31.12.2014

Sedra e Kallashit, gazeta DITA

@
Si student i gjuhës dhe letërsisë frënge, pata lexuar tek Voltaire trajtesën, ku Voltaire merrej me sedrën: me ndjenjën e nderit që ka njeriu për veten e tij, për vlerën e vet. Shumë herë të tjerët nuk kuptojnë sedrën tonë, sespe shpesh ne kemi atë bindje për vete, por jo të tjerët.
Për fat të mirë po jetojmë në një kohë magjepsëse, mahnitëse dhe njeriu sot, në vend se të shfletojë, ka mundësi ta konsultojë online dhe ata që kanë dëshirë, mund ta lexojnë këtu të plotë dhe falas: Dictionnaire de la pensée de Voltaire par lui-même.

Sedra ekziston thotë Voltaire, ashtu siç ekziston fytyra dhe nuk ka nevojë të dëshmohet. Si ilustrim shqyrton dy anekdota:
E para: një lypës nga rrethina e Madridit i paprekur në ndërgjegje, me një qëndrim prej fisniku, kërkonte lëmoshë në rrugë. Atij i afrohet një kalimtar dhe i thotë: “Zotëri, nuk keni turp të bëni këtë punë të poshtër, kur mund të punoni?”
“Zotëri„ përgjigjet lypësi, “ unë po ju kërkoj para, e jo këshilla“, pastaj lypësi kishte kthyer shpinën duke ruajtur krejt krenarinë dhe dinjitetin kastilian.

E dyta: një misionar duke udhëtuar nëpër Indi, kishte parë një fakir të lidhur me zinxhir, lakuriq si një majmun, të shtrirë barkas, që po rrihej vitheve për mëkatet e bashkatdhetarëve indian, që e paguanin atë për shlyerjen e mëkateve të veta.
“Çfarë vetëmohimi!”, pëshpërit një shikues.
“Vetëmohim!?”, “ mbani mend zotëri, po lejoj të më rrahin vitheve në këtë botë, për tua kthyer në tjetrën, kur ju do të jeni kuaj, e unë kalorës!”

E treta, e treta është një gazmore që tregohet shpesh në Gjermani: një nëpunës kur kthehej nga puna në shtëpi, sa herë takonte rrugës një lypës, i dhuronte ndonjë euro. Pas disa muajve nëpunësi nisë me ndërtimin e shtëpisë dhe kalon pranë tij pa u ndalur. Herën e tretë lypësi i zhgënjyer, bërtetë: „zotëri, ju po më shpërfillni...!„
„Ah, më falni ju lutem“, ia kthen zotriu. “Jam duke ndërtuar një shtëpi dhe më duhet të kursejë çdo cent!”
„Domethënë ju po ndërtoni shtëpi në llogarinë time„ shton lypësi i dëshpëruar duke tundur kokën.

Këto anekdota m' u kujtuan kur lexova një artikull mbi ofertën prej një milion euro, që i paska bërë një politikan Kallashit. Ajo paska refuzuar ofertën pa asnjë hamendje. Kallashi i paska bërë të qartë politikanit milioner, se ajo ofron imazhe, por jo trupin.

Ashtu si tek rasti i parë, ku lypësi ndjehet i lënduar në sedër, pse në vend të parave, i falen këshilla, edhe Kallashi ndjehet sedërfyer, sepse edhe ajo me fisnikëri ushtron profesionin që ka zgjedhur.
Voltaire thotë se ata që kishin thënë se sedra është baza e të gjitha veprimeve tona, kishin pasur të drejtë në Indi, në Spanjë, (Gjermani dhe Kosovë) dhe se sedra është e nevojshme, është e shtrenjtë, na bën të lumtur dhe duhet ta fshehim.

Kallashi në vitin 2014 ishte e vetmja shfaqje me të cilën mund të mburret Kosova. Ndër produktet e pakta kosovare, që mund eksportohet edhe jashtë. Ndoshta Qeveria duhet ta shpallë pasuri nacionale dhe mbrojë me kushtetutë nga ofertat e politikanëve, që me krenari kastiliane, dhe shumë dinjitoz, bëhen milionerë dhe ato lekë të fituar me syza të zeza misterioze, i ofrojnë për seks, përpiqen të nënshtrojnë dhe zhvatin edhe Kallashin tonë, gjersa populli masovikisht braktisë Republikën pa sedër.

Populli i Kosovës si fakiri indian, duron skuqjen e vitheve për mëkatet e politikanëve të vet, duke shpresuar se në botën tjetër, ai do të jetë kalorës, e politikanët kuaj apo gomarë.
Gjersa po lexoja refuzimin e Kallashit, thash vet me vete: kemi shumë politikanë burra, që nuk do ta kishin hedhur poshtë kurrë ofertën e atij milioneri. Për para ata i kthejnë vithet kurdo dhe kudo. Sepse edhe ata, si lypësi spanjoll, do të ndjeheshin të ofenduar nëse qortohen për mënyrën se si fitojnë lekët. Është në pyetje sedra e tyre. As nuk duan këshilla si fitohen paratë. Janë ekspertë.

Mirëpo Kallashi që është krenari e vetme kosovare tani, duhet të na tregojë edhe emrin e atij “latin loveri.” Jo pse ai qenka shumë i përndezur (eksituar) nga vithet e saja iluministe, por se emri i tij do të ndriçonte realitetin shqiptar dhe paratë e tija, mund të përdoreshin për disa muaj apo vite si ndihmë sociale për ata, që po arratisen nga Kosova duke shpresuar si fakiri indian.

Gazmorja që rrëfehet në Gjermani nuk flet ashtu qartë, ashtu prerazi për sedrën, por është tregues i madh se përsëritja, dhurimi i rregullt, dëmton dhe pasivizon njeriun aq shumë, sa të ndjehet i përbuzur dhe i shpërfillur, nëse nuk respektohet ai ritual tërë jetën.
(Lexime tek gazeta Dita)
Dhe, meqë u nisë me Kallashin, po e mbyllim edhe me mendimin e saj të urtë, që duhet ta mësojnë përmendsh politikanët shqiptarë. Ajo në fund kishte thënë një mendim proverbial me të cilin do ta kishte lënë gojëhapur edhe Voltairein e madh: “Nuk më lejon prapanica të pranojë një ofertë të tillë!“ Kjo zonjë ka Sedër, sepse u tregoi politikanëve kosovarë se ata mund të vjedhim sa të duan, nuk e kanë të ndaluar, janë në vetëshërbim, por me ato lekë, nuk mund të blejmë çfarë të duan. Një pyetje mirëpo duhet ta bëj në fund: si ua lejon prapanica, (jo fytyra se nuk kanë), politikanëve shqiptarë, të pasurohen nga populli i varfër?

GAZETA DITA



Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Libra elektronikë




Keine Kommentare: