28.07.2013

Patriotizmi i ballkanasve, gazeta Dita

Shembja e atdheut nuk shkaktohet gjithmonë nga armiku i jashtëm, nga ky një ditë mund edhe të çlirohet, por rrënimi  vjen nga ata që kanë gojën plot atdhe dhe xhepat plot me para të vjedhura nga shteti që garanton hapësirën fizike të adheut. Ballkanasi është patrioti më i madh në Europë me fjalë, hajni ndoshta më i madh në botë, me vepër. Dashurinë e tepruar ndaj atdheut, e tregon duke e vjedhur shtetin e atdheut.
Greqia hëngri vetveten, Bullgaria është duke e ngrënë vetveten. Maqedonia është duke e ngrënë veteveten me kisha ortodokse, me statujat antike megalomane të Lekës së Madh. Serbinë e ka ngrënë Rusia për t' i mbrojtur krenarinë nacionaliste.
Ekonominë kosovare po e ha Turqia me patritotë shqiptarë. Për të fituar Thaçi mbështetjen. Kroacia po gjykon patriotët e vet hajna. Malin e Zi qeverisë mafia. Bosnjën po e hanë tri etnitë sa munden, pa mëshirë, si tokë të askujt. Nga Shqipëria për 5 vite janë transferuar në Zvicër një miliard e 200 milion Euro, por Sali Berisha konsiderohet nderi i kombit. Lugina kremton luftën e humbur si fitore, nga është dëbuar gjysma e popullësisë. Politikanët e saj paguhen nga Serbia dhe ata herë pas here detyrohen të thonë ndonjë fjalë kundër saj, por gratë e veta për lindje, i dërgojnë diku 30 km larg në Serbi. Edhe këta të fundit janë patriotë të Ballkanit.

Politikanët me plot atdhedashuri në Ballkan, kanë të njëjtat makina siç kanë politikanët e shteteve më të zhvilluara në botë. Sikur të bazoheshin në ekonominë e vet, atëherë do të duhej të shkonin në punë, verës me biçikleta, dimërit me saja. Mirëpo ata nuk e bëjnë këtë, sepse janë patriotë shumë mëdhenj dhe e duan fort atdheun. Nëse në Gjermani 70 % e qytetarëve do të denonconin evazionin fiskal nëse kanë njohuri, në Ballkan mbi 90 % nuk do ta bënin këtë, por do të kërkonin informata, si mund të vjedhin edhe ata.
Ballkanasit hynë në politikë si Luli i Vocërr me zhele dhe dalin të pasur si perandorë. Ballkanasit edhe pse dinë kush i vjedh, ata përsëri votojnë hajnat, sespe u besojnë patriotizmit të tyre, magjive dhe parashikimeve nga filxhanat e kafesë. Të gjithë politikanët e Ballkanit janë patriotë në vendin e vet.
Ballkanasit u besojnë edhe ëndërrave dhe merren me shpjegimin e tyre. Sikur ta njihte Perëndimi Ballkanin siç e njoh unë, ai do të pranohej në vlerat e përbashkëta europiane në vitin 2200, vetëm pasi të ketë europianizuar mendësinë e vet.

Ballkani do të meritonte hyrjen në BE vetëm pasi të ketë ndryshuar shumë metoda të mësimit dhe shumë lëndë nëpër shkolla. Vetëm pasi të ketë kuptuar se njeriu ka dinjitet dhe nuk guxon atë askush ta lëndojë, as në jetën reale, as në jetën virtuale. Vetëm pasi të ketë mësuar se vetgjyqësia nuk lejohet dhe se gjykata paguhet për të zgjidhur konfliktet. Vetëm pasi të ketë mësuar se dashuria ndaj atdheut është përrallë, por dashuria ndaj shtetit dhe respektimi i ligjit është urdhëresë. Vetëm pasi të ketë mësuar se historia nuk hahet e nuk pihet dhe se nuk jetohet me legjenda dhe mite.
Vetëm pasi të ketë mësuar se politikanët demagog, sociopatë, psikopatë dhe kleptoman, nuk votohen dy herë. Vetëm pasi të ketë mësuar se gratë duhet respektuar dhe dashuruar dhe jo vrarë. Vetëm pasi të ketë mësuar se barazia gjinore është urdhër dhe obligim i shenjtë. Vetëm pasi të ketë mësuar se nuk jetohet me adete, por me ligje dhe se respektimi i ligjit është më i rëndësishëm se respektimi i rregullave fetare. Vetëm pasi të ketë mësuar se Kushtetuta është i vetmi libër, që i obligon ata dhe u jep detyra dhe u garanton paqe. Vetëm pasi të kenë mësuar se patriotizmi dhe dashuria ndaj atdheut, nuk tregohet duke urrejtur fqinjin, por duke paguar ndershmërisht tatimet.

Vetëm klerikët e Ballkanit marrin rroga nga shteti për disa orë punë në javë dhe përsëri marrin para për shërbesa tjera fetare që ofrojnë. Edhe rrogën, edhe honorar nga populli të cilit gjoja i shërbejnë, duke e mbushur me urrejtje kundër fqinjit apo religjionit tjetër. Honoraret nuk i deklarojnë, për to nuk paguajnë tatime dhe janë pjesë e korrupsionit shumë stabil në Ballkan.
Ballkanasi edhe nëse është në Europë apo dëshiron të futet, ai nuk ka ndërmend ta respektojë shtetin dhe ligjet dhe të bëhet europian, por ai është aq shumë krenar, sa shpreson ta ballkanizojë edhe Europën. Ballkanasi konsideron Perëndimin të degjeneruar dhe nuk ka ndërmend të pranojë vlerat e tij. Kanë ndërmend të kopjojnë vetëm ligjet, që kurrë nuk do t' i zbatojnë. 
Ballkanasi mashtron vetveten, jeton në iluzione, sepse nuk ka asnjë krenari aktuale, mburret me historinë, zihen për historinë, shahen për historinë dhe blejnë domate e speca tek njëri tjetri duke u argëtuar dhe duke folur keq kundër Perëndimit dhe këtij qytetrimi. Ballkanasi ka shumë dëshira, por kryesorja është mallkimi i fqinjit dhe pasurimi i shpejtë. 
Në fakt dëshirat e tij, janë më shumë ëndërra për ta dëmtuar fqinjnin, se sa për ta përparuar veten. Ballkanasi ka krizë identiti. Ata me forcë dëshirojnë të bëhen diçka që as vet nuk din se çka. Ata në fakt nuk dinë as vet se çfarë dëshirojnë dhe pse dëshirojnë. Ata mund edhe ta ndihmosh, por pas shpine ta bëjnë varrin apo të vjedhin. Sepse ai është i bindur se ndihmën që i ke dhënë, e ke bërë vetëm për dobinë tënde. Ballkanasi është qenia më kontroverse dhe më paradoksale që ekziston. Ata edhe urrejnë mendësinë lindore, por vetë janë më lindorë se sa vet lindorët, por po të mundeshin, kolektivisht do të aterronin diku në Perëndim.
Ballkanasit i gjen në Perëndim ulur së bashku në një kafe duke pirë kafe turke apo birrë: shqiptarë, serb, maqedonasë, kroat, boshnjak, malazezë duke vajtuar kohën e Titos. Sapo të takohen me të huajin, nisin me stigmatizimin e fqiut dhe rrëfimin e historisë.
Ballkan: Të bëftë mirë ngrënia praktike e shteteve tua nga patriotë tu dhe dashuria imagjinare e atdheve, nga atdhetarët tu...

Gazeta DITA

LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON


Keine Kommentare: