Zakonisht
ditëve festive fetare, idivid dhe organizata, zgjohen nga egoizmi stinor dhe kapin me shqisa realitetin në shoqëri. Jo pse duan ta
ndryshojnë gjendjen, por të bindur se këtyre ditëve mund të
përfitohet më shumë. Ata enden prej lagje në lagje me disa
artikuj ushqimor apo ndonjë copë mishi për t' i falur atij, që
mishin mund të hajë një herë në vit, tani dhuruar apo falur, nga
ata që hajnë apo kanë mundësi të hanë 356 herë. Mirëpo, këta
dhurues, që në shikim të parë duken zemërmirë, nuk e bëjnë
këtë vepër nga humanizmi.
Nëse
u sjellin disa artikuj ushqimorë, ata duan edhe fotografi. Prova.
Dëshmi. Prova se janë njerëz të mirë dhe humanistë. Ata e bëjnë
këtë në emër të fesë, e bëjnë këtë në emër të politikës.
Si të parët, ashtu edhe të dytët, presin përfitime nga gjesti i
tyre. Ata shesin mirësinë e tyre. Jo lirë, por shumë shtrejtë.
Jo falas, por duke pritur dëmshpërblimin. Ata nuk presin t' u
kthehet e njëjta sasi e mishit, makaronave apo e bakllavës, por
ata si njerëz të mirë që janë, presin dhjetëfishin. Nëse nuk
janë fetarë, por politikan, atëherë nga aksioni i tyre, presin
shpërblime në karrierë. Ata nuk bëjnë mirë pse e duan njeriun,
ata bëjnë mirë pse e duan tepër shumë veten. Kjo është arsyeja
pse u duhen fotografë dhe kamera.
Nuk
janë vetëm organizata gjoja bamirëse që blejnë dhe asgjësojnë dinjitetin e njerëzve në varfëri, por edhe individ. Duan ta
rrëmbejnë privatësinë e atij në mjerim. Fotografojnë hidhërimin
e tij në fytyrë para dhuratave dhe ngazëllimin, gjatë pranimit të
tyre. Ata fotografohen me ta. Ata fotografojnë edhe fëmijët
këmbëzbathur, edhe shoqen e veshur keq, edhe dhomën pa mobilje,
edhe dyshekun, edhe legenin, edhe lugët edhe gjirizin, edhe mbathjet
në tel... Dhe, gjersa bëjnë ato fotografi, shpresojnë se bota
jashtë do ta zhdëmtojë veprën e tyre.
I
marrin fotografitë me vete dhe i vështrojnë mirë e mirë nëpër
zyra apo shtëpi. Aty zgjedhin disa prej tyre, që mund të nënvizojnë
më shumë mjerimin e një familje dhe bujarinë e tyre. Ata
shfaqen gjoja të mërzitur, gjoja shprehin keqardhje për
fatkeqësinë e huaj. E i varfëri? I varfëri ndjehet lakuriq: i
padinjitet, i fotografuar jo si i pëlqen atij të prezantohet para
botës: i larë, i krehur dhe veshur bukur, por sa më keq, sa më
trishtueshëm dhe sa më shumë i dëshpëruar: pa jetë private, pa
initimitet dhe pa integritet. Kusht për t' u ndihmuar një herë,
është fotografimi ose filmimi.
Fajet
nuk i ka ai pse është i varfër, fajet i ka shoqëria që prodhon
milionerë dhe varfëri. Ai shtet që prodhon milionerë politikan,
është duke e ngrënë bukën e këtyre njerëzve. Ata janë të
pasur, siç thotë Brecht, pse këta janë të varfër. Sidoqoftë,
dhuruesi ka materializuar skamjen e tij: e ka fotografuar, është
fotografuar me ta së bashku, dhe në fund, ka nxjerrë kapital duke
i prezantuar botës dhuratat e veta tok me familjen e varfër. Nesër,
kur të rriten ata fëmijë, mund t' i shohin fotografitë e veta, ku
u janë falur ca ushqime, në këmbim të dinjitetit.
Ata
që falin në këtë mënyrë, duke bërë shou një apo dy herë në
vit, ata janë vërtetë të varfër. Ata janë të mjerë. Ata janë
të mjerë sepse përfitojnë nga mjerimi i huaj. Ata janë të mjerë
dhe të varfër sepse pos parasë, nuk posedojnë asgjë tjetër. As
shpirt! As empati! As karakter! As njerëzi! As dinjitet, por kanë
vetëm synime. Ata kanë synime dhe vetëm plane për të shfrytëzuar
fatkeqësinë e tjetrit, për t' u ngritur sa më lartë nga mjerimi
i atyre fëmijëve buzëvarur dhe atyre prindërve kokulur. Ata janë
më të mjerë dhe më të varfër se ato familje, ku ata dërgojnë
atë lëmoshë.
Politikani
nuk ka për detyrë të shprehë dëshira dhe rekomandime për festa,
por t' u sigurojë qytetarëve dinjitet, duke mbledhur tatimet nga të
pasurit për të ndihmuar fatkeqët dhe të papunët. Kudo paratë
derdhen nga lartë poshtë, në Kosovë dhe Shqipëri, paratë
nxitojnë nga poshtë lartë. Qytetari nuk ka dinjitet vetëm në
ditën e bajramit, por tërë vitin. Nuk është detyrë e individëve
apo shoqatava të ndihmojnë qytetarët, këtë duhet ta bëjë
shteti.
I
varfëri në Kosovë dhe Shqipëri humb sferën private prej atij
çasti, kur pranon ndihmën e pa kërkuar. Fotografitë që bëhen në
raste të tilla, flasin për mizantropinë e dhuruesit dhe poshtërimin publik të marrësit.
Njerëzit
e mirë nuk dhurojnë ushqime para kamerave dhe para fotografëve. E bëjnë në
mënyrë diskrete. Nuk duan të përfitojnë nga tragjedia e huaj. Të gjithë ata që dhurojnë duke u fotografuar
dhe duke u filmuar, nuk do të kenë asnjë shpërblim tjetër, pos
atyre fotografive. E bëjnë me prapavijë. Ata janë
llogaritarë të mëdhenj. Ata presin përfitime. Ata janë
shushunja. Ata shfrytëzojnë mjerimin e huaj, për të përfituar
vet. Ata presin dëmshpërblim...
P.S. Pardje në një zyrë gjermane lexova këtë:
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen