03.10.2014

Pse kërkojmë protesta nga populli i Kosovës?

Asnjë popull në botë nuk proteston pa pasur një njeri idealist në krye. Populli i Kosovës nuk ka protestuar kur iu shitën ndërmarrjet fitimprurëse me çmime qesharake. Nuk protestoi për mijëra të varrosur nëpër Serbi. Nuk protestoi ku rinia i indoktrinohej dhe dërgohej në vdekje. Nuk proteston kundër korrupsionit. Nuk proteston kundër nepotizmit. Nuk proteston kundër kriminalitetit. Nuk proteston kundër idiokratëve. Nuk protestojnë njerëzit për vende pune. Nuk protestojnë për shkolla dhe aparaturë nëpër spitale. Nuk protestojnë kundër profesorëve mediokër. Nuk protestojnë kundër shitjeve të diplomave. Nuk protestojnë kundër klerit të djallëzuar. E pse të protestojnë dhe prishin rehatinë, kur dikush u dërgon para, kur dikush punon për ta, derisa ata shëtisin nëpër internet? Pse të protestojnë kur dikush i mban gjallë gjersa ata edhe në moshën 40 vjeçare, nuk kanë bërë akoma asnjë ditë punë për vete dhe për vendin.

Të ankohen me protesta për mosformimin e Qeverisë, dmth. të jetë një popull i ngritur, që kupton se i duhet shteti. Po si ta dojë shtetin populli, kur atë shtet e vjedh politikani dhe ai që po përpiqet ta ndërtojë atë? Si ta dojë populli këtë shtet, kur politikani e vjedh sikur të ishte shtet i huaj?

Të protestojë populli për formimin e Qeverisë dmth. të jetë popull i emancipuar politikisht, popull shtetformues, popull i qytetëruar, popull me vetëdije të lartë qytetare dhe ligjore. Këtë vetëdije nuk e kanë as politikanët e Kosovës. As shumë profesorë nëpër fakultete.

Shqiptari nuk e donë shtetin, por atdheun. Atdheu i shërben si alibi për ta vjedhur shtetin. Atdheun e përmend çdo ditë për ta vjedhur shtetin më mirë, më shumë dhe më shterueshëm. Njerëzit e Kosovës nuk dinë se dashuria ndaj atdheut në paqe tregohet vetëm duke paguar tatime. Jo me fjalë. Jo me përralla, por konkretisht, me djersë, me punë. Sepse atij i shteti i duhen rrugë të mira, spitale me aparaturë. Sepse atij shteti i duhet paratë për të mbajtur me dinjitet gjallë edhe ata që nuk punojnë, por shteti nuk mund të ndihmojë njeri, kur vjedhin politikanët, kur vjedh edhe populli, kur vjedh edhe kleri. Shtetit i duhet edhe armata dhe për ta mbajtur një armatë, duhet një popull që paguan tatime. Një popull i qytetëruar që respekton ligjin dhe mbron shtetin duke denocnuar çdo dëm që i shkaktohet atij.

Populli i Kosovës nuk është një subjekt në njëjës, por në shumës. Subjekti në shumës kanë nevojë për një udhëheqës, në njëjës. Populli atje është molisur aq shumë, sa më me dëshirë do të ikte në Perëndim, se sa të dilte në protesta. Atje mbi popullin është ushtruar krim: në aspektin intelektual dhe kombëtar. I është shkatërruar dhe rrënuar ai pak iluminizëm që pati. Atje populli pas luftës është helmuar aq keq, është dezorientuar aq keq, i është vjedhur dhe grabitur ardhmëria aq keq, sa ai sheh zgjidhjen e problemeve në vrasje dhe vetëvrasje.

Populli i Kosovës nuk ka më shpresë se ekziston një politikan kosovar që e donë atë dhe që punon për të mirën e tij. Populli i Kosovës pati kohë 15 vite për të parë dhe mësuar se pushteti i merret nga politikan makiavelistë, që shesin ndërmarrje dhe bëjnë kontrata sekrete. Thua se janë kontrata private. Thua se janë paratë e tyre private që ata po investojnë. Politikanët e Kosovës po shkaktojnë edhe krime ekonomike dhe rrënojnë të ardhmen e popullit. Politikan të tillë nuk i duhen askujt, por sikur ky popull ta kuptonte këtë dhe të ngrihej kundër tyre, atëherë mund të thuhet se deri diku është i arsimuar, i ngritur dhe kupton se ashtu si i duhet familjes një shtëpi, po aq i nevojshmëm është shteti për një popull.

Populli shqiptar në Kosovë për këtë shtet ka paguar shtrenjtë. Populli i Kosovës ka toleruar që Kosova të bëhet vend ku nuk mund të jetohet. Vend ku as mërgimtarët nuk shkojnë me kënaqësi. Vend ku jetohet e mbijetohet me mashtrime. Vend ku varfëria dhe skamja konsiderohet fisnike, e jo motiv për të rrëzuar çdo qeveri. Populli Kosovës jeton i izoluar në Europë, jo pse Europa dëshiron, por sepse ky popull nuk merret me problemet e veta dhe rrëzimin e politikanëve të paaftë, por pret si edhe paratë, ashtu edhe problemet, t' u zgjidhen nga jashtë. Populli i Kosovë nuk do të dalë në protesta. Ashtu si edhe lirinë, ai pret dikush t' ia sjellë mirëqenien, sigurinë ekonomike dhe Qeverinë. Një popull në këtë derexhe, me këta politikan, nuk lëviz nga divani, e as nuk del në rrugë për të rrëzuar idiokratët, që i prodhoi dhe madhëroi vet. Populli i padijshëm është e keqja e vetvetes.

Keine Kommentare: