05.01.2015

Kush vjedh në Ballkan? Gazeta Dita

I njihni të gjithë, por ja një herë të rreshtuar sipas rolit etik: 

Në Ballkan vjedh kleri. Kleri që ka për detyrë, apo mendon se e ka për obligim, t'u mësojë njerëzve moralin. Ata për shërbesa fetare fusin në xhep, ose lejojnë t'u futen para në xhepa, që nuk i deklarojnë dhe nuk paguajnë tatime në fitim. 

Ky kler mirëpo pohon vazhdimisht se gjendet në shërbim të popullit, se ruan atë nga degjenerimi. Mosdeklarimi i profitit shtesë, dëmton buxhetin shtetëror dhe gjendjen e përgjithshme kolektive, por kryesisht ata në gjendje të mjerë ekonomike, për të cilët shteti nuk do të ketë mundësi t'i mbrojë dhe ruajë dinjitetin. Ky kler, edhe pse paguhet nga tatimpaguesi me rroga, nuk refuzon korrupsion, por e kultivon atë. Ky kler mendon se nesër mund të përballet me zotin dhe fitojë parajsën, gjersa ndukin dhe çndukin të varfrit që u falin besimin. 

Këta nuk adhurojnë jetën pas vdekjes, por para saj. Këta mësojnë popullin se lëmosha dërgon njeriun në parajsë, por nga rrogat e veta, nuk japin as një për qind në muaj për nevojtarët. Aq sa më shumë njerëz që manipulojnë, aq më shumë rritet pasuria e tyre. Njerëzit besojnë se ky kler është urë kaluese në mes tyre dhe zotit. Në fakt, besim i pakusht, përmirëson gjendjen e tyre ekonomike. Me rritjen e pasurisë, fitojnë edhe pushtet. 
Këta takohen me politikanë hajna dhe qëndisin plane me ta. Morali vlen për të tjerët, jo për ta. Nëse falin, atëherë fotografohen duke  falur, për të kapitualizuar edhe më shumë atë pak mirësi që bëjnë. Këta janë në gjendje popujt t' i hedhin në luftë, me rëndësi të rritet pushteti i tyre dhe pa asnjë dyshim, ndikimi në shoqëri. Këta fajin për devijimet dhe abuzimet në popull, nuk i kërkojnë te sjellja e tyre fillestare e pamoralshme, por tek demokracia: tek liria. 

Kjo është kategoria më problematike në Ballkan: kanë ndikim të madh, kanë bindje raciste, ekskomunikuese dhe ksenofobike. Këta “moralistë” janë përçarësit më të mëdhenj të popujve të Ballkanit dhe janë shtresa që vepron mënyrë aktive kundër Kushtetutës: kundër lirive dhe të drejtave të njeriut. 

Giovanni Sartori në hyrje të librit të tij “Homo Videns” sjellë këtë dialog të Aldous Huxley, Brave New World : 
«Pse nuk iu jepni njerëzve libra mbi Zotin?« 
«Për të njëjtën arsye për të cilën nuk u japim atyre Otellon; janë të vjetër; janë mbi Zotin e atëhershëm, qindra vite më parë. Jo për Zotin e sotshëm.«
«Mirëpo Zoti nuk ndryshon.«
«Po, mirëpo njerëzit ndryshojnë.« 

Edhe klerit të Ballkanit duhet bërë të qartë se po i predikojnë njerëzve që dinë të lexojnë, se njeriu ndryshon dhe kushtetuta urdhëron dhe sanksionon veprimet. Për të arritur paqen e vërtetë në Ballkan, pikë së pari duhet vënë freni në gojë kësaj kategorie dhe ndalohet me ligj predikimi i urrejtjes, nacionalizmit dhe përçarjes. Predikimin e mirëkuptimit në mes popujve, liritë dhe të drejtat e njeriut, duhet ta kenë obligim, sepse paguhen prej popullit. 

Nuk mund të jetohet me dy Kushtetuta. Ata duhet të investojnë në lumturinë e popullit, jo në hasmërinë e njerëzve. Nëse nuk e bëjnë, duhet përjashtuar nga puna dhe zëvendësuar me ata që jetojnë konform ligjeve në fuqi. Kleri ortodoks dhe mysliman tani për tani sjell kokëçarje në Ballkan. Këta nuk kanë mundësi të vjedhin sa politikanët, por dëmin mund ta bëjnë sa dhe si politikanët, nëse u lejohet hapsirë. 

Në Ballkan vjedhin politikanët. Këta vjedhin elektoratin e vet, por edhe e gënjejnë si askund tjetër në Europë. Vjedhja e tyre nuk është si e klerit, por shumë më e madhe: dhjetëra mijëra, qindra mijëra, ose miliona euro. Varet nga pozita që mban dhe mundësia. Fajin për moszhvillimin ekonomik, kërkojnë gjithmonë tek opozita, ose jashtë vendit, por kurrë tek paaftësitë e veta. 

Kjo kategori njerëzish, nuk lodhet për parimet fetare, e morale, por kur kanë ndërmend të keqpërdorin popullin, shihen së bashku me klerin rreth një tryeze në llupje e sipër duke rrahur njëri tjetrit supet për zhvatjen perfide. Sa herë të shihen së bashku, duhet pyetur: çfarë gjëme po na përgatisin këta? Shfaqen së bashku si në kohën e monarkisë absolute, çfarë nuk shihet kurrë në Perëndim. Si projekt të përbashkët kanë manipulimin, mashtrimin dhe plaçkitjen e popullit. 

Aq sa më i padijshëm të jetë populli, aq më shumë i beson përligjjeve të tyre. Nëse ndihmojnë dikë, edhe këta fotografohen me të mjerët për ta kapitalizuar veprën e tyre dhe shumëzuar përfitimin. Politikanët marrin pjesë aktive në rrënimin e shteteve që drejtojnë, edhe atë, duke u paguar muaj për muaj prej popullit. Ata me ligj kanë ndaluar vjedhjen për popullin, por njëri tjetrin nuk arrestojnë për keqpërdorime. Shembull konkret kemi Greqinë. 

Miliardat nuk janë zhdukur, nuk janë djegur, nuk i kanë marrë kinezët apo afrikanët, por janë zhvendosur në xhepa tjerë grek. Në Ballkan mirëpo vjedhja kolosale nuk konsiderohet vepër penale, por aftësi, dhunti, prandaj asnjë pirati nuk i cenohet liria. 

Në Ballkan vjedhin këngëtarët. Ata mbajnë koncerte jashtë e brenda. Këndojnë nëpër dasma dhe kërkojnë edhe një mijë euro në orë. Katër mijë euro për katër, e lexuat mirë. Në vendet ku funksionon shteti, gjysma e atyre fitimeve do të përfundonte në buxhetin e shtetin dhe ndihmoheshin projekte të ndryshme, si: kopshti i fëmijëve shkollat, fakultetet, të varfëritë, spitalet, armata, rrugët etj. 

Ata mirëpo nuk paguajnë tatime, sepse jetojnë nëpër shtete, ku administrata e shtetit është iluzion publik. Në Kumanovë për shembull pacientët duhet të marrin në spital një aparat për ngrohje sepse spitali nuk ka mundësi apo nuk dëshiron të shpenzojë për të sëmurët shqiptarë. Në Maqedoni klasa politike shqiptare si në vëllazërim-bashkimin e dikurshëm jugosllav, vjedh popullin shqiptar së bashku me maqedonasit. I betohen Niccolò Machiavellit. 

Në Ballkan vjedhin mjekët. Aq sa më e rëndë gjendja e pacientit, aq më shumë rriten pretendimet materiale të tyre. Ata që kanë mësuar “Betimin e Hipokratit”, i betohen Hipokritit. Këta së bashku me dy kategoritë e para rrjepin popullin dhe u shkatojnë trauma psikike njerëzve, që nuk janë të sëmurë, por që duhet të paguajnë për të afërmin.. Me paratë që fitojnë dhe për të cilat nuk paguajnë tatime, këta tok me klerin dhe politikanët, janë kanceri i një ekonomie nacionale. Megjithëkëtë, si kleri, si politikani, edhe mjeku merr pjesë aktive në rrënimin e shtetit duke dëmtuar buxhetin e vendit, rrjedhimisht popullin. 

Në Ballkan vjedhin doktorët e shkencave. Ata shesin doktoratura dhe prodhojnë plagjiatorë: njerëz të padijshëm që do të mësojnë nesër studentët dhe profesionalizojnë hajna tjerë që pasnesër, do të abuzojnë me popullin: nëpër spitale, nëpër komuna, nëpër fakultete apo vende tjera drejtuese. Ata doktorë të shkencave, duke prodhuar idiotë shkencorë, përfitojnë vet dhe ato përfitime, nuk i deklarojnë askund dhe dëmtojnë shtetin e përbashkët. Edhe doktorët e shkencave, si kleri, si politikanët, si mjekët, si këngëtarët, marrin pjesë aktive në shembjen e kulmit të përbashkët, që quhet shtet. 

Në Ballkan vjedhin me të madhe ndërmarrësit. Ata në vend se të deklarojnë hyrjet - duke parë si vjedhin të lartpërmendurit - deklarojnë më pak se gjysmën dhe kështu tok me klerin, politikanët, doktorët e shkencave, mjekët dhe këngëtarët, punojnë së bashku për ta rrënuar sovranitetin e vendit. 

Në Ballkan vjedhin çdo ditë edhe tregtarët ambulantë. Nuk mund të vjedhin shumë, por duke parë se vjedhja është specializim i moralshëm- ndoshta dhe marrin ndihmë sociale,- pjesën tjetër që fitojnë, nuk e deklarojnë askund. Por kush nuk vjedh në Ballkan nga ata që din shkrim-këndim? Zakonisht mësuesit e shkollave fillore, por në Shqipëri edhe këta dinë: për shembull duke kërkuar tufa apo saksi lulesh nga ata që mund t' i manipulojnë. Parullë e ballkanasve: i madhi duhet dhe mund të vjedhë të voglin. 

Nëse kleri vjedh, nëse mësuesi vjedh, nëse profesori vjedh, atëherë vjedh edhe politikani. Është rezulat i mjerë i tyre. Në një vend të tillë, nuk ka mundësi as teorike të ndryshohen veset e liga. Sepse ata që duhet të jenë shëmbëlltyra pozitive, pikërisht ata janë për faqe të zezë. 

Gati të gjithë hajnat e Ballkanit duhet të jenë edhe atdhetarë: pa marrë parasysh profesionin. Patriotizmi shërben si fletëhyrje në botën e vetëshërbimit dhe imunitetit. Nëse kanë arritur të krijojnë një besueshmëri, popullorshmëri, atëherë ata qëndrojnë mbi ligjin: mund të predikojnë urrejtjen hapur dhe ta konsiderojnë mendim të lirë. Ta shfrytëzojnë demokracinë, për ta rrënuar rendin demokratik. Mund të shesin doktoratura apo të plaçkitin pacientët. Ata nuk do të humbin as vendin e punës, as nuk nuk humbin të drejtën për ta ushtruar profesionin. 

Nëse zvogëlojmë shtetin dhe imagjinojmë si një shtëpi, atëherë shohim disa klerikë duke gërmuar me kazma themelin, disa ndërmarrës duke nxjerrë tulla nga muri, disa profesorë duke thyer dritaret, disa mjekë duke çarë me sëpata orenditë dhe shumë politikanë duke hjekur tjegullat nga kulmi, kurse populli, populli i shpërndarë si minjtë duke u përpjekur për ta shpartalluar derën dhe braktisur shtëpinë në rrënim. Të gjithë këta argatë, që merren me shndërrimin e shtëpisë në fragmente të pa rregullta, paguhen prej atyre minjve në arratisje e sipër. 

A do t' ishte zgjidhje të vihet një polic para hyrjeve të çdo objekti ? Jo në Ballkan. Ndër të parët që mund të blihet është pikërisht edhe ky njeri, që paguhet për ruajtjen e rendit dhe Kushtetutës. Mund të blihet edhe kolegu i tij në doganë. E si të krijohet një shoqëri që respekton ligjin, kur vjedhin: kleri, politikanët, profesorët e universiteteve, ndërmarrësit, nëpunësit, policët, këngëtarët, tregtarët, mjekët dhe punëtorët privat? 

Me zbatimin rigoroz dhe të pa kompromis të ligjit. Heshtja është koegzistencë dhe pajtim. Denoncimi i krimit ekonomik është obligim atdhetar, edhe pse çdo hajn i Ballkanit, quan veten patriot. Ali Baba me dyzetë hajdutë mund të mbahej disi, por Ali Baba me më shumë se katër mijë hajdutë, nuk mund të ushqehet dhe ngopet nga asnjë ekonomi kombëtare e Ballkanit.

Gazeta DITA
 

Keine Kommentare: