“Pjesa dërrmuese e votuesve të Albin Kurtit janë analfabetë funksionalë, ngelca!” – A. D., TV Dukagjini
Ne, ‘analfabet funksionalë dhe ngelca’ të diasporës, besojmë se ti njeh vetëm familjen tënde, të afërmit dhe shokët e tu, dhe jo më shumë se 30–40 veta që punojnë në Perëndim, e as jo qindra mijëra mërgimtarë, siç beson ti.
Ti beson se duke zvogëluar të tjerët, rrit veten. Ti beson se bëhesh intelektual duke shpallur të tjerët analfabetë, pa i njohur dhe pa ditur asgjë për ta.
Ne, ‘analfabetët’ e mërgatës, kemi katër arsye për keqardhje: për dijen e paplotë me të cilën braktisni fakultetin, për moszotërimin e gjuhës shqipe, për mungesën e edukatës parësore në shtëpi dhe për nivelin e njerëzve që ftohen në debate televizive.
Po ta them ty në besim, por mos i trego askujt: debatet tuaja televizive i ngjajnë kafeneve me pijanecë. Me rrugaçë!
Ty të nevojitet poshtërimi i të tjerëve për të ngritur vetveten. Neve, jo. Ne jemi mësuar të nderojmë njeriun, jo diplomën, sepse ajo në
Kosovë mund edhe të blihet.
Ne respektojmë dinjitetin e njeriut, nuk e cenojmë dhe nuk e matim vlerën e tij nga vitet e kaluara nëpër shkolla apo fakultete, por nga karakteri dhe sjellja.
Pse?
Sepse as Sokrati, as Aristoteli, as Platoni dhe shumë të tjerë të mëdhenj nuk patën diploma, dhe megjithatë konsiderohen intelektualë të vërtetë; ndërsa sot, shumë veta prezantohen si intelektualë në tv vetëm pse mbajnë një letër, një diplomë, e cila madje mund edhe të jetë e blerë.
Së paku, duke u bazuar në gjuhë, kulturë dhe edukatë, studimi mund të dyshohet seriozisht.
Ata të parët studiohen edhe sot, ose lexohen nga intelektualë të vërtetë, por jo nga të vetëshpallurit.
Fakulteti mund të dhurojë dituri në një fushë të caktuar, por nuk e bën njeriun të dijshëm në dhjetëra fusha të tjera. As intelektual diploma.
Mediokritetet janë në modë, dhe pikërisht për këtë arsye shpesh ftohen njerëz në debate televizive, edhe pse nuk kanë asnjë kontribut të vërtetë intelektual, por prezantohen si ekspertë. Ndoshta edhe ti.
Më e rëndësishmja për njerëz me nivelin tënd arsimor është piskama dhe dhuna verbale, sepse kështu sigurohet ftesa e ardhshme dhe ti mburresh me “intelektualizmin” tënd dhe me ofendimin e qindra mijëra njerëzve jo bazuar në dije dhe vepra, por në paragjykime, sharje dhe urrejtje.
Nga cila pozitë, të lutem? Kush ta jep atë të drejtë? Cila është dija jote, statistikat, numrat që ti i beson si të vërteta për të ardhur në atë përfundim, për të krijuar besim bazuar në sajesa, apo dëshiroje vetëm t’i pëlqeje moderatorit për të ftuar ty herën tjetër?
Sidoqoftë, ne „analfabetët“ e diasporës, që kemi ardhur në vitet ’70 e më herët, si dhe në vitet ’80, i kemi fëmijët mjekë, mjeke, gazetarë, arsimtarë, profesorë fakulteti, arsimtarë, ndërmarrës të suksesshëm, këngëtarë, inxhinierë softueri, muratorë, kamerierë, nëpunës, kuzhinierë, shkrimtarë, madje edhe politikanë.
Ne bëjmë çdo punë, sepse nuk duam të varemi nga ndihma sociale dhe nuk turpërohemi, sepse besojmë se vjedhja e shtetit dhe dëmtimi i atdheut janë krim dhe turp, jo puna, edhe nëse pastrojmë nevojtoret apo punojmë në kanalizime.
Mbaj mend: Puna nuk e çnderon njeriun. E çnderon vetëm vjedhja ose mbrojtja e hajdutëve.
Pikërisht ajo mosblerje e diplomave ka ndikuar që ne ta shohim botën ndryshe dhe pa paragjykime, as racore, as etnike, as për nivelin arsimor, dhe këta „analfabetë“ të diasporës që votuan dhe do të votojnë nesër duan shtetin ligjor ashtu si e njohin në Zvicër, në Gjermani dhe në vendet Perëndimore, por jo ashtu si i pëlqen disave atje: një vetëshërbim për një elitë artificiale të krijuar nga korrupsioni dhe vjedhja e Kosovës.
Mos harro, ti “intelektual” i televizionit: dija nuk matet me diplomë, por me kontribut real, me karakter dhe mirësjellje, sepse shpifja dhe sharja nuk e përkufizojnë intelektualin, por rrugaçin.
Dhe, në fund, zoti “intelektual”,
Albin Kurti i meriton votat, jo vetëm të diasporës, së paku për këto tri fakte, pa i numëruar të tjerat: largimin e shtetit serb nga veriu, planin për veting dhe për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme; dhe pikërisht për këtë të fundit, do të kemi edhe FBI-në në Kosovë.
Ndoshta edhe për t’i arrestuar disa prokurorë që kurrë nuk ngritën aktakuza për masakrimin e familjes Jashari dhe për masakrën e Reçakut…
Gëzohu si ne! Shteti i së drejtës po vjen.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen