe qindra pyetje tjera, të cilat katërçipërisht tregojnë për pasojat që do t i pësojnë serbët nëse Kosovës i shkurtohet fati i ardhmërisë vetëm për shkak të tyre. Nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë serbët mund të përfitojnë më shumë sepse shqiptarët duhet të kujdesen për mirëqenien e tyre. Beogradi këtë nuk mund ta bëjë kurrë, por vetëm se do tu shkaktojë probleme, edhe atyre, edhe neve, siç ka bërë që nga viti 1912. Nëse serbët me 10 % popullsi mund ta pengojnë pavarësinë e Kosovës, çka mund të bëjmë ne me 40% në Maqedoni? Ose, nëse mbetemi në Serbi, a kemi të drejtë t´ia mohojmë shtetësinë Serbisë dhe këtë Serbi ta bashkojmë me ndonjë vend tjetër? Do të jemi më shumë se 10%! Dhe praktikisht duhet të kemi më shumë peshë se sa ai grusht serb që gjendet në Kosovë.

IV - Kush dëshiron të jetojë me serbët në Ballkan ? - Shteti serb urren shqiptarët, por dëshiron ta imponojë bashkëjetesën!

Me serbët nuk dëshiroi dhe nuk dëshiron askush të jetojë vullnetarisht, madje as serbet jashtë Serbisë, mirëpo në anën tjetër po shqyrtohen mundësi të ndryshme si ta krijojnë një modus vivendi në mes shqiptarëve dhe serbëve. Dy kundërshtarët më të mëdhenj dhe armiqtë e shekullit duhet të detyrohen të jetojnë së bashku. Kjo ishte njëra anë e medaljes. Serbët i kanë treguar ish-Jugosllavisë me dekada rresht se ata i duan shqiptarët vetëm të nënshtruar dhe në rolin e skllavit, në fund të viteve të nëntëdhjeta i treguan edhe botës se neve as si të nënshtruar nuk na dojnë, por vetëm të vdekur edhe atë të varrosur nëpër Serbi, në mënyrë ilegale. Dhe me varrmihësit e shqiptarëve duhet shqiptarët të jetojnë. Këtë e ëndërron dikush, për këtë luftojnë pinjollët e Milloshevicit. Dhe kjo ishte ana tjetër e medaljes, pra perversioni i një modus vivendi! Për të bashkëjetuar duhet nisur një procedurë pajtimi, mirëpo kjo kërkon disa parakushte!

V- Kush ndihmon Serbinë me argumente antishqiptare ? Në mars turmat e pakënaqura janë drejtuar nga oficeret e UDB-s

Serbia edhe nëse nuk ka argumente valide, validitet të argumenteve antishqiptare u ofrojnë: kriminelet shqiptarë,të cilët janë kryesisht analfabetë dhe me qëndrim antikombëtar, shumë herë madje edhe bijë te spiunëve të UDB-s. Një grup i tillë ka humbur shumë privilegje, dhe tani nuk i han palla si ta fitojë respektin. Ky grup ka luajtur rol vendimtar edhe ne djegien e kishave ne marsin e vitit ta kaluar. Dhe kjo është bërë me urdhër nga Serbia. Një shqiptar nuk do ta ndizte kurrë një kishë, kishën të cilën e ruan një francez, gjerman apo italian, e që të tre janë të pagëzuar në një kishë diku. Dhe për të tre është tragjike të shohin se si digjet një vend i shenjt. Kjo ishte e mirëseardhur për serbët dhe botës iu mbush mendja se ne mund të jemi edhe më të keq se serbët, nëse kemi forcë. Se ishte e mirëseardhur kjo për serbët e tregon edhe qëndrimi i tyre zvarritës ndaj rindërtimit te këtyre kishave të dëmtuara. Për korrupsion nuk duhet shkruar shumë se për këtë kanë njohuri krejt shqiptarët në Ballkan, maqedonët, malazezët, serbet, bullgarët, grekët dhe turqit, vend nga i cili ka ardhur ky bakshishmentalitet. Në këto vite pas lufte shihet një aktivitet i dendur edhe i hoxhallarëve dhe simpatizantëve të tyre. E për në internet të mos flasim për përralla se “muxhahedinët një ditë do ta çlirojnë Romën prej katolikëve” dhe perversione tjera... Shkollat janë në gjendje të mjerueshme, të sëmurët psikik janë në gjendje të mjerueshme, njerëzit me aftësi të kufizuara, invalidët e luftës…spitalet nuk kane aparaturë të nevojshme, për infrastrukturën të mos flasim fare, kompjuterët nëpër shkolla bile nuk duhet t´i përmendim, mirëpo me nga 3000 Franga apo 3000 Euro shkohet në Haxh, gjersa gjendja në vendlindje është e mjerueshme.

VI
Lëmosha e kalkuluar ose keqtrajtimi psikik i shqiptarëve – pse fasulja krijoi kombe te reja sllave ne Ballkan?

Kur flitet për statusin përfundimtar duket sikur për neve mund të vendosë e tërë bota, pos kosovarëve. Madje atë që na ofrojnë e bëjnë disi sikur kur i jepet diçka lypësit si lëmoshë dhe nga ai nuk presin gjë, pos falënderimit. Ata janë mësuar të na diskriminojnë, dhe si duket po përgatiten ta rekapitulojnë diskriminimin e fundit: Në Ballkan u krijuan shumë kombe sllave, dhe dallimet në mes këtyre kombeve shpesh herë janë banale: groshën e bëjnë ndryshe, dhe pikërisht mosrespektimi i kësaj riçete ka krijuar kombe të reja te sllavët në Ballkan, pra çdo komb që pati fantazi ta bëjë gati fasulen ndryshe, fitoi jo vetëm të drejtën për tu konsideruar komb, por krijoi edhe shtetin, ndërkaq ne si josllav, nuk na trajtuan në Maqedoni si serbët në Bosnjë, por në kundërshtim me ligjet evropiane për pakicat konkluduan tolerimin e diskriminimit, madje edhe atë të hapur dhe thanë: Nëse jeni me pak se 20 % bën të diskriminoheni! Në Serbinë Jugore nuk mund të trajtoheni si serbet në Mal të Zi, dhe në Kosovë do të trajtoheni ndoshta si serbët në Bosnjë. Të rikujtojmë se Republika Serbe në Bosnjë është rezultat i i një gjenocidi dhe historikisht e pabazë! Pra një Republikë Kriminale dhe e ndërtuar mbi kufoma boshnjake! Kosova në anën tjetër ka edhe faktorin historik dhe juridik! Mirëpo edhe pse aq shumë viktima, edhe pse aq shume djegie, edhe pse deportime masive, edhe pse dhunime edhe pse urrejtja u shpreh në mënyrë më barbare, përsëri nuk merret guximi nga politikanët e fuqive të mëdha dhe të thuhet: ky popull e meritoi të jetë i pavarur. Jo ata këtë nuk e thonë, por po bëhet pazar jevgësh dhe thuhet herë pavarësi të kushtëzuar, herë autonomi dhe asgjë konkrete. Ky popull nuk e meriton të luhet me të në këtë mënyrë. Ne nuk dëshirojmë pavarësi të kushtëzuar, por shtet sovran. Nëse Kosova nuk bëhet e pavarur, atëherë nuk mbetet gjë tjetër pos ribashkimi i kombit! Dhe kjo nuk guxon assesi të synohet me luftë, por vetëm me një organizim cilësor dhe padëgjueshmëri qytetare, kolektive. Kështu ndoshta mund të dalim qëllimisht nga kaosi i organizuar me qëllim.

Janar 2006
U publikua ne gazeten "Sot", "Shkodra", "Albanianmail",
Shqip.dk
frosina
Albshkenca

Keine Kommentare: