12.11.2014

Teatri i Beogradit, Gazeta DITA

Ishte shfaqe teatrale, jo thjeshtë një ritakim pas 68 viteve. Si prelud pati Edi Ramën e Berlinit si kryesues dhe kjo nuk po kapërdihej lehtë nga politikanët serb. Si prolog, para aktit të parë, u shfaq edhe piktura shqiptare para miletit krenar serb. Për pikturën serbet zgjodhën si autor kryesor vëllanë e Ramës. Ky skenar u pëlqye shumë nga politikanët serb dhe shpresuan ta dëmtojnë Edi Ramë dhe paraqesin para bote si një rrugaç, që dërgon të vëllanë me një drone në Beograd. Pas atij përjetimi në stadium dhe tundja e fluturakes, pasoi psikoza kolektiv dhe premtimi kolektiv se do të bëjnë çdo gjë për ta penguar Shqipërinë e Madhe. Thua se dikush i pyet, thua se dikush i pyeti a të shpallet Kosova e pavarur.

Në këtë çast m' u kujtua mendimi i Fatos Lubonjës, që krahasonte fjalimin e Edi Ramës me atë të Hitlerit. Ky ishte budallallëku i tretë i madh që kam lexuar qysh nga ndërrimi i rendeve. Ai që mund të krahasojë Edi Ramën me Hitlerin, ai nuk ka fare iden se çfarë ishte nazizmi e çfarë është demokracia. Kush ishte Hitleri, e kush është Edi Rama.
Takimi nuk ishte vetëm historik, por edhe histerik, edhe euro-forik dhe natyrisht dramatik. Dekori dhe skomparasët i ngjanin një funerali: dy protagonistët nga dy shkolla të ndryshme, qysh nga zanafilla, po kacafyteshin për të Vërtetën si në Greqinë e lashtë. Ata nuk do t' ishin takuar me njëri tjetrin, sikur të mos kishte qenë trysnia nga jashtë.

Sidoqoftë takimi prodhoi edhe histori: humbjen e vetkontrollit, reagim impulsiv dhe shpërthim infantil, tekanjoz. Shkulja instiktive dhe teatrale e dëgjueses nga veshi i majtë i Serbisë, rrumbullakonte dhe zbulonte një mori paragjykimesh primitive. Shfaqja teatrale po luhej para një publiku shumë të madh. Përveç agjencive të huaja, po e përcillni drejtpërdrejtë edhe dy kombet, skuadrat e të cilëve, nuk arritën ta përfundojnë një ndeshje të futbollit.(Shkaqet dihen: publiku serb u hakmor dhe mori pjesë në rrahjen masive të lojtarëve shqiptarë, edhe pse lojtarët nuk drejtonin fluturaken.)

Njëri protagonist vjen nga shkolla europiane, adhurues i Perëndimit, anëtar i NATOs, tjetri vjen nga shkolla ekstreme nacionaliste, megalomane, naziste, me dëshirë për t' iu bashkangjitur Europës, duke poshtëruar, duke urryer shqiptarët dhe duke u përkundur në prehrin e Rusisë, por edhe duke u krekosur si fashistët apo diktaturat me parakalimin e forcave të armatosura. E qartë, dy protagonistët nuk ndryshojnë vetëm nga përkatësia nacionale, por edhe nga njohja e botës. Rama është një shqiptar kozmopolit. Vuçiqi është një nacionalist serb në konvertim e sipër. Jo nga dëshira, por nga zori. Jo nga bindjet, por nga interesi. Edhe atë, i kapur si vogëlush i trishtuar për këmbën e Putinit.

Kryeministri i Serbisë pati shumë probleme. Arsyeja? Ai kishte plot paragjykime. Ai urrente. Ai nuk dëshironte që Rama të braktisë Beogradin kryelartë, por kokulur. Urrejtja i dhunonte lirinë për të qenë politikan i nivelit europian. Ai urren shqiptarët, por ekonomia e detyron ta ftojë Ramën në Beograd. Europa nuk urren, ajo krijon ura. Ajo nuk përçan, ajo bashkon diversitetet dhe nuk u beson teorive raciste. Serbia që urren shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët dhe që beson se Kosova është pjesë e saj, nuk mund të bëhet pjesë e Europës. Ajo ka probleme serioze me perceptimin real dhe objektiv. Ajo jeton në iluzione.

Edi Rama ishte sovran, dinjitoz dhe me qëndrim prej burrështetasi të stërvitur. Kjo edhe pritej. Ai që ka mbijetuar djallëzitë e Sali Berishës, ai mund të mbijetojë edhe Dreqin personalisht. Vuçiqi u shfaq sedër-hollë, si gjatë kaosit hormonal: si një zonjë delikate gjatë menstruacioneve. Duke mos i dhënë dorën Edi Ramës, ai nënvizoi primitivizmin, arrogancën dhe paragjykimet që ka ai ndaj shqiptarëve. Atë po e dërmonte epërsia e Kryeministrit shqiptar dhe këtë nuk mund ta fshihte. Nënqeshjet dhe vështrimet e Ramës. Vuçiqi ishte në gazep para një publiku shumë më të madh, se sa të një teatri, ku shfaqet “Jul Qesari” i Shekspirit.

Shfaqja i ngjante teatrit antik sepse fjalimi i Ramës krijonte asociacione me fjalimin e Mark Antonit. Bruti është njeri i mirë, por e kanë mashtruar shokët. Aleksandër do të thotë Edi Rama: Kosova është e pavarur, ky akt është i pakthyeshëm, por ti je njeri i mirë dhe ke të drejtë të shprehish mendimin tënd, edhe në Tiranë. Ky fragment ishte shekspirian. Dhe pasi shkuli nga veshi dëgjuesen Kryeminsitri serb, aty mund edhe të piskatej: “kafshatë që nuk kapërdihet është or mik mjerimi.” Nuk u piskat, sepse ambienti me heshtjen po krijonte oshtinë më të madhe.

