11.01.2009

Nëpër Ballkan – Drejtësia dhe prapavija


U ekzekutuan mijëra njerëz: fëmijë, pleq e plaka. U dhunuan mijëra gra dhe u dogjën mijëra shtëpi. U përdhosën mijëra kufoma...U dëbuan qindra mijëra nga shtëpitë...
Në Gjermani nëse ngulet një gozhdë me çekan në kohën e pushimit, fqinji denoncon tjetrin për prishjen e qetësisë...
2.
Turqia u përpoq pesëqind vite rresht ta shndërrojë Ballkanin në Azi, tani po mundohet me çdo kusht të bëhet vet Evropë. Disa burra kryelartë dhe krenarë kuptojnë peshën e humbjes vetëm pas divorcit.
3.
Serbia nuk dëshiron bashkëjetesë me shqiptarët dhe Kosovën. Kosovën e ëndërron si pre në strajcë pas shpine të gjuetarit, ku lepurit i shihen vetëm veshët e varur, por jo koka dhe këmbët.
4.
“ Me një ligj në statut duhet ta ndalojmë aderimin në Partinë tonë të kriminelëve, kontrabandistëve dhe shitësve te drogës!”
“ Atëherë mos nxito me këtë propozim, tani nuk kalon dot, pikësëpari duhet ta ndërrojmë kryesinë e Partisë!”
Pas dy javëve e përjashtuan nga partia. Arsyetimi: “...po përgatiste sabotimin e luftës kundër krimit!”
5.
Për tu bërë profesor Universiteti në Perëndim, kandidati duhet te këtë botuar shumë libra me vlerë. Në Ballkan mjaftojnë disa artikuj nëpër gazeta! Madje as drejtshkrimi i gjuhës amtare nuk është kusht i domosdoshëm...
6.
Nëse vdes një pacient gjatë operacionit, nuk i ka fajet kirurgu, por rryma. Pacienti duhet të mbushet me rrymë, si telefoni, para se të dërgohet në spital.
7.
Presheva është komuna e vetme në Evropë me rreth 40.000 banorë pa spital.
Serbia garanton vdekjen vëllazërim-bashkim me serbët në Vrajë, rreth 45 Km larg. Partitë tona politike dhe patriotike luftojnë atje për Skupshtinën në Beograd.
Serbia investon në komuna të reja në Kosovë.
8.
R.Qosja sulmoi Kadarenë për bashkëveprim në stalinizëm.
Si mban titullin libri i R.Qosjes ku kritikonte ai ashpër stalinizmin si sot?
Nuk e shkroi, nuk e bëri këtë, sepse respektoi parimin e mospërzirjes në punët e brendshme të shtetit fqinj! Dikush tha se nuk ka dashur të përzihet në punët e brendshme të I. Kadaresë. Sa objektiv!
9.
Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mësohet në shkolla edhe feja. Serbia është demokratizuar dhe është bërë tolerante. Në libërthin që përdorin nxënësit shqiptarë të moshës 7 vjeçare, në faqen tetë gjendet një flamur me sfond të gjelbër dhe gjysmëhënën, përpara tij një çupë me shami në kokë e cila thotë: “Ky është flamuri im!”
Në faqen e dytë:”Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Serbisë me aktvendimin nr. 650-02-51/2001-02 prej 21.09.2001 e lejoi botimin dhe përdorimin e këtij libri për klasën e parë të shkollës fillore. Për botuesin: R.Petkovic, kryeredaktor përgjegjës,P. Pijanovic. “
Faqe interesante për arabët dhe amerikanët, varet se ku donë të thithë Serbia. Pas disa viteve librit mund t´i shtohet edhe një faqe: Vigjilenca e shtetit serb ndikoi që...

Keine Kommentare: