Vendeve
që në një farë mënyre u është imponuar demokracia nga jashtë,
kryesisht ligjet e vendeve të qytetëruara, kanë vështirësi të
ndërtojnë shtete në shërbim të qytetarit. Ata kanë vështirësi
të respektojnë ligjin. Aty shteti është në shërbim të elitës,
jo të qytetarit. Në vende të tilla, në zgjedhje, nuk fiton
subjekti që ofron një program ekonomik, por ata që luftojnë për
pezullimin e vizave. Shtëpia duhet ndërtuar nga dita e parë me
material solid, që nga themeli.
Demokracia nuk është rend, ku lejohet çdo gjë, por rend ku ruhet dinjiteti i njeriut, duke penalizuar edhe sjelljet e liga në shtëpi. Rend ku sundon ligji, pa përjashtime, jo despoti. Demokracia si rend mbijeton, kur njerëzit e paaftë vazhdimisht zëvendësohen nga më të mirët. Ndryshe ajo struk brenda vetës një lloj despotizmi, si komunizmi dikur, ku diçka ndryshohet, por jo njerëzit.
Demokracia nuk është rend, ku lejohet çdo gjë, por rend ku ruhet dinjiteti i njeriut, duke penalizuar edhe sjelljet e liga në shtëpi. Rend ku sundon ligji, pa përjashtime, jo despoti. Demokracia si rend mbijeton, kur njerëzit e paaftë vazhdimisht zëvendësohen nga më të mirët. Ndryshe ajo struk brenda vetës një lloj despotizmi, si komunizmi dikur, ku diçka ndryshohet, por jo njerëzit.
Asnjë
njeri nuk do të lejonte t' ia ndërtojnë shtëpinë peshkatarët
apo pastruesit e rrugëve. Do të angazhonte arkitek dhe muratorë.
Askush nuk do ta dërgonte fëmijën në një shkollë, ku mësuesi
di sa nxënësi apo më pak se ai. Ndërtimi i godinës së
përbashkët, që quhet shtet, u besohet jo njerëzve me dije, por
njerëzve të fisit, të gjakut, të partisë dhe atyre që dëshmojnë
mungesë sedre vetjake: pakurrizorëve. Shtëpia e përbashkët duhet
ndërtuar nga njerëzit që dinë dhe që adhurojnë atë ngrehinë
kolektive, jo duke u bazuar në merita, por në dije. Kush do të
lejonte operimin në zemër nga një xharrah pse ka merita në të
kaluarën?
Ti
thua: "Nuk po ndërtohet shtet, por klane të pavarura, shoqata,
ku punësohen njerzit sipas shkallës së njohurisë dhe gradës
fisnore."
Ata
thonë: "Jemi shteti i ri, 6 vjeçar!" E thonë këtë gati
duke bërtitur. Shteti qenka një vogëlush i klasës së parë,
dmth. akoma analfabet, çapkën, i lazdruar dhe duhet t' i falen të
gjitha gabimet.
Ti
thua: "Nuk po abuzojnë me shtetin vogëlushët 6 vjeçar, por
ata që flasin në emër të atdheut dhe që kanë obligim dhe nder,
ta ndërtojnë shtetin ligjor. Ata paguhen për këtë.
Ata
thonë: "Duhet të kalojë një periudhë deri sa të rritet
fëmija!" Kjo domethënë: Keni durim sa të vjedhin aq sa kanë
nevojë, pastaj tërhiqen vet. Nëse qortojmë, mund t' ia prishim
edukatën. Thuase se shkelësit e ligjit kanë moral.
Ti
thua: "Po shitet ekonomia e vendit me çmime qesharake."
Ata
thonë: "Po e blejnë miqt tanë dhe po shitet me çmime shumë
të volitshme."
Ti
thua: "Nuk po vjedhin vetëm atdhetarë, por po shiten dhe
blihen diploma fakulteti, doktoratura, pasaporta..."
Ata
thonë: "Kjo është fazë kalimtare dhe do të rregullohen të
gjitha. Vetëm keni durim dhe mos kritikoni. Kemi patriot të mëdhenj
që udhëheqin shtetin." Kjo domethënë: në fazën kalimtare,
abuzimet me shtetin janë normale. Kjo domethënë se fëmija duhet
edukuar keq, që nga lindja. Kjo domethënë se themeli i shtëpisë
duhet ndërtuar me baltë.
Ti
thua:"Po shkelin ligjin ata që kanë aprovuar atë."
Ata
thonë:"Nuk është e vërtetë, është propagandë sllave."
Duke menduar: lini të qetë, një ditë, pas vdekjes, do të
tërhiqen."
Ti
thua:"Politikani dhe krimineli nuk guxon të sillen njëlloj."
Ata
thonë:"Ne kemi në pushtet vetëm atdhetarë."
Ti
thua:"Nëse nuk arrestohen apo hetohen ata që vjedhin dhe ata
që shesin diploma fakulteti, ata që nuk kanë guxim as t' i
publikojnë punimet e doktoraturave në internet, ata që dëmtojnë
shtetin, nëse nuk pensionohen ata që kanë zënë vende pune me
merita në të kaluarën, pa dije të mjaftueshme sot, nuk do të
krijohet kurrë shteti publik, por shteti fisnor dhe privat.
Ata
thonë: "Ti je spiun i Serbisë."
Ti
thua:"Për shkelje ligji, politikani duhet të përgjigjet para
gjykatës. Hetimet, zëvendësimet, përjashtimet, këto krijojnë
dallime cilësore në mes demokracisë dhe despotizmit.
Ata
thonë: "Nuk mund gjykata të merret me ata që kanë themeluar
gjykatën. E as të dënohen, me ligjet, që ata vet kanë aprovuar.
Shteti është i tyre."
Ti
thua:"Ata qenka mbi ligjin."
Ata
thonë: "Jo, ata nuk janë mbi ligjin, ata janë ligji. E kanë
merituar!"
Ti
thua: "Korruspioni mund dhe duhet të çrrënjoset."
Ata
thonë: "E kemi traditë. Nuk mundet!"
Ti
thua: "Shteti është i mitur, por jo ata që udhëheqin atë.
Ata janë burra me aftësi juridike. Asnjë qeveritarë nuk është i
moshës minore, por të gjithë janë burra të pjekur dhe dinë
çfarë bëjnë, pse bëjnë dhe çfarë kanë ndërmend të bëjnë.
Çdo gjë bëhet me paramendim. Si vjedhja, ashtu edhe deliktet
tjera."
Ata
thonë: "Po mësohen, po stërviten, kini durim."
Ti
thua: "Atdheu është përrallë, shteti është godinë
konkrete dhe e domosdoshme."
Ata
thonë: "As shtetet fqinje nuk janë më mirë se ne."
Ti
thua: "Me shtetet tjera merren njerëzit tjerë. Ne nuk mund të
ndryshojmë shtetet fqinje, por mund dhe duhet ta ndryshojmë veten."
Ata
thonë: "Jeta është e tillë. Kur ta kenë kryer misionin e
vet, do të tërhiqen."
Ti
thua: "Ata po ndërtojnë rrjetin e tyre çfarë i bën të
pazëvendësueshëm."
Ata
thonë: "Këto janë shpifje."
Ti
thua: "Për ta shpërbërë një rrjet të ndërlidhur mirë,
duhen dekada..."
Ata
thonë: "Keni durim deri sa ta mbarojmë rrjetin fund e krye."
Ti
thua: "Injorancë shkatërron shtetin."
Ata
thonë: "Kanë të gjithë diploma..."
Sa
herë sulmohen politikanët për abuzimet, shfaqen të tjerët që
kërkojnë durim; durim me hajnat, durim me njerzit e padijshmëm në
pozita, durim ndaj krimit, durim ndaj profesorëve sharlatan, me një
fjalë, të durohet republika jo urbane. Nesër brezit të ardhshëm
do t' i dorëzohet një administratë tribale, blegtorale, siç pat
quajtur Qosja politikën e Berishës. Shteti juridik ndërtohet si
duhet nga dita e parë dhe me përkushtim, siç ndërtojnë shtëpitë
e veta. Durim duhet pasur me fëmijët, por jo me burrat e pjekur, që
ndërtojnë keq shtetin e ri.
Nuk
kërkon njeri nga Kryeministri të posedojë dije universale. Nga
Kryeministri kërkohet të zgjedh njerëz të dijshëm dhe me pasion,
që duan shtetin e Kosovës, jo vetëm me njerëz nga partia, por nga
populli i Kosovës. Pa marrë parasysh as bindjet politike, as
përkatësinë kombëtare, as orientimin seksual. Nga kryeminstri i
një shteti të ri kërkohen shkarkime të shpeshta nëpër
institucione, shkolla, administratë derisa të zihen vendet me
njerëz që duan shtetin.
Ndryshe,
pas durimit tonë të pretenduar dhe pas tyre, mësimi do të merret
përsëri prej tyre dhe kështu republika blegtorale, do të kalojë
në shekullin tjetër. Shtetet që nuk ngrihen si duhet në fillim, u
duhen së paku disa dekada për t' u rindërtuar.
Dhe në
fund ti thua: "Në demokraci nuk flitet për atdhe, por për
shtet në shërbim të qytetarëve."
Ata
çirren se e duan Mëmëdheun dhe dashurinë ndaj tij, e tregojnë me
komplekset e Edipit.
Një
proverb gjerman thotë: "Dummheit
und Stolz wachsen auf demselben Holz.",që në përkthim simetrik dmth.: "Budallallëku dhe krenaria rriten në drurin e njëjtë." Një përkthim i lirë do të tingëllonte kështu: "Ku rritet budallakia, në atë pemën rritet edhe krenaria", ose një përtkhim akoma më i lirë, që do të përthekonte dhe definonte mirë krejt Ballkanin, jo vetëm Kosovën, do të dukej kështu: "Budallà dhe krenar, rriten në të njejtën arë!"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen