26.10.2010

Europa po kërcënohet

Lis Bukuroca
u botua në gazetën SHEKULLI

Plotësimi i kushteve për pezullimin e vizave, nuk u bë në Beograd e Shkup, por në Tiranë. Ju i patët caktuar disa detyra Qeverisë Shqiptare, që me gazep, me vonesë dhe mezi arriti t‘ i plotësojë, madje, e parafundit në Ballkan. Vetëm para Kosovës.
Askund nuk është ndërlidhur ky pezullim me politikën serbe dhe diskriminim e tyre të madh ndaj pakicave. Apelet e fundit drejtuar Qeverisë së Beogradit dhe Shkupit për të parandaluar shpërnguljen masovike të romëve - se në rastin e kundërt do të dëmtonin Shqipërinë - janë sa naive, aq edhe të padrejta. Nëse vërtetë mendohet ashtu, atëherë dihet mirë, se Serbia nuk do të reagojë, por do ta stimulojë emigrimin e romëve akoma më shumë, vetëm për të penguar Shqipërinë...Gati gjithmonë serbet janë krenuar kur kanë dëmtuar fqinjin...
Autobusët e mbushur me romë nga Serbia dhe Maqedonia nuk pushojnë asnjë ditë dhe, stacionin e fundit e kanë: Düsseldorfin e Gjermanisë. Agjencitë e udhëtimeve serbe motivojnë dyndjen e tyre në mënyrë legale madje edhe duke i mësuar se si të flasin në Zyrën e Emigracionit. Nga këto udhëtime përfitojnë agjencitë serbe dhe buxheti i shtetit serb.
Shumë deklarojnë se po braktisin Serbinë e Maqedoninë sepse nuk trajtohen si njerëz, mirëpo, këtë, duhej ta dinte Europa. Kjo nuk është risi. Serbia nuk është sjellë kurrë mirë me pakicat e veta. As Maqedonia, jo. Këtë e din dhe e ka parë Europa.
Disa deklarojnë se dëshirojnë ta kalojnë dimrin në Gjermani, sepse në shtëpitë e tyre bën ftohtë. Mirëpo, edhe këtë duhej ta dinte Europa para se t’ u pezulloheshin vizat atyre shteteve.
Disa pohojnë se nuk mund të mjekohen nëpër Serbi sepse mjekët kërkojnë shumë lekë apo nuk i pranojnë fare në ordinancë. Këtë, mirëpo, duhej ta kishte parë apo dëgjuar Europa, para se ta shpërblente Serbinë e Maqedoninë. Disa thonë se nuk mund të luten në kishat serbe, sepse u ndalohet hyrja, edhe pse shumë prej tyre janë ortodoks si serbet. Edhe për këto, Europa është dashur të informohet me kohë, jo t’ i kërcënohet Shqipërisë për politikën diskriminuese serbe. Për terapi ka nevojë i sëmuri, jo i shëndoshi. Duhet kërcënuar Serbia, jo Shqipëria.
Në Serbi jetojnë së paku 1 milion banorë me origjinë rome. Në periferi të çdo qyteti mund të shihen baraka dhe shtëpi prej teneqeje. Pas këtyre apeleve mund të pritet që romët të nxitojnë për të braktisur vendin. Këtë Europa e dinë ose duhej ta dinte para se pezullonte vizat për ato dy vende, ku politikanët e atjeshëm me pesë euro i blejnë votat e romëve.
Nuk mund të kërcënohet Shqipëria me romët e Serbisë dhe nuk mund të lidhet njëra me tjetrën. Serbia ka shumë romë dhe ajo nuk ka dëshirë ta përmirësoj jetën e tyre. Europa duhet ta drejtojë pezmin e vet drejt atyre që krijuan këtë situatë, jo ndaj atyre që spekulohet se mund ta keqpërdorin qëndrimin, përndryshe mund të flitet për paragjykime dhe mungesë parimësie.
Nëse Europa vërtet dëshiron efekte pozitive dhe ta zgjojë Qeverinë serbe e maqedone, atëherë, këto dy vende, duhet të kërcënohen apo t’ u kthehet regjimi i vizave. Çdo njeri në BEE e ka ditur se një vend pas një lufte të gjatë dhe urrejtje ndaj të gjithëve, nuk i plotëson kushtet minimale qytetëruese, sepse në fakt, në politikën serbe, janë ndërruar personazhet, por skenografia është ajo e Millosheviçit dhe njerëzit e tij gjenden në vendet kyçe, ku definojnë politikën serbe: të brendshme dhe të jashtme. Përndryshe, një Qeveri, me dy palë mend, nuk do të pohonte kurrë se nuk do ta “pranojë kurrë Kosovën”. Një demokrat i vërtetë nuk thotë kurrë “kurrë”, sepse në demokraci vendosë racionaliteti dhe shumica. Vetëdijesimi i serbëve mund të lexohet te qëndrimi i tyre ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo financon administratë paralele në shtetin fqinj dhe mbanë akoma arkivat e vjedhura nga Millosheviçi, por vizat iu pezulluan. Prandaj, përveç romëve, nëpër Europë, shëtisin sot pa viza edhe shumë kriminel serb. Ndoshta BEE duhet të kërkoj edhe nga Greqia të mos mashtrojë më në prezantimin e bilanceve buxhetore, sepse ndonjë europian, edhe këtë, mund ta marrë si shkak për të penguar pezullimin e vizave ndaj Shqipërisë.
Europa e irrituar dhe zhgënjyer me gomarin, po godet samarin! Nuk mund të besohet se ka një njeri në botë, që mendon dhe beson se Qeveria serbe dhe maqedone tani nuk bëjnë gjumë të mirë, pasi po ndjekan shumë keq duke dëmtuar Shqipërinë! Përkundrazi. Dëbo romët dhe mbyll shqiptarët! Ata do t’ i konsiderojnë dy fitore.
Qeveria shqiptare i bëri detyrat e veta, le t’ i bëjnë të vetat edhe Serbia dhe Maqedonia. Ishte mjaft dëshpëruese të mbetesh i fundit, por përbuzëse dhe denigruese është t’ i bësh apel Serbisë e Maqedonisë për të mos penguar Shqipërinë, sepse në këtë rast, Shqipërisë po i shtohet një kusht i padrejtë dhe me paragjykime. Për emigrimin e romëve Shqipëria nuk ka as ndikim e as plane për pastrimin etnik të Serbisë. Mësime të tilla gjenden vetëm nëpër libra serbe, në politikën aktuale serbe dhe në jetën e përditshme të Serbisë...

2 Kommentare:

poezi dashurie hat gesagt…

artikull i bukur

Lis Bukuroca hat gesagt…

Falemnderit për vizitën!