Edi Rama goditi siç godiste Mark Antoni Brutin para popullit romak në dramën e Shekspirit. Besimi se Kosova është e Serbisë, por me ushtri kosovare, me polici kosovare dhe NATO brenda, nuk ishte serioze ka menduar Rama, madje gati gati, po e pyeste, në cilin filxhan të kafesë paska lexuar ai këtë lajm. Ai ishte ky qëndrim i drejtë? Po, përndryshe do ta quanin hipokrit.

Edi Rama veproi si burrështetas i madh dhe i tha: eja në Albanopolis dhe shpreh besimin tënd për Kosovën, duke shtuar, pa dyshim, ai nuk do të jetë objektiv dhe real. Me një fjalë, Edi na transmetonte se ndoshta i biri jonë ishte i mirë, por e kishin gënjyer, e kishin manipuluar Nikoliqi, Millosheviqi dhe Daçiqi, ndoshta edhe ky bir i jonë sepse ka mbiemrin Daci. Si edhe ministri i mbrojtjes Gashiç, që është mbiemër Gashi, apo Dreçun e kështu me radhë, nga të cilët edhe sikur ta pranonin origjinën, nuk mund të pritet diçka e mirë sepse janë si vezirët shqiptarë. (Budallallëku i dytë që kam lexuar pas ardhjes së demokracisë është kërkesa për t' u krenuar me Perandorinë Osmane, ku qenë ndaluar shkollat shqipe dhe gjuha amtare e vezirëve shqiptarë...)

Rama u nisë drejt Preshevës, u tregoi shqiptarëve se tani e tutje nuk do të jenë më bonjak, siç ishin në të kaluarën dhe nxitoi drejtë Dheut të Bardhë për t' u futur në tokën e kosovarëve. Pas çdo hapi që bënte, shihej dhe konstatohej zhbërja, tretja e formave dhe strukturave të kombit kosovar. Ato po brohorisnin Ramën më shumë se politikanët e vet dhe në Prizren, u takuan në mes vete vetëm shqiptarët. Në këtë çast m' u kujtua ligjërimi i Nexhmedin Spahiut dhe Halit Matoshit mbi kombin kosovar. (Nga ardhja e demokracisë e deri më sot, ky është budallallëku më i madh që kam lexuar nga publicistë shqiptarë.)

PS.: Pas ndeshjes së futbolli kam lexuar shumë shtypin serb, gjë që nuk e kisha bërë ndoshta dhjetë vite. Kam lexuar qindra komente të lexuesve dhe dhjetëra artikuj të publicistëve serb. Më erdhi keq. Më erdhi shumë keq. Më erdhi shumë keq sepse Serbia ishte e zhytur më keq dhe më thellë se sa në vitet e tetëdhjeta. Serbia po pëlciste nga injoranca. Serbia nuk kishte ndryshuar. Ajo po përkundej dhe lëpinte plagët në rolin e viktimës. Populli serbi ishte manipuluar keq. Ishte tepër vështirë të gjeje një koment ashtu siç bëhet në Europë, pa urrejtje dhe pa paragjykime. Ky konstatim më dëshpëroi shumë. Nuk është aspak mirë të kesh fqinjin në këtë derexhe, në këtë gjendje psikike dhe me këto patologji. Edi Rama u takua me pasuesit e Millosheviçit, Sheshelit, Rankoviçit dhe Çubrilloviçit. Vuçiqi, Daçiqi dhe Nikoliçi, që qeverisin sot Serbinë janë si kabineti i Hitleri pa Hitlerin, por me Joachim von Ribbenthropin, me Heinrich Himmlerin dhe me Joseph Goebbelsin.

Lubonja paska thënë se qenka i vërtetë edhe mendimi i Vuçiqit sepse Kosovën nuk e kanë njohur shumë shtete, në mesin e tyre edhe Kina dhe Rusia. Në atë vend që nuk qenka shtet, qytetarëve serb, qeveritarëve serb dhe çdo qytetari të botës i nevojitet pasaportë për të hyrë brenda. Në Planetin Tokë, aty ku nevojitet pasaportë, quhet akoma shtet. Sa i përket qortimit të tij se Rama paska provokuar dhe ka të drejtë ai që ka pësuar, dmth. i provokuari, ky besim është tejkaluar në Perëndim qysh në shek. XX dhe i provokuari nuk është asgjë tjetër, pos një njeri i kompleksuar, që nuk mund të kontrollojë veten. Nëse i provokuari paska të drejtë pse mund të ndërsehet, atëherë edhe gratë me fustan të shkurtër mund të dhunohen, kanë provokuar, apo jo zoti Lubonja?

Po pse ky ekzaltim? Ishte hera e parë që po përjetonim një politikan shqiptar të këtij niveli dhe dinjitoz. Nuk ishin mbështetjet e Radio Tiranës të shekullit të kaluar, por ishte kryeministri shqiptar aty. Natyrisht se ai nuk mund të shpëtojë krejt shqiptarët, por ai u ka dhënë shpresën se nuk do të harrohen si në të kaluarën dhe se ata do ta kenë një njeri që do të kujdeset edhe për mjerimin e tyre jashtë shteteve shqiptare, prandaj Edi Rama, mund lirisht të citojë Julius Gaius Caesarin: “Veni, vidi, vici,” dhe Kryeministri do të ndikojë në ndryshimin e imazhit të njollosur shqiptar...

Gazeta DITA

Keine Kommentare: