05.06.2011

Pse mund të ekzistojë shteti privat? Java, gazeta SOT


Për të ekzistuar shteti privat, duhet t’i paraprijnë partitë private. Ky është parakusht. Partinë private e ndërton një njeri për vete dhe ai nuk ndërrohet. Ai drejton partinë e tij me dekada, ndoshta deri në vdekje, sepse e ka krijuar vetëm për vete. Pikësëpari çimentohet despotizmi në parti, pastaj në shtet. Shefi i partisë private nuk toleron konkurrence të brendshme dhe nuk mund të ndërrohet. Partia, si edhe shtëpia e vet, janë ngrehina të tija. Shteti shqiptar nuk po privatizohet, as shteti kosovar jo, ata janë tashmë të privatizuar, mirë e trash: që nga Gjendja Civile, komuna, fakultetet, deri në Qeveri bëjnë biznese të veta private, vetjake.
Për ta diktuar se në Shqipëri dhe Kosovë ekziston tashmë shteti privat i ngritur dhe i përforcuar mirë, më ndihmon puna që bëj me vite për administratën gjermane si përkthyes. Domethënë duke parë shtetin publik nga brenda, jo duke e imagjinuar nga Kosova apo nga Shqipëria. Në shtetin privat, në shumë zyra shiten dokumentet. Nëpunësit bëjnë bizneset e veta nga zyra për të cilën nuk paguajnë as qira. Nëpunësit e shtetit privat janë si qelizat e tumorit, që për të mbijetuar, e vdesin njeriun ku zhvillohen dhe rriten. Për t’ u pasuruar elita politike, ajo e varfëron popullin deri në dëbim nga atdheu. Tumori katapulton njeriun andej, këta dëbojnë njeriun këndej, drejt Perëndimit. Shtetet private mund të quhen edhe tumor-shtete me metastaza permanente! Në shtetin privat shitet çdo dokument zyrtar: mund të blihet certifikata e lindjes, karta e identitetit, pasaporta. Le të aprovohet një ligj nga shtetet shqiptare, që sanksionon këtë kundërvajtje në këtë mënyrë: nëpunësi, që shet dokumente, të humb të drejtat qytetare të votës, të pasaportës dhe të punësimit, ku shteti është punëdhënës për tërë jetën.
Në shtete private shiten edhe diploma dhe doktoratura. Me një punim shkencor të vjedhur njëri doktoron në Prishtinë, tjetri në Tetovë i treti në Tiranë. Ia shesin apo ia falin njëri tjetrit. Pas skandalit në Gjermani dhe plagjiaturës nga Ministri i Mbrojtjes, po punohet për një software, e cila do t’ i “peshkonte” plagjiaturat.
Pas luftës në Kosovë janë shitur diploma të profesorëve në fakultetet e Prishtinës. Një shtet, që nuk lufton mediokritetet, diplomat e blera, ai shtet jo vetëm se është privat, por edhe ai vet është idiokratik në vijën vertikale dhe horizontale.
Meqenëse është fjala për vjedhjen e pronës intelektuale, përvetësimin e padrejtë, që është bërë zakon te ne, atëherë duhet zbatuar ligjin apo të aprovohet një i ri: le të aprovohet një ligj nga shtetet shqiptare që sanksionon këtë : profesori, që shet diploma apo nota, të humb të drejtat qytetare: të votës, të pasaportës, të profesionit për tërë jetën dhe të punësimit, ku shteti është punëdhënës. Le të aprovohet edhe një ligj tjetër nga Kuvendet shqiptare, që obligon fakultetet t’ i hedhin në internet punimet e doktoraturave, në mënyrë që publiku i gjerë, të ketë mundësi t‘ i lexoj, sepse ato nuk shkruhen për t‘ u mbyllur nëpër sirtarë. Dhe, kur të gjendet pirati, t’ i ndalohet puna në fushën që ka vjedhur për gjithmonë. T’ i humbë edhe shumë të drejta qytetare: të votës, të pasaportës dhe të mos mund të punësohet kurrë në një vend, ku shteti është punëdhënës. Nëse nuk zihen ata, domethënë shpërblejmë hajdutët: sharlatanët dhe mediokritetet, batakçitë. Këta pastaj edhe na sundojnë, sepse nuk dinë të qeverisin!
Për të mundësuar profilimin e politikanëve të ndershëm në vendet qeveritare, atëherë duhet ndryshuar edhe një ligj mbi barrën e provës. Në Gjermani, në procedurat penale prokurori ka për detyrë të sjellë prova se Filan Fisteku është fajtor. Kjo ndryshon kur paditës është Zyra e Financave. Nëse ajo kontrollon kontabilitetin e një personi apo biznesi dhe konstaton se diçka nuk është në rregull, atëherë, nuk duhet të sjellë prova prokurori se i dyshuari ka fshehur hyrjet për të paguar më pak tatime, por barra e provës i takon tani të akuzuarit dhe ai duhet të dëshmojë se nuk ka vjedhur. Kjo duhet të merret tek ne për postet qeveritare: politikanët duhet të sjellin prova se pasuria e tyre është fituar në rrugë të ndershme. Ata duhet të kontrollohen dy herë: një herë para marrjes së postit dhe herën tjetër pasi të largohen, edhe vite pas, nëse vërehet ndonjë ndryshim i madh në pasurinë e tyre. Kjo do të ndikonte që vendet kyçe të zihen me idealistë, e jo me materialist dhe karrierist. Nëpër gjykatat gjermane kur njerëzit padisin shtetin për vendime të ndryshme, qytetari fiton diku të 50% të rasteve, por në Gjykatën e Financave qytetari humbë gati 90% të rasteve. Nga tatimet shteti mbahet vertikalisht: rrugët, spitalet, shkollat, armata, administrata etj.

Nëse një ditë marrim vesh sa doktoratura janë vjedhur, atëherë marrim vesh se sa vende të punës janë zaptuar ngasharlatanët. Do të kuptohet se kemi profesorë nëpër shkolla të mesme e universitete, që nuk janë profesorë, por piratë vulgarë. Hajdut që mësojnë nxënësit tanë në atdhe dhe u thonë atyre, merreni me mend, ata u thonë nxënësve edhe këtë: “mos vidhni!” Edhe elita politike i thotë popullit: mos vidh se dënohesh, por në shtetin privat dënohen hajnat e vegjël, ata që vjedhin nga varfëria, por jo ata që vjedhin miliona, nga makutëria. Aq sa më shumë po rritet numri i politikanëve milionerë tek ne, aq më shumë po arratiset populli dhe i kemi gati 2 milionë jashtë!
Në Perëndim nuk durohet në skenën politike njeriu i damkosur. Ai duhet të inkorporojë të gjitha vlerat morale dhe të jetë shëmbëlltyrë për popullin. Kur te ne i thuhet një njeriu, mos e voto filanin se është hajdut, ai të përgjigjet menjëherë: po edhe ai tjetri është i tillë. Kur populli din se ata që duhet të punojnë për mirëqenien e tij, vjedhin - janë të pamoralshëm e karrierist- atëherë shkurajohet, humb zellin dhe kjo përthyhet edhe në moral dhe ekonomi të vendit. Depresion i përgjithshëm, kolektiv dhe për mbijetesë, vjedh edhe populli. Prandaj, vjedhja në Ballkan nuk konsiderohet krim
, por ka pësuar ndryshim kuptimor. Përvetësimi i padrejtë është më tepër: aftësi, shkathtësi dhe filozofi mbijetese. Ata, këtë “art”, “artin” e piraterisë, e mësojnë nga shëmbëlltyrat politike. Këtë po e shohim edhe në Greqi, në Serbi, Maqedoni etj.

Ligji i radhës i domosdoshëm: “ Të gjithë shqiptarët, që dëmtojnë imazhin tonë, që burgosen në Perëndim për vepra penale, ta humbin të drejtën e pasaportës për tërë jetën dhe të burgosen edhe dy vite tjera në atdhe për dëmtimin e pamjes shqiptare. Edhe një: meqenëse jemi popull shumë i predestinuar për të krijuar dhe duruar despotizmin, atëherë koha e qeverisjes në postet ministrore, kryetar dhe kryeministër, të kufizohet në tetë vite.
Shteti privat mund të ekzistojë sepse në administratë lidhjet farefisnore janë aq të mëdha, sa ata mbrojnë interesat e njëri tjetrit dhe jo të shtetit. Ata nuk veprojnë si në Gjermani, ku tre, ose pesë nëpunës vendosin për kandidatin më të mirë, duke biseduar me çdonjërin që ka plotësuar kushtet veç e veç, por te ne, vendin e punës fiton ai, që ka lidhej më të forta me kryetarët e komunave apo me shefat e partive!

Keine Kommentare: