Ti ke 37 parti politike, që mendojnë se duhet të ekzistojnë dhe 19 iniciativa qytetare, që mendojnë se nuk janë të kënaqura me ekzistencën e partive dhe paraqiten si mendim alternativ. Ti ke edhe 16 kandidatë të pavarur, që nuk janë të kënaqur as me partitë politike, as me iniciativat qytetare. Kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare flasin për zhgënjimin me punën e partive. Ata shpresojnë t´i zëvendësojnë klanet partiake!
Kosovë, Ti ke 36 komuna dhe 37 parti politike, domethënë pak më shumë se një parti ke për çdo komunë.
Nëse llogariten partitë politike dhe iniciativat qytetare, atëherë së bashku janë 56 grupime që luftojnë për votuesin, aq sa nuk ke komuna, shkurt e shqip këta luftojnë për veten! Po nëse numrit 56 i shtohen edhe 16 kandidatë të pavarur, atëherë Kosovë ti ke politikan edhe për Maqedoninë, edhe për Shqipërinë dhe lirisht mund të thuhet se ke potencial politik për ta mbuluar dhe qeverisur Ballkanin, ndoshta edhe më gjerë, pse jo, dëshira e madhe, pasioni për politikë dhe entuziazmi nuk mungojnë.
Kosovë, Ti ke ftuar në zgjedhje 1.563.741 qytetarë.
Rreth gjysmë milioni mund të supozohet, ndoshta më shumë, jeton jashtë shtetit dhe nuk e kanë ndërmend të votojë asnjë bukurosh partiak atje. Për të votuar mbeten një milion banorë.
Nëse këtë milion e shpërndajmë në 56 qendra politike ambicioze, atëherë rezulton se në Kosovë për togë politik apo qytetarë mund të votojnë 17.857 qytetarë, natyrisht nëse dalin në votime. Nëse dalin vetëm gjysma, atëherë për parti politike dhe për iniciativë qytetare mbeten 8.928 qytetarë. Nëse këtyre grupimeve u shtohen edhe 16 kandidatë të pavarur, atëherë për parti, iniciative qytetare dhe kandidat të pavarur nga një milion e gjysmë votues u mbeten 6.944 votues.
Kosovë, Gjermania ka rreth 323 rrethe administrative ( qytetit me fshatra përreth ) dhe 12.234 komuna. Sipas filozofisë së bajraktarëve tu, Gjermania duhet t´i ketë nja 323 parti apo sipas numrit të komunave 12.234 parti politike dhe nja 6117 iniciativa qytetare dhe diku 5000 kandidat të pavarur. Kina ka vetëm një parti për përafërsisht një miliard e 300 milion qytetarë. Ti ke 37 parti!
Vetëm koha mund të tregojë, edhe sa parti do të formohen. Kur një populli të vogël i prezantohet 37 të vërteta nga partitë politike, 19 të vërteta nga iniciativat qytetare dhe 16 të vërteta nga kandidatët e pavarur, atëherë ai popull për t´i ikur presionit politik, trysnisë, propagandës, agjitacionit dhe sugjestionit të llaskuçëve, atëherë ai popull nuk ka rrugëdalje tjetër, pos të rrijë në shtëpi dhe t´i shikojë në televizor fituesit me keqardhje e mëri, humbësit me rezignacion e habi.
Humbësi atje nuk do ta pranojë dështimin si sinjal për të bërë ndonjë punë më të mirë në dobi të vendit, por do t´i akuzojnë fituesit dhe do të ankohen se populli nuk i kuptoi, nuk patën lekë për publicitet, se edhe këtë herë u mashtrua populli nga matrapazët! Ata do të premtojnë se herën tjetër do t´i afrohen më shumë popullit, do të ushtrojnë propagandë më agresive dhe do t´i shpjegojnë më thjeshtë qëllimet e tyre, sepse populli nuk i ka kuptuar...
Kështu ata do të gjykojnë dhe kështu ata do të përligjin ekzistencën e tufave politike dezorientuese! Fajet nuk i kanë bajraktarët, por media që shpesh interviston apo merr mendime edhe nga ata që kanë aq anëtarë, sa mund të futen në një odë të burrave!
Si duket papunësia detyron njeriun të formojë parti politike!
https://www.shekulli.com.al/2009/11/17/degjo-kosove.html
https://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=75752
gazetakritika.net
zemrashqiptare.net
alb-shkenca
tribunashqiptare.com
art-cafe
fjalaelire.com
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen