Kur stjuardesa pyeti se cilin senduiç parapëlqeja, u mendova ca dhe zgjodha një me proshutë, edhe pse nuk kisha uri. Mund të jetë i fundit, thash me vete. Edhe informatat për përdorimin e xhaketës së notit në rast tokësimi në det, më saktë, në rast detësimi, sigurisht se nuk bëhen pa arsye. Pyetja shtrohet se në cilin det: në Detin Jon apo në Detin Adriatik. Ndoshta duhet edhe të notojmë, ky është mesazhi, po si të dilet jashtë, nga cila plasë, kjo është pyetje e madhe.
Njeriu duhet t´i besojë çdo kablloje dhe çdo buloni, çdo dadoje në trupin e fluturueses, ndryshe të kaplon ankthi. Madje, duhet t´i besosh edhe pasagjerëve se nuk ndezin celularin. Jo siç bënte një djalosh duke fotografuar retë me celular dhe duke e fshehur kur kalonte stjuardesa. Pas qortimit të pasagjerit pranë, e fiku. Nuk dihet kurrë, ndoshta në avion gjendet edhe ndonjë që nuk i gjallohet më dhe donë t´i marrë me vete edhe “krushqit”.
Në aeroportin e Prishtinës sjellja ishte korrekte, më e mirë se para tre viteve. Me taksi vazhduam rrugën dhe lehtë vërehej mungesa e punës së administratës në lagjet e reja. Prania e shtetit shihet më shumë në televizor se në vepër: shtëpi të ndërtuara në mes të arës apo në maje të kodrës. Rrugë të ngushta, por as ai majtas, as tjetri djathtas, nuk lëshon një metër më shumë për ta zgjeruar rrugën. Bërlloku para dyerve dhe nga buretë e mbushura del tymi. Në Gjermani një shqiptar pat paguar shtatëqind euro pse kishte ndezur një gomë; ardhja e zjarrfikësve pa nevojë duhej paguar dhe, e pagoi duke sjellë kokën për mungesë demokracie.
Ndërtim kaotik. Trafiku kaotik. Ara të shndërruara në livadhe dhe me pemët e perimet që vijnë nga Serbia e Turqia. Kosova bën sefa dhe nuk merret vesh, kush paguan, kush hanë. Dihet, mirëpo, se në Perëndim shqiptarët dërgojnë gratë e tyre të bëjnë punë të rënda, që nuk i bëjnë të tjerët, për të fituar më shumë: duhet dërguara para në shtëpi atyre që nuk punojnë tokën. Fëmijët shesin cigare nëpër rrugë, lypësit kërkojnë lëmoshë...
Përndryshe në Kosovë asgjë të re. Mungojnë vetëm 80 milion euro nga buxheti i shtetit dhe akuzohet ministri Limaj. Ai është nën hetime nga EULEX. Ministri nën hetime, por kjo nuk është damkë te ne, edhe kundër Sali Berishës procedohet. Edhe atij i kushtoi rruga më shumë se në Gjermani, por u harrua. Ai për të ndërtuar dialog më të mirë me opozitën, ua shau nënën! Vjedhja në Ballkan nuk konsiderohet vjedhje, por marrje. Në Gjermani dëbohen nga puna edhe për marrjen e padrejtë të 50 centëve. Te ne, kur akuzohet dikush, e përjetojnë si viktimizim, po ia ngjisin, po e akuzojnë padrejtësisht...
Këto përshtypje janë krijuar në kohën e Jugosllavisë dhe, edhe me ndërrimin e rendit, përsëri i besohet këtyre bindjeve fikse. Risi tjetër në Kosovë kishte edhe për një tender dhe dëmtim të buxhetit kosovar me tetë milion euro në dobi të Serbisë, ku blihet rryma. Marrëveshjen e paska nënshkruar kushëriri i kryeministrit Thaçi. Risi tjetër në Kosovë ishte se kryetari i Gjykatës Kushtetuese ia kishte sharë“nanën” njërit me sms duke iu kërcënuar. Kërcënuesi është doktor i shkencave, ish dekan dhe përsëri mbetet kryetar i Kushtetueses. As taksisti nuk e kuptonte këtë. Sigurisht i takon rrjetit, klanit, strukturës tribale dhe nuk mund të largohet nga vendi i punës...
Në dalje nga Kosova kufiri kalohet pa pengesa të mëdha dhe disa minuta më vonë arrihet në kufirin e Serbisë, ku qëndrojnë dy shqiptarë dhe një serb në një zyrë të improvizuar me një kompjuter. Pak më larg ushtarë serb. Aty një plake shqiptare i ndalohet hyrja në Serbi. Pikësëpari duhet të futet në Maqedoni, sepse është qytetare maqedone, e pastaj mund të hyjë në Serbi, në Preshevë, për ta vizituar vëllanë, që qenka duke vdekur. Plaka qanë dhe lutet. Po të mos ishte serbi këtu, i thotë shqiptari, do të kishim lejuar, por tani nuk guxojmë ta bëjnë këtë. Plaka e kupton.
Në makinën ku gjendej ajo ishte edhe një zonjë me një foshnje. Plaka zbriti nga makina dhe u ulë mbi një gurë në skaj të rrugës. Taksisti i premtoi se pas një ore, pasi ta ketë dërguar zonjën me foshnjën në Preshevë, do të kthehet dhe do ta kalojnë kufirin nga Maqedonia: përsëri Gjilan, pastaj Ferizaj, pastaj Shkup, pastaj Kumanovë dhe më në fund Preshevë. Nga Kroacia qytetarët e Maqedonisë mund të hyjnë në Serbi, por jo nga Kosova. Në vend të përafërsisht 15 kilometrave, plaka u detyrua t´i bëjë mbi 100.
Me të hyrë në Preshevë, u ndala në komunë të përshëndes një mik nga studimet dhe të informohesha pse shqiptarët nga Maqedonia nuk mund të hyjnë në Preshevë pa shkuar në Maqedoni. Pasi më ofruan kafe, tri herë pyetjes nuk iu përgjigj askush, por më bënë të ditur se Serbia po përpiqet t´i plotësojë kushtet për BEE-n dhe se administrata kontrollohet çdo tre muaj. Aty shihej se shqiptarët e kishin marrë detyrën seriozisht dhe po respektonin rregulloret më shumë se serbet. Serbet herë pas here bëjnë lëshime, natyrisht pas 50 eurove.
Në Preshevë ekziston një godinë ku duhej hapur akusheria, mirëpo pushteti serb nuk lejon, sepse Vranja nuk pajtohet. Natyrisht se nuk pajtohet. Në Vranjë shqiptaret paguajnë. Duhet të paguajnë sepse burrat e tyre as nuk janë të përkushtuar e as nuk dinë si hapet një akusheri. Kryetari i Preshevës ka ndërprerë kontaktin me ambasadën amerikane, thotë një arsimtar. As investitorë privat, nuk ka. Nënat shqiptare për lindje u mbetet të shkojnë në Gjilan ose në Vranjë, as në Bujanoc nuk ka akusheri.
Pesëdhjetë kilometra larg me dhimbje për të arritur deri në Vranjë. Nga fshatrat edhe më larg. Nuk dihet sa gra kanë lindur në makinë. Vranja ka një spital si kampet e Hitlerit në L2B dhe kudo në korridor papastërti e madhe dhe në një qoshe të korridorit mbathje me jashtëqitje. Muret e ndyta, dyshemetë e ndyta dhe aty edhe i shëndoshi, mund të sëmuret. Kush ka dëshirë të bëjë vetëvrasje, mund lirisht të shtrihet në atë spital ku duhet të lindin nënat shqiptare apo të mjekohen shqiptarët. Era e keqe ndjehet para se të hyhet në spital. Nënat shqiptare aty paguajnë edhe pse janë të siguruara, ndryshe u japin ushqim që nuk e hanë as qentë apo nuk trajtohen si duhet. Disa ditë në spital dhe qindra euro në xhepat e infermiereve dhe mjekëve serb të mundësojnë deri diku trajtimin njerëzor. Edhe kështu Serbia përgatiten për të hyrë në Europë, duke getoizuar shqiptarët.
Për sëmundje më të rënda dërgohen në Nish. Në Preshevë janë ndërtuar dy xhami të reja me tri minare, Serbia e lejon këtë dhe me to krenohet para vendeve muslimane se po bën çdo gjë për t´i dërguar shqiptarët në parajsë, nëpërmjet spitalit të Vranjës, që shpejton procedurën. Për lindjen e nënave shqiptare kujdesen mjekët serb. Ata që kanë lekë, ikin në Gjilan.
Presheva duket si një paralagje e Kalkutës, kishte një kioskë ku mund të blihen gazetat shqipe. Duhej të punonte nga ora 07:00 - 15.00, por ishte e mbyllur. Pak më poshtë një librari majtas, një djathtas. Majtas libraria kishte dy libra mbi masakrat serbe gjatë L2B dhe fletore e lapsa. Djathtas asnjë libër, pos dy a tri librave shkollorë dhe shumë lapsave e fletoreve, nuk kishte gjë tjetër. Nuk mund të akuzohen pronarët e shitoreve, ata janë tregtarë dhe kanë interes të shesin edhe libra, por raftet e zbrazura tregojnë se diku mbi 30 mijë banorë, nuk ndjejnë nevojë të lexojnë ndonjë libër.
Makinat të parkuara majtas e djathtas në trotuar flasin për mir̶ëqenie, 1.30 Euro një litër benzinë. Celularët më të ri dhe moda flasin për mirëqenie, por nuk është kështu. Paratë vijnë kryesisht nga Perëndimi dhe Presheva mbetet ashtu si ishte në mbarim të shekullit XIX. Atëherë ishte sa Kumanova. Apo Kumanova ishte sa Presheva. Sot nuk mund të krahasohen. Serbia nuk ka investuar në kohën e Jugosllavisë, nuk investon as tani. Kumanova është rritur dhe ndërtuar, ka më shumë sllav se në Preshevë. Atëherë Presheva kishte 30 mijë banorë, pas më shumë se 120 viteve ka diku 35 mijë, por mendohet, nuk dihet dhe nuk i intereson askujt, rreth 15 mijë punojnë në Perëndim. Kosovës nuk i intereson më Presheva, që dikur me traktorë dërgonte miell drejt saj...
Vazhdohet rruga drejt kufirit me Maqedoninë dhe, edhe aty shqiptarë në kufi dhe disa maqedon në zyrë. Kufiri Gjilan Preshevë mbrohet nga shqiptarët e Gjilani dhe nga shqiptarët e Preshevës me serb pranë. Kufiri ndërmjet Preshevës dhe Kumanovës kontrollohet nga shqiptarët e Preshevës me disa serb në kompjuter dhe shqiptarët e Kumanovës me disa maqedon nëpër zyre. Në Preshevë, si edhe në Kosovë, bien në sy xhamitë e reja (mbi 600 pas lufte shkruante një gazetë shqiptare e Kosovës) dhe shkollat në gjendje të mjerë, minaret që i drejtohen qiellit si raketa, thua se me to mbrohen vendi. Serbet zakonisht i tregojnë botës perëndimore fotografitë e xhamive të reja dhe kishave të rrënuara në Kosovë.
Në Kosovë e Luginë pak ndryshime, po ato gropa nëpër rrugë, po ajo mendësi, kishin ndryshuar telenovelat, dikur ishin kryesisht amerikane, tani kishte edhe turke...
Në Gjermani shihen kisha të vjetra dhe shkolla të reja apo të furnizuara mirë, me nga 18 deri 24 nxënës. Te ne xhamia me dhjetëra veta të premteve, gjashtë ditë tjera e zbrazët, kurse klasat me mbi 30 nxënës, ku shkohet pesë ditë në javë, para dite dhe pas dite, në dy turne sepse mungojnë ndërtesa shkollore. Kisha rrallë ndërtohen në Perëndim, sepse shumë njerëz lexojnë Biblën në shtëpi dhe nuk kanë nevojë ta dëgjojnë priftin duke lexuar...
Kumanova. Edhe këtu xhami të reja dhe shkolla të mjera. Gjimnazi me klasa të stërmbushura xhamitë gjashtë ditë të zbrazëta! Në Kumanovë ekzistonte një panik nga vjedhja e fëmijëve për marrjen e organeve. Një fëmijë e kishin gjetur të prerë, pa organe. Në Shkup përlahen për ndërtimin e kishave dhe xhamive dhe ndërtimin e përmendoreve; një tension dhe përleshje në baza bizantino-osmane. Luftë për të kaluarën. Shumë shqiptarë si edhe para lufte nuk kanë shtetësinë e Maqedonisë edhe pse në koalicion gjenden edhe shqiptarët.
Maqedonët zvogëlojnë numrin e shqiptarëve duke u refuzuar shtetësinë, duke i asgjësuar elektoratin shqiptar. Në Shkup asgjë e re, nëse nuk mund të konsiderohet risi magjistrimi i njerëzve, pas moshës 50 vjeçare, që patën blerë diploma fakulteti në Prishtinë pas luftës.
Taksisit më tha se së shpejti do të plasë një kryengritje në Maqedoni. Të nesërmen policia maqedone vrau katër shqiptarë. Ministri shqiptar nga Kosova vrapoi t´i kërkojë ndjesë Shkupit për vrasjen e shqiptarëve nga policia maqedone. Vazhdon drejt Strugës dhe Pogradecit dhe edhe këtu shqiptarë këndej e shqiptarë andej, ruajnë kufirin ndërmjet qyteteve shqiptare.
Në Tiranë çadra. Opozita në Shqipëri bën grevë urie, por Saliut nuk i bëhet vonë nëse vdesin deputetet e opozitës. Edhe nëse vdesin të gjithë, ai do të thotë: “ Ne jemi vend demokratik, vdekjen nuk mund ta ndalojmë, as për ne, as për socialistët!” Ai nuk u brengos për bombardimin e Gërdecit dhe ministri, që lejoi bombardimin e fshatit dhe rrethit, në vend se të jepte përgjegjësi, qeraset me pozitë tjetër dhe tani është ministër i mjedisit, sepse ai e din më së miri si bombardohet ambienti.
Nëse në krye të Vatikanit vjen një hoxhë i konvertuar në katolik, do t´i niste kryqëzatat, sepse ai ndjehet i obliguar t´i urrejë specien e vet dhe për të treguar se është vërtet katolik, detyrë do ta ketë urrejtjen muslimanëve. Nëse në krye muslimanëve vihet një prifti i konvertuar në hoxhë, do ta bënte të njëjtën punë, të njëjtin zullum, për t´u treguar i penduar dhe kompatibël me kopenë e re. Deri sa në krye të Partisë Demokratike të kemi një konvertit nga komunisti stalinist në demokrat, do ta kemi këtë gjendje të nderë, që kemi sot, por nuk mund assesi të kuptohet anëtarësia e PD. Në një parti të vërtetë demokratike as Jezu Krishti nuk do të kishte fituar aq shumë vota sa Sali Berisha, gati 100%, as Muhameti, as Buda, as Gandi e as Nënë Tereza, por Saliu po! Ky është tregues për kllapinë kolektive në PD dhe për strukturën stabile fisnore.
Me zbritjen në Bari të vjen vet vetiu një ofshamë çliruese: dole nga kaosi ballkanik.
Para disa javëve në Greqi grekët zemëroheshin e pezmatoheshin pse nuk mund t´i marrin nga 14 rroga në vit edhe pse shteti grek ishte në falimentim e sipër dhe desh e ndezën Athinën. Ata nuk kuptonin pse Europa nuk u falë lekë. Kur Gjermania u godit nga kriza bankare, shumica e qytetarëve ishin për rritjen e tatimeve për ta shpëtuar shtetin. Grekët bënin demonstrata për ta rrënuar shtetin! Ballkan hedepsuz! Ballkan teveqel!
Ballkani është pazar ku blihet çdo gjë: edhe identiteti i ri, pasaporta, fakulteti, vendi i punës, doktoratura, nusja, karriera dhe ku nuk dënohesh as për vjedhje e as për krim! Ballkan zabit! Vend ku edhe tradhtia konsiderohet patriotizëm. Aty kryeministri bën tradhti, por mbetet në pozitë! Anëtarët e PD-s më mirë falin detin, se sa ta zëvendësojnë Berishën me një demokrat të vërtetë.
Gjermani paguan tatim ndershmërisht, sepse pa shtet të fuqishëm, nuk ka jetë të denjë, ballkanasi e vjedh shtetin aty ku mundet dhe nuk brengoset, sepse ballkanasi është i bindur se nëse nuk vjedh vet, vjedhin politikanët në vend të tij...Ballkan hedepsuz! Ballkan teveqel! Ballkan zabit!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen