01.06.2011

Një plagjiaturë dhe një gënjeshtër, gazeta Shekulli

 Disa fjalë për plagjiaturën e Sadedin Çelikut ( ish ministër i transporteve, Shqiperi) dhe mashtrimin e gazetarit të “Setimes” M. Brajshori. I pari ka vjedhur shkrimin tim “Shteti privat” dhe e kishte botuar në dy gazeta, i dyti kishte bërë intervistë me mua!

Para se ta dërgoj jashtë një shkrim, puna e parafundit që bëj, është të shikoj në internet a ka ndonjë artikull të publikuar, që mund të ketë titullin e njëjtë. Nëse ndodh kjo, atëherë e ndryshoj timin. Kohëve të fundit lexova shpesh nëpër shkrime përdorimin e togfjalëshit “ shtet privat”. Me këtë titull qe publikuar një sprovë e imja më 24 dhjetor 2009 në gazetat fizike “Shqip” dhe pak ditë më vonë edhe tek “Shekulli”. Online u bë publike tek “zemra shqiptare”, “tribuna shqiptare” dhe “gazeta kritika.”

Mua nuk më zemëroi se ky togfjalësh disa muaj pas publikimit, nisi të përdoret dendur pa u përmendur askund burimi, por u preka thellë nga sjellja e keqe e një gazetari me emrin Sadedin Çeliku. Nuk dija se ekziston, por meqë qenka i pranishëm në këtë botë, ra kjo vjedhje dhe u njohëm, atëherë, i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Ky zotëri ma kishte përvetësuar shtetin tim privat dhe e kishte botuar me emrin e vet. E kishte shkurtuar dhe i kishte vënë këtë titull: “ Shteti privat dhe ai publik”. E kishte botuar tek “Gazeta Sot” në Tiranë më 4 maj 2010 dhe tek “ Bota Sot“ në Zvicër. Gati pesë muaj pas shtetit tim privat. Kur pash këtë, nuk dija si ta shpjegoj: ta merrja si kompliment apo të ndjehesha i ofenduar pse nuk e kishte vjedhur të tërin, por e kishte shkurtuar, redaktuar.
Në Gjemani, kjo pirateri, dënohet me ligj. Tek ne, përgjithësisht në mendësinë ballkanike, nuk quhet vjedhje, por marrje, përvetësim. I ka pëlqyer filanit dhe e ka marrë!

Nuk përfundon këtu. Pasi u qetësova nga vjedhja e parë, vendosa të hulumtojë në google edhe për një sprovë tjetër të kritikuar shumë ashpër nga Ibrahim Kelmendi: “Rugovizmi nuk është gandizëm”, shkruar më 23 janar 2006 dhe kjo ishte befasia e radhës: gjeta një intervistë me mua të realizuar më 3 shkurt 2011. Tani hajdutëria kalonte nga Shqipëria , në Kosovë. Gazetari Muhamet Brajshori paska bërë intervistë me mua për faqen e internetit “SETimes. “ Nuk dija gjë për këtë faqe. Ajo po financuaka nga SHBA. Muhamet Brajshorin nuk e njoh, por meqë edhe ky zotëri po ekzistuaka, edhe këtij i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Atij i paska lënë mbresë nocioni “rugovizëm” dhe paska vendosur të bëjë intervistë me mua dhe më paraqet si bashkëpunëtor të Rugovës. Unë nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtor i tij, por isha kryetar i LDK-së në qytet, që e braktisa në vitin 1993 derisa po lexoja përgjigjen që më kishte dërguar kabineti i kancelarit Helmut Kohl. Pas kërcënimeve të tre apo katër vetave, që kërkonin ndërprerjen e leximit, dola dhe nuk qesh kthyer kurrë më në LDK. At vit, i pata shkruar edhe Papës në Vatikan, edhe kryetarit francez për gjendjen tonë në ish-Jugosllavi. Nuk është vetëm ky atribut që më ngjet gazetari i “SETimes.” Unë atij gazetari i paskësha thënë edhe këtë: “Ndërsa mendimi i Gandit pasqyronte traditat e jogës të Indisë, idetë e Rugovës qenë të vendosura në etikën dhe humanizmin kristian, tha Aliu. Të tjerë janë dakord por shtojnë se nacionalizmi gjithashtu luante një rol kyç.”

Këtu desh pëlcita. Joga, në mes të tjerash, është një filozofi medituese, e cila synon njësimin e shpirtit dhe trupit, njësimin me Zotin: një çlodhje e brendshme, thënë me pak fjalë. Është edhe më shumë, por këtu nuk është nevoja të ndalemi. Gandi pat zhvilluar një filozofi të veten e cila quhej “satiagraha” dhe kishte këtë qëllim: të preket në ndërgjegje, në vetëdije pushtuesi dhe të cytet për ta ndryshuar qëndrimin dhe pastaj të përfitohet si mik. Duke pranuar dhunën, por jo duke iu përgjigjur me dhunë. Pastaj bindjet e tija fetare ia ndalonin vrasjen e njeriut, siç ia ndalonin edhe ngrënien e mishit...
Nëse keni lexuar citimin me vëmendje, keni parë se intervistuesi thotë se të tjerë kishin rënë dakord me mua. E kush ishin të tjerët? Donik Sallova. Nuk e njoh. Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Sabri Hamiti. E njoh nga vepra. I treti, Nexhat Daci, politikan, dikur biolog. E pse paskësha braktisur unë LDK-në? Ja si përgjigjet ai që paska bërë intervistë me mua: “Ai thotë se ai la partinë që themeloi Rugova sepse shumë atje nuk duken të kenë kapur thelbin e mendimit të udhëheqësit të ndjerë.” Këtu përfundon intervista e tij me mua, zhvilluar më 3 shkurt të këtij viti, të cilën e gjeta dhe lexova ditëve të fundit të majit 2011.
Çka na mëson kjo plagjiature dhe ky mashtrim? Kjo na tregon se google i gjen të gjitha, prandaj është e rekomandueshme që intelektualët të pushojnë me vjedhje, sepse një ditë zbulohen të gjithë.

u botua më 02.06.2011 tek: Gazeta Shekulli





3 Kommentare:

Lis Bukuroca hat gesagt…

Komente tek Shekulli;

I nderuemi Naser Aliu (Lis Bukuroca)!

Lis je e mos pyet fort per shkurret e bagetit e prozhmeve.
Ato njohin aftesit e tua te dijne edhe emrin.Dhe une kem nji mendim.Ato i ke ba me fol me veten duke u frymezue nga aftesit e pendes tande.
Mire qe ia bane me dite.Ato i mbuloft turpi.Ky asht urimi i im.Por ti ia ke than me bukur qe te trumhasen e te shpupurishen mendesh:" i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme ".
Menyra e yte asht mjafte e edukueme qe po i gjuen me buke te pa ndershmit.

Zef Kallami | June 3, 2011 12:23 AM | Repliko
O Lis ,Ti je i Madh e mos u merzit hiq.Tre gjeth te ka vjedhe.Edhe me t'i pase lype Ti ia kishe fale ato tre gjeth qi ti ka marre se ke trungun dhe deget qi kane shperthye bukur mire n'per ajri..
"Hajnit i ka borxh edhe mbreti" thona na kndej kah Shkodra,po ai rod HAJNIT e paste "faqen e zeze si bythen e gjygymit e ftyren e magjypit" ,kjo asht shprehje e vjeter qi asht per dore nder ne dikur per hajnat e ladrucat,pra tue mos dashte me fye ndokend deri sa edhe shqipja e jone ta gjeje nji fjale qi ti perngjaje hajnise nder letra =plagjiatures.
Shendet LIS e te fala
E m'mbaj mik porsi perpara.

gjin mirditori | June 2, 2011 7:49 PM | Repliko

Anonym hat gesagt…

Z. Lis apo z. Akiu,
Une jam Muhamet Brajshori, qe po me akuzoni ne kete shkrim. Po jau jap e-mailen time dhe pres qe te me shkruani te di adresen tuaj elektronike. Ketu ka ndodh nje keqkuptim, te cilin une dua te sqaroj me ju. Pres qe te me kontaktoni
mbrajshori@hotmail.com

Lis Bukuroca hat gesagt…

Ajo që di të them, është se hajduti paska shije dhe së dyti shpresoj të funksionojë sa më shpejt një ligj ndaj plagjiaturave shqip, në internet.

Nderime Z. Lis!

Stop Injorances | June 3, 2011 10:57 AM | Repliko